Sekreti i bereqetit në veprat dhe kohën e dijetarëve

December 9, 2025

Shëndeti dhe koha e lirë janë prej mirësive madhore që Allahu i Lartësuar ua ka dhënë shumë njerëzve, por fatkeqësisht ato shpesh nuk shfrytëzohen si duhet. Madje, në të shumtën e rasteve këto dy mirësi nuk vlerësohen përveçse kur njeriu i humb dhe privohet prej tyre, ose kur sheh dikë që është tepër i angazhuar apo vuan nga ndonjë sëmundje e dukshme.

Ibn Abasi tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Dy mirësi janë mashtruar në to shumë prej njerëzve; shëndeti dhe koha e lirë.”
(Transmeton Buhariu.)
Sahabiu Ebu Darda thoshte:
“O bir i Ademit! Ti je vetëm disa ditë; sa herë që kalon një ditë ka kaluar një pjesë e jotja.”
Tabiini i njohur Hasan Basriu (v. 110 H) tregon:
“Kam parë njerëz që ishin më koprracë për kohën e tyre sesa për dirhemët (paratë).”

Duke parë rëndësinë e këtyre dy mirësive, vërejmë se dijetarët islamë në të gjitha kohërat e kanë njohur vlerën e shëndetit dhe kohës së lirë dhe i kanë shfrytëzuar ato në maksimum. Si rezultat i këtij mirëmenaxhimi, me dëshirën e Allahut ﷻ ata kanë lënë pas vetes një numër të madh librash, nga të cilët kanë përfituar njerëzit brez pas brezi.
Dijetari Ibn Akil el-Hanbeli (v. 513 H) thotë:
“Nuk më lejohet të humbas kot as edhe një çast.
Nëse gjuha ime nuk mund të përsërisë apo të diskutojë me dikë dhe sytë nuk mund të lexojnë, atëherë mendoj gjatë pushimit dhe nuk ngrihem derisa të kem vendosur çfarë do të shkruaj.
Allahu ﷻ më ruajti gjatë rinisë sime dhe ma lidhi zemrën me dijen, dhe nuk kam qëndruar kurrë me njerëz që merren me gjëra të kota por vetëm me nxënës të dijes.”
Përkushtimi i tij bëri që të shkruante shumë libra, dhe ndër veprat e tij më të njohura është libri “El funun” i cili përbëhej prej 200 vëllimesh.
Historiani i madh imam Dhehebiu e ka përshkruar këtë libër duke thënë:
“Nuk është shkruar në botë libër më i madh se ai.”
Thotë Ibn Xhema (v. 733 H):
“Është e domosdoshme që nxënësi i dijes të mos shoqërohet veçse me atë nga i cili merr dije ose i jep dije.
Nëse shoqërohet me dikë që ia humbet kohën dhe nuk i sjell dobi, atëherë ai duhet të gjejë mënyrën e duhur për ta ndërprerë këtë shoqëri para se ajo të forcohet.”
(“Tedhkiratu es sami” fq. 83.)
Për këtë arsye shohim se ata që e kanë shfrytëzuar kohën, shëndetin dhe mundësitë e tyre, Allahu ﷻ i ka begatuar në punën dhe trashëgiminë që kanë lënë pas, duke lënë libra prej të cilëve përfitojnë breza të tërë.

• Dijetari i madh Neueuiu (v. 676 H):

Allahu ﷻ i dha begati të madhe në kohën e tij.
Librat e tij, të mëdhenj e të vegjël, kanë gjetur pranim të jashtëzakonshëm në mesin e  dijetarëve si dhe tek njerëzit e thjeshtë, dhe janë shndërruar në librat më të përhapur në fushën e tyre megjithëse ai jetoi vetëm dyzet e pesë vite!

Kur përmenden “Dyzet hadithet”, menjëherë kujtohet libri i Neueuiut, megjithëse janë qindra  e qindra libra që kanë mbledhur dyzet hadithe, po ashtu “Rijadu Salihin”, Shpjegimi i sahih Muslim” etj.

• Imam Ibn Kajimi (v. 751 H) duke treguar për mësuesin e tij Ibn Tejmijen (v. 728 H), thotë:

“Kam parë tek shejhul Islam Ibn Tejmije një forcë të jashtëzakonshme; në ecjen e tij, në të folurin e tij, në guximin e tij dhe në shkrimet e tij.
Ai shkruante për një ditë aq sa një person që merret me shkrime e shkruan për një javë ose më shumë.”
(“El uabil es sajjib” fq. 185.)
Ibn Tejmije shkruante për një ditë aq sa një person merret me shkrime e shkruante për një javë apo edhe më shumë!
Duke marrë parasysh se ai i cili thjesht kopjon tekstin e gatshëm para tij e ka shumë më të lehtë sesa ai që shkruan dhe formulon një libër.
Për këtë arsye, siç tregon nxënësi i tij Ibn AbdulHadi (v. 744 H) dhe Dhehebiu (v. 748 H), nuk përjashtohet që librat e Ibn Tejmijes të arrijnë më shumë se 500 vëllime.
Kjo është rruga e dijetarëve dhe e njerëzve me vendosmëri të fortë. Ata e kuptojnë vlerën e kohës dhe të shëndetit, dhe shfrytëzojnë në maksimum mirësitë dhe mundësitë që u ka dhënë Allahu ﷻ.
Lusim Allahun të na japë bereqet në kohën dhe mundin tonë!

Dr. Fatmir Strumi

Dosje: , ,

Loading...