Autori — Allahu i Madhëruar e mëshiroftë thotë:
Teksti: “Apo si mashtrimi që u ndodh disave kur mbështeten gabimisht te agjërimi i ditës së Ashurasë ose i ditës së Arafatit, aq sa ndonjëri prej tyre thotë: ‘Dita e Ashurasë i shlyen gjynahet e të gjithë vitit, kurse agjërimi i Arafatit mbetet si shtesë në shpërblim!’. Ky i mashtruar nuk e di se agjërimi i Ramazanit dhe pesë namazet janë shumë më të mëdha dhe më madhështore sesa agjërimi i ditës së Arafatit dhe i ditës së Ashurasë, e megjithatë ato i shlyejnë vetëm gjynahet që mund të kryhen mes tyre, me kusht që njeriu tu shmanget gjynaheve të mëdha (el kebair).
Kështu, Ramazani deri në Ramazan dhe e xhumaja deri në xhumanë tjetër nuk kanë fuqi të shlyejnë gjynahet e vogla, veçse kur atyre u bashkohet edhe largimi nga gjynahet e mëdha; atëherë bashkimi i këtyre të dyjave ka fuqi të shlyejnë gjynahet e vogla.
Si mundet që agjërimi i një dite vullnetare të shlyejë çdo gjynah të madh që e ka punuar robi, ndërkohë që ai vazhdon të ngulmojë në to e të mos pendohet prej tyre?! Kjo është e pamundur! Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që agjërimi i ditës së Arafatit dhe i ditës së Ashurasë të jenë shlyese për të gjitha gjynahet e vitit në kuptim të përgjithshëm. Hadithe të tilla bëjnë pjesë te tekstet e premtimeve që kanë kushtet dhe pengesat e tyre; kështu, ngulmimi i njeriut në gjynahe të mëdha bëhet pengesë për shlyerjen. Por nëse ai nuk ngulmon në gjynahe të mëdha — duke u nisur dhe nga ndihma që i jep agjërimi, dhe bashkëpunimin mes tyre në përgjithësimin e shlyerjes së mëkateve —, atëherë ndodh si me Ramazanin dhe pesë namazet, të cilat së bashku me shmangien e mëkateve të mëdha ndihmojnë dhe bashkëpunojnë në shlyerjen e gjynaheve të vogla, edhe pse Ai — i Madhëruari — ka thënë: “Nëse u shmangni gjynaheve të mëdha që ju ndalohen, Ne do t’jua shlyejmë të këqijat tuaja” [En-Nisa: 31].
Nga kjo kuptohet se bërja e një gjëje shkak për shlyerje nuk pengon që ajo dhe një shkak tjetër të ndihmojnë njëri-tjetrin në shlyerje, ku shlyerja me bashkimin e dy shkaqeve është më e fortë, më e plotë sesa kur secili vepron i vetëm; dhe saherë që shkaqet e shlyerjes forcohen, aq më i fortë, më i plotë dhe më përfshirës bëhet ai.”
Komenti: Ky është edhe një shembull tjetër i mbështetjes së verbër të këtyre të mashtruarve, si pasojë e keqkuptimit të disa teksteve, e në veçanti të teksteve që flasin për premtimin dhe shpresën. Ndër këto është edhe rasti i atij që ngulmon në mëkatet e tij, duke u mbështetur te fjala e Profetit – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – “Për agjërimin e ditës së Ashurasë: Shpresoj tek Allahu që ta shlyejë vitin që e ka paraprirë”.
Njësoj ndodh edhe me atë që është përcjellë për vlerën e ditës së Arafatit dhe shlyerjen e mëkateve në këtë ditë. Disa prej tyre u mbështetën mbi një kuptim të shtrembër të këtyre haditheve, deri aty sa thanë se dita e Ashurasë shlyen gjynahet e tërë vitit, ndërsa agjërimi i ditës së Arafatit mbetet si një shtesë në shpërblim. Sipas këtij kuptimi të gabuar që bën ai nga hadithi, çfarë vepron në të vërtetë?
Gjatë gjithë vitit ai vazhdon të zhytet në mëkate e shkelje, sepse mban në mendje se agjërimi i ditës së Ashurasë shlyen mëkatet e një viti, e bashkë me të ka edhe agjërimin e Arafatit si një rezervë shtesë. Kështu, sipas tij, agjërimi i Ashurasë shlyen një vit të plotë, ndërsa agjërimi i Arafatit shërben si tepricë për shtim shpërblimi, ndërsa shlyerja e plotë e vitit mbyllet me të. Kështu, Allahu na ruajtë, ai mbetet i qetë dhe i vendosur në kryerjen e mëkateve, duke u vetëmashtruar me këtë kuptim të gabuar.
Më pas autori thotë: Ky i mashtruar nuk e kupton se agjërimi i Ramazanit dhe pesë namazet janë shumë më të mëdha dhe më madhështore sesa agjërimi i ditës së Arafatit dhe i ditës së Ashurasë”.
Përse? Sepse Allahu i Madhëruar thotë në hadithin kudsij: “Robi im nuk afrohet tek Unë me asgjë më të dashur për Mua sesa me atë që ia kam bërë obligim”.
Agjërimi i ditës së Ashurasë është vullnetar, edhe ai i ditës së Arafatit është vullnetar, ndërsa agjërimi i Ramazanit është obligim; e askush nuk afrohet te Allahu me ndonjë vepër më të dashur për Të sesa me atë që Ai vetë e ka bërë obligim për robërit e Tij.
Autori shton: agjërimi i Ramazanit dhe pesë namazet janë shumë më të mëdha dhe më madhështore sesa agjërimi i ditës së Arafatit dhe i ditës së Ashurasë, e megjithatë ato i shlyejnë vetëm gjynahet që mund të kryhen mes tyre, me kusht që njeriu tu shmanget gjynaheve të mëdha (el kebair).
Komenti: Sepse Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – në hadithin e saktë ka thënë: “Pesë namazet, e xhumaja deri në xhumanë tjetër dhe Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë shlyese të asaj që ndodh mes tyre, për sa kohë që shmangen mëkatet e mëdha”.
Pra, shlyerja e mëkateve e përmendur për ditën e Arafatit dhe për ditën e Ashurasë vjen pikërisht me këtë kusht të përcaktuar. Nëse shlyerja e asaj që është shumë më e madhe se ky agjërim — pra, agjërimi i Ramazanit dhe pesë namazet e detyrueshme — nuk realizohet veçse me këtë kusht të shmangies së gjynaheve të mëdha, atëherë është më se e kuptueshme (min bābi evlā) që agjërimi i ditës së Ashurasë dhe i ditës së Arafatit i nënshtrohen të njëjtit rregull.
Ky është kuptimi më i afërt me të vërtetën, ngase Ibn Kajjim — Allahu e mëshiroftë — përmendi dy kuptime, ku më i sakti ishte ky i pari, për të cilin tha: “Ramazani deri në Ramazan dhe e xhumaja deri në xhumanë tjetër nuk kanë fuqi t’i shlyejnë gjynahet e vogla, veçse kur atyre u bashkohet largimi nga gjynahet e mëdha”, sikurse u tha: “përderisa shmangen gjynahet e mëdha”; atëherë bashkimi i këtyre dy gjërave fiton fuqinë për t’i shlyer gjynahet e vogla.
Atëherë, si mundet që një agjërim vullnetar të shlyejë çdo gjynah të madh që e ka vepruar robi — sipas atij kuptimi të gabuar që kanë rrokur ata njerëz — ndërkohë që ai vazhdon të ngulmojë në to e të mos pendohet prej tyre?! Kjo është e pamundur!
Më tej, autori — Allahu e mëshiroftë — thotë: “Një tjetër shembull është mbështetja e gabuar e disave te fjala e Profetit ﷺ, i cili duke përcjellë nga Zoti i tij ka thënë: ‘Unë jam ashtu siç mendon robi Im për Mua, ndaj le të mendojë për Mua ç’të dojë’ — domethënë: çfarëdo që të ketë në mendimin dhe bindjen e tij, Unë do ta trajtoj me të njejtën mënyrë. Nuk ka dyshim se mendimi i mirë (husnu edh-dhann) për Allahun bashkohet vetëm me bamirësinë dhe veprën e mirë (ihsanin), sepse bamirësi ka mendim të mirë për Zotin e tij se Ai do ta shpërblejë për mirësinë e tij të treguar, nuk do ta shkelë premtimin e Tij dhe do t’ia pranojë pendimin.
Ndërsa keqbërësi që ngulmon në gjynahet e mëdha, në padrejtësi dhe në shkeljen e urdhrave, egërsia dhe vetmia shpirtërore (el vahshe) e mëkateve, padrejtësisë dhe haramit e pengojnë atë që të ketë mendim të mirë për Zotin e tij. Kjo është e dukshme edhe në realitetin e përditshëm: robi i arratisur, i cili ka dalë nga bindja ndaj zotërisë së tij, nuk mund të ketë mendim të mirë për të; egërsia e keqbërjes dhe mendimi i mirë nuk bashkohen kurrë në një vend, sepse keqbërësi ndien frikë e largësi aq sa është masa e keqbërjes së tij. Njerëzit me mendimin më të mirë për Zotin e tyre janë ata që i binden më së shumti Atij.
Sikurse ka thënë Hasen el-Basriu: ‘Besimtari ushqeu mendim të mirë për Zotin e tij, ndaj edhe i përmirësoi veprat e tij; ndërsa i prishuri ushqeu mendim të keq për Zotin, ndaj i prishi veprat e tij.’
E si mund të ketë mendim të mirë për Zotin e tij ai që është larguar prej Tij, që ecën e zhytet në atë që e hidhëron dhe e zemëron Atë, duke u ekspozuar ndaj mallkimit të Tij; që ka përbuzur të drejtën dhe urdhërin e Tij e kështu e ka humbur, dhe i ka nënvlerësuar ndalesat e Tij e kështu i ka bërë duke ngulmuar në bërjen e tyre?!
Si mund të ketë mendim të mirë për Zotin e tij ai që i ka dalë hapur në luftë Atij, që i ka armiqësuar miqtë e Tij dhe i ka bërë miq armiqtë e Tij, që i ka mohuar cilësitë e Tij të përsosmërisë, që ka pasur mendim të keq për atë me të cilën Ai e ka përshkruar Veten e Tij dhe me të cilën e ka përshkruar i Dërguari i Tij — ﷺ —, dhe që nga padituria e tij ka menduar se kuptimi i dukshëm i tyre është devijim dhe mosbesim?!
E si mund të ketë mendim të mirë për Zotin ai që mendon se Ai nuk flet, nuk urdhëron, nuk ndalon, nuk pëlqen dhe nuk zemërohet?!
Allahu ka thënë për ata që dyshuan në lidhjen e dëgjimit të Tij me disa çështje të imtësishme — e ajo ishte fjalë e fshehtë: “E ky ishte mendimi juaj që patët për Zotin tuaj, i cili ju shkatërroi, e kështu u bëtë prej të humburve.” [Fussilet: 23].
Këta njerëz, kur menduan se Allahu — i Madhëruar — nuk i di shumicën e gjërave që ata bëjnë, ky ishte një mendim i keq për Zotin e tyre, ndaj ai mendim i shkatërroi. Ky është rasti i gjithsecilit që mohon cilësitë e Tij të përsosmërisë, atributet e madhështisë së Tij dhe e përshkruan Atë me atë që nuk i takon; e nëse ky njeri mendon se Ai do ta fusë në xhenet, kjo nuk është veçse mashtrim e joshje nga vetja e tij dhe zbukurim nga shejtani, e jo mendim i mirë për Zotin e tij. Ndaj, mendo gjatë për këtë çështje dhe shih se sa e madhe është nevoja për të.”
Komenti: Ky është gjithashtu një shembull tjetër që e përmend autori — Allahu e mëshiroftë — për gjendjen e këtyre njerëzve të mashtruar që gënjejnë veten, duke thënë:
Teksti: “Një tjetër shembull është mbështetja e gabuar e disave te fjala e Profetit ﷺ, i cili duke përcjellë nga Zoti i tij ka thënë: ‘Unë jam ashtu siç mendon robi Im për Mua, ndaj le të mendojë për Mua ç’të dojë’
Komenti: Por, si e kuptojnë këta njerëz këtë hadith: ‘Unë jam ashtu siç mendon robi Im për Mua, ndaj le të mendojë për Mua ç’të dojë’? Ata e kuptojnë se munden të qëndrojnë të zhytur në mëkate, gjynahe dhe vepra të këqija, me mendimin se Zoti nuk do ti ndëshkojë për ato mëkate, kështu që mbeten të ngujuar në këto mëkate derisa të takojnë Allahun! Ndërsa Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kjo nuk është sipas dëshirave tuaja, e as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit; kush bën keq, do të ndëshkohet për të.” [En-Nisa: 123].
Çështja pra nuk është thjesht me dëshira dhe shpresa të zbrazëta, por është e domosdoshme të paraqitet prova që tregon përmirësimin e vetes dhe të veprës, dhe largimit nga ajo që e zemëron Zotin — e Madhëruar dhe të Lartësuar.
Teksti: Ai — Allahu e mëshiroftë — thotë: Çfarëdo që të ketë në mendimin dhe bindjen e tij, Unë do ta trajtoj me të njejtën mënyrë.
Më pas Ibn Kajjimi sqaron se mendimi i mirë për Allahun nuk mund të qëndrojë drejt pa veprën e mirë. Sa për veprën e keqe, ajo nuk mund të shoqërohet kurrë me mendim të mirë për Allahun, përveçse si një mashtrim i vetvetes për ta lënë atë të ngulmojë në gjynahe dhe mëkate. Mendimi i mirë për Allahun me vërtetësi gjendet bashkë me veprën e mirë. Prandej ai përcjell një thënie tejet madhështore nga Imam Hasen el-Basriu — Allahu e mëshiroftë —, i cili ka thënë: ‘‘Besimtari ushqeu mendim të mirë për Zotin e tij, ndaj edhe i përmirësoi veprat e tij; ndërsa i prishuri ushqeu mendim të keq për Zotin, ndaj i prishi veprat e tij.’
Kështu, mendimi i mirë lidhet ngushtësisht me veprën e mirë, kurse mendimi i keq lidhet me veprën e keqe. Mund të thuash gjithashtu se vepra e mirë sjell si fryt mendimin e mirë — çdo herë që robi përpiqet në përmirësimin e veprës, kjo i jep si fryt mendimin e mirë —, kurse keqbërja në vepër sjell si fryt egërsinë dhe mendimin e keq; ajo nuk sjell mendim të mirë, por sjell vetëm egërsi dhe dyshim. Për këtë arsye, i gjithë themeli i çështjes kthehet te përmirësimi i veprës — përmirësimi i bindjes ndaj Allahut — të Madhëruar —, dhe afrimi i sinqertë tek Ai përmes veprave të mira.”
Teksti: Autori thotë:
E si mund të ketë mendim të mirë për Zotin e tij ai që është larguar prej Tij, që ecën e zhytet në atë që e hidhëron dhe e zemëron Atë, duke u ekspozuar ndaj mallkimit të Tij; që ka përbuzur të drejtën dhe urdhërin e Tij e kështu e ka humbur, dhe i ka nënvlerësuar ndalesat e Tij e kështu i ka bërë duke ngulmuar në bërjen e tyre?!
Si mund të ketë mendim të mirë për Zotin e tij ai që i ka dalë hapur në luftë Atij, që i ka armiqësuar miqtë e Tij dhe i ka bërë miq armiqtë e Tij, që i ka mohuar cilësitë e Tij të përsosmërisë, që ka pasur mendim të keq për atë me të cilën Ai e ka përshkruar Veten e Tij!!
E si mund të ketë mendim të mirë për Zotin ai që mendon se Ai nuk flet, nuk urdhëron, nuk ndalon, nuk pëlqen dhe nuk zemërohet?!
Komenti: E gjithë kjo nuk përputhet kurrë me mendimin e mirë ndaj Allahut të Lartësuar!
Më pas autori përmendi një shembull madhështor në këtë temë të cilin e mori nga konteksti i ajetit të sures Fussilet, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë: Dhe ata u thonë lëkurave të tyre: “Pse dëshmuat kundër nesh?” Ato thonë: “Na ka bërë të flasim Allahu, i cili ka bërë të flasë çdo gjë; Ai ju krijoi juve herën e parë dhe te Ai do të ktheheni. Ju nuk jeni fshehur që të mos dëshmojë kundër jush dëgjimi juaj, as shikimet tuaja, e as lëkurat tuaja; mirëpo ju keni menduar se Allahu nuk i di shumicën e gjërave që i punoni” [Fussilet: 21-22].
Çfarë është ky? Ky është një mendim i gabuar dhe tejet i rrezikshëm ndaj Allahut në çështjen e dijes — cilësisë së dijes së Allahut: “Por ju menduat se Allahu nuk i di shumicën e gjërave që ju i punoni.”
A e mohuan cilësinë e dijes së Allahut që në origjinë? Jo, ata e mohuan dijen e Allahut për detajet, ashtu siç tha Ibn Kajim këtu:
Teksti: “Allahu ka thënë në lidhje me atë që dyshoi në lidhjen e dëgjimit të Tij me disa çështje të imtësishme — e ajo ishte fjalë e fshehtë: lidhjen e dëgjimit të Tij ose të dijes së Tij, sikurse në ajet, pra për lidhjen e dijes së Tij me disa imtësi.” Ata thanë: Ai i di gjërat e dukshme, por nuk i di ato të fshehtat! Allahu na ruajtë! Çfarë u shkaktua nga ky mendim i prishur? Allahu thotë: “E ky ishte mendimi juaj që patët për Zotin tuaj, i cili ju shkatërroi, e kështu u bëtë prej të humburve. Nëse ata bëjnë durim, zjarri do të jetë vendstrehim për ta; e nëse kërkojnë falje e kthim, ata nuk do të jenë prej atyre që falen (që u pranohet pendesa). [Fussilet: 23-24].
Nga ky ajet përfitojmë një dobi: se gabimi në emrat dhe cilësitë e Allahut është tejet, tejet i rrezikshëm; nuk është çështje e lehtë. Këta njerëz nuk e mohuan cilësinë e dijes në origjinë, por menduan se dija e Allahut nuk i përfshin disa detaje; ndaj ky mendim i shkatërroi, dhe ishte shkak për zemërimin dhe ndëshkimin e Allahut — të Madhëruar -. Prandaj, gabimi në emra dhe cilësi nuk është gjë e lehtë.
Ai thotë: “Këta njerëz, kur menduan se Ai — i Madhëruari — nuk i di shumicën e gjërave që ata bëjnë, ky ishte një mendim i keq ndaj Zotit, kështu ai mendim i shkatërroi. Ky është rasti i gjithsecilit që mohon, i çdo njeriu që mohon cilësitë e Allahut, si cilësi të përsosmërisë së Tij dhe atribute të madhështisë së Tij —.
Teksti: Autori — Allahu e mëshiroftë më tej thotë:
Mendoje thellë këtë pikë dhe shih sa e madhe është nevoja e shpirtit për të!
Si mund të bashkohen në zemrën e robit bindja e plotë se ai do ta takojë Allahun, se Allahu e dëgjon dhe e sheh në çdo vend ku ndodhet, se ia di të fshehtën dhe të dukshmen, se asgjë nga çështjet e tij nuk i fshihet Atij, se ai do të qëndrojë para Tij dhe do të merret në pyetje për çdo gjë që ka vepruar – e në të njëjtën kohë ai të ngulmojë në ato që e zemërojnë Zotin, të humbasë urdhrat e Tij, t’i lërë pas dore të drejtat e Tij dhe, me gjithë këto, të ushqejë mendim të mirë për Të?! A mos është kjo gjë tjetër veçse mashtrim i shpirtit dhe egoizëm me dëshira të kota?!
Ebu Umame ibn Sehl ibn Hunejfi ka treguar: Hyra bashkë me Urve ibn ez-Zubejrin tek Aishja – Allahu qoftë i kënaqur me të – dhe ajo tha: “Sikur ta kishit parë me sytë tuaj të Dërguarin e Allahut – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – gjatë një sëmundjeje të tij! Kisha pranë vetes gjashtë ose shtatë dinarë, dhe i Dërguari i Allahut – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – më urdhëroi që t’i shpërndaja ato. Më mbërthyen hallet e dhimbjeve të të Dërguarit të Allahut – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – derisa Allahu i dha shërim. Pastaj më pyeti për to dhe tha: ‘Çfarë bëre? A i shpërndave ato gjashtë (ose shtatë) dinarë?’ Thashë: ‘Jo, pasha Allahun, më mbërtheu halli i dhembjeve të tua.’ Ajo tha: Pastaj i kërkoi (dinarët), i vendosi në pëllëmbën e dorës së tij dhe tha: ‘Cili do të ishte mendimi i Profetit të Allahut për Zotin e tij sikur ta takonte Allahun dhe këto (dinarë) të ndodheshin te ai?!'” Në një transmetim tjetër: “Cili do të ishte mendimi i Muhamedit për Zotin e tij sikur ta takonte Allahun dhe këto të ndodheshin te ai?!”
Komenti: SubhanAllah! Medito në këtë hadith: gjashtë dinarë, ndërsa Profeti i Allahut – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – të cilit Allahu ia ka falur gjynahet e shkuara dhe të ardhshme, thotë: Cili do të ishte mendimi i Profetit të Allahut për Zotin e tij sikur ta takonte Allahun dhe këto (dinarë) të ndodheshin te ai?!’
Ibn el-Kajim – Allahu e mëshiroftë – duke lënë shënimin e tij mbi këtë hadith, thotë:
Teksti: O Zot! Cili do të jetë mendimi (arsyetimi) i atyre që kryejnë gjynahe të mëdha dhe i zullumqarëve ndaj Allahut kur ta takojnë Atë, duke mbajtur mbi supe padrejtësitë që u kanë bërë robërve të Tjerë?! Sepse nëse do t’u bënte dobi fjala e tyre: “Ne kemi ushqyer mendim të mirë për Ty, e Ti nuk do të dënosh asnjë zullumqar e asnjë gjynahqar”, atëherë le të bëjë njeriu çfarë të dojë, le të kryejë çdo gjë që ka ndaluar Allahu dhe le të mbajë mendim të mirë për Allahun, sepse zjarri nuk do ta prekë! SubhanAllah! Sa larg arrin vetëmashtrimi tek njeriu!
Komenti: Kjo do të thotë se, sipas kësaj logjike, të gjitha tekstet e paralajmërimit dhe të kërcënimit (nusus el-ue’id) do të binin plotësisht dhe nuk do të kishin më asnjë vlerë. Edhe kur i paraqitet një tekst i tillë me paralajmërim e qortim njërit prej këtyre, çfarë thotë ai? Thotë: “Ne ushqejmë mendim të mirë për Allahun”, dhe nuk shqetësohet aspak për tekstet e paralajmërimit e as nuk u jep rëndësi; thotë: “Unë kam mendim të mirë për Allahun, e Allahu i Lartësuar ka thënë: ‘Le të mendojë për Mua ç’të dojë'”, dhe vazhdon të ngulmojë në…(mëkate). Kështu, këto kuptime të shtrembëruara e të gabuara (nga këta njerëz), vijnë tek të gjitha tekstet e paralajmërimit për t’i zhvlerësuar e për t’i bërë pa asnjë vlerë sipas mendimit të tyre – e larg qoftë që të jetë kështu!
Teksti: Ibrahimi – paqja qoftë mbi të – i tha popullit të tij: “A mos doni zotëra të sajuar në vend të Allahut? E ç’mendim keni ju për Zotin e botëve?!” [Es-Saffat: 86–87]; domethënë: ç’mendoni se do të bëjë me ju kur ta takoni Atë, ndërkohë që keni adhuruar dikë tjetër përveç Tij?!
Komenti: Kur ta takojnë Atë ndërkohë që kanë adhuruar dikë tjetër, në ditën e kijametit tek Allahu nuk kanë asgjë tjetër veç zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, në përjetësi të përjetësisë, edhe sikur të mendojnë ndryshe. E mendimet e kota e të rreme janë të shumta te njerëzit e humbjes dhe të kotës. Jehudët, edhe pse janë ndër njerëzit më mohues, me mendjen dhe mesndimet e tyre thonë: “Nuk do të na prekë zjarri, përveçse disa ditëve të numëruara”, pra duke thënë se janë ditë që numërohen me gishta, fare pak ditë. Madje thanë diçka edhe më të rëndë: “Dhe thanë: ‘Në Xhenet nuk do të hyjë askush, përveçse atij që është jehud ose i krishterë’; dhe thanë: «Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. Gjykime të tilla ka plot, por të gjitha këto nuk ngopin e as nuk e shuajnë urinë, dhe nuk i sjellin asnjë dobi atij që i thotë. Ajo që i bën dobi njeriut bashkë me mendimin e mirë është puna e mirë – njëshmëria e pastër e Allahut (teuhidi), sinqeriteti, besimi, bindja, adhurimi i Allahut dhe afrimi tek Ai. Ndërsa ai që e takon Allahun me shirk, nuk e pret asgjë tjetër veç zjarrit dhe nuk ka asnjë gjasë e asnjë shpresë për mëshirën dhe faljen e Tij; ndërsa kush e takon Allahun me gjëra më të lehta se shirku, aty ekzistojnë paralajmërimet dhe kërcënimet, si dhe tekstet e qortimit që sjellin dënime të rënda, zmbrapsëse e ndaluese, si në Librin e Allahut dhe në Sunetin e të Dërguarit të Tij – paqja, bekimi dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të.
Teksti: Kushdo që e mediton këtë çështje me meditimin e duhur, e kupton se mendimi i mirë për Allahun është vetë puna e mirë; sepse ajo që e shtyn njeriun drejt punës së mirë është pikërisht mendimi i mirë që ka për Zotin e tij se Ai do ta shpërblejë për veprat e tij, do t’ia japë frytin e tyre dhe do t’ia pranojë ato. Pra, ajo që e shtyn drejt veprës së mirë ishte mendimi i mirë për Allahun; sa më i bukur e i pastër të bëhet mendimi i tij për Zotin, aq më e mirë bëhet edhe vepra e tij.
Përndryshe, mendimi i mirë i shoqëruar me ndjekjen e epshit konsiderohet paaftësi, ashtu siç ka ardhur në hadithin e Tirmidhiut dhe në Musned, transmetuar nga Sheddad ibn Eusi – Allahu qoftë i kënaqur me të – nga Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – i cili ka thënë: «I mençur e i matur është ai që i bën llogari vetes dhe punon për atë që vjen pas vdekjes; ndërsa i dobët dhe i paaftë është ai që e lë veten të ndjekë epshet e saj dhe shpreson e ëndërron kot tek Allahu».
Në përmbledhje: mendimi i mirë për Allahun realizohet vetëm atëherë kur bashkohen dhe lidhen shkaqet e shpëtimit; ndërsa kur bëhen bashkë shkaqet e shkatërrimit, nuk mund të realizohet mendimi i mirë për Allahun.
Komenti: Po, thotë autori – Allahu e mëshiroftë: “Kushdo që e mediton këtë çështje” nga ata që kanë çaluar në kuptimin e saj “me meditimin e duhur, e kupton se mendimi i mirë për Allahun është vetë puna e mirë; në kuptimin që sa më e mirë të jetë vepra, aq më i lartë është edhe mendimi i mirë. Prandaj, besimtari në çastin kur i merret shpirti, ndien prehje, qetësi dhe gëzim, ndryshe nga të tjerët që thonë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në atë që kam lënë pas! – Kurrsesi… [El-Mu’minun: 99–100].
Kështu, te besimtari që e ka pasur të mirë veprën, mendimi i mirë ngrihet në përpjesëtim me ngritjen dhe sasinë e veprave, ndërsa te ai që e ka pasur të keqe veprën, i prishet edhe mendimi; prandaj në çastin e fundit shfaqet një gjendje e tillë, ku thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira në atë që kam lënë pas.”
Autori thotë: “Përndryshe, mendimi i mirë i shoqëruar me ndjekjen e epsheve është paaftësi.”
Komenti: Më pas ai u mbështet te ky hadith:
Teksti: “I mençur është ai që e mposht veten e tij dhe vepron për atë që është pas vdekjes, kurse i paaftë (i pafuqishëm) është ai që e lë veten të ndjekë epshet e veta dhe ushqen shpresa të kota ndaj Allahut.”
Komenti: Edhe pse në zinxhirin e këtij hadithi ka fjalë (vërejtje nga dijetarët e hadithit), kuptimi i tij është plotësisht i drejtë dhe i saktë, pa asnjë dyshim në vërtetësinë dhe saktësinë e domethënies së tij. Sepse vërtet, i mençuri, i mprehti dhe i zgjuari prej njerëzve është ai që e llogarit veten e tij — sikurse thoshte Umer bin El-Hattabi — Allahu qoftë i kënaqur me të! — “Llogaritni veten tuaj para se t’ju llogarisin.” Pra, i mençur është ai që e mer veten në llogari në këtë dynja para se Allahu ta llogarisë në Ditën e Kijametit; kurse i paaftë është ai që e lë veten të ndjekë epshet e veta dhe, pavarësisht kësaj, ushqen shpresa të kota ndaj Allahut — ngjashëm me ata për të cilët Allahu ka thënë: “Kjo nuk është sipas dëshirave tuaja, e as sipas dëshirave të ithtarëve të Librit; kush bën keq, do të ndëshkohet për të﴾ [En-Nisa: 123].
Ai mbetet i zhytur në mëkate, në gjynahe, duke u ushqyer me shpresa të kota e duke thënë: “Unë uroj të jem në shkallët më të larta të Xhenetit dhe në vendet më fisnike!” Po ku është puna jote? Përgatiti vetes tënde, shtroji rrugën asaj me vepra të mira, me pendim, me kthim të sinqertë (inābeh) dhe me afrim tek Allahu! Çështja nuk ka të bëjë me dëshira të zbrazëta. I mençur është ai që e mposht veten e tij dhe vepron për atë që e pret pas vdekjes, kurse i paaftë është ai që e lë veten të ndjekë epshet e veta dhe ushqen shpresa të kota ndaj Allahut. Ai ndjek epshin e shpirtit përmes gjynaheve dhe zhytjes në harame, ndërkohë që shpreson kot te Allahu se do të jetë në Xhenet, madje në shkallët e larta etj. Këto shpresa të kota nuk bëjnë dobi, nuk shpëtojnë dhe nuk i sjellin asnjë dobi poseduesit të tyre; ajo që i bën dobi atij është që të llogarisë veten dhe të peshojë veprat e tij para se të takojë Allahun: “Llogaritni veten tuaj para se t’ju llogarisin, dhe peshoni veprat tuaja para se t’i paraqiteni Allahut. ”Atë ditë ju do të paraqiteni, e asnjë fshehtësi e juaja nuk do të mbetet e fshehur.” [El-Hakka: 18].
Teksti: “Në përgjithësi, mendimi i mirë realizohet vetëm atëherë kur plotësohen shkaqet e shpëtimit — të cilat janë veprat e mira dhe afrimi tek Allahu —, kurse në prani të shkaqeve të shkatërrimit… domethënë kur robi i praktikon dhe u afrohet atyre, nuk mund të flitet kurrë për mendim të mirë!”
Komenti: Kështu, biseda vazhdon ende rreth kësaj çështjeje — çështjes së mendimit të mirë. Po e mbyllim me kaq, duke e lutur Allahun Bujar që të na bëjë dobi, të na orientojë drejt çdo të mire me mirësinë dhe bujarinë e Tij.\
Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.
Autor: Abdurrezak el Bedr
Përshtati: Fatjon Isufi

Të Ngjashme
- Komentimi i librit “Mburoja e Muslimanit” – 7 – Udha e Besimtarëve
- Normalizimi i imoralitetit – hap drejt shkatërrimit të shoqërisë Dr. Fatmir Strumi
- I lumtur është ai që kur vdes bashkë me të vdesin edhe mëkatet e tij Dr. Behar Hyseni
- Prej gjërave më të mira që mund t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira Dr. Behar Hyseni
- Fatkeqësia e vdekjes së dijetarëve Dr. Behar Hyseni