Zbatimi i premtimit që bëhet në emër të Allahut

December 16, 2015

Aishja transmeton se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush premton se do t’i bindet Allahut le t’i bindet Atij, dhe kur premton se do ta kundërshtojë Allahun të mos e kundërshtojë Atë.” Transmeton Buhariu.[1]

Nedhri që përmendet në këtë hadith (që e përkthyem; “Premtim në emër të Allahut”) do të thotë që njeriu tja detyrojë vetes diçka prej adhurimeve për Allahun pa ndonjë shkak, si për shembull të thotë: “Është detyrë ndaj meje për Allahun….”, apo “Betohem se do të liroj një rob”, “Se do të agjëroj kaq ditë”, “Do të jap kaq sadaka” etj. Ose me ndonjë shkak, si p.sh. ta kushtëzojë betimin e tij me ardhjen e dikujt që ka qenë i larguar, me shërimin e dikujt, me arritjen e diçkaje të gëzueshme apo me largimin e diçkaje të keqe. Kur t’i realizohet dëshira ai duhet ta çojë në vend premtimin e tij.

Ky hadith përfshin të gjitha adhurimet, kështu ai që betohet se do kryej një adhurim të detyrueshëm apo të pëlqyeshëm është detyrë që ta zbatojë betimin e tij dhe nuk ka shlyerje. Zbatimi i premtimit është i patjetërsueshëm ashtu siç ka urdhëruar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në këtë hadith. Allahu i ka lavdëruar ata që i çojnë në vend dhe i zbatojnë premtimet e tyre, kur thotë: “Ata i përmbushin betimet (e tyre).” | El Insan: 7.

Ky lloj betimi është i urryer dhe për këtë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai nuk sjell të mira dhe nuk del veçse nga ai që është koprac.”[2]

Sa i takon betimit mëkatar (nedhrul masijeh), është detyrë për njeriun që ta lërë gjynahun ndaj Allahut edhe nëse betohet për të. Llojet e tjera të betimeve si p.sh. betimi i lejuar (betimi për të bërë diçka të lejuar), nedhrul-luxhaxh ue gadab (sh.p. është ai betim që bën njeriu kur është i nevrikosur që thuhet për të nxitur dikë apo veten të bëjë apo të mos bëjë diçka, pa pasur për qëllim betimin e as adhurimin, apo afrimin tek Allahu nëpërmjet tij). Gjykimi për këto betime është si gjykimi për betimin nëse e thyen atë, dhe për të ka shlyerje sepse ngjason me betimin. Allahu e di më mirë!

 

Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.

Autor: Abdurrahman es Seadi

Përktheu: Emin Bilali

————————————————————

[1] Hadithi me nr. 6700

[2] Buhariu 6609 dhe Muslimi 1639.

Dosje:

Loading...