Parathënia e librit el akide et Tahauije – mësimi i tretë (2)

February 27, 2021

Mësimi i tretë: Parathënia e librit El-Akide Et-Tahauije.

(pjesa e dytë)

Në parathënien e librit El-Akide Et-Tahauije shënohet:

***

“Kjo (përmbledhje) është sqarim i besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit sipas medhhebit të fukahave të umetit: Ebu Hanife En-Numan bin Thabit El-Kufij, Ebu Jusuf Jakub bin Ibrahim El-Ensarij dhe Ebu Abdullah Muhamed bin El-Hasen Esh-Shejbanij -Allahu qoftë i kënaqur me ta. Sqarim i asaj çfarë besonin për baza të fesë dhe me çfarë ata i bindeshin Zotit të botëve”

***

Imam Ebu Xhafer Et-Tahauij – Allahu e mëshiroftë – nëpërmjet kësaj parathënie tregon se çfarë Akideje do të sqarojë në përmbledhjen e tij. Ai thekson se do të sqarojë Akiden e një grupi të veçantë mes myslimanëve, duke i cilësuar ata me dy cilësi: Ehli Suneti dhe Xhemati, që do të thotë Pasuesit e sunetit, rrugës profetike dhe ruajtësit e xhematit.

Këto dy cilësi vihen në dukje shpesh herë nga dijetarët e mëdhenj të umetit, sepse Profeti – alejhi selam – ka njoftuar për një dukuri që ka ndodhur në çdo umet të mëparshëm dhe që do të ndodhë edhe në këtë umet, kur ka thënë: “Janë përçarë hebrenjtë në shtatëdhjetë e një grupe, janë përçarë të krishterët në shtatëdhjetë e dy grupe, dhe do të përçahet umeti im në shtatëdhjetë e tre grupe. Që të gjithë janë në zjarr përveç njërit, dhe ata janë xhemati (dmth: ata që ruajnë xhematin)”. E transmeton Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe, dhe e saktëson shejh Albani.

Ndërsa në një transmetim tjetër ka thënë: “Janë ata që do të jenë sipas rrugës time dhe të shokëve të mi”. E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.

Ky hadith përmban disa domethënie shumë të nevojshme për të kuptuar se pse autori zgjedh të na sqarojë besimin e këtij grupi.

E para: Përçarja është dukuri e përhershme në të cilën do të përfshihet edhe ky umet, përderisa ajo është shfaqur në çdo umet të kaluar. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

وَلَا يَزَالُونَ مُخْتَلِفِينَ * إِلَّا مَنْ رَحِمَ رَبُّكَ

(Njerëzit) Do të vazhdojnë në përçarje me përjashtim të atyre që i ka mëshiruar Zoti yt.” Suretu Hud: 118-119. Përçarja do të jetë jo vetëm në fe të ndryshme, por edhe brenda një feje në sekte të ndryshme bazuar në domethënien e këtij hadithi.

E dyta: Ky umet ka pjesën më të madhe në këtë përçarje sepse ai do të shtojë një grup mbi të tjerët, dallim i cili duhet të ketë ardhur për faktin se thirrja e Muhamedit – alejhi selam – në dallim nga thirrjet e profetëve të tjerë përmban mesazh drejtuar të gjithë njerëzve. Kështu, ky umet do të ketë përhapje më të gjerë se përhapja e umeteve të tjera, dhe sa më shumë të shtohet përhapja aq më e mundshme bëhet përçarja. Kjo ngase njerëzit mbartin me vete bindje dhe ide të ndryshme të vendeve ku ata jetojnë. Allahu e di më së miri!

E treta: Përçarja është dukuri e rrezikshme, sepse prej saj rezulton se vetëm një grup do të jetë i shpëtuar.

E katërta: Shkaku i shpëtimit të grupit të shpëtuar është ruajtja e së vërtetës së ardhur nëpërmjet profetit – alejhi selam -, sepse fjala e tij: “Janë ata që do të jenë sipas rrugës time dhe të shokëve të mi” do të thotë se kërkohet përputhje e besimit të njerëzve me besimin e profetit të tyre, dhe shembulli më i mirë i kësaj përputhjeje janë sahabët – radiallahu anhum.

E pesta: Përçarja nuk është dukuri e brezit të parë, brezit të sahabëve, sepse Profeti – alejhi selam – e ka bashkuar shembullin e besimit të tyre me besimin e tij.

E gjashta: Pas besimit të së vërtetës dhe përputhjes së bindjeve me Profetin – alejhi selam – kërkohet bashkim rreth saj dhe përkrahje, sepse fjala xhemat do të thotë bashkim dhe përkrahje.

E shtata: Përçarje shkaktojnë ata që largohen nga mësimet profetike dhe nuk e ruajnë shembullin e të parëve të këtij umeti, përderisa të shpëtuarit janë ata që kapen pas tyre dhe e ruajnë atë.

E teta: Profeti – alejhi selam – i vë në dijeni pasuesit e kësaj feje se ka për të pasur shumë grupe që thërrasin në besim të devijuar, me qëllim që ne të jemi të kujdesshëm dhe të ruhemi prej tyre. Pra jo se shumica e umetit do të jetë me grupet e humbura, sepse ai vetë ka njoftuar se ky umet është i mëshiruar kur ka thënë: “Umeti im është umet i mëshiruar.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani. Apo fjala e tij: “Shpresoj prej Allahut të jeni gjysma e Xhenetit.” E transmeton  Buhariu dhe Muslimi.

Pikërisht këto domethënie e kanë shtyrë këtë dijetar si shumë të tjerë para dhe pas tij, të përmbledhin besimin me të cilin është lidhur suksesi në dynja dhe shpëtimi në Ahiret, me qëllim që njerëzit të njihen me të duke anashkaluar çdo besim tjetër apo devijim që ata janë indiferentë ndaj tij.

Pastaj autori tregon se kush janë mbartësit e kësaj Akideje dhe thotë: “…sipas medhhebit të fukahave të umetit.”

Fjala “Medhheb” e përmendur në këtë parathënie është term fetar me të cilin cilësohen: mendimet, opinionet dhe idetë fetare në një fushë të caktuar.

Ai këtu ka për qëllim mendimet e dijetarëve në lidhje me përmbajtjen e asaj që e quajti pak më lart “Akidja e Ehli Sunetit dhe Xhematit”.

Pastaj ai përmend një term tjetër, termin “Fukaha” me të cilin cilësohen dijetarët e fesë, dhe që do të thotë: Ata të cilët mësojnë detajet e saj dhe i kuptojnë mirë ato. Për këta njerëz ka ardhur porosia në Kuran për t’u kthyer tek ata që të përfitohet prej dijes së tyre kur thuhet:

وَلَوْ رَدُّوهُ إِلَى الرَّسُولِ وَإِلَى أُولِي الْأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنْبِطُونَهُ مِنْهُمْ

Sikur ata t’a kthenin çështjen te Profeti dhe te prijësit prej tyre, do t’a mësonin mirë atë për çfarë interesoheshin.”  Suretu En-Nisa: 83.

Fjala e tij [prijësit prej tyre] përfshin drejtuesit dhe dijetarët, siç thotë Ibn El-Kajim – Allahu e mëshiroftë: “Dijetarët dhe drejtuesit janë prijësit në fenë me të cilën Allahu ka dërguar profetin e Tij. Dijetarët janë përgjegjësit e Tij për t’a mësuar, qartësuar dhe mbrojtur atë, ndërsa drejtuesit janë përgjegjësit e Tij për zbatimin, kujdesin, shtyrjen e njerëzve për t’u kapur pas saj dhe ndëshkimin e atyre që e shkelin atë.” Shih Er-Risale Et-Tebukije: 46.

Pra, autori në këtë përmbledhje do të sjellë besimin dhe bindjet e atyre që e njohin mirë këtë fe dhe arrijnë të bëjnë dallimin se ku ka përputhje apo kundërshtim me besimin e Profetit – alejhi selam – dhe të shokëve të tij, dhe që jemi urdhëruar në Kuran të kthehemi tek ata.

Së fundmi, ai përmend termin “Milet” me të cilin emërtohet feja e përcjellë nga profeti Muhamed – alejhi selam – dhe synon dallimin e tij nga të tjerët.

Ky term është përmendur shumë në Kuran në lidhje me Ibrahimin – alejhi selam – dhe bijtë e tij, sepse ata u dalluan në kohën e tyre me fenë e drejtë mes gjithë njerëzve të asaj kohe.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

قُلْ صَدَقَ اللَّهُ فَاتَّبِعُوا مِلَّةَ إِبْرَاهِيمَ حَنِيفًا وَمَا كَانَ مِنَ الْمُشْرِكِينَ

“Thuaj: Të vërtetën ka thënë Allahu. Ndiqni miletin e drejtë të Ibrahimit (fenë e tij të drejtë), dhe ai nuk ishte prej idhujtarëve.” Suretu Ali Imran: 95.

Dhe kur përmend Jusufin – alejhi selam – i cili gjithashtu ka jetuar mes popullit idhujtar të Egjiptit të hershëm, tregon se ka thënë:

إِنِّي تَرَكْتُ مِلَّةَ قَوْمٍ لَا يُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ وَهُمْ بِالْآخِرَةِ هُمْ كَافِرُونَ * وَاتَّبَعْتُ مِلَّةَ آبَائِي إِبْرَاهِيمَ وَإِسْحَاقَ وَيَعْقُوبَ

“Unë lashë miletin e një populli që nuk besonte në Allahun dhe në botën tjetër dhe ndoqa miletin e baballarëve të mi; Ibrahimit, Is’hakut dhe Jakubit.” Suretu Jusuf: 37-38.

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Vijon………

Dosje:

Loading...