Etika e Hatibit në Minber Mes Përgjegjësisë Fetare dhe Konflikteve Personale

• November 9, 2026

Nëse Allahu e ka nderuar një person duke i dhënë përgjegjësinë e hatibit, që t’u drejtohet besimtarëve ditën e xhuma, t’u flasë rreth fesë dhe t’u mësojë ato që u nevojiten në besimin dhe jetën e tyre të përditshme, ai nuk duhet ta harrojë kurrë peshën e kësaj përgjegjësie!
Hatibi gëzon një pozitë të veçantë dhe mban mbi supe një amanet të madh. Gjatë hytbes së xhumasë, besimtarët janë të obliguar ta dëgjojnë me vëmendje dhe të përmbahen nga të folurit apo angazhimi me gjëra të tjera, sado të vogla qofshin ato.
Kjo vlen për të gjithë, pa dallim pozite, pushteti apo pasurie. Edhe nëse personi që po dëgjon hytben është president, kryeministër, ministër, njeri i pasur apo personalitet i njohur – kushdo qoftë – është i obliguar ta dëgjojë hytben sikurse gjithë besimtarët e tjerë.
Njëkohësisht, ashtu siç kërkohet nga dëgjuesit të tregojnë respekt dhe vëmendje, edhe hatibi duhet të tregojë kujdes të veçantë në përzgjedhjen e fjalëve, trajtimin e temave dhe mënyrën se si ua përcjell mesazhin besimtarëve. Ai duhet të flasë për çështje që u sjellin dobi në fenë dhe jetën e tyre, duke synuar udhëzimin, përmirësimin e moralit dhe forcimin e lidhjes së tyre me Allahun.
I Dërguari i Allahut ﷺ, kur mbante hytbe, i këshillonte njerëzit, ua kujtonte Allahun dhe botën tjetër, i nxiste drejt veprave të mira dhe i ndalonte nga veprat e këqija.
Një ndër gabimet është që hatibi ta kthejë hytben e xhumasë në një betejë personale me kundërshtarët apo rivalët e tij, qoftë edhe kur ai vetë është viktimë e një padrejtësie; mos të flasim pastaj nëse hatibi jeton në iluzione dhe kujton se gjithë bota është kundër tij dhe se të gjithë i kanë hyrë në hak!
Minberi nuk është vend për shfryrje personale, hakmarrje apo larje hesapesh, por një amanet që kërkon sinqeritet, urtësi dhe vetëpërmbajtje.
Po ashtu, hatibi duhet ta kuptojë se qëndrimi në minber nuk ia justifikon përdorimin e çfarëdo gjuhe, e aq më pak të fjalorit banal ose të papërshtatshëm për t’u përmendur në hytbe.
Hatibi duhet ta ruajë shenjtërinë e xhamisë, madje duhet t’ua mësojë atë edhe besimtarëve.
Fjalët e tij duhet të jenë në përputhje me dinjitetin e vendit ku qëndron dhe me përgjegjësinë që mban. Ai duhet të dijë të bëjë dallimin mes një bisede të zakonshme me besimtarët, një komunikimi me jomuslimanët, një diskutimi në ambiente shoqërore apo në kafe, si dhe mbajtjes së hytbes në xhami. Secili prej këtyre rasteve ka mënyrën e vet të komunikimit.
Mbajtja e hytbes ka etikën dhe rregullat e veta, të cilat duhet t’i njohë dhe t’i respektojë kushdo që merr përsipër këtë detyrë.
Kjo etikë nuk duhet të shkelet për shkak të zemërimit, pakënaqësive personale apo konflikteve me të tjerët. Njeriu mund të ketë plotësisht të drejtë kur mbrohet nga një akuzë e padrejtë apo nga një shpifje, por kjo nuk do të thotë që të kthejë xhaminë dhe minberin në pronë personale.
Hytbeja e xhumasë, si dhe ligjëratat apo mësimet në xhami, nuk janë vendi i duhur për të sqaruar çështje personale, për t’iu përgjigjur kundërshtarëve apo për të ekspozuar konfliktet individuale.
Lusim Allahun të na udhëzojë drejt veprave, fjalëve, moralit dhe sjelljeve të mira!

Loading...