Zëvendësit e djallit në tokë

• September 16, 2026

Imam Ibn Kajim el Xheuzije (v. 751 H) përshkruan personat që i pengojnë të tjerët nga marrja e dijes fetare, duke thënë:
“Zëvendësit e Iblisit në tokë janë ata që zbrapsin të tjerët nga kërkimi i diturisë dhe kuptimi i fesë.”
Vazhdon Ibn Kajimi përshkrimin e tij duke thënë:
“Të tillët janë më të dëmshëm se shejtanët e xhinëve, sepse i pengojnë zemrat nga udhëzimi i Allahut dhe nga rruga e Tij.”

“Miftah dar es seadeh” (1/456).

Në kohën tonë, njerëzit që mbjellin te të tjerët shpirtin e pesimizmit janë të shumtë.

Ka nga ata që i zbrapsin të tjerët nga kërkimi i dijes fetare duke përmendur lloj-lloj arsyesh të kota:
Pse po mëson këtë gjë kur nuk di diçka tjetër?
Pse mëson Kuran përmendësh kur ti nuk ia di kuptimet, apo kur nuk di arabisht?
Pse mëson hadithe kur nuk ke mbaruar Kuranin?
Pse mëson Kuranin kur nuk ke mbaruar aq apo kaq libra në këtë fushë?
Pse mëson fikh kur nuk di mirë gramatikën e gjuhës arabe?
Pse po studion këtë, ndërkohë që nuk ke studiuar para saj atë?
Shumë nga këta persona kur të shihnin që nuk mësoje asgjë nga feja, thuajse në nivelin e analfabetit rreth çështjeve të fesë, nuk u bënte fare përshtypje!
Ndërsa tani që ke hedhur hapat e parë drejt diçkaje, sado modeste qoftë, tani po shfaqen si këshillues të mëdhenj!
Kjo për shkak se të tillët nuk duan që dikush të jetë më lart se ta, duan të shohin edhe ty të paditur sikurse edhe vet janë të tillë.
Presin dështimin tënd sikurse edhe vet janë të dështuar.
Ka nga ata që bëhen shkak që të tjerët mos të kryejnë vepra të mira.
Dikush i thotë tjetrit: Mos i fal sunetet se nuk janë obligim!
Një tjetër thotë: Bëje këtë vepër, sepse është mekruh e jo haram!
Mos e bëj këtë vepër se nuk është vaxhib!
Madje ka edhe nga ata që ja u bëjnë mbrapsht të tjerëve çdo punë, çdo biznes apo çdo hap përpara që dikush mendon të hedhë.
Ndaj shih se me kë shoqërohesh, shih se kujt i tregon planet e tua dhe kujt ja tregon ëndrrat e tua.
Mos ja trego ato dikujt që nuk e di se çfarë është motivimi.
Mos ja trego ato dikujt që është i privuar nga shumë mirësi dhe me dashje apo padashje ta bën ty mbrapsht të mirën, qoftë ajo në lidhje me kërkimin e dijes, qoftë në lidhje me veprat e mira apo edhe në lidhje më punën tënde, biznesin apo angazhimet e tua!

Dosje: ,

Loading...