Transmetohet nga Ebu Hamzah Enes bin Malik, shërbëtori i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, se Profeti ka thënë: “Askush prej jush nuk e ka besimin e plotë derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete.” Hadithin e transmeton Buhariu me nr. 13 dhe Muslimi me nr. 45 dhe 71.
Shejh Salih el Feuzani, Allahu e ruajt, sqaron: Fjala e tij; “Transmetohet nga Ebu Hamzah Enes bin Malik –shërbëtori i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.” Enes bin Malik el Ensarij ka qenë shërbëtori i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kur Profeti erdhi në Medine, babai i tij Malik Ebu Enes u largua nga Medina sepse ai e urrente të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ai u largua për në Sham dhe vdiq atje si jobesimtar, ndërsa Enesi ka qenë i vogël në atë kohë.
Nëna e tij shkoi te i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: Ky është Enesi dhe ai do të shërbejë ty.
Profeti e pranoi atë, e edukoi dhe bëri lutje për të duke thënë: “O Allah! Shtoje pasurinë dhe fëmijët e tij, e begatoje atë në atë që i jep!” Transmeton Buhariu me nr. 19982, 6334 dhe 6344, dhe Muslimi me nr. 2480 dhe 2481.
Kështu ai (Enesi) i shërbeu Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për dhjetë vite, që në momentin kur ai erdhi në Medine e derisa vdiq. Me këtë (shërbim ndaj Profetit) ai përfitoi mirësi të shumta dhe u edukua nga dora e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Fjala e tij: “Askush prej jush nuk e ka besimin e plotë“, pra nuk plotësohet besimi i tij dhe nuk do të thotë se s’ ka besim aspak. Shih “Kitabul ijman el kebir” në librin “Mexhmul fetaua” 7/257-258.
Fjala e tij: “… derisa të dëshirojë për vëllanë e tij atë që dëshiron për vete“, d.m.th. ai që s’dëshiron për vëllanë e tij atë që dëshiron për veten, besimi i tij është i mangët.
Nuk është për qëllim këtu vëllai nga gjaku, por me “vëllanë e tij” është për qëllim çdo musliman sepse besimtarët janë vëllezër.
“Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër.” | El Huxhurat: 10.
Marrë nga libri: “El mihneh er-Rabbanijjeh fi sherh el erbeijn en-Neueuijjeh.”
Përktheu: Unejs Sheme
Dosje: hadithi