Tregimi i Temim ed-Darit për El Xhessasen dhe Mesihu Dexhalin

August 13, 2025

Tregimi i Temim ed-Darit për El Xhessasen dhe Mesihun Dexhalin

Amir bin Shurahbil esh-Sha’bi, nga fisi Sha’b i Hamdanit, tregon se e pyeti Fatime bint Kajsin, motrën e Dahak bin Kajsit — e cila ishte nga muhaxhiret e para — dhe i tha:

“Tregomë një hadith që e ke dëgjuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ, që të mos e përcjellësh nga askush tjetër përveç tij.”

Ajo tha: “Nëse do, mund ta bëj.”

Ai i tha: “Po, më trego!

Ajo tha: “U martova me Ibn Mughirah, i cili ishte nga më të mirët e Kurejshve, por ai u vra në fillim të xhihadit me të Dërguarin e Allahut ﷺ. Kur mbarova iddetin (pritjen) tim, më kërkoi për martesë ‘Abdurrahman bin ‘Aufi përmes disa shokëve të Dërguarit të Allahut ﷺ. Gjithashtu më kërkoi edhe i Dërguari i Allahut ﷺ për robin e tij të liruar, Usameh bin Zejdin.

Unë kisha dëgjuar se i Dërguari i Allahut ﷺ kishte thënë: “Kush më do mua, le ta dojë edhe Usamen.”

Kur më foli i Dërguari i Allahut ﷺ, i thashë: “Çështja ime është në dorën tënde, më marto me kë të duash.”

Ai tha: “Shko qëndro te Ummu Sherik (derisa të përfundojë pritja jote).”

Ummu Sherik ishte një grua e pasur nga ensarët, e njohur për shpenzimet e mëdha në rrugë të Allahut; tek ajo qëndronin shpesh mysafirë. Unë i thashë: “Do të shkoj.”

Por ai më tha: “Mos e bëj, sepse Ummu Sherik ka shumë mysafirë, dhe unë kam frikë se do të tê bjerë mbulesa jote, ose të të zbulohet rroba nga këmbët dhe njerëzit të shohin prej teje atë që ti e urren. Por shko te Abdullah bin ‘Amr bin Ummi Mektum (sepse ai ishte i verbër).”

Ai ishte një burrë nga fisi Benu Fihr, fisi i Kurejshve, dhe nga trungu prej të cilit vinte edhe ajo. Kështu u shpërngula tek ai.

Kur mbaroi iddeti (pritja) im (dhe ajo u martua me Usame bin Zejdin), dëgjova thirrësin e të Dërguarit të Allahut ﷺ duke thirrur: “Namazi po falet në xhemat (salatu xhamia)!”

Dola në xhami dhe u fala me të Dërguarin e Allahut ﷺ. U ndodha në rreshtin e grave që ishin pas burrave.

Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e fali namazin, u ul në minber dhe duke buzëqeshur tha: “Le të qëndrojë çdo njeri në vendin e tij të faljes.”

Pastaj tha: “A e dini pse ju kam mbledhur?”

Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.”

Ai tha: “Pasha Allahun, nuk ju kam mbledhur për ndonjë lajm të mirë (për t’iu shpërdarë ndonjë pasuri) apo për ndonjë frikësim (nga armiku), por ju kam mbledhur sepse Temim ed-Dari, i cili më parë ishte i krishterë, erdhi, bëri betimin dhe pranoi Islamin, dhe më tregoi një ngjarje që përputhet me atë që ju kam treguar lidhur me Mesihu Dexh-xhalin.

Më tregoi se kishte hipur në një anije detare me tridhjetë burra nga fiset Lakhm dhe Xhudham, dhe dallgët i lëvizën nëpër det për një muaj. Pastaj ata u afruan pranë një ishulli në kohën e perëndimit të diellit. U ulën pranë anojes dhe hynë në ishull. Aty i takoi një kafshë e mbuluar me shumë qime, aq sa nuk dallohej pjesa e përparme dhe ajo e pasmja, ngaqë kishte shumë qime.

Ata i thanë: “Mjerë për ty! Çfarë gjallese je ti?”

Ajo tha: “Unë jam el-Xhessaseh.” (spiunja).

Ata i thanë: “Ç’është el-Xhessaseh?”

Ajo u tha: “O njerëz, shkoni te ai njeri që qëndron në atë manastir, sepse është i etur për të marrë lajmet tuaja…”

Ai tha: “Kur ajo na tregoi për një burrë, ne u frikësuam prej saj se mos ishte një shejtane.” Ai tha: “U nisëm me nxitim derisa hymë në atë vend, dhe aty gjetëm njeriun më të madh që kishim parë ndonjëherë në shtat dhe më të lidhurin në pranga: duart i kishte të lidhura tek qafa dhe nga gjunjët deri te kyçet ishte i lidhur me hekura.

I thamë: ‘Mjerë ti! Kush je?’ Ai tha: ‘Tani që arritët deri tek unë, më tregoni ju kush jeni.’

Ata i thanë: ‘Ne jemi njerëz nga Arabia; hipëm në një anije detare, por deti na zuri kur ishte i tërbuar, dhe dallgët na hodhën sa andej-këtej për një muaj, derisa na çoi në këtë ishullin tënd. Zbritëm në skajin e tij dhe hymë brenda ishullit, ku na doli përpara një kafshë e mbuluar krejt me qime të dendura, aq sa nuk mund të dallohej e përparmja me të pasmen e saj prej qimeve të shumta.

I thamë: “Mjerë ti, çfarë gjallese je?” Ajo tha: “Unë jam el-Xhessaseh (spiunja).”

Ne i thamë: “Ç’është ‘el-Xhessaseh’?” Ajo tha: “Shkoni te ky njeri në atë vend, sepse ai është i etur të dijë për ju.”

Ne erdhëm me nxitim tek ti dhe u frikësuam prej saj, duke mos qenë të sigurt se mos ishte një shejtane.”

Ai u tha: “Më tregoni për hurmat e Beisanit.” Ne i thamë: “Çfarë don të dish për to?”

Tha: “A japin fryte?” Ne i thamë: “Po.” Tha: “Së shpejti nuk do të japin më fryte.”

Ai tha: “Më tregoni për Liqenin e Taberias.” Ne i thamë: “Çfarë don të dish për të?” Tha: “A ka ujë?”

Ata thanë: “Ka ujë të bollshëm.”

Tha: “Së shpejti uji i tij do të zhduket.”

Ai tha: “Më tregoni për burimin e Zugarit.” Ata thanë: “Çfarë don të dish për të?” Tha: “A ka ujë burimi? A mbjellin njerëzit me ujin e tij?”

Ne i thamë: “Po, ka ujë të bollshëm dhe njerëzit mbjellin me ujin e tij.”

Ai tha: “Më tregoni për Profetin e analfabetëve, ç’bëri?”

Ata thanë: “Ka dalë nga Meka dhe është vendosur në Jethrib.”

Tha: “A luftuan arabët kundër tij?”

Ne i thamë: “Po.” Tha: “Si veproi ndaj tyre?” Ne i treguam se ai pati epërsi mbi ata që i ishin afër nga arabët dhe ata iu bindën.

Tha: “A ka ndodhur kjo?”

Ne i thamë: “Po.”

Tha: “Kjo është më e mira për ta që t’i binden.

Tani do t’ju tregoj për veten time: unë jam Mesihu (Dexhalli). Së shpejti do të më jepet leje të dal (shfaqem), e do të udhëtoj nëpër tokë dhe nuk do të lë fshat pa hyrë në të brenda dyzet netëve, përveç Mekës dhe Taibe-s (Medinës). Ato të dyja janë të ndaluara për mua; sa herë që të përpiqem të hyj në njërën prej tyre, do të më dalë përballë një engjëll me shpatë të zhveshur që do të më pengojë, dhe në çdo hyrje do të ketë engjëj që do ti ruajnë.”

Ajo tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ, duke goditur me shkopin e tij mbi minber, tha: ‘Kjo është Taibeh, kjo është Taibeh, kjo është Taibeh’ – kishte për qëllim Medinen.

Pastaj tha: ‘A nuk ju kisha treguar për këtë më parë?’

Njerëzit thanë: ‘Po.’

Ai tha: ‘Më pëlqeu tregimi i Temimit, sepse përputhet me atë që ju kam treguar për të (Dexhallin), si dhe për Medinën dhe Mekën. Ja, ai është në detin e Shamit ose në detin e Jemenit – jo, përkundrazi, nga ana e lindjes është, nga ana e lindjes është, nga ana e lindjes është’, dhe bëri me dorë nga lindja.”

Ajo tha: “Këtë e kam mbajtur mend nga i Dërguari i Allahut ﷺ.”

E përcjell Muslimi me nr 2942.

Dobitë:

1- Në hadith tregohet vërtetimi i ekzistencës së Xhessases (qenies së çuditshme të përmendur në hadith).

2- Po ashtu, vërtetimi i ekzistencës së Mesihut Dexhal.

3- Në të përmendet edhe mrekullia e Profetit ﷺ dhe njoftimi i tij për çështje të fshehta (të padukshme për njerëzit).

4- Gjithashtu, prej tij merret mësimi për ligjërimin e imamit në raste çështjesh të rëndësishme.

5- Si dhe tregohet vlera e Mekës dhe e Medinës, dhe ruajtja e tyre nga Allahu prej (hyrjes së) Dexhalit.”

Pērktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...