Ndonjëherë na rastis të bisedojmë me dikë që dëshirën e tij më të madhe ka debatin, të debatojë dhe të dalë ai fitues, pavarësisht nëse ka të drejtë apo jo.
Të debatosh vetëm që të dalë e jotja pavarësisht së vërtetës, nuk është dëshirë për dije, por është sëmundje dhe ves i ulët, aq më tepër kur ky debat bëhet rreth çështjeve fetare.
Gadishmëria për të debatuar për çdo gjë buron nga padija. Njerëz të tillë mund të mos njohin as bazat e asaj që flasin, e përsëri janë të gatshëm për debate të pafundme.
Shpeshherë kur njeriu braktis kërkimin e dijes dhe dobinë e vërtetë, atij i hapet dera e polemikës së kotë, dhe hapja e kësaj dere në vetvete është një shenjë tepër e keqe.
Ebu Umame (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Nuk devijon asnjë popull që ka qenë në udhëzim, veçse u hapet atyre dera e polemikës.”
Transmeton Ahmedi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, dhe Shejh Albani e ka vlerësuar si hasen.
Me hapjen e derës së polemikës kuptohet debati në mbrojtje të së kotës, fanatizmi dhe ndjekja e verbër, e jo debati dhe diskutimi konstruktiv që bëhet për të kuptuar të vërtetën.
Imam Euzai (v. 157 H) thotë:
“Kur Allahu dëshiron t’ia privojë robit bereqetin e dijes, i lëshon në gjuhën e tij pyetjet e ndërlikuara, dhe kam parë se të tillët janë njerëzit me më së pakti dije.”
(“Xhami’u bejanil ilm” 2083)
Imam Malik bin Enes (v. 179 H) thotë:
“Debati dhe polemika në çështjet fetare largojnë dritën e dijes nga zemra e njeriut, e ngurtësojnë zemrën dhe mbjellin në të urrejtje e mllef.”
(“Tertibul medarik” 2/39)
Ma’ruf Kerhi, një nga zahidët e njohur të shekullit të dytë hixhri (v. 200 H), ka thënë:
“Kur Allahu ia do të mirën një robi, ia hap atij derën e veprave të mira dhe ia mbyll derën e polemikave. Ndërsa kur ia do të keqen, ia mbyll derën e veprave dhe ia hap derën e polemikave.”
(“Hiljetul eulija” 8/361)
Lusim Allahun të na japë dijë të dobishme, të na largojë nga debatet dhe polemikat e kota!
Të Ngjashme
- Normalizimi i imoralitetit – hap drejt shkatërrimit të shoqërisë Dr. Fatmir Strumi
- I lumtur është ai që kur vdes bashkë me të vdesin edhe mëkatet e tij Dr. Behar Hyseni
- Prej gjërave më të mira që mund t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira Dr. Behar Hyseni
- Fatkeqësia e vdekjes së dijetarëve Dr. Behar Hyseni
- Kur feja kthehet në tifozllëk dhe fanatizëm individësh Shehul-Islam Ibn Tejmije