Paralajmërimi nga ndjekja e të metave të njerëzve dhe cënimi i privatësisë së tyre

July 20, 2026

Falënderimi i takon Allahut, i Cili ua ka bërë të shenjta muslimanëve nderin dhe të drejtat e tyre, ka urdhëruar ruajtjen e dinjitetit dhe privatësisë së tyre, d he ka ndaluar spiunimin, ndjekjen e të metave dhe zbulimin e sekreteve. Nga përsosmëria e kësaj feje është se ajo ua ka garantuar njerëzve privatësinë e tyre; prandaj e ka ndaluar vëzhgimin e mangësive të tyre, fotografimin fshehurazi pa lejen e tyre, ndjekjen e lajmeve dhe çështjeve private të tyre, si dhe çdo gjë që ata nuk dëshirojnë që të tjerët ta marrin vesh. Këto janë sjellje të ulëta që shkatërrojnë besimin midis tyre, dhe këpusin lidhjet e vëllazërisë mes muslimanëve.

Allahu i Madhëruar thotë:

يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيرًا مِنَ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ وَلَا تَجَسَّسُوا

“O ju që besuat! Largohuni prej shumë dyshimeve, sepse disa dyshime janë gjynah. Dhe mos spiunoni njëri-tjetrin…”. (El-Huxhurat: 12)

Ebu Berze el-Eslemij (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“O ju që keni besuar vetëm me gjuhët tuaja, ndërsa besimi ende nuk ka hyrë në zemrat tuaja! Mos i përgojoni muslimanët dhe mos i ndiqni të metat e tyre. Kush i ndjek të metat e muslimanëve, Allahu do t’ia ndjekë të metat atij, e kujt Allahu ia ndjek të metat, do ta turpërojë edhe brenda shtëpisë së tij”.

(Hadith sahih. E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, dhe e ka saktësuar Shejh Albani.)

Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se i Dërguari i Allahut ﷺ u ngjit në minber dhe tha me zë të lartë:

“O ju që e keni pranuar Islamin me gjuhët tuaja, ndërsa besimi ende nuk ka depërtuar në zemrat tuaja! Mos i lëndoni muslimanët, mos i poshtëroni dhe mos i ndiqni të metat e tyre. Kush ndjek të metën e vëllait të tij musliman, Allahu do t’ia ndjekë të metën atij, e kujt Allahu ia ndjek të metën, do ta turpërojë edhe sikur të jetë në brendësi të shtëpisë së tij”.

(E transmeton Tirmidhiu, dhe Ibn Hibani.)

Theubani (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se Profeti ﷺ ka thënë:

“Mos i lëndoni robërit e Allahut, mos i poshtëroni dhe mos kërkoni të metat e tyre. Kush kërkon të metën e vëllait të tij musliman, Allahu do t’ia kërkojë të metën atij derisa ta turpërojë në shtëpinë e tij”.

(E transmeton Ahmedi me zinxhir të mirë.)

Ndalimi i spiunimit ndaj muslimanit:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se Profeti ﷺ ka thënë:

Ruajuni nga dyshimet, sepse dyshimi është fjala më e rreme. Mos spiunoni njëri-tjetrin, mos kërkoni fshehtësitë e njëri-tjetrit, mos urreni njëri-tjetrin dhe bëhuni vëllezër”.

(E transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Gjithashtu Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

Sikur dikush të të shikonte brenda shtëpisë pa lejen tënde dhe ti ta godisje me një guralec duke ia nxjerrë syrin, nuk do të kishe asnjë gjynah”.

(E transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Ky hadith tregon madhështinë e shenjtërisë së privatësisë në Islam dhe se askush nuk ka të drejtë të cenojë jetën private të tjetrit apo të hyjë në të pa leje.

Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se Profeti ﷺ ka thënë:

“…Kush përgjon bisedën e një populli ndërkohë që ata e urrejnë këtë ose largohen prej tij, në Ditën e Kiametit do t’i hidhet El-Ānuk (plumb i shkrirë) në veshët e tij…”

(E transmeton Buhariu.)

Zejd ibn Vehbi përcjellë se Ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të) i thanë:

Filani e ka mjekrën që i pikon verë. Abdullah ibn Mesudi u përgjigj:

Ne jemi ndaluar nga spiunimi. Por nëse na shfaqet haptazi diçka, atëherë veprojmë sipas saj”.

(E transmeton Ebu Daudi.)

Nga burrëria është të mbyllësh sytë ndaj gabimeve të njerëzve:

Ibn Kajjimi ka thënë:

“Nga burrëria është të shpërfillësh gabimet e njerëzve dhe t’u japësh atyre ndjesinë se nuk di asnjë të metë të tyre”.

(Medarixh es-Salikin, 2/335.)

Mbulimi i të metave të muslimanit:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“…Kush ia mbulon një muslimani të metën, Allahu do t’ia mbulojë atij të metat në këtë botë dhe në botën tjetër”.

(E transmeton Muslimi.)

Ky hadith, sipas kuptimit të tij, tregon qortimin e atij që zbulon dhe ndjek të metat e njerëzve.

Njerëzit gjykohen sipas asaj që shfaqin, ndërsa fshehtësitë e tyre i takojnë Allahut:

Ebu Seid el-Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të) përcjellë se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Unë nuk jam urdhëruar të hap zemrat e njerëzve dhe as t’u çaj barkun”.

(E transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Pra, gjykimi bëhet sipas asaj që shfaqet, ndërsa atë që fshehin zemrat e di vetëm Allahu.

Omeri ibn el-Hattabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë:

“Në kohën e të Dërguarit të Allahut ﷺ njerëzit gjykoheshin sipas shpalljes. Mirëpo shpallja ka përfunduar, prandaj ne sot ju gjykojmë sipas asaj që na shfaqni nga veprat tuaja. Kush na shfaq mirësi, ne i besojmë dhe e afrojmë, ndërsa nuk na takon neve të gjykojmë fshehtësinë e tij; Allahu do ta marrë në llogari për të. Ndërsa kush na shfaq të keqe, nuk i besojmë dhe nuk e konsiderojmë të besueshëm, edhe nëse thotë se brendësia e tij është e mirë”.

(E transmeton Buhariu.)

Bekr ibn Abdullah el-Muzeni ka thënë:

“Kur ta shihni një njeri të dhënë pas të metave të njerëzve, ndërsa i harron të metat e veta, dijeni se ai është sprovuar dhe mashtruar”.

(Es-Samt, i Ibn Ebi Dunjas.)

Imam Maliku ka thënë:

“Në Medinë kishim njerëz që nuk kishin të meta. Kur filluan të flisnin për të metat e njerëzve, u shfaqën edhe të metat e tyre. Po ashtu kishim njerëz që kishin të meta, por heshtën për të metat e të tjerëve, dhe kështu të metat e tyre u harruan”.

(Husnu et-Tenebbuh lima Uerede fi et-Teshebuh.)

Ibrahim en-Nehaiu ka thënë:

“Shpesh shoh një gjë që e urrej, por nuk flas për të, nga frika se mos sprovohem me të njëjtën gjë”.

(Ez-Zuhd i Vekiut dhe Esh-Shu’ab i Bejhekiut.)

Hasan el-Basriu ka thënë:

“O bir i Ademit! Ti e sheh ciflën në syrin e vëllait tënd, ndërsa lë trungun e madh të ngulur në syrin tënd”.

(Ez-Zuhd i Ibn Mubarekut dhe Ahmedit, si dhe Musannef i Ibn Ebi Shejbes.)

Përgatiti: Dr. Behar Hyseni

Dosje: ,

Loading...