Sinqeriteti, dituria dhe urtësia – shtyllat e suksesit në thirrje
Dijetari i madh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin – Allahu e mëshiroftë thotë:
“Më së shumti që cenon dhe prish thirrjen islame është: mungesa e sinqeritetit ose mungesa e dijes.
Qëllimi me ‘dije’ në fjalën e Allahut të Lartësuar: (‘me vizion të qartë – على بصيرة’) nuk është vetëm njohja e dispozitave të sheriatit, por ajo përfshin tri shtylla:
1. dijen e sheriatit,
2. dijen mbi gjendjen dhe rrethanat e të thirrurit,
3. dijen mbi mjetet dhe rrugët që çojnë drejt qëllimit të thirrjes – e kjo është urtësia.
Thirrësi duhet të jetë i qartë në lidhje me gjykimin e sheriatit, i qartë mbi gjendjen e atij që thërret, dhe i qartë mbi mjetet e duhura që çojnë në realizimin e thirrjes. Për këtë arsye, Profeti ﷺ i tha Muadhit kur e dërgoi në Jemen: “Ti do të shkosh tek një popull që janë ithtarë të Librit.”
Ky nuk është vetëm një njoftim juridik, por edhe një orientim praktik: sepse dijenia se ky person duhet ftuar me butësi, tjetri me ashpërsi, e një tjetër ka dije dhe mund të përballet përmes dyshime – kjo është dije që shkon përtej dispozitës së sheriatit.
Po ashtu, dijenia mbi mënyrat që afrojnë zemrat dhe motivojnë të thirrurit, si inkurajimi dhe nxitja – sikurse fjala e të Dërguarit ﷺ: “Kush e vret një armik, plaçka e tij është e tija,” – ose afrimi përmes dhurimit të pasurisë, ashtu siç bëri Profeti ﷺ me ata që sapo hynë në Islam në betejën e Hunejnit, kur u dha secilit prej tyre nga njëqind deve.
Kjo e gjitha hyn në kuptimin e urtësisë. Për këtë arsye, injoranti nuk është i përshtatshëm për thirrje, nuk është i lavdëruar, dhe metoda e tij nuk është metoda e të Dërguarit ﷺ; sepse injoranti prish më tepër sesa rregullon.”
📓 El-Kaulu’l-Mufid, fq. 102
Dosje: Thirrja Islame
Të Ngjashme
- Shfaqja e adhurimeve dhe veprave të mira në rrjetet sociale Udha e Besimtarëve
- Menaxhimi i përditshmërisë Udha e Besimtarëve
- Kjo ‘këshillë’ më ka kushtuar 20 vite Udha e Besimtarëve
- Bëhu argjendar librash Udha e Besimtarëve
- Kështu e shtrembërojnë filmat e Hollivudit imazhin e arabëve dhe myslimanëve Udha e Besimtarëve