Porositë e etërve për bijtë II

March 30, 2010

Autor  Shejkh  Muhammed  Shaakir.

Shejkhu  i  dijetarëve  të  Aleksandrisë  në të  kaluarën

1282  –  1358 H.

Mësimi i gjashtë

Edukata e kërkimit të dijes së nderuar

O biri im! Vrapo në kërkimin e dijes me zell dhe dëshirë të zjarrtë. Përpiqu të mos humbasësh asgjë nga koha jote pa përfituar në të ndonjë çështje.

O biri im! Lexoji mirë mësimet që ke në program para se t’i dëgjosh nga mësuesi në orën e mësimit. Nëse ndonjë çështje nuk e kupton, atëherë mos nguro t’ia paraqesësh ndonjërit prej vëllezërve të tu, që të marrësh pjesë me të në kuptimin e saj. Mos kalo nga një çështje tek tjetra para se të përvetësosh  mirë çështjen e parë. Nëse mësuesi të cakton ndonjë vend për t’u ulur gjatë mësimit, mos u ul në një tjetër vend. E nëse dikush prej vëllezërve ulet aty, mos u grind me të dhe mos e fyej, por mund ta shpiesh çështjen tek mësuesi yt, që ai ta çoj atë dhe të të ulë ty në vendin tënd.

O biri im! Kur mësuesi fillon të shpjegojë mësimin, mos u merr me diçka tjetër dhe mos bisedo me vëllezërit e tu. Dëgjo me vëmendje dhe përqëndrim atë që thotë mësuesi, dhe mos e ngarko mendjen tënde me diçka tjetër jashtë mësimit. Nëse has ndonjë paqartësi gjatë shpjegimit të një çështjeje, mos nguro, por kërko nga mësuesi me edukatë dhe mirësjellje përsëritjen e saj. Dhe bëj kujdes, mos ia ço zërin mësuesit tënd dhe as mos e  shpërfill atë, nëse ai të shmanget e nuk e kthen kokën tek fjala tënde.

O biri im! Kur nxënësi del jashtë kontrollit para mësuesit të tij, atëherë bie vlera e tij tek mësuesi dhe tek vëllezërit, madje ai meriton të edukohet dhe të ndëshkohet për sjelljen e tij të pahijshme.

O biri im! Nëse nuk e respekton mësuesin tënd më tepër se babanë tënd, atëherë nuk ke për të përfituar asgjë nga njohuritë e tij dhe as nga mësimet e tij.

O biri im! Stolia e dijes është thjeshtësia dhe edukata. Kush thjeshtësohet për Allahun, Ai ka për ta ngritur dhe ka për ta bërë të dashur tek krijesat. Ndërsa kush tregohet mendjemadh dhe i paedukatë, Allahu ka për ta bërë të urryer tek njerëzit. Saqë rrallë mund të gjendet ndonjë njeri që e nderon dhe që tregon mëshirë ndaj tij.

O biri im! Nuk ka gjë më të dëmshme për nxënësin e dijes, se mërzitja e mësuesve dhe dijetarëve ndaj tij. Prandaj, bëj kujdes, o biri im, se mos mërzit ndonjë nga mësuesit apo sillesh keq para tij. Sepse e pakta gjë që buron nga mërzitja e mësuesve është ndalimi dhe bojkoti. Pranoje, o biri im, këtë këshillë prej meje dhe përpiqu të fitosh kënaqësinë e mësuesve të tu. Madje kërko prej tyre të luten për ty, që të kesh sukses, se ndoshta Allahu e pranon lutjen e tyre për ty. Kur të jesh vetëm, bë sa më shumë lutje dhe përgjërime tek Allahu i Lartësuar që të të jap dijen e dobishme dhe punën me të, se vërtet Zoti yt është Dëgjuesi i lutjes dhe Dhënës i Madh Bujar.

Mësimi i shtatë

Edukata e leximit, përsëritjes dhe dialogut

O biri im! Nëse  do më të mirën, mos e lexo mësimin i vetëm, por zgjidh një shok nga vëllezërit e tu, që të lexosh bashkë me të dhe të të ndihmojë për kuptimin e tij. Kur të kalosh një çështje dhe mendon se e ke kuptuar atë, mos u mjafto me mendimin tënd, por lëje librin mënjanë dhe përsërite atë në vetvete ose me atë person që është bashkë me ty, njësoj sikur ua shpjegon mësimin nxënësve.

O biri im! Sillu mirë me vëllanë që e ke zgjedhur  për të lexuar bashkë me të. Nëse e kupton mësimin para tij mos iu mburr atij. Nëse ai të kundërshton në kuptimin e një çështjeje, dëgjoje çfarë ai thotë se ndoshta e vërteta është me të dhe ti e ke kuptuar gabim. Ruaju nga polemika boshe dhe nga triumfi i mendimit tënd kur je në gabim. Sepse dija është amanet dhe kush e ndihmon të kotën ka humbur amanetin e Allahut.

O biri im! Përsëriti sa më shumë dijet që zotëron, sepse sëmundja e dijes është harresa. Mësoje mirë, se në fund të vitit do të provohesh për të gjitha njohuritë e tua, dhe në provim njeriu nderohet kur përgjigjet pozitivisht. Dhe e nënvlerësojnë atë familja dhe vëllezërit e tij, kur   përgjigjet  negativisht dhe kur ka qenë i shkujdesur gjatë studimit.

O biri im! Bëj kujdes, se mos studimi yt është thjesht mësim përmendësh i fjalëve, pa ditur kuptimin e tyre. Prandaj, syno t’i kuptosh gjërat drejtë dhe t’i fiksosh ato në mendjen tënde. Sepse dija është ajo që ti e kupton dhe jo ajo që e mëson përmendësh.

O biri im! Sa herë që mblidhesh me vëllezërit e tu dhe diskuton me ta për çështjet që  njihni, mos ia ndërpre fjalën atij që flet dhe mos u nxito të përgjigjesh para se të sigurohesh. Mos debato për një çështje të cilën nuk e ke studiuar. Mos dialogo pa të drejtë dhe mos shfaq epërsi ndaj atij që dialogon. Mos dil nga tema e dialogut duke e quajtur mendjelehtësi mendimin e bashkëbiseduesit tënd. Mos e plagos atë me fjalë të dhimbshme dhe mos e turpëro kur shfaqet gabimi i tij në të kuptuar.

O biri im! Dialogu mes nxënësve rreth çështjeve të dijes ka shumë dobi. Ai forcon kuptimin, lëshon gjuhën dhe të ndihmon të shprehësh sa më mirë qëllimet e tua. Por kjo nuk të bën dobi tek Allahu dhe as tek njerëzit, vetëm nëse je me moral të lartë dhe me edukatë, larg fjalëve të ndyra. Thuaje të vërtetën qoftë edhe ndaj vetes tënde dhe mos të të pengojë nga e vërteta qortimi i askujt, cilido qoftë.

Mësimi i tetë

Edukata e gjimnastikës dhe ecjes në rrugë

O biri im! Kur të kesh kohë të lirë, ushtrohu edhe me gjimnastikë, që të freskosh gjallërinë tënde për vazhdimësinë e mësimeve të tua. Kur të dalësh për gjimnastikë zgjidh ambjentet që kanë ajër të pastër. Shko me prehje dhe qetësi dhe mos u nxito në ecje. Mos u tall me njeri në rrugë dhe mos qesh me zë, por vetëm buzëqesh.

O biri im! Kur të dalësh për gjimnastikë ose për diçka tjetër me vëllezërit e tu, mos ngacmoni asnjë nga kalimtarët në rrugë. Kujdes, mos u rreshtoni duke zënë rrugën. Nëse rruga është e gjerë ecni dy e nga dy, e në të kundërt një e nga një.

O biri im! Rrugët publike nuk janë pronë e askujt dhe çdo kalimtar ka të drejtë të kalojë në to, prandaj, mos u ngjeshni në rrugë, se kjo nuk është e hijshme për nxënësit e dijes dhe humbet respektin e njerëzve ndaj tyre.

O biri im! Nëse dëgjon zhurmë në rrugë ose sheh një grup njerëzish që rrihen me njëri-tjetrin, mos u përziej me ta dhe mos u afro tek ata. Kjo gjë mund të shkaktojë  përbuzjen  dhe uljen tënde. Madje ndoshta të akuzojnë për diçka të paqenë.

O biri im! Nëse dikush të shqetëson në rrugë nga masa e gjerë e popullit, ti mos e kthe të keqen me të keqe, por tregohu tolerant ndaj atij që të dëmton, dhe ke për ta parë se Allahu ka për ta ngritur vlerën tënde.

«Shpërblimi për një të keqe është një e keqe e barabartë me të, por kushdo që fal dhe bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu.» (Esh-Shura 40). Me këtë sjellje të bukur na edukoi Allahu në Librin e Tij Famëlartë.

O biri im! Kur të dalësh nga xhamia ose  banesa për të blerë diçka  për të ngrënë, për të pirë ose për të veshur, mos i përfill provokimet e mendjelehtëve dhe mos ua vër veshin fjalëve të tyre të ndyra. Shmangu sa të mundesh nga ata. Mos debato me shitësit për caktimin e çmimeve. Nëse të pëlqen çmimi bleje mallin, në të kundërt ik me paqe. Bëj kujdes, se mos shkon tek shitësit sa për të kaluar kohën duke mos blerë gjë. Ngase kjo i shtyn ata që të dëgjosh prej tyre fjalë jo të hijshme dhe të mërzitshme.

O biri im! Kur i flet dikujt mos ia ço zërin, por fol aq sa ai të dëgjojë. Fol me fjalë të ëmbla dhe shprehje të mira. Bëj kujdes dhe mos fol fjalë të cilat të ulin vlerën tek ai të cilit po i flet, edhe pse është nga bashkëmoshatarët dhe kolegët e tu. Nëse dikush të flet, dëgjoje me vëmendje dhe mos e prit me ashpërsi dhe mospërfillje. «Dhe sillu me njerëzit me sjellje të mirë.»

Mësimi i nëntë

Edukata e mësimit dhe e uljes me të tjerët

O biri im! Kur të kalosh pranë dikujt, jepi selam me shprehjen e njohur e cila ka ardhur në Sunetin profetik. Të thuash: «Es-Selamu alejkum!» Mos përdor shprehje të tjera të shpikura veç kësaj shprehje. Mos hy në një vend ku janë ulur disa njerëz pa kërkuar leje prej tyre, sepse ndoshta janë duke zhvilluar një bisedë private, që nuk duan ta marrë vesh njeri. Shmangu sa të mundesh nga sjellja si fëmijë me njerëzit, sepse ai që sillet si fëmijë u rëndohet njerëzve edhe nëse është më i dituri i kohës së tij.

O biri im! Kujto veten tënde kur je në shtëpi duke punuar një punë, që nuk do të të shohi njeri, dhe papritur, aty hyn dikush. A nuk të bezdis ai dhe ti dëshiron që  të ikë? Po kështu edhe të tjerët bezdisen nga ti, kur  hyn tek ata pa lejen dhe pëlqimin e tyre.

O biri im! Kur dikush të fton të ulesh me një grup njerëzish dhe ti je më i vogli në moshë, mos u ul, derisa ata të lejojnë që të ulesh. Kur të ulesh, mos ngushto asnjë nga njerëzit që janë ulur. Mos detyro ndonjë që është ulur, të ngrihet për shkakun tënd. Mos u ul në një vend të veçantë  nëse në atë grumbullim është dikush tjetër që meriton më shumë se ti të ulet aty. Kur je ulur në një vend dhe më pas vjen dikush më parësor se ti, atëherë liroja vendin atij para se të urdhërohesh të largohesh prej aty, dhe ke për të parë se respekti ndaj teje në sytë e të pranishmëve do të shtohet.

O biri im! Kur të ulesh tek një grup njerëzish, mos hy në bisedë me ta, derisa ata të të ftojnë në të. Mos fol, kur mes të pranishmëve është dikush më parësor se ti të flasë. Kur të flasësh, fol drejtë dhe mos e tepro duke folur, por fol aq sa duhet për të ngritur faktin. Me të pranishmit, dialogo me edukatë, duke u ruajtur nga rrëshqitjet e pakontrolluara të gjuhës.

Bëj kujdes nga e qeshura me zë në grumbullimet me njerëzit, sepse ajo është prej moralit të ulët dhe ves i palaçove. Pakësoi sa të mundesh shakatë, sepse shakatë e tepërta të humbasin respektin dhe ndoshta të bëjnë të urryer në zemrat e disa njerëzve.

O biri im! Mos u shoqëro me çdo njeri, por vetëm me njerëz të mirë, të ndershëm, të sjellshëm dhe të përsosur. Bëj kujdes dhe mos u përziej me mendjelehtët në shoqërinë e tyre. Bëj kujdes nga uljet ku bëhen përgojime dhe thashetheme. Mos u shoqëro me asnjë rrugaç dhe të prishur. Kujdes nga shoqëria dhe bashkëjetesa me njerëzit e ndyrë, të fëlliqur dhe hipokritë. Morali i keq, përhapet midis shokëve që ulen bashkë ashtu siç përhapet zjarri nëpër dru.

Mësimi i dhjetë

Edukata e ngrënies dhe pirjes

O biri im! Nëse dëshiron të jetosh me një trup të shëndetshëm larg sëmundjeve, atëherë mos fut në stomakun tënd ushqim mbi ushqim dhe ha vetëm nëse je i uritur. Kur të hash, mos e mbush barkun me ushqim. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: «Nuk ka mbushur biri i Ademit enë më të keqe se barku i tij.» (Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu, ibën Maxheh dhe Hakimi, të gjithë nga hadithi El-Mikdam ibën Ma’dijkerib, Allahu qoftë i kënaqur me të).

O biri im! Nëse ke nevojë për ushqim, atëherë laji duart dhe përmend emrin e Allahut para ngrënies. Mos e gëlltit ushqimin duke e kapërdirë, por përtype kafshatën duke e bluar me dhëmbë, sepse përtypja e mirë ndihmon  tretjen. Ha nga ajo që ke përpara dhe mos i zgjat duart sa andej këndej, sepse është babëzi dhe lakmi e pashuar.

O biri im! Mos u sill si endacakët dhe njerëzit e ulët, mos ha në pazare dhe nëpër rrugë qoftë dhe sa për të provuar,  sepse kjo gjë të ul personalitetin dhe vlerat e tua.

O biri im! Ruaju nga koprracia dhe kurnacëria. Nëse ulesh për të ngrënë dhe pranë teje ndodhet dikush që e njeh apo nuk e njeh, ftoje atë të hajë bashkë me ty. Nëse të tepron diçka, jepe sadaka tek nevojtarët. Mos nënvlerëso asgjë nga ajo që  jep për sadaka, sepse sadakaja e pakët është diçka që u nevojitet të varfërve. Kur t’i japësh sadaka një të varfëri, mos e lëndo dhe mos e përbuz atë. «Fjalët e dashura dhe falja e gabimeve janë më mirë se sadakaja (lëmosha) e ndjekur me lëndim.» (El-Bekareh 263). “Përpiqu ta fshehësh sadakanë tënde nga sytë e njerëzve sepse sadakaja e fshehtë e shuan inatosjen e Allahut të Lartësuar.” ( Transmeton Taberanij).

O biri im! Ruaju nga ngrënia dhe pirja në enët e papastërta, sepse mund të shkaktojnë sëmundje, të cilat nuk i shëron  as ilaçi i doktorit dhe as kurimi i njeriut të mençur.

Mos pi ujë të ndotur me papastërti. Përmend emrin e Allahut para se të pish. Mos pi ujë duke e kapërdirë në stomak pa marrë frymë, por pije me qetësi, pak nga pak dhe tri herë, duke e ndarë secilën herë me përmendjen e Allahut të Lartësuar. Kur të mbarosh të ngrënit dhe të pirët, falëndero Allahun i Cili të ushqeu dhe të dha ujë. Falënderoje Atë për begatitë e Tij  të panumërta. Allahu të udhëzoftë dhe të drejtoftë.

Përshtati në shqip  Bledar Ali

Dosje: ,

Loading...