Shkelje që ndodhin gjatë pastrimit ritual dhe abdesit

May 7, 2025

📋 Shkelje që ndodhin gjatë pastrimit ritual dhe abdesit

12 – Bindja i disa njerëzve se është e domosdoshme të lahet pjesa intime (ferxhi) para çdo abdesi, edhe nëse nuk ka patur ndonjë arsye për papastërtinë e asaj pjese. Ky është një gabim shumë i përhapur.

Qëndrimi i saktë në këtë çështje është të thuhet: se atë që e zë koha e namazit dhe më parë ka fjetur ose ka patur gazra, i mjafton të marrë abdes dhe nuk ka nevojë të lajë pjesën intime. Kush beson të kundërtën, ai ka futur një risi në fenë e Allahut dhe njëkohësisht është përfshirë në llojet e vesveseve.

Por nëse muslimani dëshiron të kryejë nevojën fiziologjike para abdesit, atëherë në këtë rast është detyrim të lajë pjesën intime dhe të pastrojë vendin e urinës apo jashtëqitjes.

Këtë e vërtetojnë argumentet në vijim:

Abdullahu ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka thënë: “Fjeta një natë te halla ime Mejmuna, dhe në një pjesë të natës Profeti ﷺ u ngrit dhe mori abdes lehtë nga një enë e varur.” Këtë hadith e transmeton Buhariu. Në këtë transmetim, Ibn Abbasi nuk përmend që Profeti ﷺ të ketë larë pjesën intime.

Po ashtu, Buhariu transmeton se një burrë i tha Abdullah bin Zejd-it (Allahu qoftë i kënaqur me të): “A mund të më tregosh se si e merrte abdesin i Dërguari i Allahut ﷺ?” Tha: “Po,” dhe kërkoi ujë, më pas hodhi ujë mbi duart e tij dhe i lau dy herë… (vijon hadithi). Edhe në këtë transmetim nuk përmendet se ai lau pjesën intime dhe as nuk ka ndonjë aludim për këtë.

Shejhu ynë i nderuar, Abdulaziz ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Istinxhaja (pastrimi me ujë) ose istixhmari (pastrimi me gur ose diçka tjetër të ngjashme) janë të detyrueshme vetëm pas urinimit apo jashtëqitjes, ose çfarëdo që është në kuptimin e tyre, dhe ky pastrim duhet bërë para abdesit.” (1)

13 – Prej shkeljeve që kanë të bëjnë me abdesin është ajo që shpesh ndodh te shumë njerëz: moslarja e plotë e duarve deri te bërrylat.

Sqarimi për këtë është si vijon:

Kur myslimani merr abdes, ai e fillon me emrin e Allahut (Bismilah), pastaj lan pëllëmbët, pastaj shpërlan gojën dhe hundën, lan fytyrën dhe më pas lan duart deri te bërrylat. Por pikërisht këtu ndodh gabimi: shumë njerëz fillojnë larjen e duarve nga kyçi i pëllëmbës e deri në fund të bërrylit. Një veprim i tillë është i mangët, sepse detyrimi është që duart të lahen tërësisht — nga majat e gishtave e deri te bërrylat.

Për këtë ka tërhequr vërejtjen shejhu ynë Abdullah ibn Xhibrini (Allahu e mëshiroftë).

Gjithashtu ka tërhequr vëmendjen edhe shejhu Muhamed ibn Salih el Uthejmin (Allahu e mëshiroftë).

Në një prej hutbeve të tij, shejhu ka thënë:

“Kini kujdes prej një gabimi që shumë njerëz bien në të: disa prej tyre, kur i lajnë duart pas larjes së fytyrës, fillojnë nga fundi i parakrahut deri te bërryli, por nuk i lajnë pëllëmbët e dorës. Kjo është gabim, sepse pëllëmbët përfshihen në kuptimin e dorës, prandaj është detyrim që duart të lahen pas fytyrës nga majat e gishtave e deri te bërrylat.

Gjithashtu, disa njerëz në ditët e ftohta veshin shumë rroba dhe kur i përveshin mëngët, i përveshin pa e zbuluar mirë bërrylin, kështu që ai (bërryli) nuk përfshihet në larje. Ky është gabim, sepse është detyrë që njeriu t’i përveshë mëngët e tij në atë mënyrë që uji të kalojnë përtej bërrylave, në mënyrë që edhe bërrylat të përfshihen në larje.” (1)

14 – Nga shkeljet e tjera që lidhen me pastrimin është edhe ajo që ndodh me disa njerëz gjatë larjes (guslit) pas ejakulimit, veçanërisht tek ata që janë të shëndoshë në trup.

Në trupat e tyre ndodhen pjesë ose palosje ku lëkura dhe dhjami mbivendoset mbi njëra-tjetrën, si në zonën e kraharorit. Kur derdhet uji gjatë larjes, ai rrëshqet vetëm mbi shtresën e sipërme të lëkurës, duke mos arritur te pjesët e mbuluara poshtë saj — dhe ato pjesë mbeten të thata pa u lagur me ujë.

Në këtë rast, larja (gusli) është i mangët dhe nuk është i vlefshëm.

✍ Dr. Abdul Aziz es Sed’han

Dosje: ,

Loading...