Çfarë Duhet të Bëjmë Nëse Dikush Nuk e Kthen Selamin?

• November 16, 2026

Të gjithë ne, ndoshta, kemi përjetuar raste kur i japim dikujt selam me përzemërsi, ndërkohë që ai na injoron, nuk na e kthen, madje ka edhe raste që krenohet e sillet sikur ka bërë diçka të madhe.

•              A duhet që ne të mos i japim më selam dikujt për shkak të hamendësimit se ai nuk do na e kthej selamin?

•              A bëhemi ne shkak që ky person të marrë gjynahe si pasojë e moskthimit të selamit?

•              A ka qenë kjo dukuri e pranishme më parë, apo po e përjetojmë vetëm në kohën tonë?

Dijetari i madh, fakihu i njohur Imam Neueuiu (v. 676H / 1277G) u jep përgjigje këtyre pyetjeve dhe sqaron domosdoshmërinë e dhënies së selamit në të tilla raste, duke thënë:

«Nëse dikush kalon pranë një ose disa personave dhe mendon se po t’u japë selam, ata nuk do t’ia kthejnë — qoftë për shkak të mendjemadhësisë, shpërfilljes ndaj atij që u jep selam apo ndaj vetë selamit, ose për ndonjë shkak tjetër — ai gjithsesi duhet t’u japë selam dhe nuk duhet ta lërë atë për shkak të këtij hamendësimi.

Kjo sepse dhënia e selamit është e urdhëruar; ai që kalon është urdhëruar të japë selam dhe nuk është urdhëruar të sigurojë që tjetri do t’ia kthejë.

Për më tepër, paragjykimi i tij mund të jetë i pasaktë dhe pala tjetër mund t’ia kthejë selamin.

Sa i përket thënies së atij që nuk ka dije të thellë: “Dhënia e selamit bëhet shkak që tjetri të marrë gjynah (për shkak të moskthimit)”, kjo është injorancë e qartë dhe marrëzi e hapur.

Urdhëresat fetare nuk bien për shkak të hamendësimeve dhe imagjinatave të tilla».

(El Edhkar, fq. 258)

Shejh Ibn Uthejmini (v. 1421H / 2001G), një nga dijetarët e kohës sonë, është pyetur për rastin e sipërpërmendur:

Pyetësi: Çfarë mendoni për një njeri të cilit i jep selam dhe ai nuk ta kthen, edhe pse e kam këshilluar? A të vazhdoj t’i jap selam? Kjo sjellje është përhapur shumë.

Shejhu:

«Unë them: Jepi selam! Jepi selam edhe nëse nuk ta kthen, sepse njeriu është i urdhëruar t’i japë selam vëllait të tij musliman. Nëse ti i jep selam e ke shpërblimin, ndërsa ai — nëse nuk ta kthen — bie në gjynah.

Dëshmia për këtë është hadithi që transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se një burrë tha:

“O i Dërguari i Allahut, unë kam të afërm të cilët i vizitoj, ndërsa ata i shkëpusin lidhjet me mua. Unë sillem mirë me ta, por ata më trajtojnë keq. Unë jam i butë me ta, por ata sillen ashpër me mua.”

Profeti ﷺ i tha:

“Nëse është ashtu siç thua, atëherë është sikur t’u hedhësh hi të nxehtë (d.m.th. ata po dëmtojnë veten e tyre përballë sjelljes sate të mirë), dhe ti do të kesh gjithmonë një ndihmës nga Allahu kundër tyre përderisa vazhdon në këtë rrugë.” (Transmeton Muslimi)

Kjo do të thotë: Vazhdo me sjelljen tënde të mirë!

Pra, Profeti ﷺ e urdhëroi që t’i mbajë lidhjet familjare edhe nëse ata i shkëpusin.

Po ashtu edhe ti, vazhdo t’i japësh selam edhe nëse dikush nuk ta kthen. Ndoshta me përsëritje ai do të turpërohet dhe do ta pyesë veten: Pse nuk po ia kthej selamin?»

Pyetësi: Po nëse ai mendon se kjo që po bën është pjesë e fesë, pra mendon se po afrohet tek Allahu duke më bojkotuar e duke mos më kthyer selamin?

Shejhu:

«Nëse ai të ka bojkotuar duke besuar se kjo është pjesë e fesë dhe ti e ke këshilluar por ai nuk është kthyer, atëherë ti e ke kryer detyrimin tënd.»

(Marrë nga libri: “Lika’ el Bab el Meftuh”, 17/62)

Shejhu thotë gjithashtu:

“Jepi selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh, si dhe atij që ta kthen e atij që nuk ta kthen.

Nëse i jep selam dikujt dhe ai nuk ta kthen, ti merr shpërblim, kurse ai merr gjynah.

Disa njerëz të paditur mendojnë se nëse një person njihet për moskthimin e selamit, nuk duhet t’i japësh selam që të mos bëhesh shkak që ai të marrë gjynah. Ky është gabim! Në hadith përmendet: “dhënia e selamit atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh.” E nëse ai nuk e kthen, ai merr gjynahun. Unë bëj shkakun e sevapit për vete si edhe për të; e nëse ai e lë të mirën, për veten e tij e ka.”

(Durus el Harem el Medeni, 3/29)

Loading...