Selami: Simbol i Fesë dhe Shkak për Hyrjen në Xhenet

• October 26, 2026

Dhënia e selamit është prej simboleve dhe riteve të dukshme fetare, me të cilat dallohet muslimani nga të tjerët.

Fjala “es Selamu Alejkum” apo “Selamun Alejkum” nuk është thjesht një përshëndetje e zakonshme si “Tungjatjeta” apo “Mirëdita”; ajo është një lutje që bëhet për personin që ai të jetë i raujtur nga çdo e keqe, është dashamirësi që personi tjetër të ketë paqe në vetvete, në familje dhe në jetën e tij, e të jet larg çdo gjëje e cila e dëmton ato fizikisht, moralisht, apo në çdo lloj forme tjetër.

Dhënia dhe kthimi i selamit eleminon ndasitë mes besimtarëve, mëndjemadhësinë, krenarinë e rreme dhe paragjykimet.

Kjo fjalë i drejtohet çdokujt; të njohurit dhe të panjohurit, të pasurit dhe të varfërit, të madhit dhe të voglit, një miku apo dikujt me të cilin mund të kesh mosmarrëveshje, dhe pikërisht kjo e kthen selamin në një mjet të fuqishëm për shkrirjen e akullit mes besimtarëve dhe afrimin e zemrave mes tyre.

Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që ta kthejnë selamin nëse dikush u drejtohet atyre, madje i orienton që ta kthejnë atë në formën më të mirë.

Allahu i Lartësuar thotë:

(وإذا حييتم بتحية فحيوا بأحسن منها أو ردوها)

«Kur ju përshëndet dikush, kthejani me një përshëndetje më të mirë ose në të njëjtën mënyrë!»

(En Nisa, 86)

Me përshëndetjen e përmendur në këtë ajet kuranor kihet për qëllim dhënia e selamit, pasi ajo është përshëndetja e besimtarëve.

Imran bin Husajni (radijAllahu anhuma) tregon:

“Erdhi një burrë tek Profeti ﷺ dhe i tha: ‘Es Selamu Alejkum’.

Profeti ﷺ ia ktheu selamin, burri u ul, dhe Profeti ﷺ tha: ‘Dhjetë’ (dhjetë sevape).

Pastaj erdhi një tjetër dhe i tha: ‘Es Selamu Alejkum ue Rahmetullah’.

Profeti ﷺ ia ktheu, ai u ul, dhe Profeti ﷺ tha: ‘Njëzet’.

Pastaj erdhi një tjetër dhe i tha: ‘Es Selamu Alejkum Ue Rahmetullahi ue Berekatuhu’ (Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju). Profeti ﷺ ia ktheu, ai u ul, dhe Profeti ﷺ tha: ‘Tridhjetë’.”

(Hadith i saktë; Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu).

I Dërguari i Allahut ﷺ në hadithe të shumta urdhëron për përhapjen e selamit, madje ka treguar se përhapja e tij është prej shkaqeve të hyrjes në Xhenet.

Abdullah bin Selami (radijAllahu anhu) tregon se fjalët e para që dëgjoi nga i Dërguari i Allahut ﷺ kur mbërriti në Medine ishin:

“O ju njerëz! Përhapeni selamin, dhuroni ushqim dhe faluni natën kur njerëzit flenë, që të hyni në Xhenet me paqe!”

(Hadith i saktë; e transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh)

Ebu Hurejra (radijaAllahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

«Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të doni njëri-tjetrin.

A t’ju tregoj për diçka që, nëse e veproni, do ta doni njëri-tjetrin? Përhapeni selamin mes jush!»

(Transmeton Muslimi)

Në një tjetër hadith, Profeti ﷺ u pyet se cili është Islami më i mirë, dhe u përgjigj duke thënë:

“Të dhurosh ushqim dhe t’i japësh selam atij që e njeh e atij që nuk e njeh.”

(Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Dhënia e selamit fillimisht është vepër në të cilën ka shpërblim të madh (Sunet) dhe nuk është obligim (Farz), kurse kthimi i selamit është Farz Kifaje (obligim kolektiv), ky obligim nuk shlyhet pa u kthyer selami, qoftë edhe nga një person i vetëm (nëse ata të cilëve u është dhënë selami janë disa persona).

Kjo do të thotë se në rast se dikujt i jepet selam individualisht dhe ai nuk e kthen, ai ka lënë një obligim pa zbatuar dhe si pasojë merr gjynah për këtë veprim.

Imam Kurtubiu (v. 671H / 1271G) thotë:

“Dijetarët kanë rënë në unanimitet (Ixhma’) se dhënia e selamit është sunet, ndërsa kthimi i tij është farz (obligim).”

(Tefsiri i Kurtubiut, 5/298)

Shih gjithashtu: Tefsirin e Ibn Kethirit (3/174).

Dosje:

Loading...