Me këtë kapitull madhështor e përmbyll Ibn el Xheuzi librin e tij “Telbisu Iblis”, duke thënë:
Mashtrimet e Iblisit përmes shpresave të rreme e të tejzgjatura.
Sa e sa herë i ka shkrepur në mendje një jehudiu apo të krishteri dëshira për të përqafuar Islamin, por Iblisi e ka zmbrapsur duke i thënë: Mos u ngut, pezulloje vendimin e shqyrtoje me maturi!
Kësisoj, ai e shtyn me premtime të rreme, derisa e zë vdekja në plogështinë e mosbesimit.
Po kështu, ai ia shtyn pendimin edhe mëkatarit. Përpiqet t’ia nxitojë përmbushjen e menjëhershme të epsheve ndërsa kthimin te Zoti ia ushqen me iluzione të largëta, siç ka thënë edhe poeti:
I nxiton mëkatet për çdo lakmi që e kaplon,
e pendimin për vitin që vjen e shpreson.
Sa e sa njerëzve me vullnet të çeliktë ua ka pamundësuar sipërmarrjen! Sa e sa udhëtarëve drejt majave të virtytit u ka ndërprerë hovin!
Mund të ndodhë që një dijetar (fakīh) të marrë vendim për përsëritjen e mësimit, e ai shkon dhe i pëshpërit: ‘Çlodhu edhe një orë!’
Ndodh që adhuruesi të zgjohet natën për t’u falur, e ai t’i thotë: ‘Koha është e bollshme!’
Kësisoj ai vijon t’ia bëjë të dashur përtacinë, t’ia zmbraps veprat e mira për më vonë, dhe t’i mbështetë të gjitha çështjet mbi iluzionin e jetëgjatësisë.
Por njeriu i matur e i vendosur duhet të veprojë me rreptësi e largpamësi. Largpamësia qëndron te shfrytëzimi i menjëhershëm i kohës, te braktisja e shpresave të rreme, dhe tek shmangia e iluzioneve jetëgjata. E panjohura e frikshme nuk i garanton siguri kërrkujt, kurse e djeshmja e humbur nuk kthehet më kurrë.
Shkaku i çdo parregullsie e mangësie në të mirë dhe i çdo prirjeje drejt së keqes, është pikërisht shpresa e tejzgjatur. Njeriu vazhdimisht i premton vetes shkëputjen nga e keqja dhe kthimin nga e mira, mirëpo këtë gjë e lë vetëm në kuadrin e zotimeve pasive.
Padyshim se ai që mendon se do arrijë mbrëmjen, gjatë ditës do të eci me hapa të pafuqishëm. E ai që shpreson të arrijë mëngjesin, gjatë natës do të veprojë me përpjekje të dobët. Ndërsa ai që e përqas vdekjen si një realitet të afërt, ai përvishet me seriozitet të plotë.
Për këtë arsye në hadith është thënë: “Falu ashtu siç falet ai që po i jep lamtumirën kësaj bote!” “Sahih el Xhami” me nr. 3670.
Disa nga të parët tanë të mirë kanë thënë: “Ju tërheq vërejtjen nga fjala ‘më vonë’, sepse ajo është ushtria më e madhe e Iblisit!”
Shembulli i atij që vepron me maturi përkundrejt atij që ushqehet me shpresë të rreme, është si shembulli i disa udhëtarëve që hyjnë në një fshat. I maturi shkoi menjëherë, bleu gjithçka që i nevojitej për përmbylljen e udhëtimit dhe u ul i përgatitur për nisje.
Ndërsa i pakujdesshmi thotë: “Do përgatitem më vonë, sepse ndoshta do të qëndrojmë këtu një muaj.” Por në atë çast bëhet thirrja e nisjes! I kujdesshmi u gëzua për parapërgatitjen e tij, kurse i pakujdesshmi mbeti i kapluar nga hidhërimi i pafund.
Ky është shembulli i njerëzve në këtë botë: prej tyre ka nga ata që janë të kthjellët e të përgatitur, prandaj kur t’u vijë engjëlli i vdekjes nuk do të ndiejnë pendesë.
Ka të tjerë që janë të mashtruar e neglizhentë, të cilët e pinë me pikatore hidhërimin e pendimit në çastin e largimit.
Nëse në natyrën e njeriut është e mbjellë prirja për plogështi e shpresë të gjatë, e pastaj vjen Iblisi për ta nxitur të veprojë sipas kësaj natyre, atëherë vetëpërmbajtja dhe përpjekja me veten bëhet jashtëzakonisht e vështirë. Mirëpo, kushdo që zgjohet nga kjo gjendje dhe ndërgjegjësohet, e kupton se ndodhet në fushëbetejë dhe se armiku i tij nuk pushon kurrë. Edhe nëse duket sikur po tregon plogështi, në fakt ai përbrenda po thur kurthe e po ngre pritë.
Allatut i kërkojmë të na shpëtojë nga kurthet e armikut, nga sprovat e kësaj bote dhe nga e keqja e vetvetes! Me të vërtetë, Ai është i Afërt dhe Dëgjues i lutjeve!
Marrë nga libri: “Telbis Iblis” fq. 921-922.
Autor: Ibn el Xheuzi
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Shpresat
Të Ngjashme
- Normalizimi i imoralitetit – hap drejt shkatërrimit të shoqërisë Dr. Fatmir Strumi
- I lumtur është ai që kur vdes bashkë me të vdesin edhe mëkatet e tij Dr. Behar Hyseni
- Prej gjërave më të mira që mund t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira Dr. Behar Hyseni
- Fatkeqësia e vdekjes së dijetarëve Dr. Behar Hyseni
- Bekimi i të kuptuarit ndërmjet dritës së diturisë dhe hijeve të pakujdesisë Udha e Besimtarëve