Transmeton Ibn Abasi (radijAllahu anhuma) se kur Profeti Muhamed ﷺ erdhi në Medine i gjeti hebrenjtë duke agjëruar ditën e Ashures. Ai i pyeti për shkakun dhe ata thanë:
“Kjo është dita në të cilën Allahu e shpëtoi Musain alejhi selam) dhe popullin e tij, dhe fundosi Faraonin.
Profeti ﷺ tha: Ne kemi më shumë të drejtë për Musain sesa ata.”
Pastaj, ai vetë agjëroi dhe urdhëroi të agjërohej kjo ditë. (Buhariu dhe Muslimi)
Agjërimi i ditës së Ashures është prej veprave me shpërblim të madh.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Agjërimi i ditës së Ashures shpresoj të shlyej mëkatet e vitit të kaluar.” (Muslimi)
Kjo ditë është ditë falënderimi ndaj Allahut për shpëtimin e Musait alejhi selam dhe ndëshkimin e padrejtësisë. Për besimtarët është ditë adhurimi dhe përkujtimi i mëshirës së Allahut. Mirëpo, në mesin e shiitëve kjo ditë është shndërruar në ditë zie e cila shoqërohet me shfaqje të dhunshme emocionale dhe veprime të paligjshme fetare.
Shpesh shiitët e shprehin “dhimbjen” e tyre për vrasjen e Husejnit në betejën e Kerbelasë duke goditur trupin me zinxhirë ose mjete të mprehta, duke organizuar vajtime të zhurmshme publike, inskenime teatrale madje edhe mallkime ndaj sahabëve të ndershëm si Ebu Bekri, Omeri dhe Aisha radijAllahu anhum.
Këto janë veprime të dënushme nga feja islame dhe nuk kanë asnjë bazë në Kuran dhe në Sunetin e Profetit ﷺ. Ai ka thënë:
“Nuk është prej nesh ai që godet fytyrën, shqyen rrobat dhe ngre zëra të injorancës.” (Buhariu dhe Muslimi)
Këtu lind me të drejtë pyetja:
Pse ky zell i tepruar shfaqet vetëm për Husejnin?
Pse nuk shprehin të njëjtën “zi” për vdekjen e Profetit ﷺ, për vrasjen e Aliut apo vdekjen nga helmimi të Hasanit radijAllahu anhum?
Përgjigja është e thjeshtë: Husejni radijAllahu anhu ishte i martuar me një grua perse. Kjo tregon një ndikim të thellë etnik që qëndron pas ideologjisë shiite e cila në thelb u ndërtua si reagim ndaj përhapjes së Islamit në tokat persiane në kohën e Omerit radijAllahu anhu, i cili çliroi këto toka nga idhujtaria.
Nëse do ishte e ligjshme që vdekja e dikujt të përkujtohej me rituale zie dhe dhune, atëherë më e merituara do ishte për Profetin ﷺ por sahabët nuk e bënë këtë dhe as gjeneratat pas tyre.
Kjo dëshmon qartë se ajo që ndodh sot në mesin e shiitëve është larg nga udhëzimi profetik dhe buron nga motive etnike.
Përgatiti: Fatmir Strumi
Dosje: Dita e Ashurasë