Sinqeriteti në tregti

• August 19, 2026

Tregtia është një nga mënyrat më të ndershme të fitimit të hallallit, por vlera e saj lidhet ngushtë me sinqeritetin, besnikërinë dhe largimin nga mashtrimi. Islami e ka bërë sinqeritetin në tregti shkak për bereqetin e pasurisë, ndërsa gënjeshtrën dhe mashtrimin i ka konsideruar shkak për humbjen e bereqetit dhe të kënaqësisë së Allahut.

  • Sinqeriteti në tregti!

Hakim ibn Hizami përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:

“Shitësi dhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes (ta prishin marrëveshjen) përderisa nuk janë ndarë. Nëse tregohen të sinqertë dhe i sqarojnë mangësitë e mallit, Allahu e begaton tregtinë e tyre, por nëse gënjejnë dhe fshehin të metat, bereqeti i tregtisë së tyre fshihet.”

(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

  • Ji i sinqertë sepse Allahu do ta begatojë tregtinë tënde!

Urve el Barikij përcjell se:

“I Dërguari i Allahut ﷺ më dha një dinar që t’i blija një dele, dhe me atë dinar bleva dy dele. Pastaj njërën prej tyre e shita për një dinar dhe u ktheva te Profeti ﷺ me një dele dhe me dinarin. Ia tregova çfarë kisha bërë, e ai tha:

Allahu e begatoftë tregtinë tënde!

Pas kësaj, Urve dilte në tregun e Kufes dhe kishte fitime të mëdha, derisa u bë një nga njerëzit më të pasur të Kufes.”

(Hadith sahih. E transmeton Tirmidhiu dhe Ahmedi.)

Në një transmetim tjetër te Sahihu i Buhariut thuhet: Urve el Barikij tregon se Profeti ﷺ i dha një dinar për t’i blerë një dele. Ai me atë dinar bleu dy dele, pastaj njërën prej tyre e shiti për një dinar dhe u kthye te Profeti ﷺ me një dinar dhe një dele.

Atëherë Profeti ﷺ u lut që Allahu t’i jepte bereqet në tregtinë e tij. Pas kësaj, thuhej se edhe sikur të blinte do nxirrte fitim prej tij.

Ibn Haxheri ka thënë:

“Nga shenjat e profetësisë është lutja e Profetit ﷺ për Urven e cila iu pranua, derisa edhe sikur të blinte edhe dheun, do të fitonte prej tij.”

“Fet’hul-Bari” (6/635).

  • Ndalimi i mashtrimit në tregti:

Ebu Hurejra përcjell:

I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një grumbulli me ushqime. Ai futi dorën në të dhe gishtat iu lagën, dhe tha:

“Çfarë është kjo o pronar i ushqimit?

Ai tha: E ka lagur shiu o i Dërguari i Allahut.

Profeti ﷺ tha: Pse nuk e vendose pjesën e lagur sipër që njerëzit ta shohin? Kush mashtron nuk është prej meje.”

(Muslimi)

Në një transmetim tjetër të Muslimit shënohet me këtë tekst:

“Kush ngre armën kundër nesh, nuk është prej nesh; dhe kush na mashtron, nuk është prej nesh.”

  • Lehtësia dhe mirësjellja në shitblerje.

Xhabir ibn Abdullahu përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Allahu e mëshiroftë njeriun që është i butë dhe i lehtë kur shet, kur blen dhe kur kërkon të drejtën e tij.”

(Buhariu)

Dosje:

Loading...