Historia e Sabig bin Aselit me Umer bin Hatabin

• July 25, 2026

Nga Sulejman bin Jesar transmetohet se ka thënë: Një burrë nga fisi Beni Temim me emrin Sabig bin Asel, shkoi në Medine dhe kishte me vete disa libra. Ai filloi të pyeste për pjesët e paqarta të Kuranit. Kjo gjë arriti tek Umeri, i cili e thirri atë ndërkohë që kishtë tharë disa shkopinj hurmash për të. Kur Sabigu hyri te Umeri, ai e pyeti: “Kush je ti?” Ai u përgjigj: “Unë jam robi i Allahut, Sabigu.” Umeri i tha: “Edhe unë jam robi i Allahut, Umeri.” Pastaj Umeri filloi ta godiste me ata shkopinj, derisa e lëndoi dhe filloi t’i rridhte gjak nga fytyra. Sabigu tha: “Mjaft o prijësi i besimtarëve, se për Zotin, ajo që ndieja në kokë më kaloi.”

📚 E përcjell Darimiu (1/252, nën numrin 146), dhe Axhuri në librin “Sheriati” (1/483, nën numrin 153), (5/2556, nën numrin 2065), dhe Lalekai (4/702, nën numrin 1137-1138). Husejn el Esed në shqyrtimin e “Sunenit” të Darimit, ka thënë: “Transmetuesit janë të besueshëm por ka ndërprerje, sepse Sulejman bin Jesari nuk e ka takuar Umer ibn Hatabin.” Por historia është e njohur dhe përforcohet nga transmetimi i Nafiut, meula Abdullah bin Umer, që është hasen li gajrihi.

Nafiu, Meula Abdullah bin Umer tregon:

Sabigu, një irakian, filloi të pyeste për gjëra të paqarta nga Kurani mes ushtarëve myslimanë, derisa arriti në Egjipt. Amër ibn el Asi e dërgoi atë tek Umeri. Kur erdhi i dërguari me letrën dhe Umeri e lexoi, pyeti: “Ku është ai?” Ata i thanë: “Në kamp.” Umeri tha: “Shikoni se mos ka ikur që të mos ju godas me ndëshkim të rëndë.” Atë e sollën para Umerit dhe ai i tha: “Ti po pyet për gjëra të reja?” Umeri kishte përgatitur për të disa shkopinj hurmash dhe e goditi me to derisa ia gjakosi shpinën. Pastaj e la derisa u shërua dhe e thirri përsëri.

Sabigu i tha: “Nëse dëshiron të më vrasësh, më vrit në mënyrë të bukur, por nëse dëshiron të më shërosh, për Zotin se jam shëruar.” Umeri i dha leje të kthehej në vendin e tij dhe i shkroi Ebu Musa el Eshariut, që askush nga myslimanët të mos e shoqëronte atë. Kjo gjë e rëndoi shumë. Ebu Musa i shkroi Umerit se pendimi i tij ishte i mirë, dhe Umeri i lejoi ata që të shoqëroheshin me të.

Në një transmetim të Ibn Vedahut, Umeri tha: “Po kërkon diçka të re?” Ebu Musa i shkroi Umer ibn Hatabit se gjendja e tij ishte e mirë, dhe Umeri i shkroi që t’i lejonte njerëzit ta shoqëronin atë.” (E transmeton Darimiu në “Sunen” (1/254, nën numrin 150), dhe Ibn Vedahu në “El Bidah” (2/111, nën numrin 148).

🔸 Kjo histori ka disa përfitime; ndër to:

Axhuri ka thënë: “Umeri nuk e rrahu atë sepse pyeti për interpretimin e disa ajeteve të Kuranit, por sepse kishte dëgjuar se ai pyeste për gjëra të paqarta të Kuranit, e dinte se i pëlqente vetja dhe kishte lënë atë që nuk kishte dobi për gjëra të tilla. Ai e dinte se kërkimi i dijes rreth hallallit dhe haramit ishin më të rëndësishme për të, dhe kërkimi i dijes për sunetet e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ishte më i rëndësishëm. Kur e kuptoi se ai ishte i angazhuar me atë që nuk kishte dobi, Umeri u lut që Zoti t’i japë mundësi ndaj tij dhe ta ndëshkojë atë për të paralajmëruar edhe të tjerët.

Umeri tha: “Do të ketë njerëz që do debatojnë me ju për gjërat e paqarta të Kuranit, prandaj kapuni për sunetet sepse pasuesit e suneteve janë më të dijshëm për Librin e Allahut”

Autor: El Axhuri

Marrë nga libri: “Sheriati” 5/2554-2555

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...