Shfaqja e Adhurimeve dhe Veprave të Mira në Rrjetet Sociale

August 29, 2025

Dijetari i madh Maliki, Ebu Abbas el Karafi (v. 688H/1285G) thotë:

“Allahu i Lartësuar në ajetet që tregojnë dispozitat për haxhin ka thënë:

(وَأَتِمُّوا الْحَجَّ وَالْعُمْرَةَ لِلَّهِ)

“Plotësojeni haxhin dhe umren për Allahun.”

Ndërkohë që nuk ka thënë “për Allahun” kur ka përmendur namazin apo adhurime të tjera.

Arsyeja është se syfaqësia gjatë haxhit dhe umres është shumë më e përhapur.

Shumë njerëz sapo dëgjojnë diçka që lidhet me vendet e shenjta, menjëherë kujtojnë atë që kanë parë dhe përjetuar gjatë haxhit.

Dhe për të mos rënë besimtari në syfaqësi, Allahu theksoi fjalën “për Allahun” që njeriu t’i kushtojë rëndësi sinqeritetit gjatë kryerjes së haxhit dhe umres.

(El Dhehira, 3/174.)

Këto fjalë janë thënë para tetë shekujsh.

Po sikur El Karafi të jetonte në kohën tonë ku secili i ka kthyer rrjetet sociale në një libër veprash të përditshme?

Ku shumë njerëz nuk ngurrojnë të postojnë foto dhe video duke bërë tavaf, duke lexuar Kuran, duke falur namaz, duke bërë dua, duke mos lënë gjë pa e dokumentuar publikisht.

Vlen të kujtojmë hadithin e Profetit ﷺ ku përmenden shtatë kategori njerëzish që Allahu do t’i fusë nën hijen e Tij Ditën e Gjykimit.

Mes tyre janë:

– Ai që jep lëmoshë fshehurazi saqë dora e majtë nuk e di se çfarë ka dhënë e djathta.

– Ai që e përmend Allahun në vetmi dhe sytë i mbushen me lot.

(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Ky është modeli i adhurimit të sinqertë: fshehtësia dhe largimi nga syfaqësia.

Seleme bin Dinar (v. 133 H) nga dijetarët e selefëve thoshte:

“Fshehi veprat e mira, më shumë se fsheh të këqijat”.

(Transmeton Ibn Ebi Shejbe)

Një dijetar tjetër thotë:

“I sinqert është ai i cili fsheh veprat e mira sikurse fsheh të këqijat”.

Lusim Allahun e Madhëruar të na dhurojë sinqeritet në fjalë dhe vepra, dhe të na ruaj nga sprova e famës dhe syfaqësisë!

Dosje:

Loading...