Reflektim Rreth Ngjarjeve që Ndodhin në Vendet Islame

February 11, 2026

Dijetari i madh i tefsirit Ebu Abdullah el Kurtubi (v. 671 H /1273 G), i lindur dhe rritur në Kordoba të Spanjës së sotme, cili ka përjetuar vitet e fundit të shtetit islam në Andaluzi, pak para rrënimit të tij të plotë, teksa komenton fjalën e Allahut të Lartësuar:

{ كَمْ مِنْ فِئَةٍ قَلِيلَةٍ غَلَبَتْ فِئَةً كَثِيرَةً بِإِذْنِ اللَّه }

Sa e sa herë një grup i vogël ka mposhtur një grup të madh me lejen e Allahut” |Bekare: 249.

Ai shpreh dhimbjen e tij të thellë për gjendjen e muslimanëve në kohën e tij.

Ai flet me zemër të djegur për dobësinë që i kishte kapluar, për përçarjen mes tyre, për triumfin e armiqve dhe rënien e umetit islam në humbje të njëpasnjëshme, duke thënë:

“Ajeti kuranor nxit për përgatitje, për durim dhe ndjekje të shembullit të atyre që e besuan me sinqeritet Zotin e tyre, e kështu duhet të veprojmë edhe ne.

Por veprat e shëmtuara (gjynahet) dhe qëllimet e prishura e pengojnë këtë (arritjen e fitores), madje derisa kemi arritur në gjëndjen ku që shumica jonë të thyhet përballë pakicës së armikut dhe këtë e kemi pare disa herë, e jo një herë të vetme, e kjo është për shkak të asaj që kanë bërë duart tona! (për shkak të gjynaheve tona).

Në Sahihun e Buhariut (4/20) përmendet se Ebu Derda (radijAllahu anhu), ka thënë: “Ju luftoni me veprat tuaja.”

Po në Sahihun e Buhariut gjithashtu (nr: 2897) gjendet hadithi ku Profeti ﷺ ka thënë:

“A nuk furnizoheni dhe ndihmoheni (nga Allahu) veçse për shkak të të dobtëve tuaj?”

Por… veprat tona janë të pavlefshme, të dobëtit janë lënë pas dore, durimi është i pakët, mbështetja te Allahu është zbehur, dhe devotshmëria është inekzistente.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

{اصْبِرُوا وَصَابِرُوا وَرَابِطُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ}

“Bëni durim, tregohuni të qëndrueshëm, qëndroni të gatshëm dhe kini frikë Allahun… | Ali Imran: 200.

Dhe ka thënë:

{وَعَلَى اللَّهِ فَتَوَكَّلُوا}

 “Dhe vetëm te Allahu mbështetuni.” | Ibrahim: 11.

Dhe ka thënë:

{إِنَّ اللَّهَ مَعَ الَّذِينَ اتَّقَوْا وَالَّذِينَ هُمْ مُحْسِنُونَ}

 “Allahu është me ata që kanë devotshmëri dhe që bëjnë mirësi.” | En Nahl: 128.

Dhe ka thënë: 

{وَلَيَنْصُرَنَّ اللَّهُ مَنْ يَنْصُرُهُ}

 “Allahu do ta ndihmojë patjetër atë që e ndihmon Atë.” | El Haxh: 40.

Dhe thotë gjithashtu:

{إِذَا لَقِيتُمْ فِئَةً فَاثْبُتُوا وَاذْكُرُوا اللَّهَ كَثِيرًا لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ}

“Kur të përballeni me një grup qëndroni të vendosur, dhe përmendeni Allahun shumë që të shpëtoni!” | El Enfal: 45.

Pasi Kurtubiu përmend shkaqet dhe kushtet e fitores të cilat janë përmendur në librin e Allahut dhe në sunetin e të Dërguarit të Tij , dhe përfundon me një pohim rrënqethës, ku thotë:

“Këto janë shkaqet e ndihmës së Allahut, por ato nuk ekzistojnë më mes nesh.

Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi, për çka na ka goditur dhe për atë që kemi humbur!

Nuk ka mbetur nga Islami veçse emri, e as nga feja veçse ritet (forma e jashtme, simbolet, pa frymën e vërtetë shpirtërore).

Dhe të gjitha këto për shkak se shthurja është bërë e dukshme, padrejtësia është përhapur, dhe arsyetimi dhe maturia thuajse nuk ekzistojnë më.

Armiku ka pushtuar lindjen dhe perëndimin, tokën dhe detin.

Sprovat janë bërë të rënda, fatkeqësitë të mëdha dhe nuk ka shpëtim përveçse për atë që Allahu e mëshiron!”

(Tefsiri i Kurtubiut, 3/255)

Këtu përfundon fjala e imam Kurtubiut, e nëse kjo ishte gjendja në kohën e tij, atëherë çfarë mund të thuhet për kohën tonë më shumë se shtatë shekuj më vonë?

Ku shirku dhe ateizmi janë përhapur me të madhe…

Shfaqja e gjynaheve është bërë normë…

Imoraliteti dhe shthurja morale janë kthyer në vlerë…

Vjedhja dhe zhvatja kanë marr dheun, dhe rryshfeti jepet e merret gjithandej!

Ku njerëzit janë larguar nga Libri i Allahut dhe suneti i të Dërguarit të Tij ﷺ?

Ku interesi për mësimin e fesë dhe marrjen e dijes fetare është thuajse në nivel zero!

Padrejtësia, pabesia, dhe dyfytyrësia kanë arritur në një nivel tronditës, ndërsa fatkeqësitë që përjeton umeti të lënë pa fjalë.

Prandaj, rruga e vetme drejt ndihmës së Allahut dhe largimit të fatkeqësive që na kanë rënë është kthimi tek Allahu, Zoti i qiejve dhe tokës, dhe ndjekja e rrugës së Profetit ﷺ.

 

Dosje: ,

Loading...