Komentimi i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 14 –

• October 18, 2026

Ibn el-Kajjim el-Xhevzijje (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij “Sëmundja dhe Ilaçi”, thotë:

Teksti: “Siç është edhe mbështetja e disave tek fjala e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet” (Ez Zumer 53). (Edhe pa u penduar). Edhe kjo hyn tek llojet më të shëmtuara të injorancës! Sepse idhujtaria (shirku) është e përfshirë në këtë ajet, pasi shirku është kreu dhe themeli i të gjitha mëkateve.

Ndërkohë, nuk ka asnjë mospërputhje mes dijetarëve se ky ajet ka zbritur ekskluzivisht për të penduarit (et-tā’ibin); sepse Ai i fal mëkatin çdo të penduari, cilido qoftë ai mëkat. Sikur ky ajet të vlente për ata që nuk pendohen, do të anuloheshin të gjitha tekstet kuranore të kërcënimit me ndëshkim (nusūs el-ua‘īd), si dhe të gjitha hadithet që flasin për nxjerrjen e një grupi besimtarësh monoteistë (el-muvahhidīn) nga Zjarri përmes ndërmjetësimit (shefatit).

Ky keqkuptim i ka ardhur këtij njeriu nga dija e tij e pakët dhe e kuptimi i tij i brishtë. Sepse Allahu i Madhëruar në këtë ajet: “Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet” (Ez Zumer 53) e ka bërë fjalën përgjithësuese dhe të pakufizuar, nga ku kuptohet se ka synuar të penduarit; ndërsa në Suren en-Nisā’ e ka Veçuar dhe Kushtëzuar, kur ka thënë: “Vërtet, Allahu nuk e fal t’i bëhet Atij shok [në adhurim], por i fal mëkatet më të vogla se ky për kë të dojë.” (En-Nisa, 48).

Kështu, Allahu i Lartësuar njoftoi se nuk e fal idhujtarinë, ndërsa njoftoi se fal çdo gjë më të vogël se ajo. E sikur kjo të ishte në të drejtën e të penduarit, Ai nuk do të bënte asnjë dallim mes idhujatarisë dhe mëkateve të tjera.

KOMENTIMI I TEKSTIT (Nga Shejh Abdurrezāk el-Bedr):

Edhe këto fjalë janë pjesë e atyre shembujve që përmend Imami Ibn el-Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) lidhur me mënyrën se si njeriu bie në vetëmashtrimin e shpirtit (mugālata en-nefs), duke u mbështetur pas kuptimeve të tilla apo perceptimeve të prishura. Autori i përmend këta shembuj — madje pëmend edhe më shumë se kaq — si paralajmërim për njerëzit, pasi këto iluzione vazhdojnë të përsëriten vazhdimisht te gjynahqarët. Kështu, mëkatari gjen ngushëllim të rremë për mëkatin që bën duke u mbështetur te gjëra të tilla, duke mbetur i vazhdueshëm në mëkat larg pendimit e kthimit tek Allahu i Madhëruar.

Teksti: Ai (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “E siç është edhe mbështetja e disave”

Komenti: Domethënë, siç është vetëmashtrimi që i bëjnë shpirtit të tyre duke u mbështetur te fjala e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet”.

Teksti: “Edhe kjo hyn tek llojet më të shëmtuara të injorancës!

“Komenti: Kjo sepse ajeti është shpallur në kuadrin e nxitjes për pendim (teubes) tek Allahu, por ithtarët e këtij keqkuptimi e kthyen atë në një pretekst për të kryer mëkate, duke e përmbysur kuptimin e tij krejtësisht! Lusim Allahun për mbrojtje e shpëtim!

Ajeti erdhi pikërisht si nxitje për pendim, sepse përpara fjalës së Tij të Lartësuar: “Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet”, qëndron urdhri hyjnor: “…mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut!” (Kuran, 39:53).

E kuptimi i fjalës “mos e humbni shpresën” është: pendohuni, sa do të mëdha të jenë mëkatet tuaja! Për këtë arsye, autori (Allahu e mëshiroftë!) tha se tek ky ajet përfshihet edhe idhujtaria (shirku) — që është kreu i të gjitha mëkateve. Pra përfshihet në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet”, domethënë fal idhujtarinë dhe çdo mëkat tjetër, por për atë që pendohet prej saj. Sepse kushdo që pendohet, Allahu i Madhëruar ia pranon pendimin.

Pra, ajeti erdhi për të nxitur pendimin, ndërsa këta njerëz e përmbysën kuptimin e tij dhe e kthyen në nxitje për shtimin e mëkateve. Kësisoj, kur këtij njeriu i vjen thirrja për t’u penduar tek Allahu, ai arsyetohet duke thënë: “Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet!” Kështu, ai mbetet i vazhdueshëm në mëkatin e vet dhe nuk pendohet, i shtyrë pikërisht nga ky kuptim që përbën një nga llojet më të shëmtuara të injorancës, siç u shpreh Ibn el-Kajjimi.

Teksti: “Ky keqkuptim i ka ardhur këtij njeriu nga dija e tij e pakët dhe e kuptimi i tij i brishtë. Sepse Allahu i Madhëruar në këtë ajet: “Vërtet, Allahu i fal të gjitha mëkatet” (Ez Zumer 53) e ka bërë fjalën përgjithësuese dhe të pakufizuar, nga ku kuptohet se ka synuar të penduarit; ndërsa në Suren en-Nisā’ e ka Veçuar dhe Kushtëzuar, kur ka thënë: “Vërtet, Allahu nuk e fal t’i bëhet Atij shok [në adhurim], por i fal mëkatet më të vogla se ky për kë të dojë.” (En-Nisa, 48). Kështu, Allahu i Lartësuar njoftoi se nuk e fal idhujtarinë, ndërsa njoftoi se fal çdo gjë më të vogël se ajo. E sikur kjo të ishte në të drejtën e të penduarit, Ai nuk do të bënte asnjë dallim mes idhujatarisë dhe mëkateve të tjera.

Komenti: Për ta përmbledhur: Ajeti i Sures Ez-Zumer vlen për të penduarit, ndërsa ajeti i Surës En-Nisā’ vlen për atë që vdes në atë gjendje [pa u penduar]. Kushdo që vdes në idhujtari nuk ka asnjë fije shprese në faljen e Allahut të Lartësuar; kurse mëkatet që janë më të vogla se idhujtaria dhe mohimi (kufri) mbeten nën Vullnetin Hyjnor (tahte el-meshīje’h). Sa i përket ajetit të Surës Ez-Zumer, ai vlen për të penduarit. Aty falja është lënë e përgjithshme për të gjitha mëkatet, sepse kushdo që pendohet nga çfarëdo mëkati qoftë, Allahu ia pranon pendimin. E mëkatet më të mëdha janë tri: idhujtaria, vrasja dhe imoraliteti.

Allahu i Lartësuar thotë: “Edhe ata që nuk adhurojnë zot tjetër veç Allahut, që nuk vrasin njeriun që ka ndaluar Allahu — përveçse me të drejtë — dhe që nuk bëjnë imoralitet. E kushdo që e bën këtë, do të marrë ndëshkimin e mëkatit! Atij do t’i dyfishohet dënimi në Ditën e Gjykimit dhe aty do të mbetet i poshtëruar përgjithmonë.” Surja el-Furkān: 68-69. Kushdo që pendohet, Allahu ia pranon pendimin nga këto mëkate apo nga çdo mëkat tjetër.

Teksti: Ibn el-Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Apo siç është edhe vetëmashtrimi i disa injorantëve me fjalën e Allahut të Lartësuar: “O njeri, çfarë te mashtroi ty ndaj Zotit tënd Bujar (El-Kerīm)?” (El Infitar 6). Ndaj [mëkatari] thotē: (Më mashtroi) Bujaria e Tij!’ Madje disa prej tyre mund të shkojnë deri aty sa të thonë se Allahu këtu (me këtë ajet) ia diktoi të mashtruarit argumentin e vet (që mund të përdorë)! E kjo është një injorancë e shëmtuar. Sepse atë nuk e mashtroi gjë tjetër ndaj Allahut veç Mashtruesit (El-Garūr) — që është Shejtani —, si dhe shpirti i tij i prirur për nga e keqja (en-nefs el-emmāretu bis-sū’), injoranca dhe epshi i tij. Allahu i Madhëruar e solli këtu cilësimin ‘Bujar’ (El-Kerīm) sepse Ai është Zotëria i Plotfuqishëm, i Madhërishëm të Cilit i binden krijesat, dhe ndaj të Cilit nuk lejohet të mashtrohet askush e as të neglizhojë të drejtat e Tij. Kështu, ky i mashtruar e vendosi (Bujarinë e Allahut) aty ku nuk e ka vendin, dhe u mashtrua prej diçkaje që nuk duhej të mashtrohej!

“KOMENTIMI I TEKSTIT

Shejh Abdurrezāk el-Bedr thotë: Ky është një shembull tjetër nga shembujt e vetëmashtrimit të shpirtit (mugālata en-nefs): sepse disa prej këtyre njerëzve u mashtruan nga një kuptim i prishur që nxorrën nga fjala e Allahut të Lartësuar: “O njeri, çfarë të mashtroi ty ndaj Zotit tënd Bujar (El-Kerīm)?” (El Infitar 6). Domethënë: çfarë të mashtroi e të bëri ta harrosh të drejtën e Allahut, si dhe detyrimin që ke ndaj Tij në njëshmërinë (Tevhīdin), bindjen, adhurim dhe në largimin nga ato gjëra që sjellin zemërimin e Tij?! Çfarë të mashtroi ndaj Zotit tënd Bujar?!

Njerëzit e paditur, që nxorrën nga ky ajet një preceptim të pavërtetë, thanë: Allahu po ia mëson mëkatarit pretekstin e vet (se si të mbrohet)! Allahu na ruajtë.

Teksti: Çfarë te mashtroi ty ndaj Zotit tënd Bujar (El-Kerīm)?” (El Infitar 6). Ndaj [mëkatari] thotē: (Më mashtroi) Bujaria e Tij!’

Komenti: Me këtë çfarë kishin për qëllim? Se mëkatari mund të bëjë çfarë të dojë, ndërsa Zoti çfarë bën? Ai është Bujar — domethënë Ai fal dhe toleron sido që të jenë rrethanat. Kështu, ata mbështeten te ky perceptim dhe vazhdojnë të mbeten në mëkate e shkelje. Lusim Allahun për mbrojtje!

Teksti: “E kjo është një injorancë e shëmtuar. Sepse atë nuk e mashtroi gjë tjetër ndaj Allahut veç mashtruesit (El-Garūr).

Komenti: El-Garūr (mashtruesi) është një nga emrat e Shejtanit, armikut të njeriut. Autori (Allahu e mëshiroftë!) E sqaron këtë kur thotë:

Teksti: “Sepse atë nuk e mashtroi gjë tjetër ndaj Allahut veç Mashtruesit (El-Garūr) — që është Shejtani —, si dhe shpirti i tij i prirur për nga e keqja (en-nefs el-emmāretu bis-sū’), injoranca dhe epshi i tij.

Komenti: Këta janë që e mashtruan njeriun dhe e rrëzuan në mëkate.

Teksti: Më tej autori thotē: Allahu i Madhëruar e solli këtu cilësimin ‘Bujar’ (El-Kerīm).

Komenti: Për të tërhequr vëmendjen mbi të drejtën që Ai ka për t’u adhuruar.” Sepse Ai është Bujar, i Madhërishëm, i Lartë e i Lavdishëm; ndaj e drejta e Tij është t’i bindemi, t’i përulemi dhe t’i nënshtrohemi. Mirëpo ekzistojnë faktorë që e mashtruan njeriun dhe e larguan nga bindja ndaj Allahut dhe nga kryerja e kētyre detyrimeve, duke e hedhur në ato vepra që sjellin zemërimin e Tij — (faktorë) siç është Shejtani, shpirti i prirur nga e keqja, epshi e të tjera si këto.Mbi këtë kuptim flet edhe ajeti tjetër në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse të përgënjeshtrojnë ty, tashmë janë përgënjeshtruar të dërguarit para teje; e te Allahu kthehen të gjitha çështjet. O njerëz! Vërtet, premtimi i Allahut është i vërtetë, prandaj të mos ju mashtrojë jeta e kësaj bote dhe të mos ju mashtrojë ndaj Allahut ai Mashtruesi [Shejtani]! Sepse Shejtani është armik për ju, ndaj merreni atë si armik! Ai e thërret partinë e vet vetëm që të bëhen banorë të Zjarrit të ndezur fort.” Surja Fātir: 4-6)Pra,

Mashtruesi (El-Garūr) është pikërisht Shejtani, sepse ai e mashtron njeriun me iluzione e kurthe të tilla, duke e bërë të mbetet i ngulitur në mëkate e duke humbur të drejtën e Allahut të Lartësuar mbi të.

Teksti: Ibn el-Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Apo siç është edhe mashtrimi i disave me fjalën e Allahut të Lartësuar kur flet për zjarrin: لَا يَصْلَاهَا إِلَّا الْأَشْقَى ۝ الَّذِي كَذَّبَ وَتَوَلَّى ﴾ “Nuk do të hyjë e të digjet në të veçse më i mjeri, ai që përgënjeshtroi dhe ktheu shpinën.” [El-Lejl: 15-16], si dhe në fjalën e Tij: أُعِدَّتْ لِلْكَافِرِينَ “Ështē përgatitur për jobesimtarët” [El-Bakarah: 24].Ky i mashtruar nuk e dinte se fjala e Tij: “Tani jua tërhoqa vërejtjen për një Zjarr që flakëron.” [El-Lejl: 14] i referohet një Zjarri të posaçëm nga tërësia e niveleve (derekât) të Xhehenemit. E edhe sikur kjo të aludonte për të gjithë Xhehenemin, Allahu i Lartësuar nuk ka thënë “nuk hyn në të”, por ka thënë: ﴿ لَا يَصْلَاهَا ﴾ («nuk do të vuajë djegien e tij të plotë e të përjetshme»). Mosdjegia e përhershme dhe me fundosje të plotë nuk nënkupton mos hyrjen në të; sepse es-sali (الصَّلْي) djegia e plotë është nocion më i ngushtë (ekhass) se hyrja (ed-dukhūl), dhe mohimi i nocionit më të ngushtë nuk sjell domosdoshmërisht mohimin e nocionit më të gjerë (el-a’amm). Për më tepër, sikur ky i mashtruar të meditonte ajetin vijues, do ta kuptonte se ai nuk hyn mes të mbrojturve prej tij (zjarrit), e kështu nuk e ka të garantuar shpëtimin e shmangien prej tij.Sa i përket fjalës së Tij për Zjarrin: أُعِدَّتْ لِلْكَافِرِينَ “Ështē përgatitur për jobesimtarët” [El-Bakarah: 24].Ai po ashtu ka thënë për Xhenetin: أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِينَ “Është përgatitur për të devotshmit.” [Âl ‘Imrân: 133]. E përgatitja e Zjarrit për jobesimtarët nuk e mohon faktin se në të mund të hyjnë mëkatarët (el-fussâk) e zullumqarët; ashtu siç përgatitja e Xhenetit për të devotshmit nuk e mohon faktin se në të do të hyjë edhe ai që ka në zemrën e tij qoftë edhe peshën e një grimce besimi, edhe nëse nuk ka bërë ndonjëherë ndonjë punë të mirë.

KOMENTIMI I TEKSTIT

Shejh Abdurrezāk el-Bedr: Edhe ky është një shembull tjetër nga shembujt ku disa njerëz ranë në vetëmashtrimin e shpirtit (mugālata en-nefs), duke vazhduar në mëkatet e tyre nga mbështetja në perceptime të tilla të gabuara. Ndaj, disa prej tyre marrin si argument ajetin e thonë: Allahu i Madhëruar ka thënë: “Në të nuk do të hyjë për t’u djegur me përvëlim përveç më të mjerit — i cili përgënjeshtroi dhe u kthye mbrapsht.”Synimi i tyre është të thonë: Për kë është Zjarri?! — Sipas ajetit, ai qenka vetëm për jobesimtarët! Dhe në ajetin tjetër thuhet: “Është përgatitur për jobesimtarët.” Pra, sipas kuptimit të këtyre njerëzve, cila na qenka gjendja e mëkatarëve?! — Atyre s’u mbetka fare vend në Zjarr!Ata thonë: “Në Zjarr nuk do të hyjë për t’u djegur përveç më të mjerit.” E kush është më i mjerë?! — “Ai që përgënjeshtroi dhe u kthye mbrapsht”, domethënë jobesimtari! Dhe në ajetin tjetër: “Është përgatitur për jobesimtarët”. Pra, sipas këtij kuptimi të mbrapshtë, mëkatet nuk paskan asnjë lidhje me dënimin! Ndaj ai mbetet i ngulitur — ruajna o Zot! — në mëkatet dhe shkeljet e veta, i goditur nga kjo e metë (ashtu si të mëparshmit) për shkak të të kuptuarit të keq të Fjalës së Allahut të Lartësuar.

Teksti: Imam Ibn el-Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky i mashtruar nuk e dinte se fjala e Tij: “Tani jua tërhoqa vërejtjen për një Zjarr që flakëron. Nuk do të hyjë e të digjet në të veçse më i mjeri” i referohet një Zjarri të posaçëm nga tërësia e niveleve (derekât) të Xhehenemit. Sikur kjo të aludonte për të gjithë Xhehenemin, Allahu i Lartësuar nuk do të thoshte: “nuk hyn në të”, por ka thënë: ﴿ لَا يَصْلَاهَا ﴾ («nuk do të vuajë djegien e tij të plotë e të përjetshme»).

Komenti: “Kështu, ibn Kajim thotë se me këtë Zjarr synohet Zjarri që flakëron. Në të cilin nuk do të hyjë e të digjet veçse më i mjeri” domethënë jobesimtari përgënjeshtrues. Kjo është një shtresë e caktuar (tabakah) prej shtresave të zjarrit, ose një nivel prej niveleve të tij të ulëta, ku nuk hyn për t’u pjekur e përvëluar askush përveç jobesimtarit: “Është përgatitur për jobesimtarët”.

Mbase ajo që e sqaron plotësisht këtë kuptim të cilin e përmendi Ibn el-Kajjim, është fjala e Allahut të Lartësuar në një sure tjetër: (Këshillës) do ti shmanget vetëm më i keqi — i cili që do të digjet në Zjarrin e Madh (en-nār el-kubrā), ku as nuk do të vdesë e as nuk do të jetojë. El Ala, 11-13. E kush është ky?! — Ky është pikërisht jobesimtari (el-kāfir).

Në librat e saktë të hadithit (Es-Sahīh) transmetohet se kur Pejgamberi ﷺ përmendi hadithin e Ndërmjetësimit (esh-shefā‘ah), tha:”Sa u përket banorëve të Zjarrit — të cilët janë banorët e tij të përhershëm —, ata as nuk do të vdesin aty e as nuk do të jetojnë. Mirëpo disa njerëz do t’i kapë Zjarri për shkak të mëkateve të tyre…”Më pas, Pejgamberi ﷺ përmendi gjendjen e mëkatarëve nga radhët e besimtarëve të pastër në njëshmërinë e Allahut (muvahidunët) dhe hyrjen e tyre në Zjarr, duke thënë: …ndaj Zjarri do t’i bëjë të vdesin një vdekje të plotë, e më pas do të nxirren grupe-grupe (dabā’ir, dabā’ir) nga Zjarri e do të hidhen në Lumin e Firdeusit; kështu ata do të ngjallen me ujin e tij e do të mbijnë ashtu siç mbin fara në brigjet e lumit.

HARMONIZIMI MES AJETIT DHE HADITHIT

Nëse bëjmë harmonizimin mes ajetit dhe hadithit: Ajeti thotë: (Këshillës) do ti shmanget vetëm më i keqi — i cili që do të digjet në Zjarrin e Madh (en-nār el-kubrā), ku as nuk do të vdesë e as nuk do të jetojë. El Ala, 11-13. Kush është ky?! — Kjo vlen për jobesimtarin (el-kāfir). E në hadith Pejgamberi ﷺ tha: Sa u përket banorëve të Zjarrit të cilët janë banorët e tij të përhershëm… — domethënë jobesimtarët —, …ata as nuk do të vdesin aty e as nuk do të jetojnë. Kjo do të thotë se ata nuk vdesin që të gjejnë pushim nga dënimi, e as nuk jetojnë një jetë që ka rehatinë më të vogël; përkundrazi, ata gjenden në një ndëshkim të përhershëm e në një mundim të hidhur e të vazhdueshëm: “Për jobesimtarët është përgatitur Zjarri i Xhehenemit; ku ata nuk do të vdesin e as që do t’u lehtësohet gjë nga dënimi i tij. Ja kështu ne do t’i dënojmë mosmirënjohësit.” Fatir 36. Kjo lidhet tërësisht me jobesimtarët.

Ndërsa ajeti këtu: “Nuk do të hyjë e të digjet në të veçse më i mjeri.” lidhet me jobesimtarët. Mirëpo, a ka në të ndonjë argument se mëkatari nuk do të dënohet?!Ajeti nuk ka asnjë lidhje me këtë pretendim! Sepse kzistojnë ajete të tjera që provojnë qartë dënimin e mëkatarit sipas shkallës së mëkatit të tij, ku janë përmendur shkelje të shumta e ku është premtuar Zjarri për to.

Ndaj, si mund të anulohen të gjitha ato tekste të shumta ku përmenden mëkatet dhe paralajmërimi me Zjarr, nëse ecim sipas këtij preceptimi të gabueshëm të këtij ajeti, ku këta njerëz pretendojnë se ajeti na dhënka të kuptojmë se në Zjarr nuk hyn askush përveç jobesimtarit, ndërsa mëkatarët nuk paskan asnjë vend në të?! E njëjtë është edhe gjendja me ajetin vijues: “Është përgatitur për jobesimtarët.”

Fakti se Zjarri është përgatitur për ta — ku do të mbeten përgjithmonë e përjetësisht — nuk do të thotë se mëkatarët nuk do të kenë pjesën e tyre të dënimit në Zjarr sipas peshës së mëkateve të tyre!Por, këtu duhet të kuptohet patjetër një çështje me rëndësi teologjike: hyrja e jobesimtarit në Zjarr është krejtësisht e ndryshme nga hyrja e mëkatarit!

Hyrja e jobesimtarit në Zjarr: Është hyrje përjetësie e amshimi (dukhūlu tahlīd ve te’bīd).

Ndërsa hyrja e mëkatarit në Zjarr është hyrje shpëlarjeje dhe pastrimi (duhûlu temhîs va tat’hîr); kjo sepse kur ai e takoi Allahun e Lartësuar me besim (îmân), por njëkohësisht me ndotjen e mëkateve prej të cilave nuk ishte penduar, dhe doli para Allahut me këtë barrë, e duke qenë se Xheneti është Banesa e Pastërtisë së Kulluar, ku nuk hyn kurrsesi veçse ai që është plotësisht i pastër e i dlirë, atëherëhyrja e këtyre besimtarëve mëkatarë në Zjarr u bë me qëllim që të pastrohen nga gjynahet e shkeljet e tyre, e më pas, pas këtij pastrimi e dëlirësimi, të hyjnë në Xhenet. Për këtë arsye, Pejgamberi ﷺ tha në hadithin që citova: ​Ata do të nxirren grupe-grupe, tufë pas tufe (dabâ’ira dabâ’ir), valë pas vale e bashkësi pas bashkësie…

​Kjo ndodh sepse ata dallojnë në peshën e mëkateve të tyre; ndaj, ata pastrohen në Zjarr sipas masës së gjynaheve të tyre e pastaj nxirren prej tij: së pari nxirret ai që kishte më së paku mëkate, pastaj ai që kishte më shumë, e kështu me radhë.

Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.

Autor: Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...