Imam Ebu Hanife siç dihet jetonte në Kufe (Irak). Ai ishte tregtar dhe shiste copa në treg. Ishte i fortë dhe i qëndrueshëm në të vërtetën, me largpamësi dhe zgjuarsi të dukshme. Frekuentonte mësimet e dijetarëve dhe kishte interes të madh për çështjet logjike dhe për përdorimin e arsyes.
Ai mësoi shumë hadithe dhe pastaj kundërshtoi mësuesit e tij në disa çështje, dhe ata e qortuan e madje ndonjëherë e përzunë. Ai më pas ndaloi (së kundërshtuari) dhe qëndroi mes tyre në heshtje derisa vdiq Hamadi dhe të ngjashmit e tij. Pas kësaj ai filloi të japë mësim dhe u angazhua në këtë fushë.
Imami Ebu Hanife ishte themeluesi i shkollës së mendimit racional në Kufe. Çfarë do të thotë shkolla e mendimit racional? Kjo shkollë ekzistonte edhe para tij në Medine dhe Kufe por nuk ishte e strukturuar mirë. Ai ishte që e themeloi atë në kuptimin e vendosjes së rregullave: ai shikonte në Kuran dhe në Sunet sipas asaj që i kishte arritur, dhe pastaj përdorte analogjinë sipas kuptimit të tij për të krahasuar çështjet e reja me ato ekzistuese.
Ai ishte i fortë në debat dhe në diskutime. Kushdo që kishte logjikë të fortë dhe dashuri për këtë mënyrë të të menduarit, anonin drejt tij. Dy dijetarë të mëdhenj që ndoqën këtë rrugë ishin Ebu Jusufi dhe imam Muhamed bin el Hasen, Allahu i mëshiroftë.
Ebu Hanife nuk shkroi asnjë libër vetë megjithëse disa gjëra i janë atribuar atij, por nuk janë të sakta. Ato janë në të vërtetë nga shkrimet e Ebu Jusufit dhe Muhamed bin el Hasenit. Ebu Jusufi u angazhua me gjykatën dhe pozitat shtetërore, kështu që shkrimet e tij ishin të pakta dhe nuk ndikuan shumë në shkollën e fikhut hanefi.
Ai që ndikoi më shumë në këtë shkollë dhe në rrjedhën e fikhut hanefi ishte Muhamed ibn el Hasen esh-Shejbani. Ai ishte shkrues i mirë, debatues i aftë, me kujtesë të fortë dhe transmetonte saktë. Ai shkroi gjashtë libra bazë mbi të cilat u ndërtua shkolla e fikhut hanefi. Këto libra njihen si “librat e transmetimeve të dukshme”, janë të botuar në pjesën më të madhe dhe janë të pranuara tek hanefitë.
Nëse dëshiron të vlerësosh librat e fikhut të kësaj shkolle do të shohësh se kontributi i Ebu Hanifes në to është i pakët, vetëm ajo që ka transmetuar për të Muhamedi ose Ebu Jusufi. Pothuajse e gjithë përmbajtja gjendet në librat e Muhamed ibn el Hasenit.
Prandaj është e saktë të thuhet se medhhebi i Ebu Hanifes mbështetet tërësisht mbi Ebu Jusufin dhe Muhamed ibn el Hasenin. Mbështetja mbi Ebu Jusufin ishte për përhapjen e medhhebit pasi ai kishte lidhje të ngushta me gjyqësinë dhe me autoritetin. Ai ishte afër me kalifin. Ndërsa Ebu Hanifja ishte ftuar të merrte postin e gjykatësit, por e kishte refuzuar dhe kishte mendim jo të mirë për qeverisjen abasite.
Për këtë arsye u burgos dhe vdiq në burg në vitin 150 pas hixhretit siç është e njohur.
Ebu Jusufi u afrua nga pushteti dhe u bë përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve. Prandaj, Ebu Jusufi përhapi medhhebin hanefi ngaqë nuk emëronte gjykatës veçse nga nxënësit e Ebu Hanifes ose prej nxënësve të këtij medhhebi. Në këtë mënyrë u përhap medhhebi hanefi në botën islame; nga Tunizia deri në skajin e Horasanit, duke kaluar nga Egjipti, Shami, Iraku dhe vende të tjera. Shteti ishte në anën e Ebu Jusufit i cili kishte autoritet në emërime dhe ishte i dëshiruar tek abasitët.
Librat e Muhamed ibn el Hasenit, gjashtë librat e tij të njohur fituan një pranim të madh dhe u trajtuan me hollësi. Pastaj filluan debatet ndërmjet hanefive dhe dijetarëve të tjerë, gjë që çoi në shkrimin e librave të hershëm të fuqishëm juridikë, si p.sh.: “Përgjigja ndaj Sijras së Evza’iut” nga Ebu Jusufi, apo debatet mes Ebu Hanifes dhe Ebu Lejlas dhe të tjera të ngjashme me to.
Kur Muhamed ibn el Haseni shkroi këto libra njerëzit u morën shumë me to. Më pas nisën shumë pyetje mes dijetarëve për krahasimin ndërmjet metodës së Muhamed ibn el Hasenit dhe dijetarëve të tjerë. Kështu u formua një pasuri juridike që u quajt “pasuria e mospajtimit”, pra trashëgimia e diskutimeve juridike ndërmjet dijetarëve dhe medhhebit të Ebu Hanifes.
Siç dihet dijetarët e hadithit nuk pajtoheshin me medhhebin e Ebu Hanifes, sepse siç thoshin ata; hanefitë ishin të mangët në shqyrtimin e haditheve dhe përdornin analogjinë (kijasin) edhe përballë haditheve të përcjella nga një transmetues (ehaad).
Në shekullin e dytë hixhri medhhebi hanefi u forcua shumë dhe u përhap, dhe librat e tij të cilat ishin si komentime mbi “librat e transmetimeve të dukshme” të Muhamed ibn el Hasenit fituan rëndësi të madhe.
Pastaj vijmë në shekullin e tretë hixhri, dhe në atë kohë njëri prej dijetarëve Hakim esh-Shehidi shkroi një libër ku mblodhi librat e Muhamed ibn el Hasenit. I renditi ato bashkë me përgjigjet e Ebu Hanifes dhe çështjet e ndryshme dhe përgjigjet e Ebu Jusufit, dhe i radhiti në një libër të quajtur “El Kafi” në fillim të shekullit të katërt, rreth vitit 300 e diçka hixhri.
Ky libër “El Kafi” përmblodhi gjithçka që kishte ardhur nga librat e transmetimeve të dukshme dhe përgjigjet e ndryshme, dhe i ndau në kapituj të radhitur mirë. Nga ai moment nisi shkrimi i librave të fikhut hanefi deri në kohën tonë.
Këtë libër e komentoi dijetari i madh Es-Serhasij në veprën e tij të madhe “El mebsut”, e cila përbëhet nga 30 vëllime. Ai e komentoi këtë libër me gojë gjersa ishte i burgosur në një pus në Farghana. Disa nga nxënësit e tij shkuan tek ai dhe donin ta ngushëllonin, dhe i thanë në kuptimin që të qetësohej shpirtërisht: “Na e komento librin ‘El Kafi’ të Hakim esh-Shehidit.” Kështu ai e komentoi në 30 vëllime pa pasur asnjë libër përpara.
Kjo vepër u bë nga librat më të vlefshëm që formësuan bazën e medhhebit hanefi. Siç e dini, Serhasij jetoi në shekullin e pestë hixhri.
Autor: Shejh Salih Al Esh Shejh
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Ebu Hanife, fikhu
Të Ngjashme
- Tekbiri i përgjithshëm dhe tekbiri i kufizuar Udha e Besimtarëve
- Disa shkelje që ndodhin gjatë marrjes së abdesit – 7 – Udha e Besimtarëve
- Disa shkelje që ndodhin gjatë marrjes së abdesit – 6 – Udha e Besimtarëve
- Forma e kryerjes së Umres Udha e Besimtarëve
- Mendimi juridik i imam Malikut dhe metoda e tij në veprën “El Muatta” Udha e Besimtarëve