Autor, Shejkh Muhammed Shaakir.
Shejkhu i dijetarëve të Aleksandrisë në të kaluarën
1282 – 1358 H.
Parathënia e autorit
Gjithë falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.
Paqja dhe bekimi qofshin për zotërinë tonë, Muhammedin, zotërinë e pejgamberëve dhe të dërguarve, mbi familjen dhe gjithë shokët e tij.
Këto janë mësime parësore rreth moralit të pëlqyeshëm, të cilat i vendosa për nxënësit e diturive fetare. Kam mbledhur prej moralit aq sa i nevojitet nxënësit të dijes në fillimet e tij, që nëse i jep Allahu sukses, shpresohet që t’i bëj dobi Allahu me anë të tij shumë krijesave të Tij. Allahu është Dhuruesi i mirësive dhe Udhëzuesi në rrugën e drejtë.
Mësimi i parë
Këshillat e mësuesit për nxënësin e tij
O biri im! Allahu të dhëntë dije dhe sukses për punën e mirë! Ti për mua je në gradën e birit tek babai i tij.
Mua më gëzon fakti të të shoh me shëndet të mirë dhe të kesh dhunti për kuptimin e gjërave. Të jesh me zemër të pastër, me moral të përkryer, duke ruajtur virtytet. Të jesh larg fjalës së ndyrë dhe të kesh sjellje të mirë. Të jesh i dashur tek vëllezërit e tu, të përkrahësh të varfërit, të mëshirosh të dobëtit, të falësh gabimet e të tjerëve dhe të tolerosh të tjerët. Të mos jesh i shkujdesur me namazin tënd, dhe të mos lësh gjë mangët në adhurimin e Zotit tënd.
O biri im! Nëse e pranon këshillën e këshilluesit, atëherë unë jam më parësori që duhet t’ia pranosh këshillën.
Unë jam mësuesi yt dhe edukuesi i shpirtit tënd. Ti nuk do të gjesh ndonjë më të përpiktë se unë për dobinë tënde dhe rregullimin tënd.
O biri im! Unë jam këshillues besnik për ti, prandaj, pranoje atë që do të ta paraqes prej këshillave. Puno me to në praninë time, puno me to me vellëzërit e tu dhe me veten tënde.
O biri im! Nëse nuk do të punosh me këshillën time në vetminë tënde, atëherë do të punosh rrallë me të me vëllezërit e tu.
O biri im! Nëse nuk më merr mua si shembull, atëherë kë do të pranosh?! Për çfarë do të tregosh zell në uljen para meje?!
O biri im! Mësuesi nuk do prej nxënësve të tij, vetëm se atë, të mirin e edukuar. A do të ishe i lumtur sikur mësuesi dhe edukatori yt të jetë i pakënaqur ndaj teje, dhe sikur të mos përpiqej për rregullimin tënd?
O biri im! Unë të dua të mirën, prandaj më ndihmo të përcjell tek ti mirësinë duke u bindur dhe duke zbatuar atë që të urdhëroj prej moralit të mirë.
O biri im! Morali i mirë është stolia e njeriut në vetvete, tek shokët dhe farefisi i tij. Kështu që vishu me moralin e mirë, që të të respektojnë njerëzit dhe të të duan.
O biri im! Nëse nuk e zbukuron diturinë tënde me moralin e lartë, atëherë dituria tënde do të jetë më e dëmshme për ti se padituria jote, sepse i padituri është i justifikuar me injorancën e tij, ndërsa për dijetarin nuk ka asnjë arsye tek njerëzit nëse nuk zbukurohet me virtytet e larta.
O biri im! Mos iu mbështet mbikqyrjes që të bëj unë ti, sepse vërtet mbikqyrja tënde ndaj vetvetes është më e mirë dhe më e dobishme se mbikqyrja ime ndaj ti.
O biri im! I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: «Me të vërtet Allahu e përzgjodhi këtë fe për Veten e Tij. E nuk i përshtatet fesë suaj tjetër veç bujarisë dhe moralit të mirë, prandaj stoliseni fenë tuaj me këto të dyja.» (Transmeton Taberanij dhe e bëri të dobët Sujuti, por disa prej dijetarëve kanë thënë: Kuptimi i tij është i saktë sepse feja nuk ngrihet përveçse me bujari dhe moral të mirë).
Mësimi i dytë
Porosia për devotshmëri ndaj Allahut të Lartmadhëruar
O biri im! Vërtet Zoti yt e di atë që fsheh në zemrën tënde, atë që e shfaq me gjuhën tënde dhe është Vëshguesi i të gjitha punëve të tua. Prandaj, kije frikë Allahun, o biri im, dhe bëj kujdes, mos të të shohi në një gjendje që nuk e kënaq Atë. Bëj kujdes, që Zoti yt të mos inatoset me ti, i Cili të krijoi , të furnizoi dhe të dhuroi mendjen me të cilën drejton çështjet e tua. Si do ndihesh ti, nëse babai yt të shikon kur je duke bërë një punë të cilën ai ta ka ndaluar? A nuk ke frikë se mos të ndëshkon me ashpërsi? Po ashtu të jetë edhe gjendja jote me Allahun, sepse Ai të sheh ti edhe pse ti nuk e sheh Atë. Prandaj, mos shpërfill asgjë për të cilën të urdhëroi ta zbatosh dhe mos e shtri dorën tënde tek ajo që Ai ta ka ndaluar.
O biri im! Vërtet Zoti yt ka hakmarrje dhe dënim të ashpër, prandaj bëj kujdes dhe friksoju mërzitjes së Tij, inatosjes së Tij dhe mos të të mashtroj butësia e Tij se; “Vërtet Allahu i jep mundësi të padrejtit, derisa kur e merr atë nuk e shpëton.” (Transmeton Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh nga Ebu Musa El-Esh’arij, nga pejgamberi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).
O biri im! Bindja ndaj Allahut ka një shije dhe prehje të mrekullueshme, që nuk e njeh veçse ai që ka përvojë në të. Prandaj, përdore bindjen ndaj Mbrojtësit tënd duke patur përvojë për të me ditë të tëra për të arritur këtë shije të veçantë, për të ndier këtë prehje dhe për të mësuar sinqeritetin e këshillës sime që po ta drejtoj.
O biri im! Ti ke për të hasur vështirësi në bindjen ndaj Allahut, kur sapo e ke filluar atë, prandaj, duroje këtë vështirësi derisa të shndërrohet kjo bindje në gjërat e zakonta të cilat janë normale për ti.
O biri im! Mendoje veten tënde kur ishe në bangën e shkollës, në kohën kur mësoje shkrimin dhe leximin, kur urdhëroheshe që ta mësoje Kur’anin përmendësh, a nuk i urreje asokohe bangën dhe mësuesin dhe doje të ishe gjithnjë pushim? Por ja, ti sot arrite atë gradë që e kuptove dobinë e durimit gjatë kohës së mësimit në bangën e shkollës. Gjithashtu e kuptove, se mësuesi yt përpiqej për të mirën tënde.
O biri im! Dëgjoje këshillën time dhe duro gjatë bindjes ndaj Allahut, ashtu sikurse durove gjatë mësimeve në bangën e shkollës dhe ke për ta parë dobinë e kësaj këshille, nëse të ndihmon kujdesi i Allahut, që të punosh me porosinë e mësuesit tënd.
O biri im! Bëj kujdes, e mos mendo se devotshmëria ndaj Allahut është vetëm namazi, agjërimi dhe adhurimet e tjera.
Devotshmëria ndaj Allahut duhet shfaqur kudo, prandaj, kije frikë Allahun në adhurimin e Mbrojtësit tënd dhe mos e shpërfill atë. Kije frikë Allahun në lidhje me vëllezërit e tu dhe mos dëmto asnjë prej tyre. Kije frikë Allahun për sa i përket vendit tënd, mos e tradhto atë dhe mos e ndihmo armikun që ta sundoj dhe uzurpoj atë. Kije frikë Allahun në veten tënde, mos e lë pas dore shëndetin tënd dhe mos u sill me moral tjetër përveç moralit të mirë.
O biri im! I Dërguari i Allahut (paqja, shpëtimi dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) thotë: «Kije frikë Allahun kudo që të jesh, pasoje të keqen me të mirë, se ajo (e mira) e fshin atë (të keqen) dhe sillu me njerëzit me sjellje të mirë.» (E transmeton Imam Ahmedi, Tirmidhiu, Darimi, Hakimi, etj.).
Mësimi i tretë
Të drejtat e Krijuesit të Madhëruar dhe të drejtat e të Dërguarit të Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të)
O biri im! Allahu i Lartmadhëruar është Ai, që të ka krijuar, kur ti nuk ekzistoje dhe të ka dhuruar begatitë e Tij të dukshme dhe të padukshme. A nuk e di ti, se në fillim ishe një lëng (ujë i pakët) në barkun e nënës tënde dhe vazhdove duke u transformuar në begatinë e Zotit tënd dhe mëshirën e Tij, derisa në fund ajo të lindi njeri të plotë. Ai të dhuroi një gjuhë me të cilën flet, dy sy me të cilët shikon, dy veshë me të cilët dëgjon dhe mendjen me të cilën dallon atë që të bën dobi dhe atë të cilën nuk të bën dobi. «Allahu ju nxorri nga barqet e nënave tuaja dhe ju nuk dinit asgjë. Ju pajisi me shqisa për të dëgjuar dhe për të shikuar si dhe me zemër, me qëllim që të jeni falënderues.» (Sure En-Nahl 78.)
A mos vallë nuk ka mundësi Ai i Cili t’i dhuroi këto begati duke bërë mirë dhe bamirësi, që të t’i largojë ato, nëse ti e inatos Atë dhe Ai inatoset ndaj teje?
O biri im! Detyrimi i parë për ti ndaj Krijuesit tënd të Lartmadhëruar është që ta njohësh Atë me cilësitë e Tij të përsosura. Të jesh shumë lakmues në bindjen ndaj Tij, duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu shmangur ndalesave të Tij.
Të besosh në mënyrë të prerë se mirësia është ajo, që Allahu ka zgjedhur për ti dhe jo ajo që ti zgjedh për veten tënde. Mos të të pengojnë nga bindja e Mbrojtësit tënd dhe adhurimi i Tij epshet, gjërat e kota pa vlerë dhe as bindja ndaj ndonjërit prej krijesave kushdo qoftë ai, prej shtresës së lartë, apo asaj të ulët.
O biri im! Prej mirësisë së Allahut ndaj robëve të Tij është dërgimi i të dërguarve (paqja dhe mëshira qofshin mbi ta), për drejtimin dhe udhëzimin e krijesave tek ajo me të cilën rregullohet gjendja e tyre në fenë dhe dynjanë e tyre.
I Dërguari i fundit është zotëria ynë: «Muhammed ibën Abdullah ibën Abdul-Mattalib ». Ashtu siç është detyrë për ti bindja ndaj Mbrojtësit tënd, ashtu është detyrë për ti edhe bindja ndaj të Dërguarit të Tij të nderuar (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).
«O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre prej jush të cilët janë në drejtimin dhe udhëheqjen tuaj.» (An-Nisa 59) «Dhe këdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai do ta futë në kopshtet e begatë nën të cilët rrjedhin lumenj, dhe këdo që nuk bindet dhe largohet, Ai do ta dënojë me ndëshkim të dhimbshëm.» ( El-Fet‘h 17 ).
O biri im! I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) nuk flet në ajër nga mendja e vet. Të gjitha urdhrat dhe ndalesat e tij, burojnë nga shpallja hyjnore. Bindja ndaj tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) është prej bindjes ndaj Allahut të Lartmadhëruar. «Thuaj (o Muhammed) : “Nëse vërtet e doni Allahun atëherë më ndiqni mua, Allahu do t‘ju dojë ju dhe do t‘ju falë juve gjynahet tuaja. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, Mëshirplotë”.» (Al-Imran 31).
O biri im! Besimi i robit nuk plotësohet, derisa të jenë Allahu dhe i Dërguari i Tij më të dashur tek ai, se kushdo tjetër. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: «Nuk beson ndonjëri prej jush derisa të jem më i dashur tek ai, se prindi i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit.» (Transmeton Imam Ahmedi, Bukhariu, Muslimi, Nesai dhe ibën Maxheh nga Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur me të).
Mësimi i katërt
Të drejtat ndaj prindërve
O biri im! Sado vështirësi që të hasësh në shërbim të babait dhe nënës tënde, përsëri të drejtat e tyre ndaj teje kanë për të qenë shumë, shumë herë më të mëdha. «Mos u thuaj atyre ndonjë fjalë pakënaqësie e mosrespekti, as mos e ngri zërin (duke u thënë “uf !”) por t‘i drejtohesh atyre me shprehje nderuese e me respekt. Dhe ule mbi ta krahun e nënshtrimit, të mirësisë e të përuljes me mëshirë, dhe thuaj: Zoti im! Dhuro mbi ta përkujdesjen tënde, siç treguan ata për mua, kur unë isha i mitur.» (El-Isra 23-24 ).
O biri im! Shiko foshnjën e vogël dhe dhembshurinë e prindërve të tij për të. Shiko kujdesin e tyre për shëndetin, ushqimin dhe pirjen e tij, natën dhe ditën. Kur ta bësh këtë, ke për ta kuptuar se ç’kanë hequr prindërit e tu për rritjen dhe edukimin tend, derisa u bëre burrë.
O biri im! Ti në këtë kohë, që Allahu të ka dhënë sukses, që unë të të mësoj, vazhdon të lëvizësh në begatinë e babait tënd i cili përkujdeset për ti brenda mundësive të tija, dhe nuk kursehet aspak për ti për atë që ka mundësi. Sikur të mos ishte babai yt, nuk do të kishe mundësi të uleshe në këtë grumbullim mes nxënësve të dijes.
O biri im! Çdo njeri dëshiron të jetë në gradë të lartë, me pozitë të madhe, i dashur tek Allahu dhe tek njerëzit. Madje ç’dokush dëshiron të jetë mbi të tjerët. Por prindi, do që fëmija i tij të jetë në pozitë më të mirë, në gradë më të lartë dhe më krenar se vetë ai. Atëherë si duhet të sillesh me dikë, që të jep përparësi mbi veten e tij dhe dëshiron për ti më tepër se ç’dëshiron për veten e tij?
O biri im! Ruaju dhe bëj kujdes, që të mos i mërzitësh babanë dhe nënën tënde, sepse mërzitja e Allahut është e lidhur ngushtë me mërzitjen e prindërve. Dhe ai me të cilin Allahu mërzitet, ka humbur këtë botë dhe botën tjetër.
O biri im! Bindju babait dhe nënës tënde dhe mos i kundërshto për asnjë gjë. Përveç nëse të urdhërojnë për kundërshtimin e Zotit tënd, se atëherë; «Nuk ka bindje ndaj krijesës në kundërshtim të Krijuesit.» (Hadith Sherif që e ka transmetuar Imam Ahmedi, Hakimi, Bezzari dhe Taberanij).
«Dhe Ne kemi kërkuar nga njeriu (të jetë i përkushtuar dhe i dëgjueshëm) ndaj prindërve të tij. Nëna e tij e mbarti atë me mundime pas mundimesh e vështirësi pas vështirësish dhe dhënia e gjirit është dy vjet, më falëndero Mua dhe prindërit e tu, tek Unë është kthimi i fundit. Por nëse ata të dy përpiqen, që ti të bashkosh në adhurimin Tim, të tjerë për të cilët ti nuk ke asnjë dije, atëherë mos iu bind atyre, por sillu me ta në dynja me dashamirësi dhe ndiq rrugën e atij i cili më kthehet Mua me pendim dhe nënshtrim. Pastaj tek Unë do të jetë kthimi juaj dhe Unë do t‘ju tregoj çfarë keni punuar.» ( Lukman 14-15 )
O biri im! Njeriu që të do më tepër është babai yt, i cili u përkujdes për edukimin tënd në vegjëli, dhe ndoqi rrugën e drejtë për mësimin tënd, derisa u bëre prej nxënësve të diturive fetare. Prandaj, përpiqu t’i pranosh këshillat e tij, sepse ai di më tepër se ti për atë që të ndodh, atë që të sjell dobi dhe atë që të shkakton dëm. Dhe Allahu të udhëzon, të drejton dhe të rregullon.
Mësimi i pestë
Të drejtat ndaj vëllezërve
O biri im! Tashmë u bëre prej nxënësve të dijes dhe ke shokë në mësimin tënd. Ata janë vëllezërit e tu dhe familja jote. Kujdes, se mos dëmton ndonjë prej tyre, apo mos sillesh keq me të.
O biri im! Kur të ulesh në mësim, mos ngushto asnjë nga vëllezërit e tu, madje liroji vend atij që të mund të ulet lirshëm. Dije se ngushtimi i vëllezërve në grumbullimet e tyre ftoh zemrat, mbin urrejtjet dhe ngjall ligësitë. «O ju që keni besuar! Kur ju thuhet të hapni vend nëpër kuvende, (hapuni dhe) bëni vend që Allahu t‘ju bëj vend. Dhe kur ju thuhet të ngriheni, atëherë çohuni pra, që Allahu t‘i lartësoj ata që besojnë dhe ata të cilëve u është dhënë dije, në grada të larta. Dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni.» (El-Muxhadilah 11).
O biri im! Kur dikush nga vëllezërit e tu, has ndonjë paqartësi në mësim dhe kërkon nga mësuesi t’ia sqarojë atë, atëherë dëgjo me vëmendje se çfarë do t’i thotë mësuesi në përgjigje, sepse ndoshta gjatë përgjigjes përfiton një dobi të cilën nuk e dije. Bëj kujdes, dhe ruaju se mos thua ndonjë fjalë, që nënkupton nënçmimin e tij, ose që shfaq në fytyrën e tij nënvlerësim të mendimeve të tija.
O biri im! Imam Ebu Hanifes (Allahu qoftë i kënaqur me të) i thanë: Si e arrite këtë dije që posedon? Ai tha: Nuk jam kursyer në ndonjë dobi dhe nuk kam nënvlerësuar asnjë përfitim.
Pra, biri im! Mos ua ngushto vëllezërve të tu rrugën e dijes, kur kërkojnë nga mësuesi i tyre vërtetimin e një çështjeje të cilën nuk e kanë kuptuar tërësisht. Por edhe ti, merr pjesë duke dëgjuar çfarë thotë mësuesi nëse i do të mirën vetes tënde.
O biri im! Vëllezërit e tu janë bashkë me ti në banesë dhe në fjetinë. Prandaj, përpiqu për rehatinë e vëllezërve të tu në banesën e tyre, dhe kur të vijë koha e gjumit mos i bezdis ata duke studiuar dhe përsëritur mësimet. Madje kërkoje rehatinë për ta ashtu siç e kërkon për veten tënde. Kur të çeli drita (agu i parë) dhe të zgjohesh për të falur namazin farz, zgjoji edhe vëllezërit e tu me butësi dhe mirësjellje. Ndiqeni rregullisht faljen duke e falur me xhemat sepse namazi me xhemat është më i mirë se namazi që falet individualisht.
O biri im! Kur ndonjë nga shokët e tu të kërkon ndihmë për një punë që nuk e kryen dot vetë, mos iu kurse atij, por ndihmoje. Bëj kujdes, se mos i shfaq atij shenja që e bëjnë të kuptojë se ti je superior ndaj tij, për shkak të kësaj ndihme.
O biri im! I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: «Besimtari për besimtarin është si godina, pjesët e së cilës mbështesin dhe shtrëngojnë njëra-tjetrën.» (Transmeton Bukhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesai, të gjithë nga Ebu Musa El-Esh’arij, Allahu qoftë i kënaqur me të).
Përshtati në shqip Bledar Ali
Dosje: Pjesë Libri, Porositë e Etërve