Fitimi hallall është një nga pjesët etike të jetës së besimtarit dhe një prej shkaqeve më të mëdha të bereqetit në pasuri, familje dhe jetë. Islami na urdhëron të kërkojmë furnizimin me rrugë të lejuara.
Allahu i Madhëruar thotë:
يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُلُوا مِنْ طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ وَاشْكُرُوا لِلَّهِ إِنْ كُنْتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ
“O ju që keni besuar! Hani nga të mirat me të cilat ju kemi furnizuar dhe falënderoni Allahun, nëse vetëm Atë e adhuroni”.
(El-Bekare: 172)
Po ashtu thotë:
يَاأَيُّهَا الرُّسُلُ كُلُوا مِنَ الطَّيِّبَاتِ وَاعْمَلُوا صَالِحًا إِنِّي بِمَا تَعْمَلُونَ عَلِيمٌ
“O të Dërguar! Hani nga të mirat (të lejuarat) dhe bëni vepra të mira. Vërtet, Unë di mirë gjithçka që bëni”.
(El-Mu’minun: 51)
Dhe thotë:
يَسْأَلُونَكَ مَاذَا أُحِلَّ لَهُمْ قُلْ أُحِلَّ لَكُمُ الطَّيِّبَاتُ
“Të pyesin ty (Muhammed) se çfarë u është lejuar atyre? Thuaj: U janë lejuar të gjitha ushqimet e mira …”.
(El-Maide: 4)
Allahu është i Mirë dhe pranon vetëm atë që është e mire:
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“O njerëz! Allahu është i Mirë dhe nuk pranon veçse atë që është e mirë. Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar edhe të dërguarit. Ai ka thënë:
“O të Dërguar! Hani nga të mirat dhe bëni vepra të mira. Vërtet, Unë di mirë gjithçka që bëni”.
Dhe ka thënë:
“O ju që keni besuar! Hani nga të mirat me të cilat ju kemi furnizuar”. Pastaj përmendi një njeri që udhëton gjatë, i shpupuritur dhe i mbuluar me pluhur, i cili ngre duart drejt qiellit duke thënë: O Zoti im! O Zoti im!, ndërkohë që ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram dhe është ushqyer me haram. Si mund t’i pranohet lutja një njeriu të tillë?”
(E transmeton Muslimi, nr: 1015.)
Dijetari Ibn Rexheb el Hanbeli ka thënë:
“Ky hadith tregon se Allahu nuk e pranon dhe nuk e begaton veprën, përveçse kur njeriu ushqehet me hallall. Ushqimi haram i prish veprat dhe pengon pranimin e tyre. Kjo sepse Profeti ﷺ tha: ‘Allahu nuk pranon veçse atë që është e mirë.’ Kjo lidhet edhe me fjalën e Allahut:
“Allahu pranon vetëm prej të devotshmëve”. (El-Maide: 27)
Pikërisht për këtë arsye, selefët kishin frikë të madhe nga kjo ajet, duke u druajtur se mos nuk ishin prej atyre të devotshmëve, veprat e të cilëve pranohen”.
(Xhamiu el-Ulum ue el-Hikem, 1/260, 262).
Robi do të pyetet në Ditën e Kiametit për pasurinë e tij: prej nga e fitoi?
Nga Ebu Berze el-Eslemi (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Nuk do të lëvizin këmbët e robit në Ditën e Kiametit derisa të pyetet për katër gjëra: për jetën e tij, se si e kaloi; për dijen e tij, se çfarë veproi me të; për pasurinë e tij, prej nga e fitoi dhe ku e shpenzoi; si dhe për trupin e tij, se ku e konsumoi”.
(E transmeton Tirmidhiu, nr: 2417, dhe ka thënë: “Ky është hadith hasen sahih”.)
Nga Mikdami (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Askush nuk ka ngrënë ndonjëherë ushqim më të mirë sesa ai që e ka fituar me punën e duarve të veta. Edhe i Dërguari i Allahut, Davudi (paqja qoftë mbi të), ushqehej nga puna e duarve të veta.”
(E transmeton Buhariu, nr: 2072.)
Kujdesi i selefëve për fitimin hallall
Ibrahim ibn Ed’hemi ka thënë:
“Pastroje ushqimin tënd (sigurohu që të jetë hallall), e pastaj nuk ka rëndësi nëse nuk ngrihesh natën për namaz dhe nuk agjëron ditën.”
(El-Xhu‘u Ibn Ebi Dunja, nr: 246.)
Një burrë i tha Isait, birit të Merjemes (paqja qoftë mbi të): Më këshillo!
Ai tha:
“Shikoje bukën tënde, prej nga vjen.”
(El-Xhu‘u Ibn Ebi Dunja, nr: 124.)
Abdulaziz ibn Ebi Reuad ka thënë:
“Shikoni mirë se prej nga vjen buka që hyn në barkun tuaj.”
(El-Xhu‘u Ibn Ebi Dunja, nr: 247.)
Fitimi hallall është prej shenjave të njerëzve të mire:
Nga Amr ibn el-Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“O Amr! Sa i mirë është pasuria e mirë në duart e njeriut të mirë.”
(Hadith sahih. E transmetojnë Ahmedi, Buhariu në El-Edebul Mufred, Ibn Hibbani dhe Hakimi.)
Lakmia për pasuri mund ta shkatërrojë fenë:
Nga Ka’b ibn Maliku el-Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Dy ujq të uritur, të lëshuar në një kope delesh, nuk i bëjnë asaj më shumë dëm sesa dëm mund t’i lakmia e njeriut për pasuri dhe famë i bën fesë së tij”.
(Hadith sahih. E transmetojnë Tirmidhiu, nr: 2376, Nesaiu në Es-Sunen el-Kubra, Ahmedi, Ibn Hibbani; ndërsa nga Ebu Hurejra transmetohet një hadith me të njëjtin kuptim tek Ebu Ja’la dhe të tjerë.)
Allahu i Madhëruar thotë:
هُوَ الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ ذَلُولًا فَامْشُوا فِي مَنَاكِبِهَا وَكُلُوا مِنْ رِزْقِهِ وَإِلَيْهِ النُّشُورُ
“Ai është që jua bëri tokën të nënshtruar; andaj ecni nëpër viset e saj dhe hani nga furnizimi i Tij. Dhe tek Ai do të jetë ringjallja”.
(El-Mulk: 15)
Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të), transmetohet se Profeti ﷺ ka thënë:
“Do të vijë një kohë kur njeriu nuk do t’ia dijë fare se prej nga e fiton pasurinë: a është hallall apo haram”.
(E transmeton Buhariu, nr: 2083.)
Devotshmëria e selefëve ndaj burimit të pasurisë:
Hasan el-Basriu ka thënë:
“Një grua prej grave të selefëve i thoshte burrit të saj: ‘O filan! Kije frikë Allahun dhe mos na ushqe veçse me hallall. Nëse na sjell pak, ne do ta bëjmë të mjaftueshme; e nëse nuk na sjell asgjë, do të të ndihmojmë me boshtin tonë të tjerrjes”.
(Kitab el-Muxhalese ue Xheuahir el-Ilm.)
Huzejme Ebu Muhamed ka thënë:
“Bijat e një burri i thanë babait të tyre: ‘O babai ynë! Mos na ushqe veçse me hallall, sepse durimi ndaj urisë është më i lehtë se durimi ndaj zjarrit”.
(Sifetu es-Safue.)
Në hadithin e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të), i transmetuar nga Profeti ﷺ, thuhet:
“Thuaj: ‘O Allah! Më mjafto me hallallin Tënd, që të mos kem nevojë për haramin, dhe më pasuro me mirësinë Tënde, që të mos kem nevojë për askënd tjetër përveç Teje.'”
(E transmeton Tirmidhiu; Shejh Albani e ka vlerësuar hadithin si hasen.)
Dhe sëfundi themi:
“Zoti ynë! Na jep të mira në këtë botë dhe të mira në botën tjetër, dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit”.
Përgatiti: Dr. Behar Hyseni
Dosje: #Rrizku #Hallall
Të Ngjashme
- Shpjegimi i librit “Mburoja e Muslimanit” – 5 – Udha e Besimtarëve
- Përmendja e shpeshtë e Allahut Dr. Fatmir Strumi
- Krenaria që të shkatërron pa e kuptuar Dr. Fatmir Strumi
- Shkaqet e dobishme për një jetë të lumtur Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi
- Komenti i librit “Sëmundja dhe ilaçi” – 12 – Udha e Besimtarëve