Pse nuk u caktuan të gjitha namazet në një kohë të vetme?

September 11, 2025

💎 Cila është urtësia e shpërndarjes së kohëve të namazit gjatë ditës dhe natës? Pse nuk u caktuan të gjitha namazet në një kohë të vetme?

Kjo pyetje është e bukur dhe tepër e hollë. Urtësitë e shpërndarjes së pesë namazeve gjatë ditës dhe natës janë të shumta, ndër më kryesoret janë:

1. Lidhja e vazhdueshme me Allahun.
Sikur të gjitha namazet do të ishin në një kohë të vetme, robi do ta kujtonte Zotin vetëm një herë, e më pas në kohën e mbetur do të merrej vetëm me dynjanë. Por duke qenë të shpërndara, besimtari mbetet gjithmonë i lidhur me Zotin në çdo gjendje: në mëngjes, në mesditë, pasdite, në mbrëmje dhe natën.

2. Lufta me nefsin dhe vazhdimësia në bindje.
Shpirti është i prirë drejt përtacisë dhe angazhimit me dynjanë. Allahu i shpërndau namazet që të sprovojë sinqeritetin e robit në kthimin e tij të vazhdueshëm tek Allahu i Lartësuar.

3. Përshtatja me gjendjen e njerëzve dhe aktivitetin e tyre
– Sabahu falet para se njerëzit të fillojnë punët.
– Dreka e ikindia në mes të ditës, kur njeriu është i zhytur në punë, për ta rikujtuar botën tjetër.
– Akshami dhe jacia pas kthimit në shtëpi, si përmbyllje e ditës.

4. Shpërndarja e ushqimit shpirtëror gjatë ditës dhe natës, njësoj siç shpërndahet ushqimi për trupin. Ashtu sikurse trupi ka nevojë për ushqim të shpërndarë gjatë ditës, edhe zemra ka nevojë për doza të përsëritura të përmendjes së Allahut.

5. Përputhja me gjendjen e universit dhe ndërrimin e natës e ditës. Sepse çdo namaz lidhet me një dukuri të universit: sabahu me agimin, dreka me kulmin e ngritjes së diellit, ikindia me zverdhjen e tij, akshami me perëndimin, jacia me ardhjen e natës. Kjo i kujton robit madhështinë e Allahut dhe ndryshimin e gjendjeve.

6. Stërvitja e myslimanit për disiplinë dhe respektim të kohës.
Fetarizmi nuk është i kufizuar në një moment, por është përkushtim i vazhdueshëm gjatë gjithë ditës, duke mbjellur në këtë mënyrë rregullin dhe përpikmërinë gjatë gjithë jetës.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ الصَّلَاةَ كَانَتْ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ كِتَابًا مَوْقُوتًا﴾
“Namazi është detyrim i përcaktuar në kohë për besimtarët.” [En-Nisa: 103]

7. Pastrimi i vazhdueshëm i zemrës nga mëkatet gjatë gjithë kohës.
Profeti ﷺ ka thënë: “Si mendoni sikur para derës së ndonjërit prej jush të kishte një lumë, ku lahej pesë herë në ditë, a do të mbetej ndonjë papastërti mbi të?” Ata thanë: “Jo”. Tha: “Kështu është shembulli i pesë namazeve: Allahu me to i shlyen mëkatet.” Buhariu dhe Muslimi.

Pra shpërndarja e kohëve të namazit (gjatë ditë-natës) siguron pastrimin e mëkateve të përsëritura menjëherë sapo të ndodhin.

8. Ndihmon robin për qëndrueshmëri në adhurim.
Sikur namazet të mblidheshin dhe të faleshin në një kohë, do të kryheshin shpejt e pastaj do të harrohej Zoti gjatë kohës së mbetur. Ndërsa shpërndarja e këtyre namazeve e bëjnë muslimanin gjithmonë të jetë në gatishmëri dhe të vazhdueshëm në ibadet.

9. Përputhmëria me sistemin e natyrës njerëzore.
Njeriu në natyrën e tij ka nevojë për pushim dhe rigjenerim. Kështu, Allahu i bëri namazet të shpërndara që të jenë si stacione shpirtërore në lëvizjen e jetës.

10. Gjallërimi i përmendjes së Allahut në çdo kohë. Besimtarit nuk i mbetet shumë kohë pa e drejtuar zemrën e tij tek Krijuesi.
Çdo namaz e këput hallkën e gafletit (pakujdesisë) dhe e kthen zemrën e robit tek Zoti, herë pas here.

11. Bashkimi i zemrave në xhami dhe forcimi i unitetit.
Falja e namazeve në xhami, disa herë në ditë, i bashkon myslimanët vazhdimisht dhe forcon lidhjen mes tyre, ndryshe nëse do të mblidheshin vetëm një herë në ditë.

12. Shfaqja e kuptimit të robërimit të vazhdueshëm ndaj Allahut.
Sepse adhurimi nuk është i kufizuar në një kohë apo në një stinë, përkundrazi është një jetë e tërë e lidhur me Allahun nga sabahu deri në jaci (darkë).

Allahu e di më së miri!

✍ Shejh Hudhejfe el Kahtani

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...