Porositë e etërve për bijtë III

Autor, Shejkh  Muhammed  Shaakir.

Shejkhu  i  dijetarëve  të  Aleksandrisë  në të  kaluarën

1282  –  1358 H.

Mësimi i njëmbëdhjetë

Edukata e adhurimit dhe edukata në xhami

O biri im! Bëj kujdes, mos lë gjë mangët në adhurimin e Zotit tënd, sepse Ai thotë në Librin e Tij të Lartë: «Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindët, veçse të më adhurojnë vetëm Mua. Dhe nuk dua prej tyre ndonjë furnizim dhe as që ata të më ushqejnë Mua. Vërtet që Allahu, është padyshim, Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i fuqisë, i Përhershmi më i Fortë.” (Edh-Dharijat 56-58).

O biri im! Përpiqu gjithnjë, ta kryesh faljen farz në kohën e saj me xhemat.

Kur të afrohet koha, shpejto të marrësh abdes dhe mos ngushto njeri në rrugë. Mos e shpërdoro ujin. Kur muezini të ketë thirrur ezanin, drejtohu nga kibla dhe fal sunetet që janë para farzit. Më pas ulu me prehje dhe qetësi, derisa të thirret ikameti. Falu në xhemat me frikërespekt dhe përulje. Dije mirë, se gjatë kohës që falesh po i drejtohesh duke thirrur Zotin tënd dhe duke qëndruar para Tij. Bëj kujdes, nga ngacmimet e shejtanit, nga e qeshura në prani të Mbrojtësit tënd dhe mos e angazho zemrën tënde me diçka tjetër veç thirrjes së Zotit tënd.

O biri im! Pasi të kryesh namazin farz, fal sunetet që janë pas, dhe bëj lutje të mira sa ta shohësh të arsyeshme. Kërko falje prej Zotit tënd, kërkoji Atij të të japë sukses, se Ai është Dhuruesi i të mirave dhe i Dijshmi.

O biri im! Nëse ke mundësi ulu në xhami vetëm duke qenë me abdes sepse xhamitë janë shtëpitë e Allahut. Dhe nuk është prej edukatës të hysh në shtëpinë e Zotit tend, duke mos qenë i përgatitur për adhurimin e Tij.

O biri im! Masa e gjerë e muslimanëve i sheh nxënësit e dijes  me respekt dhe u duket e madhe çdo gjë e vogël që buron prej tyre. Prandaj, bëj kujdes, o biri im, që të mos lëshohen gjuhët e masës së gjerë të popullit tek ti. Mos e ço zërin në xhami, sepse këtë gjë kur e bën dikush nga masa e gjerë e popullit është e shëmtuar, por kur e bëjnë nxënësit e dijes është edhe më e shëmtuar. Mos bëj fjalë me asnjë nga vëllezërit e tu dhe mos u grind me asnjë prej tyre. Mos pengo dhe mos ngushto asnjë musliman që të adhuroj Zotin  në shtëpinë e Mbrojtësit të tij.

O biri im! Kur dikush nga masa e gjerë e popullit hyn në xhami, është mirë për ti dhe për atë, që të mësojë nga ti edukatën dhe frikërespektin. Dhe jo të harrosh edukatën dhe të ngrihet ai të të këshilloj dhe të të mësojë.

O biri im! Mos e humb vlerën e dijes duke u sjellur keq në shtëpitë e Allahut dhe mos i lësho gjuhët e njerëzve të  thjeshtë tek vëllezërit e tu.

Kur të shohësh tek namazlinjtë diçka që e urren, sillu me butësi dhe bamirësi. Nëse do t’u mësosh një gjykim fetar, mos u fol ashpër dhe mos i largo nga kuptimi i fesë. Allahu udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.

Mësimi i dymbëdhjetë

Mirësia e çiltërsisë

O biri im! Përpiqu  të jesh i çiltër në çdo gjë kur i flet dikujt, ashtu siç lakmon për veten dhe pasurinë tënde, sepse gënjeshtra është e meta dhe njolla më e madhe.

Ruaju, o biri im, mos njihesh mes vëllezërve dhe mësuesve të tu për gënjeshtar, sepse nuk ka për të të besuar më asnjë në atë që thua, edhe kur flet të vërtetën.

O biri im! Nëse vepron diçka për të cilën meriton një ndëshkim nga mësuesi yt, mos e gënje atë kur të të pyesë dhe mos u përpiq t’ia ngjitësh gabimin dikujt tjetër prej vëllezërve të tu. Se ndoshta zbulohet fakti që ti ke gënjyer dhe atëherë do meritosh ndëshkim të shumëfishtë; ndëshkimin e gabimit, ndëshkimin e gënjeshtrës, e si mund të të shpëtoj ky ndëshkim nga ndëshkimi i Zotit tënd, i Cili di atë që ti fsheh në kraharorin tënd.

O biri im! Me të vërtetë Allahu i ka mallkuar gënjeshtarët  në Librin e Tij të Lartë. A të pëlqen të jesh i mallkuar tek Allahu, kur ti je nga nxënësit e dijes fetare?

O biri im! Nëse gënjen një herë dhe shpëton se nuk ka dëshmitar kundër teje, dije se rrallë mund të shpëtosh herët e tjera , kur ka për t’u zbuluar gënjeshtra jote me dëshminë e atij që të pa.

O biri im! Nëse nuk friksohesh nga njerëzit kur i gënjen, a nuk frikësohesh nga Mbrojtësi yt, i Cili i njeh sytë që tradhtojnë dhe atë që fshehet në kraharore?

O biri im! Kur njeriu gënjen një herë, gjuha ka për ta mësuar gënjeshtrën, saqë rrallë mund të jetë e çiltër kur flet apo thotë ndonjë fjalë. Përpiqu sa më shumë që të jesh i çiltër dhe i sinqertë në atë që del prej gjuhës tënde. Bëj kujdes, mos thuaj gënjeshtra edhe nëse të cënohet vetja jote.

O biri im! Kjo është porosia ime për ti! Nëse je prej njerëzve të çiltër ashtu siç duhet të jenë nxënësit e dijes së nderuar, atëherë më jep besën se nuk ke për të gënjyer asnjëherë dhe thuaj: «Mbi mua është besa e Allahut dhe marrëveshja me Të, se nuk kam për të gënjyer asnjë, sa të jetoj», dhe ke për të na shfaqur në ditët që vijnë, se sa e ke ruajtur këtë besë që i dhe Allahut, para mësuesit tënd dhe vëllezërve të tu.

O biri im! Disa njerëz pa moral e përdorin gënjeshtrën për shaka, prandaj, ruaju dhe mos gënje as seriozisht dhe as me shaka. Mësoje gjuhën tënde vetëm me të drejtën dhe me çiltërsinë. Dije mirë, se atij që njihet për çiltërsi dhe sinqeritet në popullin, fisin dhe vëllezërit e tij, i merret fjala për bazë, si fakt pa argument. Madje ka për t’u konsideruar si njeri i drejtë dhe i çiltër tek të gjithë. Prandaj, nëse dëshiron që njerëzit të kenë siguri tek ti, përpiqu të jesh i çiltër në çdo gjë që flet. Allahu të udhëzoftë dhe të drejtoftë tek e vërteta.

Mësimi i trembëdhjetë

Rreth mirësisë së amanetit

O biri im! Amaneti është mirësia më e bukur me të cilën njeriu stoliset. E kundërta e tij është tradhtia, që është gjëja më e shëmtuar me të cilën njeriu shëmtohet dhe i ulet vlera!

Amaneti, o biri im, është stoli e njerëzve me vlerë dhe dijetarëve. Amaneti bashkë me çiltërsinë janë nga cilësitë e të Dërguarve (salati dhe salami qoftë mbi ta).

O biri im! Ji besnik dhe mos tradhto askënd në nder, në pasuri dhe në asgjë tjetër. Nëse dikush të beson pasurinë e tij, mos e tradhto, por ktheja atë menjëherë kur ai ta kërkojë. Kur ai të beson një të fshehtë të tij, mos e tradhto  dhe mos e përhap atë as tek shoku më i sinqertë, madje as tek njeriu më i shtrenjtë që ke.

O biri im! Në banesën tënde ndoshta ka vëllezër që jetojnë bashkë me ti. Ata i lënë plaçkat në banesë sepse mbështeten në amanetin (besnikërinë) tënd. Prandaj, mos e zgjat dorën drejt plaçkave dhe orendive të tyre, në mungesë të tyre dhe mos mundëso askënd t’u afrohet atyre, kur ti je i pranishëm dhe ata mungojnë.

O biri im! Ruaju të mos jesh i akuzuar nga  vëllezërit e tu për tradhti. Sepse sa herë që ata të humbasin diçka, do të të akuzojnë ti dhe do ta adresojnë tek ti vjedhjen edhe pse ti nuk ke gisht në të.

O biri im! Ji besnik në çdo gjë, qoftë e vogël apo e madhe. Bëj kujdes dhe mos i pëshpërit vetvetes për tradhti në diçka të madhe apo të vogël. Mos e hap portofolin e vëllait tënd dhe as komodinën e plaçkave të tij në mungesë të tij, për të parë se çfarë ka në to, sepse ky gjest është prej tradhtisë. Mos i spiuno vëllezërit e tu, sepse kjo është prej tradhtisë. Mos i përgjo dy veta që bisedojnë me njëri-tjetrin privatisht, se kjo gjë është prej tradhtisë. Mos e lexo letrën që është në emër të dikujt tjetër, sepse është tradhti.

O biri im! Bëj kujdes dhe mos tradhto për humor. Mos merr fshehurazi diçka nga vëllezërit e tu duke bërë shaka, për t’ia kthyer atij pasi ta kërkojë, sepse kjo gjë i shtyn të tjerët të mendojnë keq për ti dhe të të akuzojnë për gjëra që ti je larg tyre. Ndoshta disa të tjerë i shtyn të mendojnë se ti je person i dyshimtë, e atëherë si do t’ua heqësh këto dyshime nga zemrat e tyre.

O biri im! Mos e tradhto veten tënde dhe mos tradhto asnjë nga njerëzit. Prej tradhtisë ndaj vetes tënde është fakti që kur të pyet mësuesi për të të provuar, ti shikon vjedhurazi në libër, e më pas përgjigjesh sikur ta dije çështjen për të cilën u pyete. Prej tradhtisë ndaj vetes tënde është të ulesh në provim dhe kur nuk e di përgjigjen shikon vjedhurazi në fletën e vëllait tënd, që të shkruash prej saj, ose e pyet fshehurazi që të të tregojë.

Këto, o biri im, janë tradhti, injorancë dhe mashtrim. Ah sikur të ishe injorant, se të paktën nuk do të ishe tradhtar dhe as mashtrues.

Ruaju, o biri im, mos biesh në gjëra të tilla, dhe përpiqu të mësosh dijen dhe të shpëtosh nga tradhtia dhe mashtrimi. Allahu të udhëzoftë dhe të drejtoftë.

Mësimi i katërmbëdhjetë

Rreth mirësisë së ndershmërisë

Ndershmëria, o biri im, është prej moralit të elitës së njerëzve dhe prej cilësive të njerëzve të mirë dhe të devotshëm. Shtyje veten tënde që ta ketë këtë moral, derisa të jetë një dhunti e ngulitur tek ti.

Prej ndershmërisë është që të kënaqesh me atë që ke. Mos ia kurse ushqimin dhe të pirit që posedon nevojtarëve dhe asnjërit prej vëllezërve të tu.

Prej ndershmërisë është të mos shohësh atë që kanë njerëzit në duar. Mos u bë i pangopur e të zgjerohesh në të ngrënë, në të pirë dhe në shijimin e gjërave që e kanë një fund.

O biri im! Prej ndershmërisë është t’i bësh qëndresë vetes dhe epshit tënd. Prandaj, mos iu dorëzo atyre, kur të shtyjnë të kërkosh diçka të shijshme por të shëmtuar. Tek ajo  shpejtojnë njerëzit e çrregullt, rrugaçët dhe të ligjtë, ata zhyten në kërkimin e tyre.

O biri im! Ai që e mbush barkun e tij vetëm me bukë është njësoj  si ai që e mbush atë me mish, me fruta dhe ëmbëlsira. Asnjë prej tyre nuk mund të futi në stomakun e tij diçka kur është i ngopur. Ndërsa, përfundimi i asaj  që hanë të pasurit dhe të varfërit është i njëjtë. Janë ato pisllëqe që dalin nga jashtëqitja.

Pra, o biri im, të  jesh i ndershëm dhe të jetosh me ndershmëri. Mos e ndot ndershmërinë e vetes tënde me një kafshatë, shija e së cilës mbaron menjëherë pasi e përfundon atë. Ndërsa pengu i saj do të të arrijë kudo që të shkosh dhe ngado që të drejtohesh.

O biri im! Ndershmëria është kurorë e atij që nuk ka kurorë. Prandaj ruaje kurorën e ndershmërisë sepse të bën të fitosh autoritet dhe respekt tek njerëzit e veçantë dhe ata të thjeshtë. Kur të ecësh në rrugë, ruaju nga të gjitha haramet (të ndaluarat).Mos e ngop syrin me shikimin e grave dhe mos i fol një gruaje që nuk është nga të afërmet e tua. Bëj kujdes, mos veçohesh me ndonjë grua e cila nuk të lejohet të veçohesh me të. Zbatoje urdhrin e Allahut i Cili thotë në Librin e Tij të Lartë: «Thuaju besimtarëve që ta ulin shikimin (nga të vështruarit e gjërave të ndaluara) dhe t’i ruajnë vendet e trupit       (nga shikimi, veprimet e paligjshme dhe imorale në marrëdhëniet me to). Kjo është më e pastërt për ta. Vërtet që Allahu është i Mirënjohur për çfarë ata veprojnë.» ( En-Nur  30 ).

O biri im! «Shejtani qarkullon tek biri i Ademit në rrugët e gjakut.» (Transmeton Ahmedi, Muslimi, Ebu Daudi etj.). Ndërsa gratë janë litarët e shejtanit dhe ortaket e tij me të cilat peshkon zemrat e dobëta.

Bëj kujdes, o biri im,  mos të mbërthen shejtani në  kurthet e tij, dhe më pas  të biesh në gjynahet dhe të këqijat më të mëdha.

O biri im! Kujtoje fjalën e Allahut të Lartësuar në Librin e Tij Famëlartë: «Dhe mos iu afroni marrëdhënieve të paligjshme (zina me gratë e vajzat e huaja që nuk ju takojnë juve). Padyshim që kjo është kalim i kufijve (poshtërsi) dhe rrugë e keqe.» ( El-Isra  32 )

O biri im! Porosia ime për ti është  të ruesh nga mashtrimi i shejtanit, nga epshet dhe kënaqësitë e shpifura, sepse Allahu të sheh kur je vetëm dhe do të të kërkoj llogari për punën tënde.

O biri im! Pranoje porosinë time dhe kujtoje atë, sa herë të të shfaqet ndonjë mendim i keq nga mendimet e shejtanit. Kërko mbrojtje nga Allahu prej shejtanit të mallkuar. Drejtohu tek Allahu me dëshirë të sinqertë dhe kërko prej Tij shpëtim nga kurthi i shejtanit dhe mashtrimi i tij. Allahu të ruajtë, o biri im, me ruajtjen dhe përkujdesjen e Tij.

Mësimi i pesëmbëdhjetë

Rreth personalitetit, karakterit dhe krenarisë së vetes

O biri im! Nuk ka mirësi ai person që ka autoritet të ulët, ambicie të ulëta, karakter dhe personalitet të dobët mes popullit dhe fisit të vet. Kur e nënçmojnë zvogëlohet dhe poshtërohet dhe kur e nënvlerësojnë me përulje bëhet frikacak në çështjen e mbrojtjes së nderit të tij.

Tipa të tillë, o biri im, nuk e meritojnë të nderohen duke u adresuar tek nxënësit e dijeve fetare dhe as të jenë prej mbartësve të Sheriatit Islam.

Prandaj, o biri im, ruaje personalitetin tënd, dhe mos e lër  veten tënde të vendoset aty ku nuk e meriton. Ruaju nga shoqërimi i njerëzve të ulët dhe nga bashkëjetesa me njerëzit e ligj. Largohu nga gjërat e ulëta dhe mos u bë rob i barkut tënd dhe as rob i kënaqësive të tua.

O biri im! Varfëria ekonomike nuk shihet si mangësi e burrave. Mangësi për burrin është personaliteti i ulët dhe jo pasuria e pakët. Njeriu lavdërohet për punët e mira që bën dhe jo për pasurinë e madhe që posedon.

Prej personalitetit është, të ruash cipën e faqes nga poshtërimi i lypjes, duke u kënaqur me një jetesë mesatare. Të mjaftojnë disa kafshata që të mbash trupin dhe mos lejo askënd të jetë më i lartë se ti në këmbim të kënaqësive të cilat e kanë një mbarim.

Prej personalitetit është t’i shohësh vëllezërit e tu nevojtarë me syrin e respektit dhe dhembshurisë.

Prej personalitetit është fakti që, kur ndihmon ndonjë nga vëllezërit e tu me diçka nga pasuria jote, mos e bë atë vegël për ta nënçmuar dhe poshtëruar.

O biri im! Prej karakterit është  ta tolerosh atë që të ka bërë padrejtësi edhe pse mundesh të hakmerresh ndaj tij. Të tregohesh bamirës ndaj atij që të bën keq edhe pse je më i fortë nga ai për t’i bërë keq. Prej karakterit është të flasësh të vërtetën qoftë edhe ndaj vetvetes. Prej karakterit është që të ruash ndershmërinë tënde edhe nëse je i varfër dhe i këputur.

O biri im! Kush nuk është krenar në vetvete nuk e bën krenar as pasuria dhe asgjë tjetër. Krenaria e vetvetes është më e mirë dhe më e lartë se krenaria e pasurisë. Prej krenarisë së vetvetes është të zbukurohesh para njerëzve edhe nëse je i varfër. Prej krenarisë së vetvetes është të mos ia shfaqësh askujt nevojat e tua edhe pse tek ti mund të jetë dikushi. Prej krenarisë së vetvetes është të durosh vështirësitë  e jetesës me durimin e të ndershmëve, dhe të mos i ngrish nevojat e tua tek askush përveç Mbrojtësit dhe Ndihmuesit tënd.

O biri im! Prej krenarisë së vetvetes, personalitetit dhe karakterit të lartë, është të mos i bësh padrejtësi dhe të mos poshtërosh vetveten dhe asnjë nga vëllezërit e tu. Madje asnjë nga bijtë e fesë tënde dhe as atdheut tënd prej dheut të të cilit u krijove dhe nën qiellin e të cilit u rrite. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë:          «Besimtari për besimtarin është si ndërtesa pjesët e së cilës shtrëngojnë njëra-tjetrën.» (Transmeton Bukhariu dhe Muslimi).

Përshtati në shqip  Bledar Ali