Dobitë e pafundme të teksteve fetare

October 21, 2025

Tekstet fetare, qofshin ajete kuranore apo hadithe profetike, përmbajnë dobi të shumta, të cilat i vëren ai që i lexon ose i dëgjon me vëmendje.

Çdo fjalë e tyre është dritë që ndriçon zemrën dhe mendjen e njeriut.

Kush mediton në to gjen mësim, udhëzim dhe frymëzim në çdo aspekt të jetës.

Dobitë dhe përfitimet që nxirren prej tyre mund të jenë të qarta të cilat i kuptojnë shumica e njerëzve, por mund të jenë edhe shumë të thella që nuk i vëren veçse ai që është i thelluar në fusha të ndryshme të dijes dhe zotëron një mendje të mprehtë e të kthjellët.

Shejh Abdurrahman es Sadij (v. 1376 H) ka shkruar një libërth të vogël ku ka përmbledhur 54 dobi dhe mësime të nxjerra nga surja Jusuf.

Më vonë, dy studiues të njohur; shejh Selim el Hilali dhe shejh Muhamed Musa Nasr, kanë shkruar një libër ku kanë përmendur plot 1224 dobi të nxjerra nga kjo sure madhështore, e cila përmban vetëm 111 ajete.

Shejh AbduRrazak el Bedr në një ligjëratë ka përmendur 50 dobi të përfituara nga historia e Lukmanit, që është përmendur në suren Lukman në ajetet 12 – 19.

Kjo tregon se sa shumë thesare diturie mund të gjenden në çdo ajet të Kuranit për këdo që mediton.

  • E njëjta gjë vlen të përmendet edhe në lidhje me fjalët e Profetit ﷺ.

Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enes bin Malik radijallahu anhu se ka thënë:

“Profeti ﷺ shoqërohej me ne dhe i thoshte vëllait tim të vogël: O Ebu Umejr, çfarë bëri zogu Nugajr? (një bilbil me të cilin luante fëmija i vogël).

Ndonjëherë vinte koha e namazit, dhe Profeti ﷺ gjendej në shtëpinë tonë. Ai urdhëronte të shtrohej një hasër, të pastrohej, dhe falej me ne.”

Nga ky hadith i shkurtër, dijetari Ebu Abas et Taberi Ibn el Kas (v. 335 H) ka përmendur 61 dobi të nxjerra prej tij.

Ndërsa Hafidh Ibn Haxheri (v. 852 H), në veprën e tij të njohur “Fet’hul Bari” i ka përmendur këto dobi, dhe ka shtuar edhe 14 të tjera duke i bërë gjithsej 75 përfitime që lidhen me këtë hadith të shkurtër.

  • Thellimi në fjalët e Profetit ﷺ nuk është diçka e panjohur tek dijetarët e hadithit:

Dijetarë të mëdhenj kanë shkruar libra të tërë në një ose më shumë vëllime, vetëm për të komentuar një hadith të vetëm. Këto libra janë të shumtë, ndër ta:

Kadi Ijad (v. 544 H) ka komentuar hadithin e Umu Zer’it dhe dobitë e tij në një vëllim të plotë.

Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728 H) ka komentuar hadithin e Xhibrilit në librin e tij “El ijman el eusat”.

Hafidh Ala’i (v. 761 H) ka trajtuar hadithin e Dhul Jedejnit radijallahu anhu, ku përmendet rasti kur Profeti ﷺ bëri sexhden e harresës (sehvi sexhde) në namaz.

Këto vepra tregojnë se sa e thellë është çdo fjalë e Profetit ﷺ dhe sa shumë urtësi mund të nxirren nga to për ata që meditojnë me përkushtim.

Çdo fjalë e Allahut ﷻ dhe e Profetit ﷺ është një dritë dhe udhëzim hyjnor.

Sa më shumë të thellohet njeriu në to, aq më shumë thesare dijesh dhe dobish zbulon.

Lusim Allahun ﷻ të na dhurojë dije fetare të dobishme dhe mendje të mprehtë, e të na bëjë prej atyre që punojnë me dijen që zotërojnë!

Dosje: ,

Loading...