I lumtur është ai që kur vdes bashkë me të vdesin edhe mëkatet e tij

• October 6, 2026

Besimtari duhet të ruhet nga mëkatet sidomos nga mëkatet që vazhdojnë edhe pas vdekjes, para se të jetë tepër vonë. Le të kujdeset të mos lërë pas vepra të këqija që i shtojnë mëkatet edhe kur ai ndodhet në varr.

Allahu i Madhëruar ka thënë:

إِنَّا نَحۡنُ نُحۡيِ ٱلۡمَوۡتَىٰ وَنَكۡتُبُ مَا قَدَّمُواْ وَءَاثَٰرَهُمۡۚ وَكُلَّ شَيۡءٍ أَحۡصَيۡنَٰهُ فِيٓ إِمَامٖ مُّبِينٖ

“Vërtet, Ne i ringjallim të vdekurit dhe i shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë pas. Çdo gjë e kemi regjistruar në një Libër të qartë”.

 [Jasin: 12]

Disa njerëz vdesin dhe me vdekjen e tyre ndërpriten veprat e mira që mund të bënin, ndërsa mëkatet e tyre vazhdojnë t’i rëndojnë për një kohë të gjatë, madje edhe për gjith kohën. Ata janë në varret e tyre, ndërsa bilanci i mëkateve të tyre vazhdon të shtohet ditë pas dite, derisa në Ditën e Kiametit të vijnë me male të tëra mëkatesh, për të cilat nuk kishin menduar kurrë. Sa humbje e madhe është për ta!

Të flasësh për veprat e mira dhe mëkatet është diçka e pashmangshme, sepse llogaria në Ditën e Kiametit do të bëhet me peshore. Allahu i Madhëruar thotë:

وَنَضَعُ ٱلۡمَوَٰزِينَ ٱلۡقِسۡطَ لِيَوۡمِ ٱلۡقِيَٰمَةِ فَلَا تُظۡلَمُ نَفۡسٞ شَيۡـٔٗاۖ وَإِن كَانَ مِثۡقَالَ حَبَّةٖ مِّنۡ خَرۡدَلٍ أَتَيۡنَا بِهَاۗ وَكَفَىٰ بِنَا حَٰسِبِينَ

“Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje”.

 [El-Enbija: 47]

Shumë njerëz janë të pavëmendshëm ndaj çështjes së mëkateve që vazhdojnë edhe pas vdekjes dhe ndaj rrezikut të tyre. Ka mëkate që, kur vdes ai që i ka bërë, përfundojnë me vdekjen e tij dhe ndikimi i tyre nuk shtrihet te të tjerët. Por ka edhe mëkate që nuk ndalen me vdekjen e autorit të tyre; përkundrazi, ato vazhdojnë dhe ai vazhdon të ngarkohet me to.

Tekstet fetare kanë paralajmëruar nga ky lloj mëkatesh. Prej tyre janë:

• Fjala e Allahut të Madhëruar:

لِيَحۡمِلُوٓاْ أَوۡزَارَهُمۡ كَامِلَةٗ يَوۡمَ ٱلۡقِيَٰمَةِ وَمِنۡ أَوۡزَارِ ٱلَّذِينَ يُضِلُّونَهُم بِغَيۡرِ عِلۡمٍۗ أَلَا سَآءَ مَا يَزِرُونَ

“(Le të thonë kështu, me qëllim) që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!”

[En-Nahl: 25]

Ibn Abasi Allahu qoftë i kënaqur me të për kuptimin e këtij ajeti ka thënë:

Ata mbajnë bashkë me mëkatet e tyre, edhe mëkatet e atyre që i kanë devijuar pa dije.

(Tefsiri i Taberiut, 14/201).

Muxhahid ibn Xhebr ka thënë në lidhje me ajetin:

 “Që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit”, si dhe barrët (gjynahet) e atyre që i kanë devijuar; domethënë, ata mbajnë mëkatet e veta dhe mëkatet e atyre që i janë bindur. Kjo nuk ua pakëson aspak dënimin atyre që i kanë ndjekur.

(Tefsiri i Taberiut, 14/200).

Katadeja ka thënë:

“Që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit”: domethënë mëkatet e tyre dhe mëkatet e atyre që i kanë devijuar pa dije. “sa e keqe është barra që do të bartin ata!”.

(El-Ehval i Ibn Ebi Dunjas, dhe Tefsiri i Taberiut, 14/201).

Ibn Kethiri, duke shpjeguar kuptimin e këtij ajeti, ka thënë:

“Domethënë: Ne u kemi caktuar atyre që ta thonë këtë dhe kështu ata mbajnë barrët e tyre, si dhe një pjesë të barrëve të atyre që i ndjekin dhe pajtohen me ta. Pra, mbi ta bie mëkati i devijimit të tyre dhe mëkati i devijimit të të tjerëve, si dhe i faktit që të tjerët i kanë ndjekur ata, ashtu siç ka ardhur në hadith: “Kush thërret në udhëzim, do të ketë shpërblim të barabartë me shpërblimet e atyre që e ndjekin atë…”.

(Tefsiri i Ibn Kethirit, 4/565).

• Gjithashtu, fjala e Allahut të Madhëruar:

وَلَيَحۡمِلُنَّ أَثۡقَالَهُمۡ وَأَثۡقَالٗا مَّعَ أَثۡقَالِهِمۡۖ وَلَيُسۡـَٔلُنَّ يَوۡمَ ٱلۡقِيَٰمَةِ عَمَّا كَانُواْ يَفۡتَرُونَ

“Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër, që do të pyeten Ditën e Kiametit për gjithçka që trillonin”.

[El-Ankebut: 13]

Ibn Kethiri, duke shpjeguar këtë ajet, ka thënë:

Fjala e Tij: “Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera”, është njoftim për thirrësit në kufër dhe devijim: në Ditën e Kiametit ata do të mbajnë mëkatet e veta dhe mëkate të tjera për shkak të njerëzve që i kanë devijuar, pa iu pakësuar aspak mëkatet e atyre që i kanë ndjekur. Ashtu siç ka thënë i Madhëruari: “Që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!” [En-Nahl: 25].

(Tefsiri i Ibn Kethirit, 6/266).

• Gjithashtu, fjala e Allahut të Madhëruar:

إِنَّا نَحۡنُ نُحۡيِ ٱلۡمَوۡتَىٰ وَنَكۡتُبُ مَا قَدَّمُواْ وَءَاثَٰرَهُمۡۚ وَكُلَّ شَيۡءٍ أَحۡصَيۡنَٰهُ فِيٓ إِمَامٖ مُّبِينٖ

“Vërtet, Ne i ringjallim të vdekurit dhe i shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë pas. Çdo gjë e kemi regjistruar në një Libër të qartë”.

 [Jasin: 12]

Ibn Kethiri ka përmendur se ndër kuptimet e këtij ajeti është:

Ne i shënojmë veprat e tyre që i kanë kryer vetë dhe gjurmët që kanë lënë pas tyre; dhe për këtë gjithashtu do t’i shpërblejmë: nëse janë të mira, atëherë do të shperblehen me të mira; e nëse janë të këqija, atëherë do të shperblehen me të këqija. Ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ: “Kush vendos në Islam një traditë të mirë, do të ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atij që vepron sipas saj pas tij…”.

(Tefsiri i Ibn Kethirit, 6/565).

Muxhahidi ka thënë: Ajo që ata lanë trashëgim prej devijimit (për brezat pas tyre).

(Tefsiri i Ibn Kethirit, 6/566).

Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kush thërret në udhëzim, do të ketë shpërblim të barabartë me shpërblimet e atyre që e ndjekin atë, pa iu pakësuar aspak shpërblimet e tyre. Ndërsa kush thërret në devijim, do të ketë mëkat të barabartë me mëkatet e atyre që e ndjekin atë, pa iu pakësuar aspak mëkatet e tyre”.

(E transmeton Muslimi).

Xherir ibn Abdullahu Allahu qoftë i kënaqur me të transmeton nga Profeti ﷺ:

“…Kush vendos në Islam një traditë të mirë, do të ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atij që vepron sipas saj pas tij, pa iu pakësuar asgjë nga shpërblimet e tyre. Ndërsa kush vendos në Islam një traditë të keqe, do të ketë barrën e saj dhe barrën e atyre që veprojnë sipas saj pas tij, pa iu pakësuar asgjë nga barrët e tyre”.

(E transmeton Muslimi).

Imam Neveviu, duke shpjeguar këto dy hadithe, ka thënë:

Kushdo që vepron sipas saj deri në Ditën e Kiametit, dhe se ai që thërret në udhëzim do të ketë shpërblim të ngjashëm me shpërblimet e ndjekësve të tij, ndërsa ai që thërret në devijim do të ketë mëkate të ngjashme me mëkatet e ndjekësve të tij. Nuk ka rëndësi nëse ky udhëzim apo ky devijim është nisur prej tij apo ka ekzistuar më parë. Po ashtu, nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për mësimin e dijes, adhurimin, edukatën apo diçka tjetër. Fjala e tij ﷺ: “dhe dikush veproi sipas saj pas tij” do të thotë se, nëse ai e ka vendosur atë traditë, shpërblimi ose mëkati vazhdon, pavarësisht nëse veprimi ndodh gjatë jetës së tij apo pas vdekjes së tij. Allahu e di më së miri.

(Sherhu Muslim, 16/227).

Abdullah ibn Mes’udi Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë: Profeti ﷺ ka thënë:

“Nuk ka asnjë njeri që vritet padrejtësisht, veçse birit të parë të Ademit i bie një pjesë e mëkatit të saj —apo një pjesë e gjakut të tij—  sepse ai ishte i pari që vendosi vrasjen si traditë”.

(E transmeton Buhariu dhe Muslimi, dhe teksti përmendur është i Buhariut).

Ibn Haxheri ka thënë:

El-Muheleb ka thënë: Ky kapitull dhe ai para tij kanë për qëllim paralajmërimin nga devijimi, shmangien e bidateve dhe gjërave të shpikura në fe, si dhe ndalimin e kundërshtimit të rrugës së besimtarëve.

Më pas ai shpjegon se qëllimi i paralajmërimit është se ai që shpik një bidat mund ta konsiderojë si çështje të parëndësishme për shkak të lehtësisë së saj në fillim dhe nuk e kupton se çfarë pasojash të këqija do të sjellë ajo. Ndër pasojat është që atij t’i ngarkohet mëkati i atyre që veprojnë sipas saj pas tij, edhe nëse vetë ai nuk vepron sipas saj, sepse ai ishte shkaku dhe burimi i shpikjes së saj.

(Fethul-Bari i Ibn Haxherit, 13/302).

Hudhejfeja Allahu qoftë i kënaqur me të ka thënë:

“Në kohën e Profetit ﷺ, një njeri kërkoi ndihmë. Njerëzit heshtën, pastaj një njeri i dha diçka dhe pas tij edhe njerëzit e tjerë i dhanë. Atëherë Profeti ﷺ tha: Kush vendos një traditë të mirë dhe ajo ndiqet pas tij, do të ketë shpërblimin e saj dhe një pjesë nga shpërblimet e atyre që e ndjekin, pa iu pakësuar aspak shpërblimet e tyre. Ndërsa kush vendos një traditë të keqe dhe ajo ndiqet pas tij, do të ketë barrën e saj dhe një pjesë nga barrët e atyre që e ndjekin, pa iu pakësuar aspak barrët e tyre”.

Hadith hasen.

(E transmeton Ahmedi në Musned, dhe Hakimi në Mustedrek).

Imam Buhariu në Sahihun e tij ka vendosur kapitullin:

“Kapitulli: Mëkati i atij që thërret në devijim ose vendos një traditë të keqe” për shkak të fjalës së Allahut të Madhëruar: “si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia!” [En-Nahl: 25]…deri në fund të ajetit. Pastaj ai përmendi hadithin e Ibn Mesudit të sipërpërmendur.

Habib Ebu Muhamed el-Farisiu ka thënë: Prej lumturisë së njeriut është që, kur vdes të vdesin bashkë me të edhe mëkatet e tij.

(El-Hilje, 6/153 dhe Sifetus-Safue, 2/188).

Shatibiu ka thënë:

“Lum për atë që vdes dhe bashkë me të vdesin edhe mëkatet e tij. Ndërsa mjerimi i gjatë është për atë që vdes dhe mëkatet e tij mbeten edhe njëqind apo dyqind vjet; ai dënohet për shkak të tyre në varrin e tij dhe pyetet për to derisa ato të zhduken.

Dhe i Madhëruari ka thënë: “Ne i shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët që kanë lënë pas”. [Jasin: 12]

Domethënë: Ne gjithashtu shënojmë atë që ata kanë lënë pas prej gjurmëve të veprave të tyre, ashtu siç shënojmë atë që kanë bërë më parë. Të njëjtin kuptim e ka edhe fjala e Allahut të Madhëruar:

“Atë ditë njeriu do të njihet me atë që çoi para dhe me atë që la prapa”. [El-Kijame: 13]

Dhe ajo që lë pas janë gjurmët e veprave të tij; domethënë, është ai që vendos një traditë të keqe, të cilën më pas e praktikojnë të tjerët.

(El-Muafekat, 1/361).

O rob i Allahut! Ki kujdes që pas vdekjes tënde të mos lësh pas një mëkat të cilin njerëzit e praktikojnë, një bidat që ndiqet, një video apo material që shpërndahet, apo një fjalë që i devijon njerëzit. Njeriu vdes dhe vepra e tij ndërpritet, por gjurmët e veprës së tij mund të mbeten; kështu, e mira ose e keqja e saj mund të vazhdojë të rrjedhë në llogarinë e tij.

Prandaj, bëji veprat që lë pas vdekjes tënde të mira dhe përpiqu të lësh pas vetes sadaka xharije(sadaka të vazhdueshme).

Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kur njeriu vdes, i ndërpriten veprat e tij, përveç tri gjërave:

sadakasë së vazhdueshme, dijes prej së cilës përfitohet dhe fëmijës së mirë që lutet për të”.

(E transmeton Muslimi).

Poeti ka thënë:

Çdo shkrues një ditë do të tretet e do të shkojë,
por ajo që shkroi dora, koha gjithmonë do ta ruajë.


Prandaj me dorën tënde mos shkruaj asgjë në këtë jetë,
veç asaj që Ditën e Gjykimit do të dëshirosh ta shohësh vetë.

(Shemsul-Ulum ue Devau Kelamil-Arab minel-Kulum, 3/1982).

Dosje:

Loading...