(7) Kapitulli: Urdhri për të besuar në Allahun, në të Dërguarin e Tij dhe në ligjet e fesë, si dhe për të thirrur të tjerët në të.
Hadithi nr. 10.
Nga Ibn Abasi transmetohet se kur delegacioni i fisit Abdul-Kajs erdhi te Profeti ﷺ, ai tha: “Kush janë këta njerëz (apo ky delegacion)?
Ata i thanë: Jemi nga fisi Rabi‘a.
Atëherë Profeti ﷺ u tha:
Mirësevini o delegacion që nuk jeni as të poshtëruar (1) e as të penduar!
Ata i thanë: O i Dërguar i Allahut! Ne mund të vijmë tek ti vetëm gjatë muajit të shenjtë, sepse mes nesh dhe teje ndodhen këta njerëz nga fisi Mudar që janë jobesimtarë. Prandaj urdhërona për një çështje të qartë të cilën t’ua përcjellim atyre që kemi lënë pas dhe me të cilën të hyjmë në Xhenet!
Ata e pyetën gjithashtu edhe për pije të ndryshme.
Atëherë ai ﷺ i urdhëroi për katër gjëra dhe i ndaloi nga katër të tjera.
I urdhëroi të besonin në Allahun Një të Vetëm, pastaj tha: A e dini çfarë është besimi në Allahun Një të Vetëm?
Ata thanë: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë.
Ai ﷺ tha: Të dëshmosh se s’ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të japësh një të pestën e plaçkës së luftës.
Dhe i ndaloi nga katër gjëra:
Nga (pijet që bëhen në) enët el hantem, nga ed-dubba, nga en-nakir, nga el-muzefet dhe el-mekijr .
Pastaj tha: Mbajini mend këto gjëra dhe lajmërojini ata që keni lënë pas!”
E transmeton Buhariu, Libri i besimit, hadithi 40, Kapitulli: “Dhënia e një të pestës është nga veprat e besimit”.
Hadithi nr. 11.
Nga Ibn Abasi transmetohet se kur Profeti ﷺ e dërgoi Muadhin në Jemen, i tha: “Ti po shkon tek një popull nga ithtarët e librit (hebrenjtë dhe të krishterët). Le të jetë gjëja e parë që do t’i thërrasësh adhurimi i Allahut. E kur ta njohin Allahun atëherë tregoju se Allahu ka bërë obligim për ta pesë falje gjatë ditës dhe natës. E kur ta zbatojnë këtë atëherë tregoju se Allahu u ka bërë obligim të japin zekatin nga pasuritë e tyre që merret prej të pasurve dhe u jepet të varfërve prej tyre. E nëse e pranojnë këtë atëherë merre, por ki kujdes nga pasuritë më të mira të njerëzve (mos merr më të vlefshmet prej tyre si sadaka).”
E transmeton Buhariu, Libri i Zekatit, hadithi 41, Kapitulli: “Nuk merret pasuria më e mirë e njerëzve në sadaka”.
Hadithi nr. 12.
Po ashtu nga Ibn Abasi transmetohet se Profeti ﷺ kur e dërgoi Muadhin në Jemen, i tha:
“Ruaju nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi, sepse nuk ka asnjë perde (pengesë) mes saj dhe Allahut.”
E transmeton Buhariu në 46, Libri i zullumeve, 9, Kapitulli: “Frika dhe ruajtja nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi”.
Shpjegime gjuhësore:
Hazaja – shumës i hizjan që do të thotë jo të poshtëruar dhe jo të turpëruar për ardhjen tuaj me dëshirë, pa luftë.
Nedama – shumës i nedman (i penduar) është sjellë kështu për t’u përputhur me fjalën e mëparshme për bukuri gjuhësore.
El Kazaz përmendi se nedman vjen nga burimi i fjalës nadim dhe shumësi është i gjinisë mashkullore në këtë krahasim.
Fasl – e qartë që dallon të vërtetën nga e kota, pra në kuptimin që të jetë sqaruese dhe e qartë.
Hantem – enë prej qeramike të gjelbër ose të kuqe me qafë të ngushtë, ndonjëherë përgatitet me baltë, qime dhe gjak.
Ose Hatem e cila është (enë) prej balte të pjekur (qeramike) që është lyer me hantem, i cili është përbërje e bërë prej qelqi ose materialeve të tjera.
Dubba’ – është kungulli i thatë që përdorej si enë për të fermentuar pijen.
Nekir – zgavër e gdhendur në trungun e palmës që përdorej si enë.
Muzaffet – enë e lyer me katran.
El Mekijr – enë e lyer me rrëshirë të djegur që përdorej në vend të katranit për të veshur anijet apo enët.
Marrë nga libri: “Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi)
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Besimi, Profetin salAllahu alejhi ve sel-lem
Të Ngjashme
- Kush vdes pa i bërë Allahut ortak askënd, hyn në xhenet Udha e Besimtarëve
- Tregimi i Temim ed-Darit për El Xhesasen dhe Mesihu Dexhalin Udha e Besimtarëve
- Veprat më të dashura tek Allahu sipas fjalëve të Profetit Udha e Besimtarëve
- Mëkati i atij që merr atësinë e dikujt tjetër Udha e Besimtarëve
- Mëkatet e pakësojnë imanin Udha e Besimtarëve