Njihu me dijetarët e mëdhenj (Esh-Shenkiti)

May 6, 2025

Shejh Muhamed el Emin esh-Shenkiti ishte si një det që shpërthente me diturinë e tij.

Shejhut Muhamed el Emin esh-Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, para ligjëratës që e mbante në xhaminë e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i lexohej nga disa libra. Por kur ai fillonte të fliste ishte si një det që shpërthen. Kam vite që jam marrë me këtë, kam ndjekur tefsirin e tij dhe e kam krahasuar me burimet dhe librat që i lexoheshin para ligjëratës. Nuk ka krahasim mes asaj që ai përmendte në tefsir dhe atyre burimeve, nuk ka krahasim.

Kur ai kalonte në një çështje apo në një fjalë si p.sh. fjala “errësirë”, ai sillte të gjitha kuptimet e saj dhe dëshmitë gjuhësore për këtë, përfshirë poezi arabe. Edhe kur fliste për një shkronjë prej shkronjave që kanë kuptime të ndryshme, ai përmendte të gjitha kuptimet e saj dhe sillte nga një dëshmi poetike për secilin kuptim.

Kur kalonte në çështje historike, ose të lidhura me jetën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ose me profetët e mëparshëm (paqja qoftë mbi ta), ai përmendte gjëra të mrekullueshme. Studimi i librave historikë për t’i dokumentuar këto ishte lodhës. Madje gjeta shumë dëshmi që ai i përmendte e që nuk i gjeta në asnjë libër, as në enciklopeditë që dolën më vonë e as në CD-të që përmbanin poezi klasike, përkundër ndjekjes së gjatë.

Madje udhëtova për këtë në Mauritani për të pyetur dijetarët atje, por nuk gjeta diçka të ngjashme. Ai sillte dëshmi të rralla. Gjithçka që arrita të dëgjoj nga disa dijetarë ishte: “Këtë e ka përmendur dikush.” Ai përmendte vargje të njohura nga poetë të njohur, dhe pastaj shtonte vargje të tjera që nuk ishin pjesë e poemës. Ato i kishte marrë nga mësuesit e tij apo përmes dëgjimit të drejtpërdrejtë.

Kur fliste dukej sikur të gjitha dituritë ishin vendosur para syve të tij ku merrte çfarë donte dhe linte çfarë donte. Kur foli për ajetin në suren El A’raf: “Ç’të pengoi që nuk u përule kur të urdhërova?” Dhe Iblisi tha: “Unë jam më i mirë se ai, më krijove nga zjarri dhe atë nga balta.” Ai e hodhi poshtë krahasimin e gabuar të Iblisit nga shumë këndvështrime.

Pastaj filloi të fliste për analogjinë (kijasin) dhe llojet e tij, dhe refuzoi argumentet e atyre që e mohonin kijasin si; Dhahiritë, Ibn Hazmi dhe Davudi, një refuzim i gjatë dhe i detajuar.

Nxënësi i tij shejh Atije e shkroi këtë që ai kishte përmendur gjatë mësimit, dhe ia tregoi shejh Shenkitit më pas. Kur e lexoi, tha: “Sikur të mos e dëgjoja me zërin tim nuk do ta besoja se unë e kam thënë këtë.” Ai vetë thoshte se nuk e besonte ta kishte thënë diçka të tillë ngase Allahu ia kishte hapur shtigjet e dijes gjatë dhënies së mësimit.

Ai ulej dhe fliste për ajetet, pastaj zgjerohej dhe thellohej. Nganjëherë kërkonte ndjesë sepse e ndiente se disa fytyra nuk po e kuptonin, se ndoshta kishte shkuar larg, dhe kërkonte ndjesë se këto mësime përmbanin gjëra nga të cilat mund të përfitonin të gjithë.

Në mesin e të pranishmëve kishte edhe dijetarë si; shejhu Abdulaziz ibn Bazi, shejhu Hammad el Ensari dhe të tjerë si ata. Kishte edhe shumë nga populli i zakonshëm. Më e pakta që përfitonte një njeri i thjeshtë nga ky mësim ishte që e kuptonte madhështinë e Kuranit edhe nëse nuk kuptonte asnjë fjalë nga ato që thoshte shejhu. E thënë shkurt, ai ishte një det që shpërthen.

Kushdo që në një ditë të jetës së tij e mashtron veten dhe mendon se ka arritur diçka nga dija, le të dëgjojë vetëm disa minuta nga mësimet e regjistruara të shejhut. Mjafton vetëm pak dhe do ta kuptojë se ku është dija dhe kush janë dijetarët.

Allahu e mëshiroftë shejhun me mëshirën e Tij të gjerë!

Shkroi: Dr. Halid es Sebt

Dosje:

Loading...