Ebu ed-Derda hyri te Halid bin el-Velidi ndërkohë që ai ishte në shtratin e vdekjes…
Halidi i tha: “O Ebu ed-Derda, nëse vdes Umeri, do të shohësh me siguri punë që do t’i refuzosh e nuk do t’i pranosh…”
Ebu ed-Derda i tha: “Edhe unë, pasha Allahun, e shoh këtë.”
Halidi tha: “Kam ndier brenda vetes pakënaqësi ndaj tij për disa çështje, të cilat kur i mendova thellë gjatë kësaj sëmundjeje, kuptova se Umeri e kërkonte Allahun në çdo gjë që bënte. Kisha ndier pakënaqësi ndaj tij kur më dërgoi dikë që të ndante me mua pasurinë time, derisa mori njërën nga dy këpucët dhe mora unë tjetrën; por pashë se të njëjtën gjë e bëri edhe me të tjerë nga ata të përparësisë së hershme në Islam dhe nga ata që morën pjesë në Betejën e Bedrit.
Ai sillej ashpër me mua, por ashpërsia e tij ndaj të tjerëve ishte e ngjashme me ashpërsinë e tij ndaj meje; unë i afrohesha atij duke u mbështetur te lidhja ime farefisnore me të, por pashë se ai nuk përfillte asnjë të afërm e as qortimin e ndonjë qortuesi kur bëhej fjalë për çështje jashtë Allahut.
Më shkarkoi nga detyra, e pastaj më arriti lajmi se kishte shkarkuar edhe atë që është më i mirë se unë: dajën e të Dërguarit të Allahut, Sea’d bin Ebi Vekasin; atëherë m’u largua ajo pakënaqësi që kisha ndaj tij, dhe ne nuk kemi pasur mosmarrëveshje veçse në gjykim dhe në pikëpamje.
Kur të vdes, njoftojeni prijësin e besimtarëve se ia kam lënë atij amanetin tim, trashëgiminë time, vajzat e mia dhe zbatimin e testamentit tim.”
Ndërkohë që po dremiste, tha: “Më ngrini drejt!”, e pastaj tha:
“Nuk ka asnjë vepër në të cilën shoresoj pas fjalës ‘La ilahe il-lAllah’ sesa një natë me ngrica të rënda në një ekspeditë luftarake me muhaxhirët, të cilën e kaloj duke u mbrojtur pas strehës e ndërsa qielli lëshon reshjet e tij mbi mua, duke pritur mëngjesin që të sulmoja jobesimtarët. Kam marrë pjesë në aq e aq beteja, dhe nuk ka në trupin tim asnjë vend sa një pëllëmbë e të mos ketë një goditje shpate, një goditje shigjete ose një goditje shtize; e ja ku po vdes në shtratin tim, vdekje të zakonshme, ashtu siç vdes deveja! Mos u mbyllshin kurrë sytë e frikacakëve!”
Kur i arriti Umer bin el-Hattabit lajmi për vdekjen e Halidit — Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata —, tha:
“Në Islam u hap një e çarë që nuk mbyllet më!” — pastaj vazhdoi të përsëriste: “Inna lil-lahi ve inna ilejhi raxhi’un (Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi).”
Uli kokën nga pikëllimi, u lut shumë për mëshirë ndaj tij dhe tha: “Ai ishte, pasha Allahun, mburojë e fortë kundër sulmeve të armikut dhe i begatë në urtësi e vendosmëri; gratë e fisit Benū Mahzūm kanë të drejtë të qajnë; për një burrë si Halidi vajtojnë vajtueset.”
Dijetarët kanë vënë në dukje një hollësi të bukur rreth faktit që Halid bin el-Velidi vdiq me vdekje të natyrshme, duke thënë:
Halidi nuk u mund kurrë në asnjë luftë, as në xhahilijet dhe as në Islam, dhe nuk i takonte të vdiste i vrarë, sepse ai ishte “Shpata e Allahut”, e shpata e Allahut nuk thyhet kurrë.
Burimet: “Et-Tabakat el-Kubra” e Ibn Sa’dit. “Sijer A’lam en-Nubela” e Edh-Dhehebiut. “El-Kamil fit-Tarih” i Ibn el-Ethirit.
Pershtati: Fatjon Isufi
Dosje: sahabet
Të Ngjashme
- Djegia e librave të Bagdadit mes mitit dhe të vërtetës Udha e Besimtarëve
- Biografia e një Dijetari – Imam Maliku (Pjesa e Dytë) Ferhan el Anezi
- Fatkeqësia e vdekjes së dijetarëve Dr. Behar Hyseni
- Edukata e kërkuesit të dijes dhe kriza e sotme e moralit Dr. Fatmir Strumi
- Tragjedia e Er-Rexhiut Udha e Besimtarëve