Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” – 13 –

September 8, 2026

VETËMASHTRIMI I SHPIRTIT LIDHUR ME SHKAQET

Ibn el-Kajjim – Allahu e mëshiroftë! – thotë:

Teksti: “Çështja e dytë është që njeriu të ketë kujdes nga vetëmashtrimi (mugālata) që i bën shpirti i tij lidhur me këto shkaqe; e kjo përbën një nga çështjet më kryesore. Sepse robi e di mirë se mëkati dhe pakujdesia (gafleh) janë pa asnjë dyshim prej shkaqeve që i sjellin dëm atij në këtë botë dhe në botën tjetër. Mirëpo, shpirti i tij e mashtron atë: herë duke u mbështetur në faljen dhe mëshirën e Allahut, herë duke e vonuar pendimin (tesvīf) e duke u mjaftuar vetëm me kërkimfalje formalisht me gjuhë, herë duke kryer disa vepra të pëlqyeshme (mendūbāt), herë duke u arsyetuar me dijen e tij, herë duke u justifikuar me caktimin hyjnor (Kaderin), herë duke u arsyetuar me veprimet e të tjerëve e të ngjashmëve me të, e herë të tjera duke u arsyetuar me gabimet e personaliteteve të mëdha.”

KOMENTI I TEKSTIT

Shejh Abdurrezāk el-Bedr thotë:

Kjo është çështja e dytë —

Vini re Subhānallāh! Autori është një reformues, edukator dhe i suksesshëm mrekullisht në formulimin e fjalëve dhe renditjen e mendimeve.

Pasi parashtroi fillimisht se të gjitha çështjet ndërlidhen drejtpërdrejt me shkaqet e tyre, duke thënë se dëshmitë për këtë në Kuran janë më shumë se njëmijë. Pasi e nguliti mirë këtë parim dhe me qartësi të plotë, ai ftoi drejt dy çështjeve kryesore përmes të cilave realizohet lumturia e që mbështeten mbi atë që u tha më lart:

E para: Të njohësh shkaqet që çojnë drejt lumturisë për t’i zbatuar ato, si dhe shkaqet që çojnë në shkatërrim për t’u ruajtur prej tyre. Këtë duhet ta bëjë duke dhënë maksimumin e përpjekjes për njohjen e këtyre shkaqeve, ku mbështetja më e madhe është përkushtimi ndaj Kuranit dhe Sunetit, pasi në to gjendet udhëzimi i mjaftueshëm: “A nuk u mjaftoi atyre që Ne ta zbritëm ty Librin që u lexohet atyre?!” (Kuran, 29:51).

Sepse në Kuran dhe në Sunet gjendet mjaftueshmëri e plotë për të nxjerrë mësime dhe këshilla, si dhe për t’u ushqyer me ato udhëzime madhore që të çojnë drejt shpëtimit— që njeriu t’i veprojë —, apo që të paralajmërojnë prej dënimit — në mënyrë që t’u shmanget e t’i braktisë.

Më pas, autori (Allahu e mëshiroftë!) ndalet te rreziku që njeriu të bjerë pre e vetëmashtrimit (mugālata).

Sepse, Subhānallāh! Njeriu mund t’i dijë mirë këto parime, madje mund të ketë njohuri tepër të detajuara mbi pasojat dhe ndëshkimet e mëkateve. E megjithatë, edhe pse i di e i ka lexuar me sytë e vet, e gjen veten — çfarë?! Po, o vëllezër — të zhytur pikërisht në ato gabime!

Për këtë, një mik i nderuar më tregonte këtë ngjarje:

“Po lëviznim me autobus në një vend të huaj dhe po diskutonim me një udhëtar — me qëllim që të dëgjonte e të merrte vesh një burrë i dehur që e kishim përballë. Nisa të flisja për ndalimin e alkoolit dhe se si erdhi ai shkallë-shkallë derisa u ndalua. Bashkë me ne ishte edhe një shok tjetër. Por gjatë fjalës m’u ngatërrua citimi i ajeteve. Ndërkohë, vetë i dehuri kthehet dhe më thotë: ‘Jo ashtu, ajeti është kështu!’ Dhe ma korrigjoi tekstin fjalë për fjalë! Më besoni, këtë ndodhi ma tregon personi që vetë ishte prezent duke me thënë: Vetë i dehuri ma korrigjoi ajetin me saktësi të plotē!”

Kjo tregon se njeriu herë-herë e di mirë ndëshkimin e një mëkati të caktuar, por sërish bie në të. Këtu lind një problem tjetër: nuk është më çështje mosditurie, sepse ai e di. Ndonjëherë, kur e këshillon një mëkatar, ai të thotë: “Për Allahun, e di që kjo gjë ka ndëshkim, por lutuni për mua që Allahu të më shpëtojë!”

Ai, pra, ka nevojë për diçka tjetër përveç dijes teorike: të ruhet nga mashtrimi që i bën shpirti i tij.

Si ndodh ky vetëmashtrim? Njeriu e di se kjo vepër e çon në ndëshkim, por shpirti i tij, duke dashur ta kryejë atë vepër të shëmtuar, i pëshpërit: “Mëshira e Allahut është e gjerë!” Kësisoj, shpirti e nxit të qëndrojë në atë mëkat duke u mbështetur në çfarë? Te mëshira e Allahut.

Robi e di se mëkati e pakujdesia e dëmtojnë në këtë botë e në Ahiret, por shpirti e gënjen ndonjëherë me iluzionin e faljes dhe mëshirës hyjnore, duke i thënë: Zoti yt i fal gabimet, prandaj ai vazhdon i patundur në rrugën e gabuar.

Ose vetja e tij e mashtron (gënjen) duke e shtyrë pendimin (Tesvīf)

Domethënë, kur i kërkohet apo kur shpirti i tij e nxit të lërë një mëkat, ai i thotë vetes: “Ke kohë ende, vazhdo edhe për pak!”

Subhānallāh! Disa të rinj kanë një koncept të mbrapshtë lidhur me këtë çështje; ata thonë: “Shfrytëzoje rininë tënde!” Por çfarë do të thotë në të vërtetë ta shfrytëzosh rininë?! Pejgamberi ﷺ ka thënë: «Shfrytëzo pesë gjëra para se të të vijnë pesë të tjera: rininë tënde para pleqërisë sate…» Pra shfrytëzoje rininë!

Për fat të keq, disa të rinj duan ta “shfrytëzojnë” rininë duke i shtuar mëkatet e duke u zhytur në to. Dhe kur dikush nga më të moshuarit i këshillon, i riu thotë me vete: “Ky nuk kupton gjë! Kur të arrijmë në moshën e tij, do të pendohemi!” Kështu e shtyn pendimin për më vonë kur të plaket, sepse dëshiron të shfrytëzojë rininë.

Kjo është një cytje e drejtpërdrejtë nga Shejtani. Shfrytëzimi i vërtetë i rinisë konsiston në përkushtimin maksimal ndaj veprave të mira, adhurimeve dhe afrimit te Allahu. Edhe pse Ditën e Gjykimit Allahu i Madhëruar do ta pyesë njeriun për të gjithë jetën e tij, Ai i Lartësuari do të bëjë një pyetje të veçantë e të dedikuar për etapën e rinisë, ndonëse ajo është pjesë përbërëse e jetës (ymrit):

«Nuk do të lëvizin këmbët e robit Ditën e Gjykimit pa u pyetur për katër gjëra: për jetën e tij se ku e çoi, dhe për rininë e tij se si e konsumoi…»

Kur të pyetet për jetën e tij se ku e çoi? A nuk e përfshin kjo pyetje edhe periudhën e rinisë? Po e përfshin, por duke u nisur nga rëndësia e kësaj periudhe e cila duhet shfrytëzuar për të mira, sepse është periudha e forcës, shëndetit dhe aktivitetit, në ditën e gjykimit do ketë një llogari të veçantë për të. Sepse ndonjëherë mashtrimi vjen përmes vonimit të pendimit (tesvīf). Shejtani e bën punën e tij me disa njerëz duke i mashtruar duke ua shtyrë kohën e pendimit për “nesër”, derisa hyjnë në varr duke qenë ende në këtë gjendje vonimi.

Ndonjëherë i mashtron me idenë se mjafton vetëm istigfari (kërkimfalja).

Domethënë, disa mendojnë se mjafton të shqiptosh me gjuhë fjalën Istigfār (kërkimfalje) pa pendim të sinqertë në zemër — çështje për të cilën Ibn el-Kajjimi do të sjellë shembuj konkretë.

Herë të tjera duke u mbështetur te Veprat e Pëlqyeshme (Mendūbāt)

Kjo ndodh veçanërisht kur lidhur me disa vepra të pëlqyeshme është transmetuar se ato fshijnë mëkatet. Për shembull, meqë Pejgamberi ﷺ ka thënë: «Kush thotë brenda ditës njëqind herë: ‘I lavdëruar me falënderim qoftë Allahu’ (Subhānallāhi ve bihamdihī), i fshihen mëkatet edhe nëse janë sa shkuma e detit», njeriu i thotë vetes: “Lëshoja frerët mëkatit! Bëj çfarë të duash, se mëkatet fshihen sërish edhe nëse janë sa shkuma e detit.

Por, a për këtë qëllim e ka thënë Pejgamberi ﷺ këtë hadith?!

Subhanallah! Te disa njerëz përmbyset tërësisht kuptimi i teksteve hyjnore, saqë i shndërrojnë ato nga nxitje për adhurim në nxitje për të kryer dhe për të shtuar mëkatet! Hadithi për çfarë nxit? Nxit drejt dhikrit të shumtë dhe ruajtjes së bindjes ndaj Allahut, çka sjell faljen e gabimeve; kurse zhytja në mëkate është shkak i drejtpërdrejtë për çfarë? Për dënim dhe ndëshkim. Siç e kemi sqaruar në detajet që i ka përmendur ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë).

Ndonjëherë tjetër: (Mashtrohet) Me dijen teorike: Pra ai ka dije dhe arsyetohet se ka dije, se zotëron informacion e njohuri teologjike, duke menduar se vetë posedimi i dijes e mbron nga ndëshkimi.

Herë të tjera: Mashtron veten me Caktimin Hyjnor (Kaderin): I arsyeton mëkatet e veta duke thënë se kjo i ishte caktuar nga Allahu. Por Kaderi përdoret si arsyetim për sprovat e fatkeqësitë (el-mesā’ib), e kurrsesi për gabimet e mëkatet (el-me’ā’ib). Kur njeriu goditet nga një sprovë thotë: “Çfarë ka caktuar Allahu, u bë”; kurse kur bie në mëkat thotë: “Kërkoj falje te Allahu, pendohem e i kthehem Atij.” Pra nxiton për tu penduar dhe për tu kthyer tek Allahu i Lartësuar.

Herë të tjera duke u krahasuar me të tjerët (arsyetohet se “edhe të tjerët kështu bëjnë”) ose merr si shembull shkeljet e disa personaliteteve me emër dhe justifikohet me ta.

Kjo është gjendja e shumë njerëzve: sa i përket mëkateve që kryejnë, ata veprojnë si servilë pa sovranitet moral (imme‘ah). Kthejnë sytë nga të tjerët — qofshin ata më të moshuar apo moshatarë —, shohin se si veprojnë ata dhe i ndjekin pas verbërisht, duke e përdorur këtë si arsyetim e mbështetje për veten.

Të gjitha këto janë, siç i përshkroi Ibn el-Kajjimi, vetëmashtrime të shpirtit (mugālatāt en-nefs). Njeriu e di mirë se si arrihet shpëtimi dhe e kupton se ky mëkat i caktuar të çon rjedhimisht te ai ndëshkim, por njeriu e gënjen veten me iluzione të tilla; e për këtë, autori sjell tani një sërë shembujsh konkretë:

Teksti: Shumë njerëz ushqejnë mendimin e gabuar se, çfarëdo që të bëjnë, mjafton të thonë me gojë: “Kërkoj falje nga Allahu” (Estagfirullāh), dhe kështu pasoja e mëkatit fshihet e shuhet tërësisht.

Komenti: ​Ky është një mendim shumë i përhapur, por mëkatet — e veçanërisht mëkatet e mëdha (el-kebā’ir) — kërkojnë pendim të sinqertë (teubeh). Më tutje do të shqyrtojmë edhe thënien e Pejgamberit ﷺ: «Pesë namazet e ditës, falja e xhumasë deri në xhumanë pasuese, dhe agjërimi i Ramazanit deri në Ramazanin tjetër, i shlyejnë gabimet mes tyre, me kusht që t’u shmangen mëkateve të mëdha.»

Si dhe fjalën e Allahut të Lartësuar: “Nëse u shmangeni mëkateve të mëdha që u janë ndaluar, Ne do t’ju fshijmë mëkatet tuaja të vogla…” (Kuran, 4:31) — ku me “faje” synohen gabimet e vogla — “…dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.”

Teksti: ​Ibn el-Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

​”Më tha një burrë nga ata që i dedikohen jurisprudencës (el-fik’h): ‘Unë bëj çfarë të bëj, e pastaj them njëqind herë: Subhānallāhi ve bihamdihī (I lavdëruar me falënderim qoftë Allahu), e me këtë më falen të gjitha mëkatet!'”

Komenti: Kjo, është një injorancë e thellë dhe e plotë, prej së cilës kërkojmë mbrojtje tek Allahu!

Teksti: Siç është saktësuar nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: «Kush thotë brenda ditës njëqind herë: Subhānallāhi ve bihamdihī, i fshihen gabimet edhe nëse janë sa shkuma e detit.»

Një tjetër nga banorët e Mekës më pati thënë: Kur ndonjëri nga ne bënte çfarë bënte, lahej, bënte tavāf rreth Shtëpisë së Shenjtë për një javë (shtatë rrotullime) dhe kështu çdo gjë i fshihet!'”

Komenti: Pra, në rrotullimin (tavafin) rreth Qabes shtatë herë dhe mendon se iu fshinë të gjitha mëkatet! Për këtë arsye disa mashtrohen nga iluzione të tilla, saqë jo vetëm kryejnë mëkate, por braktisin edhe obligimet e prera (farā’id) të fesë, duke menduar se po të kryejnë atë vepër, u falet gjithçka.

Teksti “Një tjetër më tha: Është saktësuar nga Pejgamberi ﷺ se ka thënë: «Një rob bëri një mëkat e tha: O Zoti im, bëra një mëkat, ndaj më fal! E Allahu ia fali mëkatin. Pastaj qëndroi sa deshi Allahu dhe bëri një mëkat tjetër, e tha: O Zoti im, bëra një mëkat, ndaj më fal! E Allahu i Madhëruar tha: Robi Im e diti se ka një Zot që i fal mëkatet e edhe dënon për to; Unë ia kam falur robit Tim, prandaj le të bëjë çfarë të dojë!»’ Burri më tha: ‘Unë nuk kam asnjë dyshim se kam një Zot që i fal mëkatet e edhe dënon për to!'”

Kjo kategori njerëzish është kapur pas teksteve të shpresës (nusūs er-rexhā’), është mbështetur në to dhe është mbërthyer pas tyre me të dyja duart. Kështu, kur këshillohen apo qortohen për gabimet dhe zhytjen në to, të numërojnë përmendësh gjithçka që dinë mbi gjerësinë e mëshirës së Allahut, faljen e Tij dhe tekstet e shpresës.

Injorantët e këtij lloji kanë sjellje e fjalë prej më të çuditshmeve në këtë temë, siç është thënia e disave prej tyre:

Bëj sa më shumë mëkate që të mundesh…

Kur te një Bujar të pret mbërritja!

Komenti. Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga kjo e keqe!)

Teksti: Si dhe thënia e tjetrit:

Lënia e mëkateve përbën injornacë ndaj gjerësisë së faljes së Allahut.»

Komenti: Kërkojmë mbrojtjen e Allahut! Domethënë, braktisja e mëkateve dhe largimi prej tyre sipas këtij koncepti na qenka mosdije ndaj faljes hyjnore! Ai pretendon se duhet shtuar numri i mëkateve e shkeljeve, dhe se kush i lë ato, paska injornacë mbi faljen e Allahut. Në të vërtetë, falja e Allahut u takon atyre që e meritojnë atë, ashtu siç ndëshkimi i Tij u takon atyre që e meritojnë ndëshkimin!

Teksti: Si dhe thënia e një tjetri:

«Lënia e mëkateve është guxim i tepruar ndaj faljes së Allahut dhe nënvlerësim i saj.»

Komenti: Mendon se falja e Allahut është e madhe, ndaj braktisja e mëkateve përbën guxim! Në fakt, guximi i shfrenuar është kryerja e mëkateve dhe jo lënia e tyre; mirëpo kjo është loja dhe tallja e Shejtanit me këta njerëz.

Teksti: Muhamed ibn Hazmi ka thënë: «Kam parë disa nga këta të mashtruar që thoshin në lutjet e tyre: ‘O Allah, kërkoj mbrojtje tek Ti nga ruajtja prej mëkatit (el-‘Ismeh)!’»

Komenti: Domethënë, kërkonte mbrojtje që të mos e ruante Allahu nga rënia në mëkate! Kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga kjo humnerë; e thoshte këtë fjalë brenda lutjes së tij!)

Teksti: ​Ibn el-Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

​”Nga këta të mashtruar ka të tillë që kapen pas çështjes së Xhebrit (fatalizmit absolut).

Komenti: (Sipas tyre, njeriu është i detyruar në veprat e veta, ndaj i arsyetojnë mëkatet me këtë ide. Për këtë arsye është thënë për ta: ‘Në mëkate janë xhebri (fatalistë), kurse në adhurime janë kaderij (vullnetarë sipas epshit)’. E ndërrojnë bindjen sipas epshit: kur kryejnë mëkat e qortohen, thonë ‘jemi të detyruar’; e kur thirren në adhurim, e braktisin atë duke thënë ‘nuk na e ka caktuar Allahu’.

E gjithë kjo ngrihet mbi prishjen e shpirtit, ndjekjen e epshit dhe lojën që Shejtani bën me ta.

Teksti: «Nga këta të mashtruar ka të tillë që kapen pas doktrinës së Xhebrit (fatalizmit absolut) — se robi nuk ka absolutisht asnjë veprim e asnjë zgjedhje të tijën, por është tërësisht i detyruar në kryerjen e mëkateve.

E nga këta ka edhe të tillë që mashtrohen me doktrinën e Irxhasë — se besimi është thjesht miratim me zemër (et-tasdīk), dhe se veprat nuk bëjnë pjesë fare në besim (Iman), dhe se besimi i mëkatarit më të madh është i barabartë me besimin e Xhibriilit dhe Mikailit.»

Komenti: Po, këtu qëndron rreziku i madh i doktrinës së Irxhasë: ai që e përqafon këtë bindje dëmtohet rëndë në sjelljen dhe në veprat e veta, ngaqë ajo e shtyn drejt një vetëmashtrimi të tillë, duke i paralizuar tërësisht veprueshmërinë, bindjen, adhurimin dhe afrimin ndaj Allahut të Lartësuar.

Teksti: Ibn el-Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) thotë:

“E nga këta [të mashtruar] ka të tillë që gënjehen me dashurinë që pretendojnë se kanë për të varfërit, për të diturit dhe për të devotshmit, si dhe me vizitat e shpeshta te varret e tyre, me lutjet e përgjërimet e drejtuara ndaj tyre, me kërkimin e ndërmjetësimit prej tyre, me përdorimin e tyre si ndërmjetës (tevessul) te Allahu, si dhe me kërkimin ndaj Allahut përmes të drejtës apo pozitës që ata kanë tek Ai.”

Komenti: Po, njeriu i tillë bie madje në forma të ndryshme të Politeizmit (Shirkut), duke menduar se në to gjendet shpëtimi, ndërkohë që ato përmbajnë shkatërrimin e sigurt.

Ajo që aludon autori këtu gjendet me bollëk te pasuesit e sekteve e të rrugëve të devijuara (et-turukijjeh).

Ti i sheh ata se sa larg qëndrojnë nga obligimet dhe detyrimet e kësaj feje ndërsa nga mënjanimi prej të ndaluarave dhe mëkateve; ata ruajnë një distancë të madhe, ndërsa kapen pas devijimeve të tilla dhe pas varësive të këtij lloji të kotë, për të cilat Allahu nuk ka zbritur asnjë argument.

Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi”.

Autor: Abdurrezak el Bedr

Përshtati: Fatjon Isufi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Dosje: , ,

Loading...