Normalizimi i Imoralitetit: Hapi i Parë Drejt Shkatërrimit të Shoqërisë

• October 12, 2026

Imoraliteti është nga gjynahet më të mëdha që e rëndojnë njeriun dhe që qëndrojnë pengesë mes tij dhe lumturisë e përsosmërisë së tij.

Për më tepër, ky gjynah shkatërron familjen, shoqërinë dhe komunitetin ku përhapet.

Allahu i Madhëruar e ka renditur imoralitetin krah mëkateve më të mëdha.

Në Fundin e Sures Furkan, Allahu i Lartësuar teksa përshkruan cilësitë e besimtarëve të mirë, të cilët Ai i ka quajtur robër të Mëshiruesit (Ibadur-Rrahman), Allahu përmend:

{والذين لا يدعون مع الله إلها آخر ولا يقتلون النفس التي حرم الله إلا بالحق ولا يزنون ومن يفعل ذلك يلق أثاما * يضاعف له العذاب يوم القيامة ويخلد فيه مهانا}

«Edhe ata që përveç Allahut nuk lusin zot tjetër, nuk vrasin njeriun që e ka ndaluar Allahu — përveçse me të drejtë — dhe nuk bëjnë ziná.

E kush e bën këtë, do të gjejë ndëshkim.

Dënimi i tij do të dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe atje do të mbetet i poshtëruar përgjithmonë.» (El-Furkan: 68–69)

Për më tepër, në një hadith, i Dërguari i Allahut ﷺ mohon besimin (imanin) nga zemra personit që kryen imoralitet në ato çaste.

Ai ﷺ thotë: «Nuk kryen imoralitet dikush duke qenë besimtar në ato çaste.» (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët t’i largohen imoralitetit, duke u ndaluar çdo rrugë apo shteg që çon drejt tij:

{وَلَا تَقْرَبُوا الزِّنَىٰ إِنَّهُ كَانَ فَاحِشَةً وَسَاءَ سَبِيلًا}

«Dhe mos iu afroni imoralitetit, sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe rrugë e keqe!» (El-Isra: 32)

Ndalesa për të mos iu afruar imoralitetit përfshin jo vetëm kryerjen e imoralitetit, por edhe marrjen e masave parandaluese ndaj çdo shkaku, rrethane, sjelljeje apo veprimi që çon drejt tij.

Përhapja e imoralitetit në një shoqëri është tregues i qartë i një degjenerimi të thellë moral dhe i thyerjes së çdo kufiri apo norme që më parë i pengonte njerëzit nga kjo shthurje, ose të paktën nga kryerja e veprave të tilla haptazi.

Në një vend ku imoraliteti normalizohet dhe ku në media, televizione e rrjete sociale promovohet shthurja, pritet ndëshkimi i Allahut.

Pasojat do të jenë pikërisht këto që po shohim, në mos qofshin akoma më të rënda, ndaj nuk është rastësi që përballemi me skandale të tilla si këto që po degjojmë këto ditë.

Përhapja e gjerë e imoralitetit dhe degjenerimit publik janë ndër shenjat e afrimit të Ditës së Gjykimit, siç transmetohet në hadithet e Profetit ﷺ.

Enes bin Maliku tregon se Profeti ﷺ ka thënë:

«Prej shenjave të Ditës së Gjykimit janë: ngritja e dijes, shfaqja e injorancës, përhapja e imoralitetit dhe pirja e alkoolit…» (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)

Prandaj, është detyrë dhe përgjegjësi e çdo muslimani dhe muslimaneje që të ruhet nga ky degjenerim dhe nga shkaqet që çojnë në të, të ruajë familjen, të afërmit, si dhe të urdhërojë për të mira e të ndalojë nga çdo vepër e ulët, sidomos ato që cenojnë rëndë mbarë shoqërinë.

Allahu na ruajttë, e përmirësoftë gjendjen tonë dhe e largoftë ndëshkimin e Tij prej nesh!

Loading...