Shkelje që ndodhin para pastrimit ritual

April 30, 2025

📋 Prej shkeljeve që ndodhin para pastrimit ritual:

5. Kthimi nga kibla gjatë kryerjes së nevojës së madhe ose të vogël.

Ebu Ejub el Ensari transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush shkon për të kryer nevojën të mos kthehet përballë kibles dhe as t’i kthejë shpinën asaj, por të drejtohet kah lindja ose perëndimi.” E përcjell Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe autorët e Suneneve.

Dijetarët kanë pasur mospajtime rreth kësaj çështjeje, duke sjellë mendime të ndryshme.

Prej atyre që kanë mbajtur mendimin se ky veprim (kthimi nga kibla gjatë kryerjes së nevojës) është i ndaluar, janë Shejhul-Islam Ibën Tejmije dhe Ibën Kajimi.

Ibën Kajimi ka thënë: “Nuk ka dallim mes vendit të hapur apo ndërtesës (banesës) në këtë çështje, dhe për këtë ka më shumë se dhjetë argumente.”

Shejh Ibën Kasim ka thënë: “Ky është mendimi më i saktë në këtë çështje dhe nuk ka asnjë argument të vlefshëm për ata që bëjnë dallim.”

6. Një tjetër shkelje është mosruajtja nga papastërtia e urinës, për të cilën ka një paralajmërim shumë të ashpër.

E si të mos jetë ashtu kur Profeti ﷺ e ka konsideruar atë një nga mëkatet e mëdha?!

Buhariu transmeton në Sahihun e tij nga Abdullah bin Abasi se:

“I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një muri nga muret e Medines dhe dëgjoi zërat e dy personave që po ndëshkoheshin në varret e tyre.

Profeti ﷺ tha: Ata po ndëshkohen dhe nuk po ndëshkohen për diçka të madhe (sipas mendimit të tyre). Pastaj tha: Sigurisht, njëri prej tyre nuk ruhej nga papastërtia e urinës, ndërsa tjetri përhapte thashetheme.

Pastaj kërkoi një degë hurme, e ndau atë në dy pjesë dhe vendosi një pjesë mbi çdo varr.

I thanë: O i Dërguar i Allahut! Pse e bëre këtë? Tha: Ndoshta do të lehtësohet dënimi për ta përderisa këto degë të mos thahen.”

7. Një tjetër shkelje e cila lidhet me atë të mëparshmen, është se disa njerëz kur kryejnë nevojën personale nuk mbulojnë siç duhet pjesët e turpshme të trupit, por mjaftohen ose përqendrohen vetëm në mbulimin e pjesës së përparme dhe të pasme duke neglizhuar pjesët e tjera. Kjo bie ndesh me atë që ka ardhur nga Profeti ﷺ ku ka urdhëruar për mbulimin e kofshës, duke e konsideruar atë pjesë të turpshme (auret).

Imam Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Ibn Hibani dhe Hakimi kanë transmetuar me zinxhir të saktë se: “Profeti ﷺ kaloi pranë një personi të quajtur Xhurhedh dhe i tha: O Xhurhedh, mbuloje kofshën tënde sepse kofshët janë pjesë e turpshme (auret).”

Gjithashtu Hakimi në librin e tij “Mustedrek” transmeton fjalën e Profetit ﷺ: “Ajo që është mes kërthizës dhe gjurit është pjesë e turpshme.”

[Kjo transmetohet me zinxhir të mirë (hasen).]

8. Rasti kur disa njerëz i zë koha e namazit ndërsa ndiejnë presion të madh për të kryer nevojën e vogël ose të madhe, e megjithatë e mundojnë veten për ta falur namazin në atë gjendje pa e ditur se me këtë veprim ia vështirësojnë vetes dhe kundërshtojnë fjalën e Profetit Muhamed që thotë: “Nuk ka namaz në praninë e ushqimit (kur njeriu është i uritur dhe ushqimi është para tij), dhe as atëherë kur e shtyn nevoja për të urinuar apo defekuar.”

E përcjell Muslimi nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të.

Shejhul-Islam Ibën Tejmije është pyetur: Çfarë është më e mirë për atë që ka nevojë të urinojë; të falet me abdesin që ka ndërsa ndien nevojë për të urinuar, apo ta prishë abdesin (të kryejë nevojën) dhe më pas të marrë tejemum për shkak të mungesës së ujit?

Ai është përgjigjur: Namazi i tij me tejemum pa ndier presionin për urinim është më i mirë sesa falja me abdes ndërkohë që ndien presionin për të kryer nevojën, sepse një namaz i tillë është i papëlqyer dhe i ndaluar. Sa i përket vlefshmërisë së tij ka dy mendime tek dijetarët. Ndërsa namazi me tejemum është i vlefshëm dhe nuk është i urryer sipas dakortësisë së dijetarëve. Allahu e di më së miri!

9. Prej shkeljeve gjithashtu është padituria e shumë njerëzve të cilët kur zgjohen nga gjumi fillojnë menjëherë të marrin abdes pa i larë duart më parë, ose fusin duart në enën e abdesit pa i pastruar ato më parë ndërkohë që është urdhëruar larja e duarve para se të futen në enë. Nga Ebu Hurejra transmetohet se Profeti ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush zgjohet nga gjumi, le të mos e fusë dorën në enë pa e larë atë tri herë, sepse nuk e di se ku e ka pasur dorën gjatë natës.”

E përcjell Maliku, Shafiu, Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe autorët e suneneve.

Shkroi: Dr. Abdul Aziz es Sed’han

Dosje:

Loading...