Kuptimi i sinqeritetit te selefët

• August 25, 2026

Selefët e devotshëm, Allahu i mëshiroftë, ishin shembull i madh në sinqeritetin (ihlasin) ndaj Allahut të Lartësuar.

Ata kujdeseshin që nijeti i tyre të ishte i pastër dhe veprat e mira i fshihnin nga sytë e njerëzve, duke kërkuar vetëm kënaqësinë e Allahut.

Në jetën dhe historitë e tyre gjenden shembuj madhështorë që tregojnë realitetin e sinqeritetit, dhe ndikimin e tij në përmirësimin e zemrës dhe pranimin e veprës.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

إِنَّا أَنْزَلْنَا إِلَيْكَ الْكِتَابَ بِالْحَقِّ فَاعْبُدِ اللَّهَ مُخْلِصًا لَهُ الدِّينَ

“Vërtet, Ne ta kemi zbritur Librin me të vërtetën, prandaj adhuroje Allahun duke ia kushtuar Atij fenë me sinqeritet.” | Ez Zumer: 2.

Allahu i Lartësuar ka thënë gjithashtu:

وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ وَيُقِيمُوا الصَّلَاةَ وَيُؤْتُوا الزَّكَاةَ وَذَلِكَ دِينُ الْقَيِّمَةِ

“E megjithatë, ata nuk u urdhëruan për asgjë tjetër, përveçse të adhuronin Allahun me sinqeritet, duke ia kushtuar Atij fenë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), të falnin namazin dhe të jepnin zekatin. E kjo është feja e drejtë.” | El Bejine: 5.

Sinqeriteti dhe pastërtia e nijetit te selefët

Nga Umer ibn el Hatabi transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Veprat vlerësohen vetëm sipas nijeteve (qëllimeve) dhe çdo njeri do të ketë atë që ka synuar.”
(E transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Ata ibn Saibi ka thënë: Më është përcjellë se Ali ibn Ebi Talibi ka thënë:

Vepra e mirë është ajo për të cilën nuk dëshiron që askush të të lavdërojë përveç Allahut.

(“El Ihlas” i Ibn Ebi Dunia)

Mutarrif ibn Abdullah (v. 95 h) prej tabiinëve të mëdhenj, ka thënë:

Përmirësimi i zemrës bëhet përmes përmirësimit të veprës, ndërsa përmirësimi i veprës bëhet përmes saktësisë së nijetit.

(“El Hiljeh” i Ebi Nuajmit (2/199). Shiko gjithashtu “Ez-Zuhd” i Ahmedit.)

Sufjan eth-Theuri ka thënë:

Nuk kam luftuar me asgjë më të vështirë sesa nijeti im, sepse ai tenton të ndryshojë vazhdimisht tek unë.

(“El Xhami li ahlak err-rraui”)

Ibn Mubareku ka thënë:

Sa e sa vepra të vogla i zmadhon nijeti, dhe sa e sa vepra të mëdha i zvogëlon nijeti.

(“Tarih el Islam” i Dhehebiut, 4/882.)

Ibrahim ibn Ed’hemi ka thënë:

Nuk është i sinqertë me Allahun ai që e do famën.

(“Et-tarih el-kebir” i Buhariut, 4/363.)

Mejmun ibn Mehrani ka thënë:

Veprat tuaja janë të pakta, prandaj bëjeni me sinqeritet këtë pakicë.

Ibn Kajimi ka thënë:

Sikur dija të ishte e dobishme pa vepër, Allahu i Lartësuar nuk do t’i kishte qortuar dijetarët e ithtarëve të Librit. Dhe sikur vepra të ishte e dobishme pa sinqeritet, Ai nuk do t’i kishte qortuar hipokritët.
(“El feuaid”, fq. 45.)

(“El hiljeh” i Ebi Nuajmit, 4/92.)

Rrabia ibn Huthejm ka thënë:

Çdo gjë me të cilën nuk kërkohet Fytyra e Allahut të Lartësuar, është e destinuar të zhduket.

(“Ez-zuhd” i Ahmedit, “El ma’rifeh uet-tarih” i El Feseuit, 2/567.)

 

Shembuj madhështorë që tregojnë realitetin e sinqeritetit, dhe ndikimin e tij në përmirësimin e zemrës dhe pranimin e veprës:

1-Reflektime mbi fjalën e Imam Malikut: “Ajo që bëhet për hir të Allahut, mbetet.”

Mutarrif ibn Abdullah el Jesar el Esam, shoku i Imam Malikut, përcjell se Malik ibn Enesi i tha:

Çfarë thonë njerëzit për “Muvetan” (librin) tim?

I thashë: Njerëzit janë dy llojesh: njëri që të lavdëron së tepërmi, dhe tjetri që të ka zili dhe shpif.

Atëherë Maliku i tha:

Nëse të zgjatet jeta, do të shohësh se çfarë synohet me të për hir të Allahut.

 (“Et-Temhid” i Ibn AbdulBerr, 1/703.)

Mufadal ibn Muhamed ibn Harb Medeniu ka thënë:

I pari që përpiloi në Medine një libër sipas modelit të “Muvetas” duke përmbledhur ato për të cilat ishin pajtuar banorët e Medinës, ishte Abdulaziz el Maxhishuni. Ai e përpiloi atë vetëm me fjalë (thjesht mesele të zhveshura nga argumentat), pa hadithe… Pastaj dijetarët që ndodheshin në Medine në atë kohë përpiluan “Muveta-t” e tyre.

I thanë Malikut: E ke lodhur veten duke përpiluar këtë libër, ndërkohë që edhe të tjerët si ti kanë bërë libra të ngjashëm.

Ai tha: Mi sillni ato që kanë përpiluar.

Ato iu sollën, ai i shikoi dhe pastaj i vendosi mënjanë, duke thënë:

Do ta kuptoni patjetër se prej gjithë kësaj nuk do të ketë vlerë dhe nuk do mbetet veçse ajo që është bërë duke kërkuar me të Fytyrën e Allahut.

Ai (Mufadali) tha: Dukej sikur ato libra u hodhën nëpër puse, dhe pas kësaj nuk u dëgjua më asgjë për to.

(“Et-Temhid” i Ibn AbdulBerr, 1/704.)

Ibn Haxher el Askalani ka thënë:

I pari që shkroi dhe i sistemoi çështjet e dijes ishte Ibn Xhurejxhi në Mekë, ndërsa Maliku dhe Ibn Ebi Dhi’bi në Medinë.

Ibn Ebi Dhi’bi përpiloi një “Muveta” që ishte shumë herë më e madhe se “Muvetta” e Malikut, aq sa Malikut iu tha: Çfarë dobie ka përpilimi i librit tënd?

Ai tha: Ajo që bëhet për hir të Allahut, mbetet.

(“En-nuket el ufijjeh” i El Bikai, 1/123.)

2- Imam Buhariu.

Imam Buhariu për të treguar rëndësinë e sinqeritetit (ihlasit) dhe të nijetit të pastër, si dhe ndikimin e tyre në vazhdimësinë dhe vlerën e veprës, e filloi librin e tij me hadithin:

«إِنَّمَا الأَعْمَالُ بِالنِّيَّاتِ»

“Veprat vlerësohen sipas nijeteve…”

Ibn Battal tregon se Ebu el Kasim el Muhel-leb ibn Ebi Sufreh i tha:

Buhariu e vendosi hadithin “Veprat vlerësohen sipas nijeteve…” në fillim të librit të tij, në mënyrë që të bëhej e qartë se gjatë përpilimit të tij ai synonte Fytyrën e Allahut.

Dobia e këtij kuptimi është se ai shërben si një kujtesë për çdo person që e lexon librin e tij, që edhe ai të synojë Fytyrën e Allahut të Lartësuar, ashtu siç e synoi Buhariu gjatë përpilimit të tij.

Ai e vendosi këtë hadith në fillim të librit të tij në vend të hyrjes me të cilën zakonisht i fillojnë veprat autorët. Dhe sa zëvendësim i bukur është kur fjalën e autorit e zëvendëson me fjalën e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili nuk flet nga dëshira e vet.

(“Sherh Sahih el Buhari” i Ibn Batal, 1/31.)

Dosje: ,

Loading...