Sqarimi i imanit me të cilin hyhet në Xhenet

July 29, 2025

7- Hadithi i Ebu Ejub el Ensariut i cili përcjell:

“Një burrë tha: O i Dërguari i Allahut, më trego për një vepër që nëse e bëj do të hyj në Xhenet.

Njerëzit që ishin të pranishëm thanë: Ç’ka ky njeri? Ç’ka ky njeri?

I Dërguari i Allahut ﷺ tha:

Ka ndonjë nevojë (për të cilën pyet). Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ i tha: Të adhurosh Allahun dhe të mos i bësh ortak askënd, të falësh namazin, të japësh zekatin dhe të mbash lidhjet farefisnore.

Pastaj Profeti ﷺ tha: Lëre (kafshën të ecë), – si për të treguar se njeriu ishte ende mbi kafshën e tij.”

Hadithin e transmeton Buhariu në Librin e edukatës (Kitabul adab), kapitulli për vlerën e mbajtjes së lidhjeve farefisnisnore.

8- Hadithi i Ebu Hurejrës i cili tregon:

Një beduin erdhi tek Profeti ﷺ dhe tha: “Më udhëzo për një vepër që nëse e bëj, do të hyj në Xhenet.

Ai ﷺ i tha: Adhuroje Allahun dhe mos i bëj ortak askënd, fali pesë kohët e obligueshme, jepe zekatin e detyrueshëm dhe agjëro Ramazanin.

Beduini tha: Pasha Atë që ka në dorë shpirtin tim, nuk do të shtoj asgjë mbi këtë.

Kur ai u largua, Profeti ﷺ tha:

Kush ka dëshirë të shohë një njeri prej banorëve të Xhenetit le ta shohë këtë njeri.”

Hadithin e transmeton Buhariu në Librin e Zekatit (Kitabu Zekah), kapitulli për detyrimin e zekatit.

(5) Kapitulli: Fjalët e Profetit ﷺ “Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla).”

9- Hadithi i Ibn Umerit:

Profeti ﷺ ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla:

1. Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij,

2. Falja e namazit,

3. Dhënia e zekatit,

4. Agjërimi i Ramazanit,

5. Kryerja e Haxhit (për atë që ka mundësi).”

Hadithin e transmeton Buhariu në Librin e Imanit (Kitabul Iman), kapitulli “Lutja juaj është imani juaj”. (Duaukum imanukum).

Sqarime gjuhësore:

أفلح: Fitoi (ose shpëtoi), pra arriti suksesin dhe fitoren.

إن صدق: Nëse është i sinqertë në fjalën e tij.

أربّ ما له؟: Ka ndonjë nevojë? (thuhet për dikë që bën një pyetje të çuditshme).

ذرها: Lëre të ecë (pra mos e ndalo më kafshën, është koha të shkosh).

 

Marrë nga libri: “Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi)

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...