Nga Xhabir ibn Abdullah përcillet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka gjykuar se; ortaku ka përparësi nëse ortaku i tij dëshiron ta shesë pjesën e tij në çdo gjë që ndahet. E nëse kufijtë përcaktohen dhe rrugët ndahen, atëherë nuk ka më përparësi.” Transmeton Buhariu.[1]
Nga ky hadith përfitojmë të gjitha rregullat e ndarjes së gjërave mes ortakëve, në çfarë gjëje zbatohen këto rregulla dhe ku nuk zbatohen ato. Përparësia në blerje zbatohet në pasuritë e përbashkëta dhe ato janë dy lloje: të patundshme (toka, shtëpi, rrugë), dhe të tundshme (mall tregtie, aksione tregtare etj.).
Në këtë hadith përmendet e drejta e përparësisë në blerjen e pasurive të patundshme, dhe hadithi tregon se në gjërat e tjera nuk ka të drejtë përparësie (sh.p. por malli i shitet atij që e blen më parë). Pra: ortakëria në kafshë, orendi shtëpiake, para (lekë, euro, dollarë etj.) dhe në çdo pasuri të luajtshme, nëse ndonjëri prej ortakëve shet pjesën e tij tjetri nuk ka asnjë përparësi ndaj ndonjë blerësi tjetër për ta blerë pjesën e ortakut (sh.p. ortaku dhe çdo blerës tjetër janë të barabartë në të drejtën për të blerë pa pasur askush përparësi ndaj tjetrit).
Ndërsa pasuritë e paluajtshme nëse ndahen dhe përcaktohen kufijtë, përcaktohen rrugët dhe çdonjëri prej ortakëve zgjedh pjesën e tij, atëherë nuk ka më prioritet askush ndaj tjetrit siç tregon teksti i hadithit, sepse ai kështu bëhet fqinj dhe fqinji nuk ka prioritet ndaj fqinjit.
Ndërsa nëse nuk janë përcaktuar kufijtë dhe nuk janë ndarë rrugët, pastaj njëri prej tyre shet pjesën e tij, ortaku apo ortakët e tij kanë prioritet për ta blerë pjesën e tij me çmimin që është bërë akt-shitja secili (prej ortakëve) sipas pjesës që ka në pasurinë e përbashkët.
Teksti i hadithit tregon se nuk ka dallim mes pasurisë së paluajtshme e cila mund të ndahet (sh.p. kaq është fjalia në tekstin arabisht, e ndoshta plotësimi i saj logjik është: “dhe pasurisë së paluajtshme e cila nuk mund të ndahet”) dhe kjo është fjala më e saktë. Urtësia e prioritetit në blerje që është largimi i dëmit prej ortakut, gjendet tek të dyja llojet dhe hadithi është i përgjithshëm (përfshin këtë dhe atë).
Ndërsa argumenti me të cilin janë argumentuar ata që kanë bërë dallim mes dy llojeve është i dobët. Janë kundërshtuar dijetarët rreth përparësisë që ka fqinji ndaj fqinjit të vet nëse mes tyre ka një të drejtë të përbashkët prej të drejtave të pronësisë, siç është rruga e përbashkët apo pusi i përbashkët etj. si këto. Disa prej tyre e kanë konsideruar të detyrueshme që fqinji të jetë mëparësor për të drejtën e blerjes së pjesës së fqinjit të tij sesa dikush që është i huaj. Ai ka thënë se kjo është e ngjashme me ortakësinë në çdo pronë të përbashkët dhe dëmi këtu është si dëmi atje, dhe për këtë tregojnë argumentet.
Ka prej tyre që nuk i japin atij përparësi në të drejtën për blerjen e pjesës së fqinjit siç është e njohur prej medhhebit të imam Ahmedit.
Ka prej tyre që e pohojnë të drejtën e tij për ta blerë para çdokujt tjetër, nëse dëshiron e mban e nëse dëshiron e lëshon. Kjo është prej të drejtave të përgjithshme të cilat nuk anullohen veçse me anullimin e tyre me fjalë (nëse i zoti i së drejtës heq dorë), apo me diçka që tregon tërheqjen nga e drejta e tij.
Ndërsa kushti i rendjes në marrjen e së drejtës së tij pa pasur kohë që të zgjedhë, kjo është një fjalë për të cilën nuk ka argument.
Dy hadithet me të cilët janë argumentuar, njëri prej të cilëve thotë: “E drejta e përparësisë për të blerë është si puna e zgjidhjes së litarit.”[2] Dhe tjetri: “E drejta për blerje i takon atij që vjen më parë.”[3] Asnjëri prej tyre nuk saktësohet si fjalë e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
E sakta është se kjo e drejtë është si të drejtat e tjera në lirinë për të zgjedhur apo për ta lënë nëse malli ka ndonjë të metë, apo të tjera të ngashme. Kjo e drejtë i takon të zotit vetëm nëse ai heq dorë prej saj me fjalë apo me ndonjë veprim që tregon për të. Allahu e di më së miri!
————————————————————————–
[1] Buhariu 2257.
[2] Hadith shumë i dobët. Përcillet nga Ebu Zur’a, imami dhe hafidhi i njohjes së sekreteve dhe dobësive të imta të haditheve, se ka thënë: “Ky hadith është munker (shumë i dobët, i urryer) dhe nuk di të ketë gjykuar njeri sipas tij. Ai që mungon ka të drejtë në blerje, gjithashtu dhe fëmija derisa të rritet”. “El ilel” 1/479. Po ashtu e ka quajtur të dobët edhe El Hafidh (Ibn Haxheri) në “Et-telhis” 56/3. E kanë dobësuar edhe dijetarë të tjerë, Allahu i mëshiroftë të gjithë!
[3] Hadith shumë i dobët. Përcillet si fjalë e Shurejhut. Shiko “Et-telhis el habir” 56-57/3, “Nasbur-rajeh” të Zejleiut etj.
Dosje: shit-blerja
Të Ngjashme
- Sqarimi i imanit me të cilin hyhet në Xhenet Udha e Besimtarëve
- Çfarë është Imani (besimi) dhe Islami? Udha e Besimtarëve
- Kërcënimi për atë që gënjen ndaj Profetit Udha e Besimtarëve
- Historik i shkurtër i Sahih El Buhari Udha e Besimtarëve
- Lutje që mund t’i bëni në ditën e madhe të Arafatit Udha e Besimtarëve