Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm? Shkaku i pestë

Cilat janë shkaqet që e ndihmojnë njeriun të jetë më i durueshëm kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë njerëzit? – Shkaku i pestë

Dijetari i mirënjohur, shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) ka përmbledhur një sërë shkaqesh, të cilat nëse muslimani i zbaton, do ta ketë më të lehtë që të jetë i durueshëm kundrejt shqetësimeve apo dëmtimeve që me dashje apo pa dashje i shkaktojnë njerëzit.

Ndër ato shkaqe, përmendim:

Shkaku i pestë

Ndër motivet më të efektshme që e ndihmojnë njeriun të jetë i durueshëm kundrejt shqetësimeve dhe dëmeve që i shkaktojnë të tjerët, është që të sjellë ndërmend faktin se ‘Shpërblimi është në varësi të veprës’.

Të mos harroj njeriu se edhe ai vet është mëkatar dhe gabimtar, e nëse ai ua fal njerëzve gabimin, ka për të qenë më i denjë që të meritojë faljen dhe mëshirën e Mëkatfalësit të Gjithëmëshirshëm, Allahut të Madhëruar.

Nëse njeriu tregohet i mëshirshëm me të tjerët dhe ua fal gabimin, edhe Allahu i Madhëruar do të jetë i mëshirshëm me të dhe do t’ia falë gabimet dhe mëkatet. Allahu i Madhëruar thotë:

هَلْ جَزَاءُ الْإِحْسَانِ إِلَّا الْإِحْسَانُ

“A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diçka tjetër, përveç të mirës?!” Err Rrahman, 60.

Kështu pra, sa herë që vetja jote të nxit për t’iu hakërryer ndokujt që ka gabuar kundrejt teje, sill ndërmend faktin se edhe t’i je gjynahqar.

Fali njerëzit, mëshiroji ata që të meritosh faljen dhe mëshirën e Allahut!

Cilido që sjell ndërmend këtë fakt, e ka shumë më të lehtë të tregohet i durueshëm dhe falës me ata që kanë gabuar kundrejt tij, e sikur njeriu i logjikshëm të sillte ndërmend vetëm këtë fakt, do t’i mjaftonte.

vijon…

Shkaqet që e bëjnë njeriun të jetë i durueshëm
kundrejt shqetësimeve që i shkaktojnë të tjerët

Tekijudin Ahmed Ibën Tejmije
661 – 728 h

Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond AJDINI