Perëndimi është më i kujdesshëm për dorëshkrimet Islame sesa ne

March 18, 2025

Më tregoi një njeri i moshuar i cili ndërroi jetë 15 vjet më parë, dhe që jetonte në Horan në skajet e Shamit, afër Jordanisë. Ai tha: “Kur isha i vogël dhe ecja me babanë tim, gërmonim varre dhe kërkonim ar. Hapëm një varrezë në Horan (Horani është vendi i Imam Neveviut), hapëm varre dhe i gjetëm ato plot me dorëshkrime (libra të vjetër). Tha: U zemëruam dhe filluam t’i hidhnim ato, duke thënë: Ne duam ar, nuk duam libra! – dhe i grisnim ato.”

Shejh Tahir el Xhezairi ishte mysafir tek një dijetar nga dijetarët e fshatrave të Damaskut. Pas drekës tek ai, shkoi në xhami dhe fali ikindinë. Shejh Tahir el Xhezairi thotë: “Shkova dhe gjeta një ngarkues që mbante një barrë në kafshën e tij. Kontrollova barrën e kafshës dhe pashë se të dyja anët e saj ishin plot me dorëshkrime.
Prita derisa erdhi dhe e pyeta: Çfarë janë këto? Tha: Këto janë libra. E pyeta: Nga i more ato? Tha: Gërmoj varre, kërkoj në vendet e shkatërruara dhe i mbledh ato. – Ku po i çon ato?
– Po i çoj në banjot publike për të ngrohur ujin me zjarr. – E bën këtë gjë prej kohësh? – Kjo është puna ime dhe puna e babait dhe gjyshit tim. – Kur ishte hera e fundit që shite diçka para këtij transporti? – Dje. – Ku i shite? – Në filan banjo publike. – Sa i shite? – Për filan shumë.

– Po të jap katër herë më shumë, lëri ato për mua dhe unë do t’i blej prej teje. Por atë që e shite dje, ma sill përsëri dhe do të të jap katër herë më shumë për të.
Pastaj tha: M’i solli ato dhe pashë dorëshkrime të rëndësishme.”
Shejh Tahir el Xhezairi mblodhi dijetarët e Damaskut dhe u tregoi atyre për këtë çështje.
Dijetarët vendosën të punësojnë tregtarë që të shkonin nëpër fshatra dhe të pyesnin për libra të vjetër: “Kush ka një libër të vjetër? Kush ka libra për të shitur?”

Tha: Me këtë mënyrë ne krijuam “Bibliotekën Dhahirije” e cila sot është një nga bibliotekat më të pasura në botë. Dhe nëse vlerësohet me buxhetin e një shteti ajo ka një nga buxhetet më të fuqishme në botë, kur merren parasysh librat e saj të dorëshkrimeve.
Ne i mblodhëm ato nga duart e njerëzve.
Kur isha në Tashkent vizitova universitetin dhe hyra në bibliotekën e tij, ku pashë dorëshkrimet në bibliotekën e Tashkentit në Uzbekistan.

Më thanë: Ne tani kemi një program televiziv ku u themi njerëzve: “Kush ka dorëshkrime le t’i sjellë në universitet dhe ne do ta shpërblejmë me një shumë të caktuar.” Shikova sallën dhe pashë mijëra dorëshkrime të marra nga duart e njerëzve.
Disa nga vëllezërit e mi punonin në Azerbajxhan dhe më sollën dy kuti të mëdha me dorëshkrime.
Tha: “U jepja një Mus’haf (Kuran) banorëve të Azerbajxhanit dhe ata më sillnin një dorëshkrim në këmbim.”
Ky dorëshkrim ishte trashëgimi nga prindërit dhe gjyshërit e tyre.
Kështu, më solli më shumë se dyqind dorëshkrime të mbledhura nga njerëzit.

Librat u zhdukën!

Nga fjalët e bukura të Shejh Ebu Uvejs Muhamed Emin Bukhbaza nga Tetouani, Marok, është kur ai u pyet:

“A do t’i pyesë Allahu jobesimtarët e Perëndimit për dorëshkrimet që i morën nga vendet e muslimanëve?

Ai u përgjigj me një përgjigje interesante dhe tha: Po, Allahu do t’i pyes ata për dorëshkrimet që nuk i morën! Sepse ato që i morën, i ruajtën, ndërsa ato që mbetën në duart e muslimanëve, u shkatërruan!”

Dorëshkrimet janë të shumta!

Me këtë rast – dhe ndoshta kjo fjalë arrin tek ata që kujdesen për dorëshkrimet – jam i sigurt pa asnjë dyshim, se shumë dorëshkrime ndodhen tani në shumë biblioteka në Evropë por nuk janë të regjistruara në katalogë, sepse blerjet ende vazhdojnë!
Dorëshkrimet e pallatit të Sadam Huseinit, përfshirë Mus’hafët e lexuar nga halifët e Abasidëve, për një arsye të panjohur tani ndodhen në “Bibliotekën Hebraike” në Tel Aviv! Si u transferuan ato në “Bibliotekën Hebraike” në Tel Aviv? Askush nuk e di!

Ekziston një kopje e komentit mbi “Sahih Muslim” nga Kastalani të cilin e quajti “El mu’lim bi sharh Sahih Muslim”, dhe gjendet në “Bibliotekën Hebraike”.
Ky është dorëshkrimi i Kastalanit, autor i “Irshad es-sari” i cili u shtyp para “Fet’hul Bari” dhe përmban përfitime të mëdha dhe njohuri të çmuara.
Kam gjetur një pjesë të tij në Amerikë por nuk e gjeta të plotë, përveç lajmit të sigurt se ai ndodhet në “Bibliotekën Hebraike”.

Dorëshkrimet janë të shumta.

Më erdhi një njeri i thjeshtë dhe më tha: “Gjyshërit e mi nga Hebroni më lanë shumë dorëshkrime”, dhe ai i përshkroi ato në një mënyrë të mrekullueshme.

Më premtoi të më vizitonte dhe të m’i tregonte ato, por nuk e pashë më kurrë.

 

Autor: Meshhur Hasen Al Selman

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...