Ti që bën pyetje të detajuara, a i di gjërat elementare të fesë?

• August 19, 2026

Disa herë na ka rastisur të na pyesin pyetje goxha të detajuara, dhe në mënyrë të përgjithshme interesimi për çështjet fetare dhe pyetja e hoxhallarëve tregon përkushtim në çështjet fetare.

Por problemi qëndron se shumë herë të tilla pyetje vijnë nga persona që njohuritë e tyre fetare janë tepër të cekëta, madje në shumë raste nuk njohin shumë gjëra elementare.

Imam Kasim bin Selam (224 H/838 G) thotë:

“Çuditem me atë që lë pas dore bazat dhe kërkon detajet.”

(“El xhami lil Hatib” 2/185)

Çuditem me personin që nuk mëson gjërat kryesore për të cilat ka nevojë, nuk përvetëson rregullat e përgjithshme fetare, ndërkohë që interesohet për disa çështje të detajuara të cilat nuk i nevojiten, ndryshe nga bazat dhe rregullat e përgjithshme.

Imam Ahmed bin Hanbel (224 H /855 G) në një rast i jep një mësim dikujt që i drejtoi pyetje të tilla, duke i treguar atij më pas se gjërat që i nevojiteshin në përditshmërinë e tij, ishin më parësore për tu mësuar dhe për të pyetur rreth tyre.

Ebu Xhafer el Kati’ tregon:

“Hyra te imam Ahmedi dhe e pyeta:

– A lejohet të marr abdes me ujë gëlqerje?

– A lejohet të marr abdes me ujë të bathës?

– A lejohet të marr abdes me ujë trëndafili?

Imam Ahmedi u përgjigj duke thënë se përdorimi i këtij uji është i papëlqyeshëm, e më pas e tërhoqi prej rrobave dhe e pyeti:

– Çfarë thua kur hyn në xhami? Çfarë thua kur del nga xhamia?

Dhe kur pa se ai nuk dinte të përgjigjej, i tha:

Shko mësoji këto gjëra!”

(“Tabakatul Hanabileh” 1/41)

Në një rast tjetër, një person e pyeti imam Malik bin Enesin (179H/ 795G) për një çështje që nuk ka gjasa të ndodhë, dhe imami nuk iu përgjigj.

Ai i tha  imam Malikut:

– Pse nuk po më përgjigjesh?

Imam Maliku iu kthye:

“Sikur të më kishe pyetur për diçka prej së cilës do përfitoje, do të isha përgjigjur.”

Fjalët e përmendura më sipër janë tregues i qartë se dijetarët nuk shpenzonin kohë në çështje të kota apo hipoteza të zbrazëta, por i drejtonin njerëzit drejt dijes së dobishme.

Dosje: ,

Loading...