Namazi, barrë apo qetësi shpirtërore?
Shumë prej nesh, fatkeqësisht e vuajmë faktin që namazi na rëndet, dhe aq më tëpër kur nuk e falim në xhami, dhe ndoshta disa herë kur falemi kemi për qëllim që të mbledhim mëndjen, ose e thënë më shqip: ta heqim qafe!
A mos vall kaq shumë na ka rënduar namazi që zakonisht nuk i kalon dhjetë minuta, derisa është kthyer në një barrë të padurueshme që duhet ta heqim qafe e të jemi të qetë?
Në goxha raste, namazi jonë ka njëfarë përngjasimi me namazin e munafikëve, të cilët kur falin namaz, falen me përtaci, sikurse ka përshkruar Allahu i Lartësuar gjëndjen e tyre në Kuran duke thënë:
{وَإِذَا قَامُوٓاْ إِلَى ٱلصَّلَوٰةِ قَامُواْ كُسَالَىٰ يُرَآءُونَ ٱلنَّاسَ وَلَا يَذۡكُرُونَ ٱللَّهَ إِلَّا قَلِيلٗا}
“e kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtaci, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak.” (en Nisa: 142)
Një nga sahabët, tregon se ka dëgjuar Profetin ﷺ të thoshte: “O Bilal, na qetëso me namaz!”. (Transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi).
Gjithashtu, Enes bin Malik tregon se Profeti ﷺ ka thënë: “Më është bërë kënaqësia e syrit tim (kënaqësia dhe prehja shpirtërore) në namaz.” (Transmeton Ahmedi dhe Nesaiu).
Pra, i Dërguari i Allahut u qetësonte dhe gjente kënaqësi shpirtërore në namaz, ndërsa namazi jonë është kthyer thjesht në një obligim formal që duhet kryer për ta mbledhur mendjen, pa marr parasysh se sa të përqëndruar e të përkushtuar jemi gjatë faljes, dhe ndoshta harrojmë se kur falim namaz jemi përpara Allahut, Krijuesit të gjithësisë.
Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728H) thotë:
Gjëja e fundit me të cilën Profeti ﷺ porositi umetin e tij ishte namazi.
Ai ﷺ thoshte: “Namazi më është bërë kënaqësi e syrit tim.”
Dhe thoshte gjithashtu: “O Bilal, na qetëso me namaz.” – e jo “na qetëso prej namazit”.
Prandaj, kush nuk gjen kënaqësinë e syrit dhe qetësinë e zemrës në namaz, ai ka mangësi në besim.
“Mexhmu’ul Fetaua” (11/541).
Imam Ibn Kajim el Xheuzije (v. 751H) thotë:
Fjala e Profetit ﷺ: “O Bilal, na qetëso me namaz!”, tregon se qetësia dhe kënaqësia e tij ﷺ ishte në namaz.
E si mund të krahasohet kjo gjëndje, me gjëndjen e atij që thotë: “Le të falemi, e ta ta mbledhim mendjen”?
Njeriu që e do Allahun, e gjen qetësinë dhe kënaqësinë në namaz, ndërsa ai që është I pakujdesshëm dhe nuk interesohet për namazin, nuk ka pjesë nga kjo qetësi.
Përkundrazi, namazi për të është i rëndë dhe i lodhshëm; gjatë kohës që falet është sikur të ishte mbi prush, derisa të shpëtojë prej tij.
Namazi që e do më shume ky person është namazi më i shpejt dhe më i shkurtër , sepse ai nuk ndjen as kënaqësi e as qetësi zemre në të.
Ndërkohë, kur njeriu gjen kënaqësi dhe qetësi në diçka, gjëja më e rëndë për të është ndarja prej saj.
Ndërsa ai që e fal namazin me siklet, me zemër bosh nga Allahu dhe bota tjetër, i sprovuar me dashurinë e kësaj bote; gjëja më e rëndë për të është namazi, dhe gjëja më e urryer për të është namzi i gjatë, edhe nëse ai është i lirë, i shëndoshë dhe pa angazhime.
“Letër e Ibn Kajimit drejtuar njërit prej shokëve të tij”, (fq. 33).
Lusim Allahun e Lartësuar t’na dhurojë përqendrim e përkushtim në namaz, ta shijojmë atë, si dhe të ndiejmë madhështinë e Atij përpara të Cilit falemi dhe i lutemi, e jo ta falim namazin vetëm si një detyrim formal!
Dr. Fatmir Strumi
Dosje: namazi
Të Ngjashme
- Pse nuk u caktuan të gjitha namazet në një kohë të vetme? Udha e Besimtarëve
- Letër nga babai për djalin e tij si nxitje për namazin Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- A i lejohet personit ta falë namazin në shtëpi dhe të mos shkojë në xhami? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Leximi gjatë namazit pa lëvizur gjuhën dhe buzët Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz
- A lejohet të paraprihet imami në lëvizjet e namazit? Udha e Besimtarëve