Dijetari dhe imami Xhemaludin Ebu el Ferexh Abdurrahman ibn Ali ibn Muhammed ibn Ali el Xhevzi, ka thënë:
Pasi ndërmora mbledhjen e historive të të mençurve (el ed’hija) dhe solla transmetime rreth tyre për t’u bërë model që ndiqen, ngase historitë e të guximshmëve ngjallin guximin, pashë me vend të përmblidhja edhe historitë e të marrëve dhe të pakujdesshmëve për tri arsye kryesore.
E para: Sepse i mençuri kur dëgjon historitë e tyre, e kupton madhështinë e dhuratës që i është dhënë e që atyre u është privuar, e kjo e nxit atë drejt një falënderimi më të thellë.
Na ka treguar El Hakam ibn Sinan nga Havshebi, nga Hasan el Basri se ka thënë:
“Kur Allahu i Madhëruar e krijoi Ademin, nxori banorët e Xhenetit nga ana e tij e djathtë dhe banorët e zjarrit nga ana e tij e majtë. Ata u shpërndanë mbi sipërfaqen e tokës ku mes tyre kishte të verbër, të shurdhër e të sprovuar. Atëherë Ademi tha: O Zot! Përse nuk i bëre të barabartë bijtë e mi? Ai u përgjigj: O Adem, Unë desha të falënderohem!”
Na ka treguar Harith ibn Muhamed se e ka dëgjuar Muhamed ibn Muslim të thotë: “Një burrë foli në tubimin e Ibn Abasit dhe bëri shumë gabime. Atëherë Abdullah ibn Abasi u kthye nga një rob i tij dhe e liroi atë. Burri i tha: Cila është arsyeja e këtij falënderimi? Ai i u përgjigj: Sepse Allahu nuk më bëri si ti!”
E dyta: Përmendja e të marrëve dhe njerëzve të pakujdesshëm e nxit të zgjuarin të ruhet nga shkaqet e inercisë dhe shpërqëndrimit, nëse kjo hyn te gjërat që fitohen me mund e ku bën punë ushtrimi e disiplinimi. Ndërsa nëse pakujdesia është e mpleksur natyrshëm në brumosjen e njeriut, ajo vështirë se merr ndryshim.
E treta: Që njeriu ta çlodhë shpirtin duke vështruar jetëshkrimet e këtyre njerëzve që u pakësua fati ditën e ndarjes së mirësive, sepse shpirti mund të lodhet nga vazhdimësia dhe serioziteti dhe gjen pushim te disa prej argëtimeve të lejuara. Nisur edhe nga fjalët që i Dërguari i Allahut ﷺ i ka thënë Handhales: “O Handhale, një orë kështu e një orë ashtu!”
📚 “Ahbar el hamka uel mugaffelin” fq. 3.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: falenderimi, Zbavitja
Të Ngjashme
- Normalizimi i imoralitetit – hap drejt shkatërrimit të shoqërisë Dr. Fatmir Strumi
- I lumtur është ai që kur vdes bashkë me të vdesin edhe mëkatet e tij Dr. Behar Hyseni
- Prej gjërave më të mira që mund t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira Dr. Behar Hyseni
- Fatkeqësia e vdekjes së dijetarëve Dr. Behar Hyseni
- Edukata e kërkuesit të dijes dhe kriza e sotme e moralit Dr. Fatmir Strumi