Prej lutjeve përmbledhëse

January 9, 2016

Nga Abdullah ibn Mes’udi – allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se Profeti sasu lutej duke thënë: “All llahumme inni es’elukel huda uet tuka, uel afafe uel ghina” (O Allahu im. Unë të kërkoj Ty udhëzimin dhe devotshmërinë, mjaftueshmërinë dhe pasurinë”. Transmeton Muslimi[1]

Kjo është prej lutjeve më gjithëpërfshirëse dhe më të dobishme. Ajo përmban kërkesën e të mirave fetare dhe të kësaj jete. Sepse udhëzimi është dija e dobishme, ndërsa devotshmëria është puna e mirë dhe lënia e atyre që Allahu dhe i Dërguari i Tij (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) i kanë ndaluar. Dhe me këto përmirësohet feja. Sepse feja është: dituri të dobishme dhe njohuri të vërteta, që është udhëzimi; dhe zbatimi i bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, dhe kjo është devotshmëria.

Mjaftueshmëria dhe pasuria përmbledhin mos-shpresimin prej njerëzve, mos-lidhjen e zemrës me ta, dhe të qenit i pasur me Allahun dhe me furnizimin e Tij, kënaqjen me rizkun tënd, dhe arritja e rehatisë së zemrës e cila bën që të të mjaftojë ajo që të është dhënë.

Me këto realizohet lumturia e jetës së kësaj bote dhe qetësia shpirtërore dhe, kjo është jeta e këndshme. Prandaj atij që i bëhet rizk udhëzimi dhe devotshmëria, mjaftueshmëria dhe pasuria, i tilli ka arritur të dyja lumturitë dhe ka fituar çdo gjë të mirë që kërkohet dhe ka shpëtuar nga çdo gjë e urryer prej së cilës njerëzit frikësohen. Dhe Allahu është më i Dijshmi.

Behxhetu Kulubil Ebrar

Autor Abdurrahman bin Nasir es Seadi (Allahu e mëshiroftë)

Përktheu Emin Bilali

 

[1] Ka paraprirë studimi i hadithit.

Dosje:

Loading...