Kush ishte sekti famëkeq i Karamitëve?
Sot do të flasim për një ngjarje historike unike, që nuk është përsëritur as më parë dhe as më pas. Një ngjarje jashtëzakonisht e rrezikshme, ku u shfaqën njerëz që pamjen e kishin si të njerëzve, por në realitet ishin përbindësha të egër, madje djaj të vërtetë. Ata ishin Karamitët, të cilët kryen një nga skandalet më të mëdha në botën islame.
Cila ishte historia e tyre? Si u shfaqën dhe çfarë bënë në botën islame?
Në vitin 278 hixhri, pikërisht në Kufa, u shfaq një burrë me emrin Hamdan el-Karamiti. Hamdani i cili jetonte në Kufa, ishte person që meditonte dhe humbiste në mendimet e tij. Pas një kohe, ai vendosi të krijonte një lëvizje të re dhe të kishte ndjekës. Për këtë qëllim, ai krijoi një qendër të quajtur Daru’l-Hixhre (Shtëpia e Emigrimit) dhe filloi të predikonte ide dhe parime që ishin në kundërshtim me Islamin, por i paraqiti ato nën emrin e Islamit.
Në atë kohë, ekzistonte Kalifati Abbasid, dhe kalifi abbasid ishte kryesisht një figurë simbolike, pa autoritet të madh. Pas kësaj, Hamdani mblodhi një grup të madh ndjekësish rreth tij, dhe lëvizja e tij filloi të prodhonte fryte. Një nga vendimet që mori Hamdani ishte vendosja e një takse mbi të gjithë ndjekësit e tij, ku secili duhej të paguante një shumë të caktuar, qoftë mujore, ditore apo vjetore. Këto para përdoreshin për të financuar lëvizjen e tij, duke joshur kështu njerëzit dhe duke rritur numrin e ndjekësve.
Kjo lëvizje vazhdoi të rritej, derisa erdhi një burrë me emrin Ebu Seid el-Xhenabi. Ky person ishte moralisht i korruptuar dhe, nga pikëpamja etike, nuk përfaqësonte aspak një njeri të ndershëm. Ai arriti ta transformonte lëvizjen tërësisht, duke e çuar nga devijimi në një devijim edhe më të skajshëm.
Ebu Seid el-Xhenabi vendosi të krijonte një qendër për këtë lëvizje në qytetin Hixhr, në El-Ahsa, në lindje të Gadishullit Arabik.
Pas themelimit të qendrës në El-Ahsa, në lindje të Gadishullit Arabik, thirrja e Karamitëve u përhap me shpejtësinë e zjarrit në barin e thatë, dhe numri i ndjekësve të tyre u rrit ndjeshëm. Doktrinat e tyre përfshinin heqjen e detyrimeve themelore fetare si agjërimi, falja dhe ritet e tjera. Ata besonin se nuk kishte ringjallje në Ditën e Gjykimit dhe se parajsa ishte thjesht kënaqësia e jetës në këtë botë. Ndërsa për ta, vuajtja ishte përkushtimi ndaj rregullave fetare si agjërimi, falja dhe pelegrinazhi.
Nga këndvështrimi i tyre fetar, agjërimi përkufizohej si ruajtja e fshehtësisë, udhëzimi drejt sektit të tyre quhej “ringjallje”, ndërsa profeti konsiderohej një njeri i zakonshëm që ishte ndriçuar nga drita e shenjtërisë dhe kështu ishte bërë profet. Sa i përket Kur’anit, ata e shihnin atë si përkufizimin e dijes që kishte arritur tek Profeti.
Karamitët besonin në ekzistencën e dy perëndive, ku njëri ishte shkaku i ekzistencës së tjetrit. Sipas tyre, perëndia i parë e kishte krijuar botën përmes perëndisë së dytë, dhe jo drejtpërdrejt. Ata përpiqeshin të përhapnin këto ide devijuese nën emrin e dashurisë për Familjen e Profetit (Ehlu- EL Bejt).
Për këtë arsye, dijetarët islamë, veçanërisht ata të Ehli Sunetit, e përshkruan këtë sekt si një nga më heretikët, duke e konsideruar atë një grup ateist me plot meritë. Përhapja e doktrinave të tyre arriti deri te Kalifi Abbasid i asaj kohe, el-Mu’tadid, i cili vendosi të dërgonte një ushtri të madhe për ta shkatërruar këtë sekt.
Ebu Seid el-Xhenabi dëgjoi për nisjen e ushtrisë abbaside dhe mblodhi forcat e Karamitëve për t’u përballur me ta. Të dy ushtritë u përleshën në një betejë të ashpër, e cila përfundoi me fitoren e Karamitëve dhe disfatën e ushtrisë abbaside. Komandanti i ushtrisë abbaside, Ibn Omeri, dhe shumë ushtarë të tjerë u kapën rob.
Ebu Seid el-Xhenabi urdhëroi që të gjithë robërit, të cilët ishin në numër të madh, të digjeshin të gjallë. Ky urdhër u zbatua dhe të gjithë robërit u dogjën.
Një ditë, ndërsa Ebu Seid el-Xhenabi ishte në shtëpinë e tij dhe po hynte në banjë, thirri shërbëtorin e tij që ta ndiqte. Shërbëtori, i dyshimtë ndaj thirrjes së tij të pazakontë, vendosi të merrte iniciativën dhe ta vriste Ebu Seid el-Xhenabin në banjë. Ai e vrau atë, por britmat e grave të shtëpisë bënë që njerëzit të mblidheshin dhe ta vrisnin shërbëtorin.
Pas vdekjes së tij, udhëheqësia e Karamitëve i kaloi një burri edhe më të keq, Ebu Tahir el-Karamiti, i cili mori vendimin për ta bërë qytetin Hixhr, në El-Ahsa, kryeqytetin e shtetit të tij. Më pas, Ebu Tahiri filloi të organizonte sulme ndaj Hixhazit, Irakut dhe Kufës.
Sipas Ibn Haldunit, në vitin 311 sipas hixhrit, Ebu Tahir el-Karamiti sulmoi qytetin Basra. Ai arriti atje natën, kaloi muret e qytetit duke përdorur litarë, dhe sapo hyri brenda, filloi një masakër masive që zgjati 17 ditë, gjatë së cilës forcat e tij vranë shumicën e banorëve të qytetit. Kur u kthye në kryeqytetin e tij, El-Hixhr, mori me vete pasuritë, gratë dhe fëmijët nga Basra.
Në vitin 312 h., ai nisi të sulmonte karvanet e pelegrinëve që ktheheshin nga haxhi në Gadishullin Arabik, duke vrarë burrat dhe duke marrë gratë, fëmijët dhe pasuritë. Pas kësaj, ai sulmoi sërish Kufën, vrau të gjithë banorët dhe mori pasuritë për t’u kthyer në El-Hixhr.
Në vitin 317 h., Ebu Tahiri planifikoi një sulm në Mekë gjatë sezonit të haxhit. Ai priti me qëllim ardhjen e pelegrinëve dhe, kur sezoni filloi, hyri në qytet me forcat e tij, duke vrarë haxhinjtë dhe shkatërruar burimin e ujit të Zemzemit. Ai rrëzoi portën e Qabes së Shenjtë dhe nxori nga vendi Gurin e Zi. Gjatë këtij akti blasfemues, ai sfidoi hapur besimin islam duke thënë: “Ku janë zogjtë e Ebabilit? Ku janë gurët nga argjila e ngurtësuar?” Pas kësaj, ai e mori Gurin e Zi dhe portën e Qabes për t’i çuar në El-Hixhr, ku Guri i Zi qëndroi për 22 vite deri në vitin 339 h.
Ebu Tahiri vdiq në vitin 332 h., dhe pas tij pushtetin e morën tre vëllezërit e tij: Ebu el-Abbasi, Ebu el-Kasimi dhe Ebu Jakubi. Nën drejtimin e tyre, Karamitët u bënë më të dhunshëm, duke sulmuar fshatra dhe qytete islame, duke vrarë burra, duke djegur banorët dhe duke grabitur pasuritë. Njerëzit jetonin në ankth dhe terror të vazhdueshëm nga frika e sulmeve të tyre.
Në vitin 469 h., komandanti selxhuk Artek Bej udhëhoqi një ushtri të madhe drejt El-Hixhrit, qendra e shtetit të Karamitëve. Kur Karamitët mësuan për afrimin e tij, ata i dërguan një mesazh ku i ofronin një shpërblim prej 10,000 dinarësh dhe premtuan që emri i Kalifit Abbasid dhe Sulltanit Selxhuk do të përmendej në predikimet e tyre, për të fituar kohë dhe për t’u riorganizuar. Artek Bej e pranoi ofertën e tyre dhe u tërhoq përkohësisht.
Ndërkohë, Karamitët filluan të mbledhin ushqime dhe armë dhe të rigrupojnë forcat e tyre. Kur Artek Bej mësoi për mashtrimin e tyre, u kthye përsëri, pushtoi qytetin e tyre, mori plaçkat e luftës dhe kapi shumë prej liderëve të tyre. Ai dërgoi një mesazh Kalifit për të njoftuar fitoren dhe fundin e shtetit të Karamitëve, që kishte zgjatur 182 vite dhe konsiderohej si një nga regjimet më të këqija në historinë islame.
Pavarësisht se disa regjime të tjera kanë pretenduar se vepronin në emër të Islamit, asnjë prej tyre nuk e ka arritur nivelin e shthurjes dhe blasfemisë që karakterizonte Karamitët. Ata janë konsideruar një shembull ekstrem i heretikëve dhe ateistëve që operuan nën petkun e Islamit. Edhe sot, degë të doktrinave të tyre ekzistojnë dhe janë të njohura për qëndrimet dhe veprimet e tyre.
Shkroi: Auad ez Zajid
Përshtati: Fatjon Isufi