Namazi i Personit të Vetëm pas Safit

August 4, 2026

Prej çështjeve që nënvleftësohen dhe nuk u kushtohet vëmendja e duhur në mesin tonë, është gjykimi i namazit të personit të vetëm pas safit.
Shpeshherë ndodh që dikush të hyjë në xhami dhe të gjejë rreshtin përpara tij plot. Si pasojë, ai e fillon namazin i vetëm pas safit, madje në disa raste shohim njerëz që falen pas safit megjithëse në saf ka goxha vend bosh!
Në shumë raste, imami bie në ruku dhe ngrihet prej saj, ndërsa personi në fjalë është ende vetëm.
(Vlen të theksohet se këtu bëhet fjalë për namazin e mashkullit dhe jo të femrës.
Namazi i femrës, nëse është e vetme pas imamit apo pas bashkëshortit të saj në shtëpi, është i saktë, ndaj kjo nuk është tema e diskutimit).
Në lidhje me namazin e personit të vetëm pas safit ka mjaft diskutime mes dijetarëve rreth saktësisë së namazit të tij:
  • Disa dijetarë shohin që namazi i tij është i saktë, sido që të jetë situata, dhe ky është mendimi i shumicës.
  • Të tjerë e shohin namazin e tij të pavlefshëm në rast se ka vend në safin para, pra nëse namazi i tij i vetëm pas safit është si shkak i neglizhencës së tij. E nëse nuk ka vend në safin para tij atëherë personi është i arsyetuar, dhe namazi i tij është i saktë.
  • Disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se namazi i tij është i pavlefshëm nëse nuk i është bashkangjitur dikush derisa imami është ngritur nga rukuja, qoftë kjo si shkak i neglizhencës së tij, apo jo!
Ky mendim, megjithëse duket disi i ashpër, megjithatë është mendim i një grupi jo të vogël të dijetarëve.
Uabisah ibn Ma’bed (radijAllahu anhu) tregon se Profeti ﷺ pa një burrë që u fal i vetëm pas safit, dhe e urdhëroi atë ta përsëriste namazin.
(Hadith i saktë; e transmetojnë Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh, Ibn Huzejme, Ibn Hibbani, etj.)
Ali ibn Shejbani (radijAllahu anhu) tregon: “Erdhëm te Profeti ﷺ, i dhamë besën atij dhe u falëm pas tij…”
Ai vazhdon: “Kur Profeti ﷺ e përfundoi namazin, pa një njeri që po falej i vetëm pas safit. E priti derisa mbaroi dhe më pas i tha: ‘Përsërite namazin, sepse nuk ka namaz për atë që falet i vetëm pas safit.’
(Hadith i saktë; e transmetojnë Ahmedi, Ibn Maxheh, Ibn Huzejme, Ibn Hibbani, etj.)
Pa hyrë në detajet e interpretimeve të dijetarëve në lidhje me këto hadithe, si dhe cili është mendimi më i saktë, ajo që besimtari duhet të ketë parasysh është se kjo çështje lidhet me saktësinë e namazit, dhe si e tillë, ajo meriton rëndësi dhe përkushtim të veçantë.
Në çështje të tilla, nga besimtari kërkohet të zgjedhë rrugën më të sigurt për të dalë nga mosmarrëveshjet e dijetarëve — ndryshe nga dijetarët, nxënësit e dijes apo hoxhallarët, të cilët mund ta studiojnë çështjen në detaje dhe të binden për njërin nga mendimet.
*Nëse dikush sheh se po vijnë persona të tjerë pas tij, mund ta fillojë namazin i vetëm, me kusht që të mos ngrihet imami nga rukuja duke qenë ai ende vetëm.
E në rast se nuk është i sigurt se do t’i bashkohet dikush, për të qenë i sigurt në saktësinë e namazit, personi që e gjen rreshtin e plotësuar mund të kryejë një nga këto tre veprime:
– Të ngushtojë pak rreshtin përpara (nëse ka hapësira bosh, pa i shqetësuar të tjerët — megjithëse kjo mund të jetë e vështirë ose të keqkuptohet).
– Të falet në krah të imamit (gjë që është edhe më e vështirë për t’u realizuar).
– Të tërheqë dikë mbrapa që të mos jetë i vetëm në saf. Kjo e fundit kërkon mirëkuptim dhe sakrificë nga personi që tërhiqet. Ai le të jetë i bindur se kthimi prapa nuk ia pakëson shpërblimin e rreshtit të parë, inshaAllah.
Allahu na bëftë prej atyre që janë të përkushtuar ndaj namazit dhe na dhëntë kuptim të saktë të fesë!

Dosje: ,

Loading...