Shërimi i Vrazhdësisë përmes Dritës së Përmendjes së Allahut (Dhikrit)
Ajo që vuajmë nga vrazhdësia e ashpërsia e zemrave — tek dëgjojmë Fjalën e Allahut, tek dëgjojmë cilësitë dhe madhështinë e Tij, tek dëgjojmë ajetet që dëshmojnë për Madhërinë e Lartësinë e Tij, si dhe ato që rrëfejnë për Ditën e Fundit, Xhenetin e Zjarrin etj, e megjithatë zemrat tona nuk drithërohen e nuk lëkunden — përbën një sprovë të rëndë. E Allahu i Lartësuar sjell shembullin e malit, i cili qëndron në kulmin e ngurtësisë duke thënë:﴿ لَوْ أَنزَلْنَا هَٰذَا الْقُرْآنَ عَلَىٰ جَبَلٍ لَّرَأَيْتَهُ خَاشِعًا مُّتَصَدِّعًا مِّنْ خَشْيَةِ اللَّهِ ﴾”Sikur ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë mal, do ta shihje atë të përulur e të çarë më dysh nga frika e respekti ndaj Allahut.” [El-Hashr: 21].
Ndërsa në vetet tona po ndiejmë dhe po vuajmë një vrazhdësi, e cila buron nga një varg shkaqesh të ndërthurura, ku më i madhi është pakujdesia e shpërfillja (gafleti) ndaj përmendjes së Allahut — të Lartësuar. Kësaj i shtohet edhe teprimi i shikimit (fudûl en-nadhar), teprimi në të folur (fudûl el-kelâm), teprimi në shoqërim e përzierje (fudûl el-khultah), teprimi në të ngrënë e të pirë (fudûl el-ekli uesh-shurb), si dhe teprimi i gjumit (fudûl en-neum).
E kjo ndodh në gjërat e lejuara (el-mubâh); po si është puna atëherë me gjynahet e shkeljet që njeriu i kryen dhe i përjeton mëngjes e mbrëmje?!Kjo, pa asnjë dyshim, lë një ndikim të thellë dhe të rëndë mbi këto zemra.Mjetet e Kthjellimit dhe Zbutjes së ZemrësKthjellimi dhe pastrimi i zemrës arrihet përmes: zgjimit (el-jakdhah), pendimit, dhe përmendjes së shumtë të Allahut me zemër e me gjuhë.
Kështu zemrës rikthehet jeta, qartësia, butësia e tejdukshmëria, dhe prej saj largohen turbullirat e ndryshme. Këtë pakujdesi e këtë vrazhdësi secili rob e ka për detyrë ta mjekojë me dhikrin e Allahut — të Lartësuar — sepse përmendja e Allahut është nga mjetet më të mëdha për zbutjen e saj (zemrës).
Përveç dhikrit, ekzistojnë edhe mjete të tjera: vizita e varrezave, meditimi, vizita e të sëmurëve, përkëdhelja e kokës së jetimit dhe ushqyerja e tij nga ushqimi yt. Të gjitha këto e zbusin zemrën. Mirëpo përmendja e Allahut — ku përfshihet edhe leximi i Kur’anit me meditim (tedebbur) — përbën mjetin më sublim që e zbut atë dhe e tret vrazhdësinë e saj.Një njeri i’u ankua Hasan el-Basriut (rahimehullāh) duke i thënë: O Ebu Said, po t’ë ankohem për vrazhdësinë e zemrës sime! Ai i tha: «Trete atë (vrazhdësinë) me dhikr (përmendjen e Allahut)! [1].
Pra, këtë zemër të ngurtë e zbut përmendja e Allahut — të Lartësuar. Ndaj, sa herë që shtohet pakujdesia jonë, shtohet njëkohësisht edhe vrazhdësia e zemrave tona, e atëherë kemi nevojë për më shumë përmendje, e jo për të kundërtën. Mirëpo në gjendjen tonë të pakujdesisë, dhikri ynë pakësohet, tkurret dhe shpërbëhet, dhe kështu vrazhdësia rritet e mundimi shtohet.
Madje, robi mund të arrijë në një gjendje ku as nuk e ndien më se zemra e tij është e ngurtësuar e nuk i kushton vëmendje kësaj; ai lëngon nga një sëmundje e rëndë shkatërruese pa e hetuar fare. Këto sëmundje të mbivendosura janë ato që e lënë njeriun në pakujdesi të vazhdueshme: pakujdesi ndaj Allahut ﷻ, shpërfillje ndaj vetes dhe ndaj gjërave që e përmirësojnë atë, si dhe shpërfillje ndaj vetë sëmundjes. E kur bashkohen të gjitha këto, kur do të zgjohet njeriu?! Kur do të vetëdijësohet?!
Kjo përmendje e Allahut — siç thotë Hāfidh Ibn el-Kajjim:E tret të gjithë këtë vrazhdësi, ashtu siç tretet plumbi në zjarr! [2].Asgjë nuk e tret vrazhdësinë e zemrave si përmendja e Allahut të Lartësuar. Dhikri e tret këtë ngurtësi dhe është njëkohësisht shërim për këto zemra nga të gjitha epidemitë që e godasin. Kur zemrat tona sëmuren nga pakujdesia dhe epshi, ato mundohen të kapen dhe të lidhen pas kësaj bote të përkohshme.
Kështu, një krijesë me pamje të bukur mund të shndërrohet në një objekt adhurimi e përkushtimi, pas të cilit zemra lidhet dhe e do më shumë sesa Allahun — e Lartësuar. Mirëpo (siç dihet), kjo dashuri — qoftë ndaj një njeriu apo diçkaje tjetër — nëse bëhet dashuri rivalizuese ndaj dashurisë së Allahut në zemër, zemra do të vuajë e do të torturohet përmes saj ne mënyrë të pashmangshme, si një ndëshkim i merituar; sepse kjo zemër nuk përmirësohet në asnjë mënyrë dhe nuk gjen qetësi përveçse duke iu drejtuar Allahut e duke u lidhur me Të.
Atëherë, si arrihet shërimi? Cila është rruga drejt ilaçit? Ai është dhikri.Zemrat e sëmura e të lënguara mjekohen me përmendjen e Allahut; ky është ilaçi më veprues. Ndërkohë, Allahu — i Lartësuar — e ka cilësuar Kur’anin si shërim (shifâ’) duke thënë:﴿ وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِّلْمُؤْمِنِينَ ﴾”Ne zbresim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” [El-Isrâ’: 82]. Këtu Ai nuk tha “ilaç” (devâ’); sepse ilaçi mund të qëllojë e mund të gabojë, mund t’i përshtatet disave e të mos u përshtatet të tjerëve, madje mund të bëhet shkak edhe për shkatërrimin e jetës. Ndërsa Kur’ani të dha drejtpërdrejt përfundimin: ﴿ مَا هُوَ شِفَاءٌ ﴾ (atë që është shërim), e nuk tha “ilaç”. Ky është Kur’ani, i cili është dhikri më i madh e më sublim. Kur flasim për përmendjen e Allahut dhe angazhimin me të (dhikrin), nuk duhet ta harrojmë këtë kuptim: leximi i Kur’anit përfshihet brenda dhikrit, madje është pjesa më madhështore e tij.
Ndërsa ata që vuajnë — e të gjithë ne vuajmë, e robi nuk bën tjetër veçse këshillon veten me ato që thotë — këtë vuajtje tonën, tërë ato fjalë të shumta që thuhen për mënyrën e mjekimit dhe hapat që duhen ndjekur, të gjitha i përmbledh leximi i Kur’anit me meditim (tedebbur) dhe shpeshtimi i dhikrit. Përmes kësaj arrihet jeta (e zemrës) në trajtën më të plotë, në gjendjen më të lartë dhe në formën më të bukur të saj.Për ta përmbledhur: cilido që vuan nga lidhja e zemrës me dikë tjetër veç Allahut, ai që vuan nga vrazhdësia, ai që vuan nga pasioni i tepruar (el-‘ishk), apo nga sëmundje e lëngata të tjera, e ka për detyrë t’i drejtohet këtij ilaçi gjithëpërfshirës e dobiprurës, përmes të cilit arrihet shpërlarja e zemrave e heqja e të gjitha atyre mbetjeve. Çdo gjë tjetër që mund të themi përveç kësaj nuk është veçse filozofi e zgjatje e kotë e fjalëve; në fakt kjo është e vërteta. Unë e kam gjetur përmbledhjen e kësaj çështjeje te: orientimi i sinqertë drejt Kur’anit me meditim, dhe angazhimi me dhikrin e Allahut ﷻ duke i kuptuar e përthithur domethëniet e tij. Ky është shërimi i vërtetë për të gjitha këto lëngata, sëmundje dhe probleme.
Kjo ka një ndikim të mahnitshëm mbi jetën e këtyre zemrave, mbi pastërtinë, përmirësimin dhe zhvillimin e tyre, si dhe në dëbimin e të gjitha imagjinatave (vesveseve) dhe frikërave. Këto frikëra vijnë si pasojë e dobësisë së zemrës, ashtu sikurse lidhjet pas krijesave vijnë nga dobësia e saj.
Kështu, zemra, herë i do ata me një dashuri që rivalizon dashurinë ndaj Allahut, e herë frikësohet prej tyre me një frikë që nuk i takon krijesës; ndaj kjo zemër mbetet e turbulluar, e trazuar dhe në pritje të vazhdueshme të së keqes. Kështu, krijesa bëhet më e madhe në sytë e tij sesa Allahu — i Lartësuar. Kjo gjendje nuk u takon aspak ithtarëve të besimit; përkundrazi, Allahu e ka përmendur këtë si cilësi të të tjerëve, sidomos hipokritëve duke thënë:﴿ لَأَنتُمْ أَشَدُّ رَهْبَةً فِي صُدُورِهِم مِّنَ اللَّهِ ﴾”Ata kanë më shumë frikë prej jush në gjokset e tyre sesa prej Allahut.” [El-Hashr: 13].
Kjo nuk mund t’i ndodhë besimtarit në asnjë mënyrë. Këto frikëra herë janë për gjëra konkrete e herë për gjëra të panjohura; pra, ai ndien frikë të vazhdueshme — frikë për furnizimin e tij, frikë për veten, frikë për fëmijën, apo frikë nga të këqija të paramenduara e të përfytyruara. Edhe pse mundësia e ndodhjes mund të jetë e madhe apo thjesht imagjinare, ai përsëri frikësohet; madje ndonjëherë frikësohet pa e ditur se nga çfarë po frikësohet!
Mirëpo ai e di se kjo frikë nuk është për Allahun; sepse me frikën që është për Allahun, zemra fiton qetësi e rehati, dhe besimi shtohet. E nëse kjo frikë vlon derisa të mbërrijë te syri, ai loton nga frika dhe respekti ndaj Allahut ﷻ, ky lot shërben si larje e pastrim për zemrën.Mirëpo ne tregohemi shpesh të pakujdesshëm ndaj kësaj. Ndaj sheh disa njerëz që i drejtohen ngopjes së kësaj nevoje për ta larë zemrën e për të ndier nevojën për të qarë — siç e kam dëgjuar nga disa prej tyre — duke dëgjuar poezi të trishta, duke u përpjekur të lexojnë disa vargje me zë të trishtuar, apo duke kujtuar kujtime të dhimbshme vetëm për të qarë! Kjo përbën dobësi, e ky është si ai që thotë: “Më mjekoi me atë që ishte vetë sëmundja!”
Përkundrazi, mbështetja dhe strehimi duhet të jetë te ky i Adhuruar përmes përmendjes së Tij me zemër e me gjuhë; e këtu arrihet siguria e vërtetë. Ndërsa i pakujdesshmi — siç thotë Hāfidh Ibn el-Kajjim:I pakujdesshmi është i frikësuar edhe në mes të sigurisë së tij, saqë e gjithë siguria ku ndodhet i duket si frikë; e kushdo që ka pak ndjeshmëri e ka provuar këtë e atë» [3].Madje kjo frikë mund të zmadhohet te disa sa të shndërrohet në atë që mjekët e quajnë gjendje patologjike — fobia shoqërore (social phobia) — saqë njeriu nuk mundet më të jetojë mes njerëzve apo të marrë pjesë në ngjarje; madje tek disa mund të mbërrijnë te dera e fakultetit — i lutemi Allahut të na ruajë të gjithëve — dhe kthehet mbrapsht, pa mundur të hyjë, duke e lënë shkollimin e studimet; apo shkon në punë, mbërrin te dera e institucionit dhe kthehet përsëri sepse ka frikë!Disave prej tyre kjo u shfaqet në gjymtyrë, në fytyrë, e u thahet gjuha, pa pasur asnjë shkak real për këtë; por kjo shndërrohet në një lloj sëmundjeje e çrregullimi.
Atëherë, ku jemi ne pranë këtij burimi të kulluar?! Ku jemi ne me këtë ilaç?! Ku jemi me këtë mal të lartë dhe të patundur, te i cili kush mbahet e strehohet ndodhet në kulmin e qetësisë, besimit, rehatisë e sigurisë?!﴿ الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُم بِظُلْمٍ أُولَٰئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُم مُّهْتَدُونَ ﴾”Ata që besuan dhe nuk e ngatërruan besimin e tyre me padrejtësi (shirk), atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuarit.” [El-An’âm: 82].Atëherë kur ndodh që zemra e njeriut të jetë e mbushur dhe e gjallëruar plot me besim?
Kjo ndodh vetëm atëherë kur zemra e tij është e mbushur me përmendjen e Zotit të tij — të Lartësuar — dhe gjuha e tij të jetë e njomë me dhikrin dhe leximin e Fjalës së Tij.Zgjimi nga Gjumi i Rëndë i PakujdesisëPo ashtu, kjo përmendje e Allahut i zgjon këto zemra nga pakujdesia dhe gjumi i tyre; i zgjon nga fjetja e tyre e lehtë.
Sepse zemra ndonjëherë ndodhet në gjumë të thellë, por ka raste ku mund të jetë në gjumë të lehtë, ndaj i ikin fitimet dhe tregtitë e mëdha, e mbizotëruese mbi të bëhet humbja — siç thotë Hāfidh Ibn el-Kajjim (rahimhullāh): [4]. E kur ajo zgjohet dhe e mëson se çfarë i ka ikur gjatë gjumit të saj, mbledh veten, ngjall pjesën e mbetur të jetës dhe e korrigjon atë që i ka ikur. E zgjimi i kësaj zemre nuk arrihet veçse me dhikr; sepse pakujdesia është një gjumë i rëndë.
A jemi ne në një gjumë të rëndë?!
A jemi zgjuar?!
A nuk ka erdhur koha të zgjohemi?!
A nuk ka erdhur koha t’i njohim përparësitë?!
A nuk është koha të njohim rrugën?!
A nuk ka ardhur koha ti kthehemi vetes tonë?!
I lutem Allahut — të Lartësuar — të na ndihmojë ne dhe ju në përmendjen e Tij, falënderimin e Tij dhe adhurimin e mirë ndaj Tij! O Allah, mëshoi të vdekurit tanë, shëro të sëmurët tanë, jepi shëndet të sprovuarve, dhe bëje të ardhmen tonë më të mirë se këtë botë!E Allahu e di më së miri (Va-llâhu a’lem). Paqja e Allahut qoftë mbi Profetin tonë Muhamed!
📚 Referencat e Tekstit:[1] El-Vâbil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (f. 71).[2] El-Vâbil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (f. 71).[3] Shih: El-Vâbil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (f. 77).[4] Shih: El-Vâbil es-Sajjib min el-Kelim et-Tajjib (f. 65).
Komentimi i librit “Mburoja e Muslimanit”
Shkroi: Shejh Halid es Sebt
Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: Dhikri
Të Ngjashme
- Normalizimi i imoralitetit – hap drejt shkatërrimit të shoqërisë Dr. Fatmir Strumi
- I lumtur është ai që kur vdes bashkë me të vdesin edhe mëkatet e tij Dr. Behar Hyseni
- Prej gjërave më të mira që mund t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira Dr. Behar Hyseni
- Fatkeqësia e vdekjes së dijetarëve Dr. Behar Hyseni
- Bekimi i të kuptuarit ndërmjet dritës së diturisë dhe hijeve të pakujdesisë Udha e Besimtarëve