إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ ۗ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ غَفُورٌ
”Vërtet, ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët. Padyshim që Allahu është i Plotfuqishëm dhe Falës.” Fatir 28
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Falënderimi i takon Allahut, Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë!
Allahu ju dhëntë jetë e begati! Ju mirëpres të gjithëve në një mexhlis të ri dhe në një takim të ri nga kjo seri ligjëratash kushtuar biografive të disa prej dijetarëve të shquar.
Në takimin e kaluar ju premtova se do ta vazhdonim biografinë e Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, pasi bëmë një përmbledhje të shkurtër rreth fillimeve të jetës dhe formimit të tij, u ndalëm te tiparet e tij fizike dhe te karakteri i tij fisnik.
Treguam gjithashtu për mësuesit e tij, nxënësit e tij dhe për veçoritë me të cilat u dallua.
Sot, me lejen e Allahut, do të ndalemi te disa prej veprave të tij, te devotshmëria e tij e lartë dhe te mënyra se si ai e trajtonte dhënien e fetvave. Allahu e mëshiroftë dhe e faltë.
Devotshmëria e tij
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ishte i njohur për devotshmërinë dhe kujdesin e tij të skajshëm në çështjet e fesë.
Madje, kur i kërkohej të jepte një fetva, para se të fliste, ai thoshte: “Ma shāe Allah, la kuvvete il-la billah” (Çfarë ka dashur Allahu është bërë; nuk ka fuqi veçse me ndihmën e Allahut), pastaj kërkonte falje nga Allahu dhe vetëm atëherë përgjigjej.
Ai njihej gjithashtu si një nga dijetarët që e përdorte më së shumti shprehjen “Nuk e di”. Shpeshherë përgjigjja e tij ishte: “Nuk e di.”
Për këtë arsye, Musa ibn Daëud ka thënë: “Nuk kam parë asnjë dijetar që të thoshte më shpesh ‘Nuk e di’ sesa Maliku ibn Enesi, Allahu e mëshiroftë.”
Ai thoshte gjithashtu:
“Dijetari duhet t’ua trashëgojë nxënësve dhe shoqëruesve të tij shprehjen ‘Nuk e di’, derisa ajo të bëhet një parim tek i cili ata kthehen. Kështu, kur ndonjëri prej tyre pyetet për diçka që nuk e di, të mos ngurrojë të thotë: ‘Nuk e di.’”
Po ashtu, Ebu Mus‘abi rrëfen se e ka dëgjuar Imam Malikun duke thënë:
“Nuk kam dhënë fetva derisa shtatëdhjetë dijetarë nga banorët e Medinës dëshmuan se unë isha i denjë për këtë.”
Ndërsa Amr ibn Jezidi, një prej dijetarëve të njohur të Egjiptit dhe mik i Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, tregon:
“I thashë Malikut: ‘O Ebu Abdullah! Njerëzit vijnë tek ti nga vise të ndryshme. Ata lodhen në udhëtimet e tyre dhe shpenzojnë pasurinë e tyre për të të pyetur rreth dijes që Allahu të ka dhënë, e megjithatë ti u përgjigjesh shpesh: “Nuk e di”.’
Ai m’u përgjigj: ‘O Abdullah! Tek unë vjen siriani nga Shami, irakiani nga Iraku dhe egjiptiani nga Egjipti. Më pyesin për një çështje, por mund të ndodhë që më vonë të më shfaqet një argument ose një kuptim tjetër nga ai me të cilin u jam përgjigjur. Atëherë ku do t’i gjej ata?’
Pra, ai kishte frikë të jepte një fetva pa qenë plotësisht i sigurt, sepse mund të ndryshonte mendim më vonë.
Për këtë arsye, Amri thotë se ia përcolli El-Lejth ibn Sa’dit disa prej fjalëve të Imam Malikut, dhe ai i miratoi ato, duke vlerësuar kujdesin dhe maturinë e tij në dhënien e fetvave.
Gjithashtu, hafizi Ebu Abdullah el-Humejdi përcjell se El-Ka’nebi ka thënë: “Hyra te Imam Malik ibn Enesi kur ishte i sëmurë nga sëmundja prej së cilës ndërroi jetë. E përshëndeta dhe u ula pranë tij. Atëherë e pashë duke qarë.
I thashë: ‘O Ebu Abdullah! Çfarë ju bën të qani?’
Ai më tha: ‘O biri i Ka‘nebit! E si të mos qaj?! Kush tjetër më shumë se unë e meriton të qajë? Pasha Allahun, do të dëshiroja që për çdo çështje për të cilën kam dhënë fetva sipas mendimit tim, të isha goditur me nga një kamxhik. Unë e kisha mundësinë të mos përfshihesha në shumë prej atyre çështjeve. Ah, sikur të mos kisha dhënë fetva sipas mendjes time!’”
Këto fjalë pasqyrojnë qartë kujdesin e jashtëzakonshëm të Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, dhe ndjenjën e thellë të përgjegjësisë që ai mbante mbi vete sa herë që fliste në emër të fesë dhe u përgjigjej pyetjeve të njerëzve. Edhe në çastet e fundit të jetës së tij, ai frikësohej se mos kishte gabuar në ndonjërën prej fetvave të tij.
Për këtë arsye, ishte e njohur në mesin e dijetarëve të mëdhenj shprehja “Nuk e di”, deri në atë pikë sa poeti ka thënë:
Kolosët e dijes nuk turpëroheshin të thoshin: ‘Nuk e di’,
Prandaj, ndiq shembullin e tyre me përulësi.
Abdullah ibn Abasi ka thënë gjithashtu: ‘Kujt i mungon fjala “Nuk e di”, i ka humbur esenca e dijes.
Kjo do të thotë se dijetari, kur jep fetva për çdo çështje pa dallim, madje edhe për çështje që kërkojnë meditim dhe shqyrtim të thellë, e ekspozon veten ndaj gabimit. Prandaj, dijetari mbrohet me fjalën ‘Nuk e di’.
Për këtë arsye kanë thënë: “Fjala ‘Nuk e di’ është gjysma e dijes.”
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, i nxiste të gjithë të vinin në praktikë atë që mësonin, duke thënë se dituria është mjet për kryerjen e veprave të mira.
Ai këshillonte: “Frikësojuni Allahut dhe mësoni aq sa mund të punoni nga dija juaj. Kush mëson dhe vepron sipas dijes së tij, i ka bërë dobi vetes dhe të tjerëve.
Nëse ajo që mësoni bëhet me sinqeritet për të fituar kënaqësinë e Allahut, atëherë keni arritur një mirësi të madhe; por nëse mungon sinqeriteti, nuk keni fituar asgjë.”
Ai thoshte gjithashtu; Kërkimi i dijes është i bekuar për atë që shijon frytet e saj. Të pajisurit me dituri është dhuratë nga Allahu dhe mirësi. Allahu, i Lartësuar, e shpërndan dijen tek njerëzit, ashtu siç shpërndan pasurinë dhe virtytet.
Prandaj, kur vjen një urdhër hyjnor, se filan njeri do të bëhet dijetar, ai do të bëhet i ditur, pa dyshim. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ia dhuron dijen kujt të dojë dhe ia privon atë kujt të dojë.
Pikërisht për këtë, imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) këshillonte duke thënë: “Mëso së pari nga dija atë që të nevojitet për fenë dhe adhurimin tënd në përditshmëri, pastaj vepro sipas saj, sepse rruga e dijes nuk ndahet nga rruga e veprimit.
Dijetari që nuk e jetëson dijen e tij me vepra, e ka atë barrë mbi vete dhe jo dobi për veten; ai i ngjan gomarit që bart libra, por nuk kupton asgjë prej tyre.”
Madhërimi i Sunetit Profetik dhe paralajmërimi ndaj bidateve.
Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë) e madhëronte dijen dhe punonte sipas asaj që mësonte. Po ashtu, ai e madhëronte Sunetin dhe paralajmëronte me forcë kundër bidateve (risive në fe).
Ai ishte një thirrës i palëkundur i Sunetit dhe i kundërvihej bidatit me vendosmëri. Ndër thëniet e tij më të njohura, të cilat janë përcjellë nga dijetarët, hatibët dhe këshilluesit ndër breza, është kjo fjalë: “Suneti, Suneti! Ai është si anija e Nuhut: kush hipën në të, shpëton; e kush mbetet jashtë saj, fundoset.”
El-Hafidh Ebu Nuajm transmeton se një njeri erdhi te Imam Maliku dhe e pyeti për një çështje. Imami iu përgjigj duke iu referuar fjalës së të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Mirëpo njeriu tha: “Po nëse është kështu? Ç’mendon për këtë?” Atëherë Imam Maliku recitoi fjalën e Allahut të Lartësuar:
فَلْيَحْذَرِ الَّذِينَ يُخَالِفُونَ عَنْ أَمْرِهِ أَن تُصِيبَهُمْ فِتْنَةٌ أَوْ يُصِيبَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ
“Le të kenë kujdes ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, se mos i godet ndonjë sprovë ose i përfshin një dënim i dhembshëm.” (En-Nur, 63)
Pra, ndërsa Imam Maliku i sillte si argument fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, pyetësi vazhdonte të kundërshtonte duke thënë: “Po sikur të jetë kështu?” Kjo e zemëroi Imamin, i cili iu përgjigj duke recituar ajetin që cituam.
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kjo dije është fe, prandaj shikoni mirë prej kujt e merrni fenë tuaj.” Me këtë ai theksonte rëndësinë e përzgjedhjes së kujdesshme të dijetarëve dhe burimeve prej të cilave merret dija fetare.
Ai gjithashtu thoshte: “Kam njohur shtatëdhjetë veta të cilët qëndronin midis këtyre shtyllave” – dhe bëri me shenjë nga shtyllat e xhamisë – “thoshin: ‘Ka thënë i Dërguari i Allahut ﷺ’, por unë nuk mora dije prej tyre.” Kjo tregon se, sipas tij, vetëm transmetimi i haditheve nuk mjaftonte për ta bërë dikë të denjë për t’u marrë si autoritet në fe; krahas dijes kërkoheshin edhe besueshmëria, devotshmëria dhe kuptimi i drejtë.
Imam Maliku ishte gjithashtu i njohur për qëndrimin e tij të prerë kundër polemikave dhe debateve të kota në çështjet e fesë.
Në këtë kontekst, Ibn Vehbi rrëfen: “E kam dëgjuar Malikun të thotë: ‘Ky lloj debati nuk është prej fesë tonë.’”
Kështu, ai i ftonte njerëzit t’i përmbaheshin dijes së bazuar në argumente dhe traditën profetike, duke u larguar nga debatet që mbjellin përçarje dhe largojnë zemrat nga e vërteta.
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë për Imam Malikun se, kur i vinin disa nga njerëzit e devijuar, ai u thoshte: “Unë jam në qartësi të plotë për fenë time, ndërsa ti je në dyshim; shko e gjej një dyshues si vetja jote dhe debato me të.”
Ndërsa në një rast tjetër, kur Imam Maliku u largua nga mësimi i tij, një njeri e ndoqi nga pas. Ky njeri, i njohur si Ebu Xhuvejrija dhe i akuzuar për bindjet e murxhi’ave, i tha Imam Malikut: “Dëgjomë mua.”
Imami i tha: “Kujdes, mos dëshmo kundër vetvetes!” – duke e paralajmëruar që të mos fliste pa dije dhe të mos e vendoste veten në gabim.
Ai iu përgjigj: “Unë nuk dua tjetër veç të vërtetën; nëse është e saktë, pranoje dhe flit për të.”
Më pas i tha: “Nëse unë të mposht në argument, do të më ndjekësh?”
Ai tha: “Po.”
Imami i tha: “Dhe nëse ti më mposht mua?”
Ai tha: “Do të të ndjek ty.”
Atëherë Imami i tha: “Po nëse vjen dikush tjetër dhe na mposht të dyve?”
Ai tha: “Do ta ndjekim atë.”
Atëherë Imam Maliku i tha: “O njeri, Allahu e ka dërguar Muhamedin ﷺ me një fe të vetme, ndërsa unë po të shoh duke kaluar vazhdimisht nga një mendim në tjetrin.» Vërtet, në këtë përgjigje shfaqet qartë mprehtësia dhe zgjuarsia e Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë!”
Xhafer ibn Abdullah përcjell: «Njëherë, ndërsa ndodheshim tek Imam Maliku, erdhi një njeri dhe e pyeti: “O Ebu Abdullah! I Gjithëmëshirshmi është ngritur mbi Arsh. Si është ngritur?”
Kjo pyetje e zemëroi së tepërmi Imam Malikun, aq sa djersa iu shfaq në ballë. Ai uli kokën dhe filloi të prekte tokën me një shkop që mbante në dorë, derisa shqetësimi i tij u bë i dukshëm për të pranishmit.
Pas pak, ai ngriti kokën, e hodhi shkopin dhe tha: «Mënyra se si është ngritur është e pakapshme nga arsyeja, ndërsa istiva-ja (ngritja) është e njohur. Besimi në të është detyrë, kurse pyetja për mënyrën e saj është bidat. Ndërsa ti, më dukesh se je prej ithtarëve të bidatit.»
Pastaj urdhëroi: «Nxirreni jashtë! Nxirreni nga xhamia!» – Allahu Ekber!
Kjo thënie e Imam Malikut u bë aq e njohur, saqë më pas u shndërrua në një parim të rëndësishëm në trajtimin e çështjeve që lidhen me emrat dhe cilësitë: “Istiva-ja është e njohur, mënyra e saj është e panjohur, ndërsa pyetja për mënyrën e saj është bidat.”
Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar thotë:
لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ
«Asgjë nuk është si Ai; Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.»
Kjo shprehje u shndërrua në një parim themelor tek Pasuesit e Sunetit dhe Xhematit në mënyrën e trajtimit të Emrave të Allahut të Madhëruar, si dhe të Cilësive të Tij; të Lartësuarit.
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ishte jashtëzakonisht i përkushtuar që në çdo çështje të përputhej me udhëzimin e Profetit ﷺ. Ai ishte i vendosur në ndjekjen dhe pasimin e tij. Një ndër rrëfimet interesante që tregohet në këtë kontekst është ajo që përcillet nga Ali ibn Junus el-Medenij, i cili thotë: «Isha ulur në mexhlisin e Malik ibn Enesit, kur iu kërkua leje për të hyrë Sufjan ibn Ujejna (Ebu Muhamed el-Hilali). Maliku tha: “Është njeri i mirë dhe ithtar i Sunetit; lejojeni të hyjë.”
Kur hyri, dha selam dhe tha: “Selami është i përgjithshëm dhe i veçantë.” Pastaj tha: “Es-selamu alejke, o Ebu Abdullah, ue rahmetullahi ue berekatuhu”, duke e veçuar kështu Imam Malikun me përshëndetje.
Imam Maliku iu përgjigj: “Ue alejkes-selam, o Ebu Muhamed, ue rahmetullahi ue berekatuhu.” Pastaj u ngrit, shkoi drejt tij dhe i dha dorën. Më pas tha: “Sikur të mos ishte bidat, do të të përqafoja. Sikur të mos ishte bidat, do të të përqafoja.”
Sufjan ibn Ujejna i tha: “Ka përqafuar ai që është më i mirë se unë dhe se ti”, duke iu referuar Profetit ﷺ.
Maliku e pyeti: “A e ka bërë këtë Profeti ﷺ?”
Sufjani u përgjigj: “Po.”
Atëherë Maliku tha: “Kjo ishte një rrethanë e veçantë, nuk ishte praktikë e përgjithshme.”
Sufjani i tha: “Ajo që ishte e përgjithshme për Xhaferin, është e përgjithshme edhe për ne; dhe ajo që ishte e veçantë për Xhaferin, është e veçantë edhe për ne, nëse jemi njerëz të mirë.”
Më pas Sufjani i tha: “O Ebu Abdullah, a më jep leje të përcjell një hadith në mexhlisin tënd?”
Imam Maliku i tha: “Po.”
Sufjani tha: “Shkruani: na ka përcjellë Abdullah ibn Tausi, nga babai i tij, nga Ibn Abasi…” – Këtu bëhet fjalë për Taus ibn Kejsan el-Jemani, i cili ishte ndër imamët e mëdhenj të tabiinëve, ndërsa i biri i tij, Abdullah ibn Tausi, ishte transmetues i besueshëm.
Sufjani vazhdoi: “Na ka përcjellë Abdullah ibn Tausi, nga babai i tij, nga Ibn Abasi, se Xhafer ibn Ebi Talibi, kur u kthye nga Abisinia, Profeti i Allahut ﷺ doli ta takonte, e përqafoi dhe e puthi ndërmjet syve. Pastaj i tha: “Mirë se erdhe, o ti që më ngjan më shumë në pamje dhe në karakter!”»
Ky hadith është përcjellë nga Ibn Asakiri, i cili ka transmetuar edhe këtë rrëfim.
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, kishte një nderim të thellë për selefët (të parët tanë të mirë). Ndër fjalët që përcilleshin prej tij ishte edhe kjo: «Selefët ua mësonin fëmijëve të tyre dashurinë për Ebu Bekrin dhe Umerin, ashtu siç ua mësonin një sure nga Kurani.»
Sprova e tij
Vëllezër dhe motra të nderuar! Imam Maliku ishte prej dijetarëve që u sprovuan dhe u përballën me vështirësi e mundime. Ai ishte ndër dijetarët që u sprovuan dhe u vunë në provë, duke u bërë kështu pjesë e rrugës së ndritur të pejgamberëve, pasuesve të tyre dhe njerëzve të devotshëm. Për këtë arsye është transmetuar nga Profeti ﷺ se ka thënë: “Çdo njeri që gëzon një mirësi do të ketë njerëz që e kanë zili.”
Zilia është ndër moralet më të këqija, ndër më të shëmtuarat dhe ndër veset më të ulëta.
Kur Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) u sprovua, ai u bë menjëherë tema e bisedës së njerëzve; flitej për të kudo, si në Medine, ashtu edhe jashtë saj.
Sigurisht, në këtë rast u zgjuan ndjenjat e fshehta të njerëzve ziliqarë dhe lëvizën planet e tyre të liga. Ata e denoncuan te guvernatori i Medinës, Xhafer bin Sulejman bin Ali bin Abdullah bin Abbas (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ishte kushëri i Ebu Xhafer el-Mensurit, halifit.
Ata përpiqeshin t’ia mbushnin zemrën guvernatorit kundër tij, ta nxisnin armiqësinë e tij ndaj Imam Malikut dhe i atribuan atij fjalë që nuk i kishte thënë.
Ndër të tjera, pretenduan se Imam Maliku nuk e konsideronte të vlefshëm betimin e besnikërisë. Siç e dini, Benu Abbasët kishin vendosur një betim besnikërie, përmes të cilit njerëzit zotoheshin për besnikëri dhe bindje ndaj pushtetit. Ata ia atribuuan Imam Malikut se nuk e konsideronte të vlefshëm këtë betim. Thanë gjithashtu se ai nuk e konsideronte të vlefshëm divorcin e personit të detyruar. Këto fjalë e zemëruan Xhafer bin Sulejmanin, i cili urdhëroi që Imam Malik bin Enesi të fshikullohej.
Ibn Uehbiu tregon: “Kur Maliku u fshikullua, i rruajtën kokën dhe e hipën mbi një deve. Pastaj i thanë: ‘Thirr me zë të lartë, trego për veten tënde!’ Domethënë: ‘Njoftoji njerëzit me zë të lartë dhe thuaj: Ky është dënimi im’, apo diçka të ngjashme.”
Por ai tha: “Ata që më njohin, e dinë se cili jam; e kush nuk më njeh, unë jam Malik bin Enesi, biri i Ebu Amir el-Esbehijut. Dhe unë them: Divorci i personit të detyruar nuk është i vlefshëm.”
Kur Xhafer bin Sulejmani mori vesh se Imam Maliku po e përsëriste këtë para njerëzve, tha: “Shkoni dhe zbriteni nga deveja! Zbriteni menjëherë!”
Është përmendur se, gjatë fshikullimit, Imam Malikut (Allahu e mëshiroftë!) ia tërhoqën krahun me aq forcë, saqë i lëvizi shpatulla nga vendi.
Edh-Dhehebiu thotë: “Pasha Allahun! Që prej asaj kohe, Maliku vazhdoi të ngrihej gjithnjë e më lart në nderim dhe pozitë.”
Ai thotë gjithashtu, pasi përmend sprovën e Imam Malikut: “Thashë: Ky është fryti i një sprove të lavdërueshme: ajo e lartëson pozitën e robit në sytë e besimtarëve.”
Sidoqoftë, çdo sprovë që na godet është pasojë e asaj që kanë bërë duart tona, ndërsa Allahu fal shumë nga gabimet që ne bëjmë. Profeti ﷺ ka thënë: “Çështja e besimtarit është e gjitha mirësi.”
Allahu i Lartësuar thotë:
وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ حَتَّى نَعْلَمَ الْمُجَاهِدِينَ مِنْكُمْ وَالصَّابِرِينَ وَنَبْلُوَ أَخْبَارَكُمْ
“Ne do t’ju sprovojmë, derisa të bëhet e qartë se cilët prej jush përpiqen dhe cilët durojnë.”
Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen e Uhudit, Allahu i Lartësuar thotë:
“Kur ju goditi një fatkeqësi, ndërkohë që ju më parë i kishit shkaktuar armikut dyfishin e saj, ju thatë: ‘Nga na erdhi kjo?’ Thuaju: ‘Ajo është prej vetë jush.’”
Dhe thotë gjithashtu:
“Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është për shkak të asaj që kanë bërë duart tuaja, ndërsa Ai fal shumë.”
Besimtari, kur sprovohet, duron, nxjerr mësim dhe kërkon falje. Ai nuk merret duke sharë apo fajësuar atë që e ka goditur, sepse Allahu është Gjykatës i drejtë dhe i paanshëm. Ai e falënderon Allahun që ia ka ruajtur fenë dhe e di se ndëshkimi në këtë botë është më i lehtë dhe, për të, më i mirë.
Po, Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) pati një sprovë të tillë. Allahu i Lartësuar u tregua i mirë me të, ia riktheu nderin dhe respektin, madje ia shtoi edhe më shumë vlerën dhe pozitën tek njerëzit.
Ndërsa ata ziliqarë që e kundërshtonin dhe e luftonin, vazhdonin të binin gjithnjë e më poshtë. Kurse Maliku ngjitej gjithnjë e më lart në shkallët e nderit dhe lavdisë, të përhapjes së dijes dhe të mirësisë.
Emri i Malikut mbeti, ndërsa emrat e atyre që e armiqësuan u harruan. Allahu e mëshiroftë Imam Malikun!
Disa nga këshillat dhe urtësitë e tij
Imam Maliku njihet për shprehjet e tij të mahnitshme dhe të bukura. Ai fliste me urtësi, Allahu e mëshiroftë!
Prej tij janë bërë të njohura shumë shprehje dhe fjali të shkurtra, por me kuptime të thella. Kur i lexon ato, sheh se mbartin në vetvete shumë domethënie dhe mësime të vyera.
Për këtë arsye, të dashur vëllezër dhe motra, kam përzgjedhur disa nga këshillat e bukura të Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, të cilat përfaqësojnë një tërësi parimesh, një mënyrë të të jetuarit dhe të të vepruarit, si dhe rregulla të vyera morale, prej të cilave njerëzit mund të nxjerrin dobi.
Ndër të tjera, Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thoshte: «Shoqërohu me atë, fjalët e të cilit ta shtojnë dijen dhe veprat e të cilit të nxisin drejt Ahiretit. Kujdes nga shoqërimi me atë, fjalët e të cilit të mashtrojnë, feja e të cilit është e mangët dhe veprat e të cilit të joshin drejt kësaj bote!»
Allahu Ekber!
Sikur të ndaleshim e ta shqyrtonim me vëmendje këtë këshillë të shkurtër, kaq të përmbledhur e plot urtësi, do të mund të kalonim më shumë se një takim, madje edhe disa ligjërata, duke medituar mbi kuptimet e saj. Sa fjalë e mrekullueshme dhe sa këshillë e vyer! Njeriu duhet ta ketë gjithmonë parasysh dhe ta bëjë udhërrëfyese në jetën e tij.
Ndër thëniet e tjera të Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, që përbëjnë një udhërrëfim të çmuar për kërkuesin e dijes, është edhe kjo:
«Dija nuk qëndron te shumësia e transmetimeve; përkundrazi, dija është një dritë që Allahu e vendos në zemra.»
Kjo është një e vërtetë që e shohim edhe në realitetin e sotëm. Ka njerëz që zotërojnë shumë njohuri dhe kanë biblioteka të mëdha me libra, madje mund të kenë marrë edhe dije nga burime të shumta, por prapëseprapë nuk gjejnë udhëzimin e duhur. Përse ndodh kjo? Sepse Allahu i Madhëruar nuk ua ka dhuruar dritën e dijes që ndriçon zemrën.
Ndër këshillat e tjera të bukura të Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, është edhe kjo:
«Kush dëshiron që zemra t’i ndriçohet, le t’i kryejë veprat e tij në fshehtësi më mirë sesa në publik.»
Pra, njeriu duhet të ketë vepra të mira të fshehta e të sinqerta ndërmjet tij dhe Allahut të Madhëruar.
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ka dhënë gjithashtu këshilla të vyera për çështjet e kësaj bote, duke shpjeguar natyrën e saj dhe mënyrën se si njeriu duhet të sillet ndaj saj.
Ai thoshte: «Nëse nga kjo botë kërkon vetëm atë që të mjafton, edhe pjesa më e pakët e saj do të të bëjë të pavarur. Ajo që është e pakët, por të mjafton, është më e mirë se ajo që është e shumtë, por të shpërqendron.»
Në të vërtetë, të dashur vëllezër dhe motra, këshillat dhe urtësitë e Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, janë të shumta dhe një pjesë e madhe e tyre është ruajtur në veprat e dijetarëve.
Ndarja e tij nga kjo botë
Tani po trajtojmë kapitullin e fundit i jetës së Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, ndarjen e tij nga kjo botë, një përfundim që Allahu i Madhëruar e ka caktuar për çdo njeri.
Allahu i Madhëruar i thotë Profetit të Tij ﷺ:
« Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin. » (Ez-Zumer, 30)
Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë:
« Muhamedi është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? » (Al Imran, 144)
Edhe Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, i erdhi ajo që u vjen të gjithë njerëzve: vdekja, të cilën Allahu e ka caktuar për çdo krijesë. Megjithatë, kujtimi i tij mbeti i pavdekshëm dhe emri i tij vazhdon të përmendet brez pas brezi.
Madje, mendoj se, sa herë lind dielli dhe perëndon, Imam Maliku përmendet për mirë dhe njerëzit luten që Allahu ta falë e ta mëshirojë. Allahu e di më së miri.
El-Vakidi, Allahu e mëshiroftë, tregon se Imam Maliku shkonte në xhami, merrte pjesë në namazet e përditshme, në namazin e xhumasë dhe në namazet e xhenazesë. Ai vizitonte të sëmurët, kujdesej për përmbushjen e të drejtave të njerëzve dhe ulej në xhami, ku mblidheshin rreth tij shokët dhe nxënësit e tij.
Vëreni me kujdes, pra, këtë dijetar të madh, këtë figurë të shquar të dijes, mes mexhliseve të tij dhe njerëzve që mblidheshin rreth tij.
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, nuk i linte pas dore detyrimet dhe angazhimet e tij shoqërore. Ai merrte pjesë në faljen e namazeve të xhenazes, vizitonte të sëmurët dhe u bënte vizita miqve e shokëve të tij.
Mirëpo, gjatë ditëve të fundit të jetës, Imam Maliku hoqi dorë nga qëndrimi në xhami. Ai falej dhe më pas largohej për në shtëpinë e tij. Më vonë, ndërpreu edhe pjesëmarrjen në ceremonitë e varrimit, por vazhdonte të shkonte te familjarët e të ndjerit për t’u shprehur ngushëllimet.
Më pas, ai hoqi dorë edhe nga këto veprimtari. Nuk merrte më pjesë në namazet me xhemat në xhami, as në namazin e xhumasë; nuk shkonte më për të ngushëlluar njerëzit dhe e kishte të pamundur t’u gjendej pranë atyre që kishin dëshirë të qëndronin me të.
Kjo gjendje vazhdoi gjatë ditëve të fundit të jetës së tij. Njerëzit ia mirëkuptuan këtë gjendje dhe e pranuan arsyetimin e tij, derisa ai ndërroi jetë, Allahu e mëshiroftë.
Kur dikush e pyeste për arsyen e kësaj tërheqjeje, ai përgjigjej: «Jo çdokush është në gjendje ta shprehë arsyen që ka.»
Natyrisht, që disa nga njerëzit habiteshin nga ky ndryshim i Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë. Por, çfarë përgjigjej ai kur e pyesnin për këtë? Ai thoshte: «Jo çdokush është në gjendje ta shprehë arsyen që ka.»
Imam Maliku kishte një arsye të vetën, por kjo nuk do të thoshte se njerëzit duhej ta dinin patjetër arsyen e çdo njeriu. Për të është përcjellë gjithashtu se thoshte: «Jo gjithçka që dihet duhet thënë dhe jo çdokush është në gjendje të shpjegojë arsyen e vet.»
Arsyeja e kësaj tërheqjeje u bë e njohur vetëm në çastet e fundit të jetës së tij, kur ai e kuptoi se vdekja po i afrohej. Atëherë, Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, tha këto fjalë:
«Për Allahun, po të mos ishin këto ditët e fundit të kësaj bote dhe ditët e para të Ahiretit, nuk do t’jua kisha treguar këtë.»
Më pas, ai shpjegoi: «Unë vuaja nga mosmbajtja e urinës dhe kisha frikë se, nëse shkoja në xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ, do ta ndotja atë. Gjithashtu, kisha frikë se, nëse jua tregoja sëmundjen time, do të ishte sikur të ankohesha për Zotin tim.»
La ilahe il-lAllah! Sa fjalë domethënëse dhe sa ndjeshmëri e jashtëzakonshme!
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, shpjegonte se kishte frikë që, nëse shkonte në xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ, mund t’i rridhnin disa pika urine dhe kështu të ndotte xhaminë e Profetit ﷺ. Nga ana tjetër, nëse ua tregonte njerëzve sëmundjen e tij, druhej se kjo do të ngjante me një ankesë ndaj Zotit të tij, Allahut të Madhëruar, Mëshirëplotit, të Dashurit dhe të Lartësuarit mbi gjithçka.
Vëreni, pra, sa i thellë ishte nderimi i tij për xhaminë e të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe sa e madhe ishte ndjeshmëria e tij në raportin me Zotin e vet!
Bishr ibn Sulejm es-Savvaf tregon: «Në mbrëmjen kur Imam Maliku ndërroi jetë, shkuam tek ai dhe e pyetëm: “Si ndihesh, o Ebu Abdullah?”
Ai na u përgjigj: “Nuk di çfarë t’ju them, por nesër do të shihni nga falja e Allahut atë që as nuk mund ta kishit përfytyruar.”»
Bishri vazhdon të tregojë se, pak kohë pas kësaj bisede, ata qëndruan pranë tij derisa ia mbyllën sytë, Allahu e mëshiroftë. Shpirti i tij ishte kthyer te Krijuesi i vet.
Është përcjellë gjithashtu se, para se të ndërronte jetë, ai shqiptoi dëshminë e besimit dhe më pas përsëriste:
«Vendimi i përket Allahut, si më parë, ashtu edhe më pas.»
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, ndërroi jetë në vitin 179 hixhri.
Allahu e mëshiroftë Imam Malikun dhe e faltë!
Ajo që kemi paraqitur këtu është veçse një përmbledhje e shkurtër, disa ndalesa të shpejta dhe disa fragmente të shkëputura nga jeta e tij.
Në të vërtetë, biografia e Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë, është shumë më e gjerë dhe përmban plot ngjarje, mësime e urtësi.
Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me të mira!
Paqja e Allahut qoftë mbi të, i përmendur me mirësi ndër të parët dhe ndër ata që erdhën pas.
Me lejen e Allahut, do të takohemi sërish për të njohur një tjetër personalitet të shquar të historisë sonë islame.
Deri atëherë, ju lë në mbrojtjen e Allahut.
Es-selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!
Shkëputur nga ligjërata e shejhut të nderuar: Dr. Ferhan bin Aziz el Anezi.
Përktheu: Edmond Ajdini
Dosje: biografi, Dijetarët, imam Maliku
Të Ngjashme
- Fatkeqësia e vdekjes së dijetarëve Dr. Behar Hyseni
- Edukata e kërkuesit të dijes dhe kriza e sotme e moralit Dr. Fatmir Strumi
- Tragjedia e Er-Rexhiut Udha e Besimtarëve
- Kuptimi i sinqeritetit te selefët Dr. Behar Hyseni
- Ti që bën pyetje të detajuara, a i di gjërat elementare të fesë? Dr. Fatmir Strumi