Me emrin e Allahut. Falënderimi i takon Allahut; paqja dhe bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ, familjen, shokët, dhe mbi ata që ndjekin udhëzimin e tij!
Allahu i Madhëruar i Cili ka emrat më të bukur, zgjodhi prej krijesave të Tij ata që i deshi dhe i udhëzoi drejt besimit. Pastaj, prej besimtarëve zgjodhi ata që i deshi e u dha mirësi, ua mësoi Librin dhe Urtësinë, i bëri të ditur në fe, ua mësoi sqarimin dhe i ngriti në grada më lart se besimtarët e tjerë gjatë çdo kohe. Ai i ngriti ata me dije dhe i zbukuroi me durim e butësi. Nëpërmjet tyre njihet hallalli (e lejuara) nga harami (e ndaluara), e vërteta nga e kota, e dëmshmja nga e dobishmja, dhe e mira nga e shëmtuara.
Vlera e tyre është e madhe dhe pozita e tyre është e lartë. Ata janë trashëgimtarët e profetëve dhe kënaqësia e syve të njerëzve të devotshëm. (“Ahlak el-Ulema” i Axhurit, fq. 15.)
Dijetarët që veprojnë sipas dijes dhe janë të sinqertë, janë yje në qiellin e dijes ndërsa në tokë janë udhëzues dhe prijës. Me lejen e Allahut, ata i nxjerrin njerëzit nga errësirat në dritë me dijen e tyre, i marrin për dore drejt rrugës së të vërtetës, suksesit dhe lumturisë. Ata i drejtojnë, me lejen e Allahut, drejt kënaqësisë së të Fuqishmit, Falësit.
Ata flasin në emër të Allahut dhe të të Dërguarit të Tij. Allahu i bëri yjet në qiell shenja udhëzuese për udhëtarët:
وَبِٱلنَّجۡمِ هُمۡ يَهۡتَدُونَ
“Dhe yjet, nëpërmjet të cilave ata (njerëzit) orientohen”. | En Nahl: 16.
Ndërsa yjet e tokës janë dijetarët, të cilët i bëri shenja udhëzuese për ata që ndjekin rrugën, për të hutuarit dhe të humburit:
وَجَعَلۡنَٰهُمۡ أَئِمَّةٗ يَهۡدُونَ بِأَمۡرِنَا
“Dhe Ne i bëmë ata prijës që udhëzojnë me urdhrin Tonë”. | El Enbija: 73.
Ata janë vërtet llampa në errësirë dhe yje të udhëzimit. I zmbrapsin njerëzit e devijimit, të humburit dhe pasuesit e epsheve. Janë kapitenët e anijes dhe mbrojtësit e fesë; i udhëzojnë të humburit dhe i ndriçojnë rrugët për ata që ecin në to. Me ta jeta pastrohet.
Prandaj, me të drejtë ata përshkruhen me cilësitë më të mira, më të larta, më madhështore dhe më të pastra. Si të mos jetë kështu, kur Profeti ﷺ ka thënë për ta se janë trashëgimtarët e profetëve? Kjo mjafton si nder. Për më tepër, atyre u mjafton lavdërimi i Allahut në Librin e Tij:
يَرۡفَعِ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ مِنكُمۡ وَٱلَّذِينَ أُوتُواْ ٱلۡعِلۡمَ دَرَجَٰتٖۚ
“Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija”. | El Muxhadele: 11.
Ebu Kilabe ka thënë: “Dijetarët janë si yjet me të cilët njerëzit udhëzohen dhe si shenjat që ndiqen. Kur u mungojnë, njerëzit hutohen, e kur i braktisin, devijojnë.”
(“Musannef” i Ibn Ebi Shejbes, dhe “El Hilje” e Ebu Nuajmit 2/283.)
Ibn Kajimi ka thënë për dijetarët: “Ata në tokë janë si yjet në qiell. Nëpërmjet tyre udhëzohet i hutuari në errësirë. Nevoja e njerëzve për ta është më e madhe se nevoja e tyre për ushqim dhe pije. Bindja ndaj tyre është më e detyrueshme për njerëzit sesa bindja ndaj nënave dhe baballarëve sipas tekstit të Librit (Kuranit).”
(“I’lam el muvekki’in” 1/14)
- Respektimi, vlerësimi, nderimi, mbështetja dhe dashuria për dijetarët e umetit — të gjallë ose të vdekur — është një bindje që e mbajnë njerëzit e së vërtetës dhe me të cilën i afrohen Allahut.
Tahaviu ka thënë: “Dijetarët e selefit prej të parëve dhe atyre pas tyre nga tabiinët, janë njerëzit e mirësisë dhe të transmetimit, të fikhut dhe të mendimit. Nuk përmenden veçse me të mirë, ndërsa ai që i përmend ata me të keqe nuk është në rrugën e drejtë.” (“El akide et-Tahavije” fq. 82)
Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, lutej shpesh për Imam Shafiun. Djali i tij, Abdullahu, e pyeti: “O baba, çfarë njeriu ishte Shafiu? Të kam dëgjuar të lutesh shpesh për të. Ai iu përgjigj: O biri im, Shafiu ishte si dielli për botën dhe si mirëqenia për njerëzit. Si mendon, a ka zëvendësim ose pasardhës për këto të dyja?”
(“Tarih Bagdad” 2/407)
Vazhdimi i qëndrimit të dijetarëve mes njerëzve është mirësi dhe mëshirë nga Allahu, ndërsa largimi i tyre është fatkeqësi që godet tokën dhe banorët e saj, dhe është një mangësi në fe që asgjë nuk mund ta zëvendësojë. Me vdekjen dhe humbjen e dijetarëve shfaqet fatkeqësia dhe rëndohet, dhe prishet jeta e njerëzve, sidomos kur ata nuk gjejnë më dijetarë të devotshëm që veprojnë sipas dijes së tyre. Atëherë dalin njerëzit e paditur, të devijuarit dhe ata që pretendojnë dijen pa qenë të denjë për të.
Ebu Bekër el Axhuri ka thënë:
“Çfarë mendoni për një rrugë me shumë rreziqe të cilën njerëzit duhet ta përshkojnë në një natë të errët? Nëse nuk ka dritë në të, ata do të hutohen. Allahu u siguroi llampa që e ndriçonin rrugën, dhe ata e përshkuan të sigurt e të mbrojtur. Pastaj erdhën breza të tjerë që gjithashtu duhej ta kalonin atë rrugë. Kur ishin duke ecur, llampat u fikën dhe ata mbetën në errësirë. Çfarë mendoni se do të ndodhë me ta?
Kështu janë dijetarët mes njerëzve. Shumë njerëz nuk dinë si t’i kryejnë detyrimet fetare, as si t’u largohen harameve (ndalesave) dhe as si ta adhurojnë Allahun në të gjitha llojet e adhurimit përveçse me praninë e dijetarëve. Kur dijetarët vdesin, njerëzit hutohen; me vdekjen e tyre dija shlyhet dhe shfaqet padituria.”
(“Ahlak el ulema” i Axhurit, fq. 31)
- Kur vdes dijetari, përhapet padituria, zhduket dija, njerëzit hutohen dhe shfaqet e keqja.
Allahu i Lartësuar thotë:
أَوَلَمۡ يَرَوۡاْ أَنَّا نَأۡتِي ٱلۡأَرۡضَ نَنقُصُهَا مِنۡ أَطۡرَافِهَاۚ
“A nuk e shohin ata se Ne e pakësojmë tokën nga skajet e saj?” | Er-Ra’d: 41.
Është transmetuar nga Abdullah ibn Abasi se për komentin e këtij ajeti, ka thënë: “Ikja e dijetarëve, fukahave (juristëve) dhe njerëzve më të mirë të saj”.
Et-Taberiu e ka transmetuar këtë në tefsirin e tij, dhe Hakimi në “El Mustedrek” me anë të Talha ibn Amrit, nga Ata.
Hakimi ka thënë: “Ky hadith ka zinxhir transmetimi të saktë!” Por Dhehebiu e kundërshtoi këtë vlerësim në përmbledhjen e “El-Mustedrek“, sepse në zinxhir gjendet Talha ibn Amri. Ahmedi ka thënë për të: “Është metruk”(shumë i dobët).
(“Tefsir et-Taberi” 13/578, dhe “El mustedrek” i Hakimit.)
Muxhahidi ka thënë në një transmetim: “Vdekja; d.m.th. vdekja e dijetarëve dhe fukahave (juristëve) të saj.”
(“Tefsir Abdurrezak es-San’ani” 2/339; “Tefsir et-Taberi” 13/579, dhe “Tefsir Ibn Kethir” 4/472.)
Ata ibn Ebi Rebah ka thënë: “Ikja e fukahave (juristëve) të saj dhe i njerëzve më të zgjedhur.”
(“Ez-Zuhd” i Veki ibn el Xherrahut,“Tarih Isbahan” i Ebu Nuajmit 1/389, dhe “Xhami Bejan el ilm”.)
Seid ibn Xhubejri ka thënë: “Vdekja e dijetarëve dhe e njerëzve më të zgjedhur të saj”.
(“Tarih Uasit”, fq. 133.)
Ndërsa Ibn Xherir et-Taberiu në komentimin e këtij ajeti ka parapëlqyer një kuptim tjetër. Ai ka thënë:
“Mendimi më i drejtë në interpretimin e tij është fjala e atij që thotë se kuptimi i ajetit është: “A nuk e shohin ata se Ne i afrohemi tokës, duke e pakësuar atë nga skajet e saj”, është shfaqja dhe epërsia e muslimanëve prej shokëve të Muhamedit ﷺ, dhe nënshtrimi i banorëve të saj prej tyre”.
(“Tefsir Ibn Xherir” 13/579)
- Suneti profetik tregon se marrja e dijes ndodh me vdekjen e dijetarëve.
Abdullah ibn Amr ibn el Asi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë:
“Allahu nuk e merr dijen duke e nxjerrë atë nga robërit (njerëzit), por e merr duke ua marrë jetën dijetarëve. Dhe kur të mos mbetet asnjë dijetar, njerëzit do të marrin për udhëheqës persona të paditur. Ata do pyeten dhe do japin fetva pa dije; kështu do të devijojnë vetë dhe do t’i devijojnë edhe të tjerët”.
(Buhariu dhe Muslimi).
Për rëndësinë e kësaj teme, Imam Buhariu në librin e tij “Sahih” vendosi kapitullin: “Si ngrihet dija?”
Umer ibn Abdulazizi i shkroi Ebu Bekër ibn Hazmit:
“Shiko çfarë ka nga hadithet e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe shkruaji, sepse kam frikë nga zhdukja e dijes dhe vdekja e dijetarëve. Mos prano tjetër përveç hadithit të Profetit ﷺ. Përhapeni dijen dhe uluni për të mësuar ata që nuk dinë, sepse dija nuk zhduket vetëm se kur të bëhet e fshehtë”.
(Sahihu i Buhariut)
- Marrja e dijes është prej shenjave të Kiametit:
Abdullah ibn Mesudi dhe Ebu Musa përcjellin se Profeti ﷺ ka thënë:
“Para Kiametit do vijnë ditë kur do të përhapet padituria, do ngrihet dija dhe do të shtohet herxhi (vrasja)”.
(Buhariu dhe Muslimi)
Enesi përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Prej shenjave të Kiametit është që dija të ngrihet dhe padituria të shtohet…”
(Buhariu dhe Muslimi)
Ebu Hurejra përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk do ndodhë Kiameti derisa të merret dija, të shtohen tërmetet, koha të kalojë shpejt, të shfaqen fitnet dhe të shtohet herxhi (vrasja), derisa pasuria juaj të shtohet e të derdhet me bollëk”.
(Buhariu)
Në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “Dija do të merret, do shfaqen padituria dhe fitnet, dhe do të shtohet herxhi. E pyetën: O i Dërguar i Allahut, çfarë është herxhi? Ai bëri shenjë me dorë duke treguar vrasjen.”
Hasan el Basriu ka thënë: “Prej shenjave të Kiametit ose të afrimit të tij është që vdekja t’ju marrë njerëzit tuaj më të mirë, ashtu siç secili prej jush zgjedh hurmat më të mira nga pjata”.
(“Musannefi” i Ibn Ebi Shejbes.)
- Çfarë është transmetuar për ikjen e njerëzve të devotshëm?
Mirdas el Eslemi përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:
“Njerëzit e devotshëm largohen njëri pas tjetrit, dhe mbetet vetëm një turmë e pavlerë siç ngelet byku i elbit ose mbetjet e hurmave pas përzgjedhjes. Allahu nuk u jep atyre asnjë vlerë.”
(Buhariu)
- Thënie nga Selefet për largimin e dijes dhe vdekjen e dijetarëve.
Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:
“A e dini si pakësohet Islami? I thanë: Si? Ai tha: Ashtu siç kafsha e humb dhjamin e saj (dobësohet), siç konsumohet rroba nga përdorimi i gjatë, dhe siç konsumohet monedha nga përdorimi i gjatë. Mund të ketë dy dijetarë në një fis; kur vdes njëri, humbet gjysma e dijes së tyre; kur vdes tjetri, u humbet e tërë dija.”
(“Ahlak el ulema” fq. 33, “Fard taleb el ilm”, “El mu’xhem el kebir” i Taberanit, dhe “El fekih uel-mutefekkih”.)
Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “A e dini çfarë është largimi i dijes nga toka? Ne thamë: Jo. Ai tha: Është largimi i dijetarëve”.
(“Kitab el ilm” i Ebu Hajthemes, “Musnedi” i Ahmedit, dhe “Sunen ed-Darimi”.)
Ebu Derda u tha banorëve të Himsit: “O banorë të Himsit! Pse i shoh dijetarët tuaj të largohen, ndërsa të paditurit tuaj nuk mësojnë? Ju jeni marrë me atë që u është garantuar (rrizku) dhe keni lënë pas dore atë për të cilën jeni ngarkuar. Mësoni para se dija të ngrihet, sepse ngritja e dijes është largimi i dijetarëve”.
(“Ez-Zuhd” i Ebu Davudit, dhe teksti i përmendur është i tij, “Ez-Zuhd” i Ahmedit, “Sunen ed-Darimi” dhe “Musannef” i Ibn Ebi Shejbes).
Ka’b el Ahbar ka thënë: “Kapuni pas dijes para se ajo të largohet, sepse largimi i dijes është vdekja e njerëzve të saj. Vdekja e dijetarit është një yll që shuhet; vdekja e dijetarit është një thyerje që nuk riparohet dhe një boshllëk që nuk mbushet. Dijetarët janë destinacioni im kur i takoj dhe synimi im kur nuk i gjej. Nuk ka mirësi te njerëzit përveçse nëpërmjet tyre”.
(“Ahlak el Ulema” i Axhurit, fq. 31.)
Hasan el Basriu ka thënë: “Të parët thoshin: Vdekja e dijetarit është një boshllëk në Islam që asgjë nuk e mbush, për sa kohë ndërrohen nata dhe dita.”
(“Sunen ed-Darimi”, “Ez-Zuhd” i Ahmedit dhe “Xhami Bejan el-Ilm ue Fadlihi”).
Hilal ibn Habab ka treguar: “E pyeta Seid ibn Xhubejrin: O Ebu Abdullah, cila është shenja e shkatërrimit të njerëzve?’ Ai tha: Kur të vdesin dijetarët e tyre”.
(“Sunen ed-Darimi”, “Musannef” i Ibn Ebi Shejbes, dhe “El Hilje” 4/276.)
Ahmed ibn Hanbeli ka thënë: “Njerëzit janë me dijetarët e tyre. Kur ata largohen, me kë mbetet jeta?”
(“Tabakat el Hanabile” i Ibn Ebi Ja’las, 1/274.)
- Të parët e devotshëm (selefët) pikëlloheshin thellë për humbjen e një dijetari
Ejub es-Sehtijani ka thënë: “Kur më arrin lajmi për vdekjen e një njeriu prej Ehli Sunetit, është sikur të kem humbur një pjesë të gjymtyrëve të trupit tim”.
(“El Kamil” i Ibn Adijit, 1/192, “Sherh Usul I’tikad Ehl es-Sunneh uel-Xhema’ah”, dhe “El Hilje” i Ebu Nuajmit, 3/9).
Hamad ibn Zejdi ka thënë: “Kur Ejubit (Sehtijanit) i arrinte lajmi për vdekjen e dikujt prej dijetarëve të hadithit, mërzitja dukej në fytyrën e tij. Ndërsa kur i arrinte lajmi për vdekjen e një njeriu që njihej për adhurim, nuk vërehej e njëjta gjë tek ai”.
(“Sherh Usul I’tikad Ehl es-Sunneh uel-Xhema’ah”, “Tarih Bagdad” 7/639, dhe “Sheref As’hab el-Hadith”.)
El Evzaiu duke komentuar fjalën e Profetit ﷺ: “Islami filloi i huaj dhe do të kthehet siç filloi…”, ka thënë: “Islami nuk zhduket por zhduken Ehli Suneti, derisa në një qytet të mos mbetet prej tyre veçse një njeri.”
(“Keshf el-Kurbeh fi vasf ehl el gurbeh”, “Resail Ibn Rexheb el Hanbeli” 1/319).
Çfarë është thënë për vdekjen e disa dijetarëve të shquar?
- Umer ibn el-Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, vdiq në vitin 23 hixhri.
Kur vdiq Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, Seid ibn Zejdi qau. Dikush e pyeti: “O Ebu el E’auer, çfarë të bën të qash? Ai tha:
Qaj për Islamin. Vdekja e Umerit i ka hapur Islamit një plagë që nuk do të mbyllet deri në ditën e Kiametit”.
(“Et-tabakat el kebir” i Ibn Sa’dit, 3/345, dhe “Tarih Dimashk” i Ibn Asakirit, 44/459).
Zejd ibn Vehbi ka thënë: “Shkuam te Ibn Mesudi dhe ai e përmendi Umerin, qau derisa guralecët u lagën nga lotët e tij dhe tha: Umeri ishte një kala e fortë për Islamin ku njerëzit hynin në të dhe nuk dilnin prej saj. Kur vdiq Umeri, kalaja u ça dhe njerëzit filluan të dalin nga Islami”.
(“Et-Tabakat el-Kebir” i Ibn Sa’dit, 3/344, dhe “Mahd es-Sauab fi Fadail Emir el-Mu’minin Umer ibn el-Hattab”, 3/903).
- Ali ibn Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, vdiq në vitin 40 hixhri.
Kur Muavija, Allahu qoftë i kënaqur me të, mori vesh për vdekjen e Aliut, tha: “Me vdekjen e birit të Ebu Talibit kanë ikur jurisprudenca dhe dija”.
Muavija i shkruante Aliut kur përballej me çështje të vështira, duke e pyetur për zgjidhjen e tyre.
(“El-Ikd eth-Themin fi Tarikh el-Beled el-Emin” 5/273).
- Zejd ibn Thabiti, Allahu qoftë i kënaqur me të, vdiq në vitin 45 hixhri.
Transmetohet se kur Ibn Abasi e varrosi Zejd ibn Thabitin dhe hodhi dheun mbi të, tha: “Kështu varroset dija”.
(“Musannefi” i Abdurrezakut, “Fadail es-Sahabe” i Ahmedit, dhe “El-Mustedrek ales-Sahihejn”).
- Xhabir ibn Zejd el Ezdi nga tabiinët, vdiq në vitin 93 hixhri.
Kur u varros Xhabir ibn Zejdi, Katade tha: “Sot u varros dija e tokës”.
(“El-Hilje” e Ebu Nuejm el Esbahanit, 3/86, dhe “Tedhkiratul Huffadh”, 1/58).
- Ibrahimi en-Nehai nga tabiinët, vdiq në vitin 96 hixhri.
Kur Shabiut i arriti lajmi i vdekjes së Ibrahimit, pyeti: “A vdiq ai burrë? i thanë: Po. Ai tha: Sikur të thosha se po njoftoj vdekjen e gjith dijes nuk do të gabohesha; ai nuk la pas vetes dikë të ngjashëm me të”.
(“Kitab el-Ilm” i Ebu Hajthemes, fq. 12).
- Shu’be ibn el Haxhaxh vdiq në vitin 160 hixhri.
Abdullah ibn el Mubareku ka thënë: “Isha pranë Sufjan eth-Theuriut kur i erdhi lajmi i vdekjes së Shu’bes. Ai tha: Sot vdiq (dija e) hadithit”.
(“El-Ilel ue Ma’rifetu err-Rrixhal” i Ahmedit, 3/480, “Kitab el-Mexhruhin”, 1/47, “El-Kamil” i Ibn Adijit, 1/209).
- Imam Malik ibn Enesi vdiq në vitin 179 hixhri.
Kur Sufjan ibn Ujejneh mori vesh lajmin e vdekjes së Imam Malikut, tha: “Ai nuk la mbi sipërfaqen e tokës dikë të ngjashëm me të”.
(“Tabakat Ulema el-Hadith”, 1/314, dhe “Sijer A’lam en-Nubela”, 8/110).
- Ebu Jusufi, gjykatësi Jakub ibn Ibrahimi, jurist i medhhebit hanefi, vdiq në vitin 182 hixhri.
Muhamed ibn Mensur et-Tusi përmend se Ebu Jakub el Hurejmi dëgjoi ditën kur vdiq Ebu Jusufi, një burrë të thoshte: “Sot vdiq Fikhu (jurisprudenca)”.
(“Ahbar el-Kudat” i Vekiut, 3/257, “Tarih Bagdad”, 16/434; dhe “Tarih Dimashk” i Ibn Asakirit, 8/200).
- Abdulmelik ibn Habib el Endelusi el Kurtubi, juristi i Andaluzisë, vdiq në vitin 239 hixhri.
Ibn Beshkuvali ka thënë: “I thanë Sahnunit: Ibn Habibi vdiq. Ai tha: Vdiq dija e Andaluzisë, madje dija e botës”.
(“Tarikh el-Islam”, 5/875; “Sijer A’lam en-Nubela”, 12/105; dhe “Ed-Dibaxh el-Mudhehheb” i Ibn Ferhunit, 2/10).
- Imam Muhamed ibn Ismail el Buhariu, autor i Sahihut, vdiq në vitin 256 hixhri.
Jahja ibn Xhafer el Bijkendi ka thënë: “Sikur të mundja t’ia shtoja jetën Muhamed ibn Ismail el Buhariut, do ta bëja. Vdekja ime do të ishte vdekja e një njeriu të vetëm, ndërsa vdekja e tij është ikja e gjithë dijes”.
(“Tarikh Bagdad”, 2/345, dhe “Tehdhib el-Kemal”, 24/460).
Me gjithë pikëllimin dhe mërzinë tonë për vdekjen e një dijetari, duhet të dimë se vdekja e një dijetari nuk nënkupton humbjen e umetit apo ndërprerjen e rrugës së thirrjes. Sepse edhe te dijetarët e tjerë që mbeten pas tyre ka shumë mirësi.
Sa e sa dijetarë kanë vdekur! Madje edhe Profeti Muhamed ﷺ ka vdekur, por feja e Allahut mbetet. Allahu i Madhëruar thotë:
وَمَا مُحَمَّدٌ إِلَّا رَسُولٞ قَدۡ خَلَتۡ مِن قَبۡلِهِ ٱلرُّسُلُۚ أَفَإِيْن مَّاتَ أَوۡ قُتِلَ ٱنقَلَبۡتُمۡ عَلَىٰٓ أَعۡقَٰبِكُمۡۚ وَمَن يَنقَلِبۡ عَلَىٰ عَقِبَيۡهِ فَلَن يَضُرَّ ٱللَّهَ شَيۡـٔٗاۚ وَسَيَجۡزِي ٱللَّهُ ٱلشَّٰكِرِينَ
“Muhamedi është vetëm i Dërguar para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit”. | Ali Imran: 144.
Mirësia në këtë umet do të vazhdojë, prandaj ne duhet t’i përkushtohemi kërkimit të dijes fetare, të përfitojmë nga dijetarët sa janë gjallë, dhe më pas të bëjmë thirrje për tek Allahu me dije e qartësi.
Imam Buhariu përmend se Ukbe ibn Amiri ka thënë: “Mësoni para njerëzve që flasin me hamendje”, domethënë para atyre që flasin sipas supozimeve të tyre.
Imam Neveviu e shpjegoi këtë duke thënë: “Kuptimi është: Mësojeni dijen prej njerëzve të saj, prej dijetarëve të saktë dhe të devotshëm, përpara se të largohen e të vijnë njerëz që flasin për dijen sipas dëshirave dhe hamendjeve të tyre, pa u bazuar në argumente fetare”.
(“El-Mexhmu Sherh el-Muhedheb”, 1/20).
Të Ngjashme
- Normalizimi i imoralitetit – hap drejt shkatërrimit të shoqërisë Dr. Fatmir Strumi
- I lumtur është ai që kur vdes bashkë me të vdesin edhe mëkatet e tij Dr. Behar Hyseni
- Prej gjërave më të mira që mund t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira Dr. Behar Hyseni
- Debati dhe polemika – sëmundja që privon nga bereqeti i dijes Dr. Fatmir Strumi
- Kur feja kthehet në tifozllëk dhe fanatizëm individësh Shehul-Islam Ibn Tejmije