Tragjedia e Er-Rexhiut

• September 13, 2026

Tragjedia e Er-Rexhiut: Besa, tradhëtia dhe qëndresa e Hubejb ibn Adijit.

Hubejb ibn Adij ibn Malik el Evs el Ensari ishte një sahabi i madh, i cili mori pjesë në betejën e Bedrit.

Në muajin Sefer të vitit 4 hixhri, dy fise arabe që banonin pranë Medines së ndritshme – Adali dhe El Kara – dërguan delegacionin e tyre te Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut, mes nesh ka Islam, prandaj dërgo me ne disa nga sahabët e tu që të na udhëzojnë në fe, të na lexojnë Kuranin dhe të na mësojnë rregullat e Islamit.”

Nisur nga dëshira e madhe e Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, për përhapjen dhe shfaqjen e Islamit, ai iu përgjigj kërkesës së tyre dhe dërgoi dhjetë nga sahabët e tij (sipas një transmetimi tjetër: shtatë). Ndër ta ishin: Hubejb ibn Adij, Mirthad ibn Ebi Mirthad, Halid ibn Ebi el Bukejr, Muatib ibn Ubejd, Asim ibn Thabit, Zejd ibn ed-Dethine dhe Abdullah ibn Tarik.

Kur mbërritën në një vend të quajtur Er-Rexhi, mes Usfanit dhe Mekës, u tradhtuan dhe u sulmuan nga fisi Benu Lihjan (degëzim i fisit Hudhejl) me afro dyqind luftëtarë. Ata i rrethuan, disa prej tyre ranë dëshmorë (shehidë) dhe të tjerët i zunë robër. Kjo ngjarje e dhimbshme u njoh në histori si “Tragjedia e Er-Rexhiut”, sipas ujit të Rexhiut ku edhe ndodhi.

Imam Buhariu e transmeton këtë ngjarje në “Sahihun” e tij, në “Librin e Betejave” dhe në “Librin e xhihadit dhe udhëtimeve”, nga Ebu Hurejra i cili tregon:

I Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dërgoi një njësi ushtarake prej dhjetë vetash dhe caktoi si prijës të tyre Asim ibn Thabit el Ensariun (gjyshin e Asim ibn Omerit). Ata udhëtuan derisa mbërritën në El Hedah (mes Usfanit dhe Mekës), ku u pikasën nga fisi Benu Lihjan i Hudhejlit. U ngritën kundër tyre rreth dyqind burra, të gjithë harkëtarë, dhe ndoqën gjurmët e tyre derisa gjetën bërthamat e hurmave që kishin marrë si furnizim nga Medineja. Ata thanë: “Këto janë hurma të Jethribit (Medines)!” Ata e vazhduan gjurmimin, dhe kur Asimi me shokët e tij i panë, u ngjitën në një kodrinë të lartë.

Pjesëtarët e fisit i rrethuan dhe u thanë: “Zbritni dhe dorëzohuni! Keni besën dhe fjalën tonë se nuk do të vrasim asnjërin prej jush.” Asim ibn Thabiti, prijësi i njësisë, tha: “Sa për mua, pasha Allahun, sot nuk zbres nën besën e një jobesimtari. O Allah, njoftoje Pejgamberin Tënd për ne!”

Ata i qëlluan me shigjeta dhe e lanë shehid Asimin bashkë me shtatë të tjerë. Atëherë tre veta zbritën (nga kodra) mbi bazën e besës dhe fjalës së tyre, mes të cilëve ishte Hubejb el Ensari, Ibn ed-Dethine dhe një burrë tjetër. Kur i zotëruan, idhujtarët u hoqën tetivat harqeve dhe i lidhën fort. Burri i tretë tha: “Kjo është tradhëtia e parë! Pasha Allahun se nuk vij me ju. Këta të rënë janë shembull për mua.”

Ata e tërhoqën me forcë që t’i ndiqte, por ai refuzoi prandaj dhe e vranë. Pastaj morën Hubejbin dhe Ibn ed-Dethinen dhe i shitën në Mekë.

Hubejbin e blenë bijtë e Harith ibn Amir ibn Nevfel ibn Abdi Menafit, pasi Hubejbi e kishte vrarë Harithin ditën e Bedrit. Hubejbi mbeti rob tek ata. Ubejdullah ibn Ijadhi tregon se e bija e Harithit i ka rrëfyer se kur idhujtarët u bënë bashkë për ta vrarë, Hubejbi i kërkoi një brisk për t’u pastruar (istihdad) dhe ajo ia dha. Ndëra ajo ishte e pavëmendshme, djali i saj i vogël shkoi te Hubejbi. Ajo tha: “E gjeta fëmijën të ulur në kofshën e tij, ndërsa briskun Hubejbi e kishte në dorë. U frikësova shumë gjë që Hubejbi e vërejti në fytyrën time, dhe më tha: A frikësohesh se do ta vras? Nuk do ta bëja kurrë këtë!

Pasha Allahun, nuk kam parë kurrë rob më të mirë se Hubejbi. Pasha Allahun, e kam parë një ditë duke ngrënë nga një kalavesh rrushi, ndonëse ishte i lidhur me hekur dhe në Mekë në atë kohë nuk kishte asnjë frut!

Ajo thoshte: Ai ishte rrizk (furnizim) që Allahu ia kishte dhënë Hubejbit.

Kur e nxorrën jashtë kufijve të Haremit për ta ekzekutuar në një tokë të hapur, Hubejbi u tha: “Më lini të fal dy rekate namaz.” Ata e lanë dhe ai fali dy rekate, e pastaj tha: “Sikur të mos mendonit se po frikësohem nga vdekja, do t’i zgjasja më shumë… O Allah, numëroji ata një e nga një…”

Dhe thuri vargjet e njohura:

Nuk më bëhet vonë kur vritem si musliman,

se në cilën anë bie për Allahun trupi im.

E gjitha kjo është për hatrin e të Madhit Zot,

dhe po të dojë Ai, e bekon çdo gjymtyrë të trupit tim.

Atë e vrau i biri i Harithit. Kështu, Hubejbi u bë ai që vendosi traditën për çdo musliman që ekzekutohet duke qenë rob i kapur.

Allahu iu përgjigj lutjes së Asim ibn Thabitit ditën kur ra shehid, dhe i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i njoftoi sahabët për ngjarjen dhe atë që u ndodhi. Ndërkohë, disa nga paria e kurejshëve dërguan njerëz te trupi i Asimit kur morën vesh se u vra, për të marrë diçka nga trupi i tij që të identifikohej (pasi ai kishte vrarë një nga krerët e tyre në Bedër). Por Allahu dërgoi mbi trupin e Asimit një re grenxash si hije e cila e mbrojti nga të dërguarit e tyre, kështu që nuk mundën të merrnin asnjë pjesë nga mishi i tij.

(Buhariu)

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...